Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin e ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, me qytetarët e Shkodrës

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe për kohën tuaj që të zhvillojmë këtë takim të ciklit kombëtar për Bashkinë që duam!

Më ven shumë mirë që jemi këtu sot, në një moment të rëndësishëm, kur na ndan shumë pak kohë nga dita që Partia Socialiste e Shqipërisë do të marrë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës!

Më vjen shumë mirë sepse më në fund do të na jepet mundësia që të bëjmë për Shkodrën, shumë më tepër sesa c’kemi mundur të bëjmë në kushtet kur e kemi pasur të pamundur që të gjejmë një rrugë të arsyeshme bashkëpunimi me bashkinë e Shkodrës, por edhe për faktin se në bashkinë e Shkodrës, drejtimin e  ka marrë prej shumë e shumë vitesh, mungesa e vizionit, mungesa e ideve, mungesa e një sensi të vërtetë përkatësie ndaj Shkodrës, një boshllëk i madh që është mbushur gjatë gjithë kohës me propagandë, është mbushur gjatë të gjithë kohës me llafe e me politikë, por që nuk ka arritur dot që të mbushë gropat në shumë rrugë të Shkodrës, nuk ka arritur dot të adresojë shumë e shumë çështje që janë dashur të adresohen prej shumë e shumë vitesh, në të gjithë këtë territor të bekuar.

Më vjen shumë mirë po ashtu, për faktin se ne kemi një ide shumë të qartë se si mund të zhvillohet shumë më shpejt dhe shumë më mirë Shkodra, kemi një ide shumë të qartë se si mund të kanalizojmë shumë më tepër investime dhe se si mund të përputhim investimet në nivelin kombëtar, me investimet në nivelin lokal.

Janë bërë disa gjëra, – unë nuk dua që sot të bëj renditjen e gjërave që kemi bërë, – para se të vinim këtu shkuam dhe vizituam qendrën e shërbimeve publike, e cila faktikisht sapo i ka hapur dyert dhe që nga fillimi i javës që vjen do të jetë në dispozicion të të gjithë qytetarëve për t’i marrë të gjitha shërbimet publike në një pikë. Ata që do të shkojnë, do ta shikojnë vetë ndryshimin e madh midis shërbimit që janë mësuar të marrin deri sot, në shumë zyra dhe shërbimit që do të marrin aty.

Më vjen shumë mirë po ashtu, që pamë një investim të rëndësishëm në ish-shkollën industriale, një investim të qeverisë, ku ishte fatkeq kontrasti midis të gjithë ngrehinës së re të laboratorëve dhe të hapësirave të praktikës së punës profesionale me konviktin e nxënësve që realisht ishte në pikë të hallit.

Pamë po ashtu dhe investimin e ri në Universitet që së shpejti do të vihet në dispozicion të studentëve të Shkodrës dhe paralelisht do të vazhdojmë punën për të rindërtuar edhe konviktin e universitetit që realisht është në një gjendje të mjeruar, edhe konviktin e ish shkollës industriale sepse në atë shkollë ka shumë potencial. Numri i nxënësve ka ardhur në rritje, bizneset kanë nevojë gjithmonë e më shumë për njerëz që njohin zanate dhe ajo është një shkollë e mirëfilltë zanatesh.

Nga ana tjetër, kemi nisur disa projekte në infrastrukturë, qoftë për sa i përket lidhjes me Velipojën, rruga që lidh Shkodrën me Velipojën që ka qenë një zotim i të gjithëve gjatë të gjithë fushatave, tanimë është në trajtën e rrugës reale, jo në trajtën e një premtimi. Për pak kohë, nis rruga turistike e Thethit, e cila do të jetë një tjetër investim i rëndësishëm për ekonominë dhe për turizmin në të gjithë këtë territor.

Projektet e nisura për liqenin do të vazhdojnë. Ashtu sikundër, do të vazhdojnë në drejtim të duhur të gjitha projektet për zonën rurale.

Ishim paradite në zonën e Malësisë së Madhe dhe pastaj patëm një takim me të gjithë sipërmarrësit e shoqatës së bimëve medicinale dhe aromatike. Mjafton që të shikosh shifrat se sa është rritur eksporti i bimëve medicinale dhe aromatike për të kuptuar se një kthesë e rëndësishme ka filluar. Punësimi në ato zona është rritur falë përfshirjes së shumë e shumë familjeve fermerë në ciklin e këtij prodhimi për eksport, por potenciali është shumë i madh. Ashtu sikundër dhe potenciali është i jashtëzakonshëm për agroturizmin në të gjithë këto territore dhe duke u kthyer përsëri te qyteti, potenciali është i jashtëzakonshëm për turizmin, këtu në qytet.

Janë të gjitha tema që ne i dimë, të gjithë i dinë, por fatkeqësisht në Shkodër janë adresuar pak. Unë jam i bindur që pothuajse të gjithë shkodranët kanë shkuar në Vlorë përpara, e kanë parë Vlorën kur ishte në ditë të zezë, edhe mund të shkojnë në Vlorë përsëri.

Shkoni shikoni Vlorën edhe bëjini pyetjen vetes, a doni që dhe Shkodra të ndryshojë si Vlora?

A doni që dhe Shkodra të marrë atë forcë të madhe tërheqëse si rezultat i një transformimi që tanimë në Vlorë nuk ndalet?

Kjo nuk është aspak e vështirë. Ka vetëm një përgjigje: Duhet që Partia Socialiste të drejtojë Shkodrën.

Për fat të keq, këtu në Shkodër ka akoma sot njerëz, janë njerëz të mirë, por e kanë syrin të mbyllur. Ndërkohë që, vazhdojnë të merren me histori komunizmash e komunistësh dhe hajde se jua kemi falur faktin që pranuan të udhëhiqen nga një komunist për 30 vjet që bënte sikur është antikomunist, po tani si mund tua falim faktin që kanë kaluar nga Jozefina Topalli te Flamur Noka. Jozefina Topallin ne e kemi pasur kundërshtare. Jozefina Topalli nuk i ka kursyer fjalët në drejtimin tim, por me thënë të drejtën kur përballesh me Jozefina Topallin të paktën ke përpara kundërshtar, por kur përballesh me Flamur Nokën ke përpara një hu që s’ka fermer që e përdor për gardhin e vet.

Mund të ketë shumë fermerë demokratë që mund t’i shkojnë pas Flamurit, por po t’i thuash “e merr dot për hu për gardhin tënd Flamurin”, nuk e merr, se i prish gardhin.

Si mundet Partia Demokratike që në Shkodër ka marrë besim symbyllur qyl, pa u diskutuar kurrë, edhe kur ka bërë ndonjë punë, – se nuk është se nuk ka bërë asnjë punë me thënë të drejtën,- edhe kur s’ka bërë punë fare, edhe kur ka pasur ndonjë me një sy mes qorrave, edhe kur ka pasur ndonjë me gjyslyke, por që nuk sheh, e ka marrë besimin?

Si mund të vijë puna deri në pikën ku t’i vihet në ballë Shkodrës demokrat Flamur Noka?  FLamur Noka ta marri Shkodrën me vete për të bllokuar rrugët.

Si mund të katandiset kjo punë në vitin 2019, në shekullin XXI që Shkodra demokrate të djegë goma nën udhëheqjen e Flamur Nokës? A e kuptoni se ku ka rënë pazari, kur i thonë ju? Në tokë. Ore tokës i marrin të keqen. Nën tokë. Madje dhe nëntokë përsëri kam dyshime. Nën tokë ka minerale. Nën tokë ka ujë. Nën tokë ka naftë. S’mund të ketë as nën tokë një situatë si kjo!

Mbi të gjitha ajo që është më e rëndësishmja është, a keni parë ju që deputetët pasi marrin mandatin të ikin nga Parlamenti dhe pastaj të bëjnë sherr për t’u futur me zor në Parlament. Ikin vetë dhe pastaj vijnë rrinë te dera. Vijnë te dera dhe pastaj hipin nëpër pemë. A keni parë deputetë nëpër pemë? Ishin në sallë. Tjetër histori që edhe në sallë vinin si në stallë, me vezë nëpër xhepa, me gurë nëpër xhepa, me miell, çfarë të them, pazar. Tjetër histori ajo. Me bojë. Çizmet i kishin të veshura. Keni parë ju njerëz të dalin zbathur në Parlament se i kërcasin këpucët nëpër mure? Sidoqoftë, përsëri ishin atje. Ikën vetë. Thanë, “ne nuk vijmë më këtu”. Çfarë bëjnë? Vijnë, rrinë te gardhi edhe thonë, “pse na hidhni gaz lotsjellës?” Po çfarë të bëjmë? T’iu hedhim gaz që t’i bëjmë për të qeshur? Ai gaz për atë punë është, që të lotosh, nuk është për të qeshur. Ndërkohë që, bam e bum, me policinë, atje pa lidhje fare, me kapsolla.

A mund të ketë, realisht, dinjitet familja e demokratëve të Shkodrës kur sheh që udhëheqja e vet lufton me kapsolla, – se Jozefinën me kapsolla unë s’e imagjinoj dot?! Me kapsolla, me shashka, me fishekzjarrë. Si mund të vijë puna që të detyrohesh të lyesh shtyllat me graso që të mos hipë opozita në shtyllë?! Çfarë është kjo? Nuk e di. E pastaj dalin e thonë pse bën batuta? Po çfarë të bëj. T’i marrësh seriozisht çmendesh, thua, si ka mundësi? Të paktën humori na ndihmon që t’i themi gjërat serioze me pak më shumë kollajllëk si të thuash, se që të vijë puna që të lyesh shtyllat me graso që të mos hipë opozita në shtyllë të neonit kjo është një gjë që unë nuk e di se si mund të thuhet seriozisht! Si mund të thuhet, që do bashkëpunojmë me opozitën që të ulim volumin e grasos dhe të kemi më pak shpenzim për grason, që opozita të mos hipë në shtyllë! Nuk e bëjmë dot! Por pjesa serioze është çfarë kërkojnë? Çfarë duan?

Ne këtu ishim edhe 2 vjet përpara dhe 2 vjet si sot Luli mu fut në çadër poshtë penxheres. E kisha aty te puna. E keni dëgjuar atë shprehjet kur thotë, “po shkoj te puna e babit”? E kisha poshtë penxheres te puna, në çadër. Vinte më këndonte himnin që në mëngjes. Me mblidhte ata turistët që më sillte Voltana, Xhelali, e ku di unë, iu mbante fjalimin, pastaj ky ikte flinte gjumë, ata pinin birra, vinte pasdite bënte dhe një fjalim tjetër i fuste dhe një të kënduar tjetër himnit e thoshte shihemi nesër.

Çfarë ishte e gjithë historia? “Nuk futemi në zgjedhje me këtë qeveri!” “Nuk futemi në zgjedhje me Edi Ramën!” “Duam qeveri tranzitore për të bërë Republikën e Re!”

Ne mund të futeshin në zgjedhje vetëm, sepse u dorëzuan të gjithë. U dorëzuan europianët. U dorëzuan amerikanët. Të gjithë u dorëzuan. Vetëm unë nuk u dorëzova duke iu lut Lulit. C’kam hequr! Sa i jam lutur Lulit 2 vjet përpara nuk i jam lutur të gjithë njerëzve bashkë në jetën time dhe si përfundim, sekondën e fundit, mori gjithçka kërkoi. I thashë, “ti, hajde voto vetting-un dhe kur të mbarojnë zgjedhjet, kush humb, humb, kush fiton, fiton, kaq. Dhe mos ta shajmë më Shqipërinë në gjuhë të huaj se u bëmë horr.

Ministrinë e Brendshme. Ministrinë e Drejtësisë. Ministrinë e Financave. “Po jo, po prit se ka shumë mësues në Shqipëri edhe ju mësuesve iu bëni presion”. Merreni Ministrinë e Arsimit! “Po ka shumë infermiere Shqipëria, se, ti e kupton që ju i bëni presion.” Merri dhe infermieret, Ministrinë e Shëndetësisë! “Jo, po prit se keni 6 mijë veta në punë te OSHEE-ja dhe i bëni presion me pincat!” Merri dhe pincat! “Po shiko se dhe ajo drejtoria e burgjeve…!” Merri dhe burgjet! “Po shiko se ALUZNI, se janë ato letrat…!” Merre dhe ALUIZNI-n! “Po shiko, se ALUZNI po, por është dhe Hipoteka!” Merre dhe Hipotekën! Çfarë do tjetër? Merre dhe zv/Kryeministren! Unë po iki nga zyra dhe realisht që kur është bërë ajo qeveri unë s’kam shkuar në zyrë asnjë ditë. Do dal në fushatë si ti edhe vazhdojmë. “E di, por ti e ke parasysh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve!” Merre dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve! Shumicën e ke ti. “Po shiko se, shumica po, por kryetari…” Edhe kryetarin merre! Çfarë do tjetër Lul? Çfarë do ti tjetër, më thuaj mua! Vetëm mua mos më kërko, se jam i martuar. Ok! Ramë dakord. Në rregull. U bënë zgjedhjet. Ju e mbani mend. Zgjedhje më të qeta, zgjedhje më të rehatshme, zgjedhje që dhe në Shkodër këtu, unë se merrja më vesh… sikur ishte garë për të na votuar, o socialistët, o ata me dy gishta, të gjithë bashkë s’u morën vesh, unë me dy gishta, të gjithë me dy gishta, jemi të gjithë bashkë, edhe bashkë u bëmë, edhe morëm shumicën.

Tani faji im është që nuk shkojnë socialistët te Luli, por erdhën demokratët te unë? Unë e kam fajin? Ata kanë menduar që ku po i jepka të gjitha, po shkojmë dhe ne të marrim ndonjë gjë, po e vërteta është që kështu mbaroi historia. Kaloi vera, kaloi vjeshta, erdhi dimri, kur tani, sa vijnë zgjedhjet fillojnë përsëri: “Nuk futemi në zgjedhje!” “Nuk duam më këtë qeveri!” “Duam qeveri tranzitore!” “S’duam Edi Ramën!”

O Lul, po pse këtë punë kam unë? Sa herë vijnë zgjedhjet të të jap ty të gjithë pjeshkat e karamelet! Tani ka dhe një hall tjetër, se nuk është vetëm, ka dhe fallxhoren. Është ajo që i thotë, “insisto se shoh një vizë këtu që, edhe pak, se është mbyllur këtu, por po ta bësh kështu me gisht, hapet”. Edhe Luli me gisht, përpara, ka fallxhoren. E dëgjova sot, më thanë që i kishte thënë fallxhorja “ja po i them, meqë thotë hedh fall, do bëhen zgjedhje të parakohshme”. Çfarë t’i them unë fallxhores? E ka parë në filxhan. Ka marrë fund ajo punë. Është e prerë. E ka thënë filxhani “ka zgjedhje të parakohshme”. Zgjedhje ka në datën 30 qershor. Ata nuk u regjistruan në zgjedhje. Nuk e di a do shkojnë të gjithë kryetarët e bashkive pas tyre! Por ata të bëjnë çfarë të duan, ne, në 30 qershor, këtu, apo ku do ta vendosni ta bëni festën, do të marrim Bashkinë e Shkodrës.

Demokratëve të mërzitur iu them, ruani gomat, mos tua marrë gomat Flamuri tua djegë se përveç gomave tuaja që mund tua djegë, asgjë tjetër s’bën dot, as Flamuri në Shkodër, as Luli në të gjithë Shqipërinë dhe s’ka filxhan që e përmbys fatin e zgjedhjeve që i shkruan populli me votën e vet. Nuk mund ta bëjmë ne demokracinë lojë, as mund ta bëjmë fall. As mund të bëhet kjo punë që, populli voton, punë e madhe fort, ne s’na pëlqen ku na ka caktuar populli, ikim, djegim mandatet dhe themi, “hajde ta prishim këtë lojë, ta bëjmë nga e para. Si u bëka kjo? Nuk bëhet kjo. Dhe për më tepër, e bëmë një herë. Atyre iu doli mirë, ne na doli keq, se ne iu dhamë gjithë çfarë kërkuan, ata s’mbajtën fjalën, jo për ne, por për këtë vend dhe ajo që kanë bërë dhe që bëjnë, është e pashembullt! Nuk lënë vend, nuk lënë mundësi pa e bërë Shqipërinë copë. Turp! Flasin me të huajt edhe kur të huajt vijnë na takojnë thonë, “çfarë thonë” se i tmerrojnë dhe iu duket sikur po i afrohet fundi botës. Sidomos kur dalin nga Monika është tamam si të të shohë në filxhan me të thënë “botës po i vjen fundi, kujdes se do të digjet shtëpia në këtë moment që je këtu me mua”.

Ne sigurisht që do donim që ata të ishin në garë. Sigurisht që do donim që Shkodrën këtë herë ta fitonim, duke i pasur ata përballë dhe duke iu thënë qytetarëve të Shkodrës, e di si është puna? Po të jetë puna për parti, e po të jetë puna për politikë s’keni nevojë që të na doni me çdo kusht, por po të jetë puna për punë, na merrni ne në punë, se ne dimë të bëjmë punën. Ata s’dinë të bëjnë punën. Ata thonë duam të na japë punë Edi Rama. Apo jo? Këtë thonë. Se përndryshe futu në zgjedhje edhe merre punën. Edhe punën që iu dhanë që të rrinë në parlament e lanë, ikën nga puna, dolën në rrugë, tani duan t’i lënë të gjithë pa punë. Hajdeni ju të bllokojmë rrugët.

Ishte njëri dje që thoshte, ne nuk kemi bllokuar rrugët, jo. Ne nuk kemi dalë të bllokojmë rrugët. Ne kemi dalë për të forcuar ekonominë. Ne kemi dalë për të përmirësuar arsimin. Ne kemi dalë për të fuqizuar shëndetësinë. Në mes të rrugës!

Nga ana tjetër, është mirë që ne t’i informojmë  njerëzit që ka një ligj. Ka një ligj të shkruar e të votuar nga të dyja palët. E ka shkruar edhe Partia Demokratike dhe e kemi votuar të gjithë sëbashku për sa i përket prekjes së procesit zgjedhor dhe ai ligj, për atë ligj, duhet informuar publiku e mbi të gjitha duhen informuar ata që janë akoma me sytë mbyllur pas Flamurit që, kush pengon të tjerët të votojnë, shkon në kokërr të burgut se për bllokimin e rrugës është kundërvajtje administrative, dënohet me gjobë, kurse për pengimin e procesit të votimit, në çfarëdo forme, shkon në kokërr të burgut.

Tani, se ku do t’i gjejë Luli bashkë me Monikën, gjithë ata budallenj që do shkojnë drejt burgut, që të pengojnë shumicën që të votojë, unë nuk e di se si jua thotë mendja, por unë them që nuk kanë për të gjetur asnjë budalla që do bëjë këtë punë e askush nuk do t’ju shkojë mbrapa për të penguar të gjithë ata që duan të votojnë, që të votojnë. Nuk ka shans që të marrin peng procesin zgjedhor me kërcënime, me shantazhe, me bllokime e me këto histori.

Nuk ka shans e asgjë nuk ka për të ndodhur.

Ka për të ndodhur vetëm ajo që të nesërmen e 30 qershorit do zgjohen dhe Luli do jetë në gjumë dhe do rrinë ta kërkojnë, që këta këtu, demokratët e flaktë në Shkodër, do rrinë e ta kërkojnë me ditë e me javë, “ku je se na more në qafë”. Se do ikin nga bashkia, do dalin nga aty, se është kollaj me i vënë çelësin bashkisë për ditë të enjte e me ardhë tek parlamenti e mos me bë asnjë shërbim aty, me autobuzat e paguar, “hajde po shkojmë në Tiranë”. Dhe e keni parë? Këta të Shkodrës janë të vetmit, dalin fotografi aty, tek kalaja e Tiranës. Keni parë? Dalin për fotografi, turistë në Dubrovnik, në Budva, hajde po shkojmë turistë politik. Po nisemi atje e do dali një gjë. E do kërkojnë Lulin. Do thonë o Lul, si i bëhet tani? Edhe gomat do t’i bëjnë të reja se do ia ketë djegur Flamuri deri atëherë, për revolucionin demokratik. Kjo do ndodhi, por mua më vjen keq për disa njerëz, i pashë atje. Dy tufa ishin. Njëra diku, tjetra diku tjetër. I kishin nxjerrë në rrugë, të bllokojnë rrugën, të mos lëmë Edi Ramën të hyjë në Shkodër, të mos e lëmë Edi Ramën të shkojë në Malësi të Madhe. Po çfarë është kjo? Kurrë nuk i kemi penguar aktivitetin politik një partie tjetër. Kurrë nuk na e kanë penguar as ata. Kurrë. U desh të bashkohej Luli me Monikën që të fillonte kjo histori. Kurrë, me thënë të drejtën. Ju e dini shumë mirë sa e dua unë Saliun por me thënë të drejtën, asnjëherë, tani nuk po flas për kohën e ’90 e ku di unë kur ngatërrohej bishti i njeriut me tytën e tankut, po flas për periudhën e normalitetit. Kurrë, përkundrazi. Si erdhëm ne në këtë pikë? Si u bë politika? Si mund të jetë një opozitë që mendon si do ta rrethojmë, si do t’i shkojmë, si do ta kapim, si do t’i hedhim përpara, si do e bllokojmë? Çfarë është kjo? Kjo nuk është as mundje. Se mundje bënte Paulini e dilte kampion. Kjo është kacavjerrje. Ne nuk i ndihmojmë dot. Jua kemi dhënë mundësinë aq sa kemi mundur, por ne nuk mund ti japim pushtetin atyre në tavolinë se nuk e fitojnë dot ata. E tani doli, “na i blen votat mafia”. Po mirë, po në 2007, meqë e kanë merak Durrësin. Po në 2007 në Durrës? Si i mundi Vangjush Dako? Me Saliun në krye të partisë me Saliun Kryeministër. Tani, ka ndonjë këtu në Shkodër, edhe vetë miku im Zef Gjoni, e beson dot tani që është më e fortë partia e Lulit dhe e Mulit se sa partia e Saliut dhe Jozefinës? Po në 2011? Po përsëri në Durrës. Po në 2013, që e kishin qeverinë, i kishin të gjitha, si ndodhi? Dhe tani janë më të fortë? Është më e fortë PD-ja e Shkodrës sot se sa ishte në 2013? Ma thotë dot njeri mua këtu? Është më e fortë? Krahaso partinë që drejtohet nga Jozefina dhe krahaso partinë që drejtohet nga Flamur Noka. Po ku e gjetën, pse jua sollën, çfarë ishte ky taksirat. Se diku do e çonin, se në Kukës nuk e pranonte njeri. Po pse e sollën në Shkodër. Për çfarë? I drejtohet ai antikomunistëve të Shkodrës, Flamur Noka, bashkë me ca të tjerë këtu, por nuk ka nevojë t’i përmend emrat se nuk ka sens.

Në mbyllje unë dua t’i kthehem asaj që ka më shumë rëndësi. Ne nuk është se kemi bërë ndonjë mrekulli. Ne nuk është se nuk kemi bërë gabime apo se nuk kemi përgjegjësi për diçka apo diçka tjetër. Ka shumë gjëra që janë bërë, ka shumë të tjera që duhen bërë, ka të tjera që ende nuk kanë nisur, por ama një gjë është e sigurt. Ne jemi të parët dhe të vetmit që kemi ndërtuar një urë komunikimi real me njerëzit. Jemi të parët dhe të vetmit që po bëjmë një përpjekje reale për ta ndarë Shqipërinë përfundimisht nga një histori ku ata që kishin një vend në politikë fitonin edhe kur ishin në opozitë dhe ata që nuk kishin lidhje me opozitën humbisni. Për ta ndarë Shqipërinë nga një periudhë rrëmuje, mungese rregulli, ku gjithçka varej nga “me kë je apo i kujt je apo sa ke” dhe natyrisht që njerëzit sot kanë halle, shkojnë nëpër zyra, ka probleme, edhe këtu në Shkodër. Ne kemi shumë nevojë të bëjmë shumë më tepër për zyrat e shërbimeve sidomos dhe një nga arsyet pse unë i kam kërkuar Valdrinit të vijë këtu është pikërisht kjo. E kam njohur nga puna e jashtëzakonshme që ka bërë më parë, por sidomos në drejtimin e Hipotekës dhe nga transformimi që i ka bërë punëve në Hipotekë pavarësisht se ka akoma shumë gjëra për të bërë në Hipotekë dhe i thashë ti do shkosh atje prefekt dhe do bësh çmos që në radhë të parë, njerëzit në Shkodër, pavarësisht partive, pavarësisht lidhjeve, pavarësisht lekëve, të trajtohen me dinjitet në zyrat e shtetit. Por ama është e sigurt që sot, një qytetar që jeton në qytet apo në fshat, nëse ka një hall, vihet direkt në kontakt me ne, përmes platformës së bashkëqeverisjes. Janë 41.000 njerëz që i kemi kontaktuar drejtpërdrejtë. Qeveria, ministrat dhe janë mijëra e mijëra halle të vogla, por shumë të mëdha për personat që i janë zgjidhur falë kësaj pune. Kush qeveri e ka bërë këtë? Ku shkonin këta njerëz më përpara? Ku shkonin pensionistët që nuk i llogaritej pensioni si duhej dhe me vite e vite të tëra, merrnin pensionin mangët dhe nuk i përfillte njeri për t’i bërë rillogaritjen e pensionit. Janë qindra raste pensionistësh që e kanë zgjidhur problemin e tyre, thjesht dhe vetëm, duke përdorur platformën, pa njohur njeri dhe pa i njohur njeri. Ku shkoni ata, të cilët nuk arrini dot të çanin tek zyrat e ALUIZNI-t, Hipotekës e të tjera. Sot kanë një rrugë. Kanë një zgjidhje. Patjetër që shumë të tjerë kanë të drejtë të ankohen e të thonë nuk po e zgjidh e nuk po e bëj, por e vërteta është që sot ka një rrugë e ka një zgjidhje sepse vullneti ynë është që ta lidhim sa më shumë qeverisjen  me njeriun e zakonshëm e të bëjmë sa më shumë për njeriun e zakonshëm.

Ashtu sikundër, në të gjitha drejtimet, ne nuk i dimë të gjitha dhe asnjëherë nuk kemi mbajtur qëndrimin sikur i dimë të gjitha. Kur kemi kuptuar që ka të drejtë dikush apo kanë të drejtë disa kemi thënë ok, këtu e kemi ne gabim, këtu kanë këta të drejtë. I kemi dëgjuar dhe kemi reaguar dhe janë plot raste që e kemi bërë këtë gjë. Që do të thotë që ka një ndryshim shumë të madh. Ashtu sikundër, le të thonë çfarë të duan, patjetër që ka shumë probleme me papunësinë, patjetër që ka shumë probleme që edhe ata që punësohen në shumë raste i kanë rrogat e ulëta. Por nuk e kemi thënë ne, e ka thënë e zeza mbi të bardhë Banka Botërore, që në vitin 2018 Shqipëria ka krijuar më shumë se gjysmën e vendeve të punës që janë krijuar në gjithë rajonin. Nuk e kemi thënë ne, e ka shkruar e zeza mbi të bardhë Banka Botërore që ne kemi patur rritje ekonomike 4.2%, më të lartën në rajon. Po rritja ekonomike, rritja e numrit të vendeve të punës, janë domethënëse por nuk janë të mjaftueshme për t’u ndjerë njerëzit mirë të gjithë e për të thënë po, tani kemi punë, tani kemi ekonomi, tani jemi rehat. Jo, rehat nuk jemi e rehat nuk ka sepse na duhet të vazhdojmë përpara e të bëjmë sa më shumë me mund, me durim, në reformat që kemi nisur sepse në fund të ditës frytet e këtyre reformave do të merren vit pas viti dhe ajo që është më e rëndësishmja, gjenerata tjetër nuk do vuajë siç ka vuajtur gjenerata e atyre që lindën në ’90 dhe ngelën të gjithë rrugëve për shkak se nuk u bënë në kohë punët që duheshin bërë. Unë kam këtu me vete disa persona që janë përfitues të drejtpërdrejtë nga platforma. As i njoh, ata më njohin mua. Ja shikojeni, kishte shans xhaxhi ndonjëherë me shtetin po të mos kishte platformën?

– Mirë se na erdhe! Përshëndetje të gjithë pjesëmarrësve! Platforma juaj pastë respekt gjithë jetën. Kisha një jetim, që t’i bie shkurt, se si erdhi ai jetim është tjetër muhabet, e gjeta tek koshi i plehrave, e mora e çova në shtëpi. U ankova në bashki dhe normalisht ata me fjalë të bukura se shkodrani i ka fjalët e ëmbla. I thashë jetimi është duke vdekur në rrugë të madhe. A doni të më ndihmoni? Prit 1 javë, prit 2 javë, prit 1 muaj. Shkova tek platforma tek Partia Socialiste. I thash atij djalit shkruaj. 10 fjali. Dola jashtë, me gjithë jetimin, duke shkuar rrugës, tak telefoni. Më thanë mos bë asnjë veprim karshi jetimit, sepse brenda javës ose brenda 10 ditëve ne do merremi me të. U habita. Thash mos ngeltë jeta pa njerëz të mirë.

Kryeministri Edi Rama: Jo mos vazhdo më se do thonë je i FRESH-it.

– Të përshëndes! Faleminderit që na erdhe në Shkodrën tonë me na dhënë një shpresë. Por çdo herë që i jemi drejtuar Partisë Socialiste, na i ka zgjidhur portali. E kam pasur shtëpinë. 20 ca vjet që është ndërtuar. Gjetëm para se nuk mi bënin dokumentet. Më thirrën tek hipoteka dhe mora një fjalë fyese. I ke shkruar portalit më thanë dhe na ke ofenduar. I thashë as nuk ju kam ofenduar, as më keni ofenduar, por ju jeni të korruptuar. Më tha hajde pasnesër të marrësh dokumentet. Shumë faleminderit. Kemi shpresa që Partia Socialiste do të fitojë me kryeministrin.

– Jam këtu në emër të xhaxhait i cili ka pasur një problem me aktin e pronësisë që e kemi kërkuar që në vitin 2013 dhe nuk e kemi marrë dot. Jemi paraqitur pranë zyrave të portalit të partisë socialiste dhe kemi marrë aktin e pronësisë dhe legalizimin e pronës. Ju falenderoj ju dhe Partinë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama: Edhe mua kur më shkruajnë mesazhe, gjithmonë kur ka një hall konkret unë i çoj tek portali, i them shqiperiaqeduam.al. Aty është përgjigja që mund të japi qeveria. Ka raste që përgjigja nuk vjen se çështja është në gjykatë. Kur çështja është në gjykatë, ne nuk futemi dot në çështje në gjykatë, nuk kemi si e bëjmë, portali nuk është gjykatë. Për këtë po bëjmë reformën në drejtësi, për këtë duam që gjykata të funksionojë për të gjithë njësoj, për këtë duam që ata që janë mësuar që t’i fusin duart në xhep njerëzve nëpër gjykata të largohen, por nuk mund të bëjmë ne gjykatësin sidoqoftë. Kështu që vetëm në këto raste, që nuk janë pak me thënë të drejtën, platforma përgjigjet që është jashtë mundësive tona për të ndërhyrë, por ajo që desha të them është që mos u dorëzoni, mos u ligështoni, mos humbni kohë kur ndodh ashtu siç tha zotëria, sepse ndodh për fat të keq shpesh, por direkt drejtohuni tek platforma, se përtej faktit që zgjidhet problemi, ne ndjekim mbrapa ata, të cilët sillen keq.

Janë mbi 600 punonjës apo drejtues zyrash që janë larguar për shkak se nuk janë sjellë si duhet me qytetarët dhe këta njerëz që patë këtu, mund ta kuptoni vetë që as i përfillte kush e as nuk kishin shans që t’i dëgjohej zëri dhe zotëria aty me atë jetimin, nuk e di se çfarë do kishte bërë. E tha këtu që në Shkodër ne kemi traditë që flasim bukur, që flasim ëmbël, por nuk e di po Flamur Nokën pse jua kanë sjellë se bukur jo, ëmbël jo e jo, nuk e di. E kam seriozisht. Të gjithë shkodranët duhet të pyesin veten pse na i kanë sjellë Flamur Nokën, për çfarë e kanë sjellë. E kanë sjellë si pasardhës të Ndre Mjedës? Për çfarë?

Përpara se sa t’ju falenderoj dhe ta mbyllim dua t’ju them që ne do vijmë përsëri dhe siç e tha Ditmiri, do vijmë për të parashtruar projektin tonë për Shkodrën sepse pavarësisht se ata nuk janë futur në fushatë, ne betejën nuk e kemi me ta. Ne betejën e kemi me problemet që duhen zgjidhur dhe me hallet e njerëzve që duhen adresuar dhe ne do të vijmë me një projekt dhe do të themi një për një se çfarë do të bëjmë për Shkodrën dhe çdo gjë që do të themi, do ta bëjmë ama ju dhe të gjithë shkodranët, nëse nuk ju bie rruga deri në Vlorë, shkoni në Pukë, se Pukën e keni këtu afër. Shkoni në Pukë dhe krahasoni Pukën me Shkodrën në aspektin e ndryshimeve të katër viteve të fundit. Shkoni shikoni Pukën, nuk keni për ta besuar. Dhe pastaj thoni si ka mundësi, ne në Shkodër, mos kemi pasur aq sa ka ndryshuar, shkoni këtu, shkoni në Malësi të madhe, shkoni shikoni si ka ndryshuar qytezat e vogla, Bajza, Tamara, deri në Vermosh, Kopliku këtu, shkoni shikoni. Ndërkohë që vij në Shkodër, shoh majtas, shoh djathtas dhe nuk kuptoj çfarë bëjnë këta njerëz. Unë e di çfarë bëjnë, merren gjithë ditën me llafe, merren gjithë ditën me politikë kot dhe djegin goma, këtë bëjnë dhe merren me komunizmin, luftojnë komunizmin në hava ndërkohë që Shkodra ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe shumë shpejt do vijmë, do shohim dhe projektin në Zogaj dhe gjithë projektin e zhvillimit të liqenit. Nuk arrijmë dot t’i japim fundi historisë së investimit aty tek zona e liqenit të by-pass-i se nuk ka shans të marrësh vesh se çfarë do bashkia. Edhe pak ditë do duroni dhe 30 qershor do shpëtoni.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.