Takimi i Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e Zyrës së Bashkëqeverisjes dhe qytetarë që kanë marrë zgjidhje të problemeve të tyre nga platforma e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu, në këtë event javor të platformës shqipëriaqëduam.al. Po e nisim me rastin e parë me të cilin do të na referojë Egesta.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes Egesta Ahmetaj: Dy qytetarë nga Dibra, banorë të bashkisë Klos kanë ardhur sot, në këtë takim. Allaman Çira, i cili ka punuar gjatë gjithë jetës në minierën e Batrës, i është drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, pasi nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Dibër i është caktuar një pension minimal në shkallë vendi. Ankesa u trajtua nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe pas një rivlerësimi u bë i mundur dyfishimi i pensionit mujor që Zoti Çira do të fitojë, si dhe akordimi i shumës kreditore në llogarinë e Zotit Çira, shumë kreditore, e cila i është akorduar menjëherë.
Zoti Allman Çira: Kam punuar në miniere qysh në ’74-n. Pasi dola në pension, më doli pensioni shumë i ulët, 133 mijë lekë. Kam shkuar dy herë në Peshkoi dhe jam ankuar, nuk ngritën gjë. Me kompensimet ka shkuar 156 mijë lekë. Pasi bëra ankesën në portal, na thirrën. Shumë faleminderit Kryeministrit dhe të tjerëve. Pensioni u shtua.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit ju që morët mundimin dhe të vinit këtu. E kam përsëritur disa herë dhe ia vlen të përsëritet çdo herë, që një nga punët e mira të platformës së bashkëqeverisjes është mbështetja e menjëhershme që i jep pensionistëve, të cilët prej shumë viteve para daljes së platformës kanë patur pamundësi të plotë për të adresuar çështjen e përllogaritjes së drejtë të pensionit të tyre, si rezultat, nga njëra anë, i administratës së pavëmendshme, për të thënë më të paktën dhe nga ana tjetër, i një sistemi funksionimi të ankesave që ka qenë një sistem pothuajse i dështuar për 30 vite. Sistem i dështuar sepse qindra mijëra letra drejtoheshin çdo vit vetëm në këtë godinë, pa llogaritur letrat nëpër ministri, pa llogaritur letrat nëpër drejtori dhe nuk rezulton që qoftë dhe 1 % e tyre të merrnin përgjigje. Ajo që platforma ka bërë është që e ka transformuar sistemin e ankesave në një sistem modern, të aksesueshëm dhe të drejtpërdrejtë, duke e bërë ta pamundur që ankesa e çdo qytetari të mbetet e palexuar dhe duke i dhënë fund, njëherë e mirë, përfundimit të ankesave në kosh të plehrave.
Nga ana tjetër është me shumë rëndësi të thuhet se ky sistem i ri ankesash ndihmon çdo ditë në përmirësimin e administratës. Shumëkush vazhdon sot e gjithë ditën të thotë përse na duhet platforma, pse duhet që t’i çojmë sms kryeministrit apo ministrave, administrata duhet t’i bëjë këto etj.. E vërteta është se edhe në vendet më të zhvilluara ka sistem ankesash, sepse edhe në vendet më të përparuara me administratat më moderne nuk kanë arritur dot dhe s’do të arrijnë dot menjëherë të mbërrijnë në një nivel ku nuk ka asnjë ankesë. Në fund të ditës, administrata është një sistem që vihet në punë nga njerëz, çdo ditë. Nëse do të ishte kështu, siç i bien shkurt shumë njerëz, atëherë mjafton të shikojmë sesa letra ankese shkruajnë qytetarët amerikanë në Kongres, në Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë dhe që lidhen me problemet e tyre shpeshherë individuale, shpeshherë komunitare dhe që marrin zgjidhje, sepse një nivel më i lartë ndërhyn për t’u dhënë atyre zgjidhje.
Sigurisht është sfida jonë ta përmirësojmë administratën çdo ditë. Sigurisht është sfida jonë të ndajmë të njomin nga i thati në administratë. Edhe për këtë ndihmon ky komunikim i drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe qeverisë për të adresuar një hall, sepse, pasi ne e adresojmë problemin, ne merremi me shkaktarët e problemit. Janë mbi 800 persona në administratë, që nga drejtorë deri tek specialistë që kanë marrë masa ndëshkimore në adresë të tyre, që nga ndjekjet penale deri te paralajmërimet për pushim nga puna për shkak se kanë rezultuar se kanë zvarritur qytetarët.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes, Egesta Ahmetaj: E së njëjtës natyrë është dhe ankesa e Zotit Ismail Dalliu. Ai ka punuar mbi 20 vite si vagonist nën tokë, i cili përfshihet në kategorinë e profesioneve të vështira, por masa e pensionit nuk ka qenë në përputhje me vështirësinë e punës që ai ka kryer, si dhe me kontributin e dhënë. Pas trajtimit të ankesës u konstatua se pensioni i Zotit Dalliu nuk ishte përcaktuar në përputhje me dispozitat ligjore të ligjit “Për sigurimet shoqërore”. U bë sistemimi i vlerës, i shumës kreditore. Duhet theksuar se nga ana e institucionit ka filluar hetimi administrativ, për të konstatuar shkeljet e kryera.
Zoti Ismail Dalliu: Zoti Kryeministër, është për moshën tonë respektin për punonjësit në këtë administratë, se në çdo administrate që kam kaluar, prej hallit jo prej qejfit, nuk kam gjetur asnjë gjë. Dhe te Instituti i Sigurimeve para 3 muajsh kam qenë, mora fjalë për platformën, më thanë që kemi shumë.
Kryeministri Edi Rama: Duhet ta përsërisë për të gjithë pensionistët që kanë të njëjtin problem, që të mos humbasin kohë me zyrat lartë e poshtë, por t’i drejtohen platformës. Jo vetëm bëjnë të mundur rillogaritjen e pensionit dhe e vënë pensionin aty ku është e drejta, por njëkohësisht kthejmë paratë të munguara në të gjitha vitet. Në rastin e Zotit Allamani janë 188 mijë leke të reja që janë kthyer. Në rastin e Zotit Ismaili janë 244 mijë, pra, e thënë ndryshe 1.8 milionë dhe 2.5 milionë që janë kthyer si rezultat i borxhit të akumuluar të shtetit ndaj tyre. Nuk kam çfarë të them për atë që tha Zoti Ismail për administratën, sepse realisht administrata ka probleme, të cilat shfaqën sidomos në rastin kur njerëz që vijnë nga larg, njerëz që vijnë nga zona të vështira dhe që nuk kanë asnjë përkrahje trajtohen sikur është gjëja më e thjeshtë të kthehen mbrapsht. Por nga ana tjetër dua të them se me këtë sistem, ne po ndihmojmë shumë në procesin e përmirësimit të administratës. Sot, administrata është shumë më e mirë seç ishte. Sepse deri dje ishte një hata, por nuk diskutohet se krahasuar me ku duhet të jetë, akoma nuk është aty ku duhet.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes, Lediana Allka: Në plotësimin e kërkesave të përfaqësuesve të minatorëve, të shprehur në interpelancën e realizuar në platformën e bashkëqeverisjes, u bë e mundur miratimi i ligjit në vitin 2018, nëpërmjet të cilit u arrit që të gjithë ish të dënuarit politikë që kanë punuar në minierë t’u njihet periudha e dënimit si periudhë kontributive për efekt pensioni. Këtu përfshihet edhe rasti i Zotit Sehit Spahiu, i cili ka paraqitur ankesën për përftimin e pensionit si ish i dënuar politik, që ka punuar edhe në miniere, në nëntokë. Prej disa muajsh, Zoti Spahiu ka paraqitur kërkesën për pension pleqërie, por për shkak të kërkesës së vërtetimit të periudhës së shpërblimit financiar si ish i dënuar politik, pensioni i tij nuk ishte caktuar ende. Pas marrjes së konfirmimeve edhe nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Brendshme, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë i caktoi Zotit Spahiu pensionin dhe njëkohësisht iu caktua një akordim i tepricës kreditore në llogarinë e tij personale.
Zoti Sehit Spahiu: U detyrova që pas 6 viteve nëpër zyra, – jo se na tallnin, por na tallte paaftësia e njerëzve pa kulturë, na përcillnin në mënyra shumë qesharake, – më në fund vendosëm t’i drejtohem platformës Shqipëriaqëduam.al. Iu drejtova para 5 muajve dhe brenda një kohe 3 ditore më nxorën pensionin. Thashë se u zgjidh kjo punë. Pas 2 muajve më ndalohet përsëri pensioni. Kush e ka bën këtë hakmarrje Zoti Kryeministër, paaftësia e zyrtarëve, se këtu po shoh vetëm njerëz të kulturuar, kurse andej keni zgjedhur militantë, jo juve. Nga mikpritja që pata këtu, mbeta shumë i kënaqur. Unë kam vuajtur 15 vite në burgje. Ju falënderoj për deri këtu. Ia shpreha falënderimet edhe koordinatores. Zoti më ndihmoi që doli kjo derë dhe nuk po na mbyllen më dyert e zyrave. Ja u di për nder, por prapë mos harroni se keni shumë punë për të bërë. Se për ne të burgosurit, në shumë zyra të sindikatave tallen dhe nxjerrin disa ligje, – ndoshta ju se dini – por që janë anormale. Unë kam ardhur sot nga Vlora që në 5 të mëngjesit për këtë punë. Ju lutem zgjidhini, por ka shumë gjëra që lënë për të dëshiruar, ka shumë njerëz të paaftë në sigurimet shoqërore. Shkova tek sigurimet shoqërore tek “Myslym Shyri”. Përgjegjësi dilte dhe ulërinte si, më falni për shprehjen, gomar dhe përgjigje nuk jepte asnjëri. Ju faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Respekte edhe për fjalët e drejtpërdrejta. Nuk kam asnjë gjë për të kundërshtuar, le të themi, sepse besoj që është e vërteta dhe kjo është lufta e përditshme. Ne vërtetë duam që të kemi një administratë që të jetë model, por duhet të kemi parasysh që ndërtimi i një administrate model kërkon mund të madh dhe kërkon kohë. Shtetet që i shohim me admirim për administratën kanë qindra vjet që kanë administratë në dispozicion të publikut dhe besoj që në këto 6 vite ka shumë gjëra që janë përmirësuar, sepse deri para 6 vitesh, situata ishte shumë katastrofike. Patjetër që ka shumë më tepër për të bërë, por kjo nuk është një çështje militantësh, por është një çështje e të shërbyerit ndaj qytetarëve, se militant jam dhe unë, por nuk i lë askujt pa i dhënë përgjigje, as në telefon. Nuk e kam për detyrë, por e ndjej për detyrë t’i jap përgjigje që të bëj atë që mundem dhe sa mundem për të ndihmuar, kur shoh që dikush ka nevojë për ndihmë dhe ndihmën duhet ta marri nga shteti dhe dikush në shtet nuk ja jep ndihmën. Ana tjetër e medaljes është ajo që kam thënë gjithmonë që, duke patur qytetarë aktivë për interesin e tyre, sepse, në fund të fundit, ju keni zhvilluar këtë betejë tuajën për interesin tuaj, edhe në platformë jeni adresuar për interesin tuaj, për të zgjidhur problemin tuaj, por ama na keni ndihmuar neve. Sepse duke ndjekur rastin tuaj, pasi ai zgjidhet, identifikojmë edhe ata, të cilët nuk duhet të jenë aty. Përshembull, ky përgjegjësi që sapo më the, menjëherë ne do të hetojmë për rastin dhe në qoftë se kjo do të vërtetohet, ai nuk mund të jetë më në punë. Mesazhi që duhet të marrin të gjithë është që me platformën, çdo qytetar, dikush që deri dje je mësuar ta trajtosh si leckë për turpin tënd, mund të të marrë në qafë sepse ka akses të drejtpërdrejtë në qeveri dhe tek Kryeministri, njësoj siç ka akses një deputet, apo një person me influencë, që arrin të shkojë më lehtë në zyrat e shtetit. Madje më shumë, sepse, ashtu siç interesohem për t’ju përgjigjur të gjithë atyre që nuk i njoh, ashtu siç platforma nuk kërkon as biografinë, as teserën e partisë, asgjë tjetër përveçse të të gjendet për rastin, është absolutisht e vërtetë që nuk interesohem për ata që njoh në të njëjtin nivel, përkundrazi.
Kjo është një luftë e përditshme, miku im. Bëjmë sa mundemi, nuk bëjmë sa duam. Do të donim të bënim shumë më tepër, por mundësitë nuk janë të pakufizuara dhe çdo ditë bëjmë nga një hap të vogël, siç bëmë edhe sot bashkërisht.
Përsa i përket të burgosurve politikë, unë mendoj se ne kemi bërë shumë më tepër se asnjëherë më parë për të burgosurit politikë. Kemi marrë përsipër shlyerjen e të gjitha detyrimeve për të gjallët, për ata që kanë qenë vetë në burg, jo për ata që janë trashëgimtarë apo pretendentë dhe jemi drejt mbylljes së kësaj historie. Procesi do të vazhdojë edhe me të tjerë, por ama është e pafalshme që mbas shembjes së komunizmit dhe daljes nga burgu të të burgosurve politikë ka plot prej tyre që pritën 10 vite, 15 vite dhe shkuan në botën tjetër pa marrë një qindarkë. Ndërkohë ka të tjerë që s’kanë bërë një ditë burg dhe kanë marrë të gjithë kompensimin si kushërinj, në ndonjë rast kanë qenë edhe kushërinjtë, edhe spiunë të atyre që kanë qenë në burg. Ti mbase s’ke pasur ndonjë kushëri spiun, por ka plot raste të tilla.
Koordinatorja e Zyrës së Bashkëqeverisjes, Juela Selimi: Kemi sot një rast të rubrikës “Biznesi im”, i cili është trajtuar në platformë. Subjekti “Vllaznia Ndërtim”, i cili që prej vitit 2012 nuk ka arritur dot të marrë likuidimin financiar të shkaktuar nga bashkia Klos në Qarkun Dibër. Arsyeja është se pasi ka përfunduar të gjitha punimet e realizuara në qytetin e Klosit, përsëri nuk ka mundur ta marrë bazuar në faturat e tij. Ky rast u ndoq sëbashku me ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, si dhe me Bashkinë Klos, për t’i dhënë këtë likuidim financiar subjektit.
Administratori i Subjektit “Vllaznia Ndërtim, I.S”: Duke ju falenderuar për shlyerjen e detyrimit financiar që kishit ndaj nesh prej 7 viteve, shpresoj dhe uroj që problematika të tilla të marrin fund sa më shpejt, pasi në një farë mënyre ekziston ky problem, edhe sot e kësaj dite.
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që jemi në një fazë tjetër, me një potencial të ri në aspektin e reagimit të pushtetit vendor ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve apo të sipërmarrjeve. Kemi pasur shumë pak ndërveprim, për të mos thënë zero, me bashkitë që kishin një tjetër ngjyrë politike dhe sot, të gjithë kryetarët e rinj të bashkive marrin në mënyrë të përjavshme raportin e përgjithshëm të platformës dhe të gjitha rastet që duhen trajtuar brenda afateve dhe çdo rast jashtë afatit trajtohet me përparësi nga unë personalisht, sëbashku me ta. Kjo do të sjell goxha ndryshim në raport mes pushtetit vendor dhe subjekteve apo qytetarëve që kanë ankesa. Ashtu sikundër duke krijuar një forcë të shtuar në skuadrën e bashkëqeverisjes për biznesin dhe duke u fokusuar shumë më tepër platforma edhe tek biznesi, i është hapur rruga të gjithë subjekteve që merren me biznes, që të mos humbasin kohë lart e poshtë, por direkt t’i drejtohen platformës. Platforma është një zyrë ankesash, por është një zyrë ankesash e centralizuar, ndryshe nga si ishte deri dje, ku çdo institucion kishte zyrën e vet të ankesave, ku s’të dëgjonte njeri. Sot është një zyrë ankesash e centralizuar, digjitale, që shpërndan menjëherë ankesat që vijnë në drejtimin e duhur dhe ka të mirën që lë gjurmë, pra, askush nuk mund të thotë nuk e dija, nuk e pashë, nuk e lexova, kam lënë porosi e shumë fjalë të tjera.
Ne jemi duke bërë një diskutim të brendshëm, lidhur me nevojën për përshkallëzim në luftën kundër korrupsionit dhe sigurisht që një nga hallkat e dobëta që duhen forcuar është hallka e inspektorëve tatimorë në raport me biznesin. Dje bëra publike një ide që jemi duke diskutuar, për të incentivuar studentët që të denoncojnë, me provë jo me llafe dhe janë të gatshëm t’i dalin për zot denoncimit, pedagogë apo pjesëtarë të administratës në universitet, që iu bëjnë presion korruptiv, duke menduar që të vendosim një bursë plus për këta studentë. Pra, nëse e ke një bursë, merr edhe një tjetër njëvjeçare, nëse nuk e ke, e merr dhe duke zeruar tarifën për një vit.
Po kështu po mendojmë për biznesin dhe së shpejti do të bëjmë publike masat e reja, ku çdo biznes, duke filluar nga biznesi i vogël, që është shpesh herë objekt i presioneve korruptive dhe pastaj deri tek fasha 140 mijë, aty ku faktikisht kemi gjithë biznesin më të vogël, – kisha parasysh të dy fashat kur thashë duke filluar nga biznesi i vogël, – duke menduar që ta incentivojmë biznesin e vogël, për të denoncuar dhe për të vendosur me shpatulla pas muri çdo lloj personazhi që vjen tek dyqani dhe bën presion, që vjen tek dyqani dhe shqetëson, duke shkelur etikën dhe duke kaluar përtej kufijve të ligjit.
Besoj që edhe kjo do të jetë një ndihmë për biznesin, por do të jetë edhe një ndihmë për shtetin, sepse do të na ndihmojë që të identifikojmë personat e papërshtatshëm. T’i identifikojmë shumë më shpejt, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe t’i çojmë përpara ligjit, që të gjithë ta mësojnë që nuk mund të luash me qytetarin apo me sipërmarrësin vetëm e vetëm se ke një uniformë, apo një kravatë zyrtari.
Koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes, Fatmir Shehu: Në shumëllojshmërinë e rasteve që trajtojmë në ankesat që vijnë nga qytetarë, në raport me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, është edhe rasti i Zotit Bujar Allmuça. Zoti Allmuça i ishte adresuar ADISA-s në raport me ZVRRPT, për të mundësuar regjistrimin e pronës së tij të ndodhur në Vaqar. Ky adresim ishte bërë në nëntor të vitit 2018 dhe kishte bërë edhe ankim administrativ në funksion të zgjidhjes së problemit të tij. Nuk kishte mundur të gjente dot zgjidhje dhe së fundmi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes. Ky rast u ndoq nga ne dhe tanimë Zoti Allmuça disponon certifikatën e pronës, të emetuar nga Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, “Tirana Rurale 2”.
Zoti Bujar Allmuça: Nuk mund të gjej fjalë më të mira për Zotin Kryeministër dhe për të gjithë ju si administratë, që mbarova punë për të marrë certifikatën. Kam disa kohë, që përpara vitit 2008 që kam bërë aplikimin. Në 2014-n arriti që të më dali vetëm certifikata e shtëpisë e tokës mbeti. Ju drejtova bashkëqeverisjes dhe për tre ditë mora certifikatën.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit. Është e mundur në çdo zonë, kudo që janë, ose me djalin, ose me nipin, me komshiun, me postën, në njësinë administrative të bashkisë, ose në shumë raste në zyrat e deputetëve ka një kompjuter dhe është dikush që ndihmon për të bërë ankesat.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes, Juneta Duni: Një nga problematikat që ka gjetur zgjidhje së fundmi në platformën e bashkëqeverisjes është dhe rasti i adresuar nga Zoti Kujtim Mema, banues në qytetin e Fierit. Në ankesën e tij drejtuar OSHE, Zoti Kujtim Mema kërkonte anullimin e faturës së energjisë elektrike të muajit mars 2013, një detyrim ky në fakt i mbartur në mënyrë arbitrare, që nga koha e ushtrimit të kontrollit nga kompania CEZ Shpërndarje. Pasi ankesa u dërgua tek OSHE u bë verifikimi dhe pavlefshmëria e gjobës dhe për mëtej u bë sistemimi i faturës në masën 6000 kV.
Zoti Kujtim Mema: Problemi ynë si pallat fillon në vitin 2013, kur kompania CEZ i vendosi një gjobë pa prezent, të gjithë pallatit hyrjes, një dëm ekonomik 96 mijë lek të reja. Që nga viti 2013 dhe para dy javësh nuk kishim gjetur zgjidhje. Falë platformës së bashkëqeverisjes zgjidhëm problemin dhe gjithçka është në rregull. U interesuam dhe gjithë si pallat e zgjidhëm problemin.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit, edhe një herë, të gjithëve që keni ardhur deri këtu për të dëshmuar, sepse është shumë e rëndësishme që njerëzit ta dëgjojnë këtë eksperiencë të platformës të drejtpërdrejtë nga ata që vinë këtu për të dëshmuar dhe janë njerëz të zakonshëm që nuk kanë as parti, as mik, as shokë, as lekë, asgjë. Se po t’i kishin pasur këto, t’i kishin përdorur këto, siç bëjnë një pjesë duke zgjedhur rrugën më të gabuar, sidoqoftë mund ta kishin zgjedhur hallin. Por kjo është fuqia e platformës që nuk kërkon as kush je, në kuptimin e biografisë, as për kë voton, as sa lekë ke, por thjeshtë të trajton si të barabartë çdo qytetar.
Në rastin e OSHE është bërë një përparim i jashtëzakonshëm, por ka akoma probleme me faturistët abuzivë, siç ka probleme korrierë të postës abuzivë, që çojnë pensionet nëpër fshatra dhe marrin pjesë. Edhe këto do të futen në incentivat e përshkallëzimit të luftës kundër korrupsionit dhe po diskutojmë disa ide. Janë qoftë posta, qoftë kompania që duhet t’ju bëjë skonto atyre që ndihmojnë qoftë kompaninë OSHE, qoftë postën, që të ndajnë shapin nga sheqeri dhe të nxjerrin jashtë dhe të çojnë aty ku kanë vendin njerëz që marrin rrogën në kompani, marrin rrogën në postë dhe shkojnë fusin duart në xhepat e qytetarëve. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të përshpejtuar ndërtimin e administratës ashtu siç duhet dhe për të shpëtuar nga presionet e grabitqarëve dhe parazitëve në administratë, përveç bashkëpunimit nga afër të qytetarëve me qeverinë, të çdo njeriu të zakonshëm me secilin nga ministrat dhe me mua personalisht. Nuk ka tjetër. Të tjerat janë të gjitha përralla. Po të ishte ndryshe do ishin bërë gjërat. Arsyeja përse nuk janë bërë, është se ka munguar ky bashkëpunim dhe sepse nuk ka pasur kurrë Shqipëria një qeveri që ta shihte njeriun e zakonshëm, jo thjeshtë si objekt të detyrimeve të veta, por dhe si aleat për të kuptuar më shpejt dhe për të gjetur saktësisht ata, të cilët hanë dhe pinë në kurriz të popullit dhe sigurisht gërryejnë dhe imazhin e vetë qeverisë. Në fund të ditës, ç‘rëndësi ka se çfarë them unë në televizor, nëse zotëria shkon atje dhe gjen përpara – siç e tha vetë dhe nuk e thashë unë – një “gomar”. Ç‘rëndësi ka kjo, që unë jam këtu duke folur dhe duke folur, ndërkohë që “gomari” atje shfaqet edhe sikur përfaqëson mua dhe sikur përfaqëson qeverinë, që në fakt përfaqëson shtetin, pavarësisht se kush është ministër, pavarësisht se kush është qeveria, pavarësisht se kush është kryeministër. Kjo është gjëja që duhet të adresojmë bashkërisht dhe prandaj duam ta forcojmë maksimalisht këtë aleancë.
Shumë njerëz më shkruajnë përse i publikon sms. Unë publikoj shumë pak nga shumë që kam dhe nga shumë raste që zgjidhen. Nuk i publikoj për të treguar “shih sa burrë i mirë jam”, se nuk jam dhe aq i keq sa dukem nga larg, për hir të vërtetës, por për të insistuar që duhet të jemi bashkë dhe të komunikojmë intensivisht në mënyrë që të identifikojmë ata, të cilët na turpërojnë ne dhe ata, të cilët torturojnë ju. Ky është thelbi. E për të zgjidhur halle që janë të krijuara artificialisht prej tyre, ta jep ligji, s’ta jep Maliqi, po është një Maliq i padukshëm për ne, ndërkohë që ti e ke përballë si gogol, atëherë gogolin denoncoje dhe ai menjëherë avullon. Sigurisht nuk mbarojnë gogolët, por kjo është një luftë e përditshme.
Më vjen shumë mirë që i thatë fjalët e duhura për gjithë ekipin e bashkëqeverisjes. Është e vërtetë janë në formë dhe do të vazhdojmë patjetër kështu, por besoj që sa më shumë të rritet presioni i përbashkët, që do të thotë sa më shumë qytetarë të mos vinë vërdallë, po të na drejtohen, aq më shumë kemi mundësi për të bërë hapa përpara.
Shumë faleminderit!