“Bashkia që duam”, takim me qytetarë të Lezhës

Kryeministri Edi Rama në takimin publik me qytetarët “Bashkia që duam”, ne qytetin e Lezhes:

Më vjen mirë që jemi përsëri këtu për të bashkëbiseduar, por tanimë në kuadër të një cikli takimesh publike në fjalën “Bashkia qe duam”, për të ballafaquar me qytetarët aspekte me rëndësi dhe me interes publik që lidhen me ecurinë e punëve dhe me jetesën në bashkitë tona, natyrisht, në funksion edhe të zgjedhjeve të ardhshme. Nuk është një fushatë elektorale, por është vazhdim në të njëjtën rrugë i një procesi qeverisës që për ne është i pandarë nga komunikimi dhe nga dëgjimi i njerëzve.

Më vjen mirë që sot patëm mundësinë të bëjmë disa vizita në disa në disa sipërmarrje të Lezhës, sipërmarrje të bukura, sipërmarrje njerëzish me pasion dhe me vullnet që të gjithë më konfirmuan atë që ne dimë nga librat e llogarive të shtetit se sipërmarrja e tyre është rritur, se perspektiva e punës së tyre është më e mirë sot, që nga Altini i famshëm i Mrizit të Zanave tek Gjoka i agropërpunimit, tek ferma e Florit, tek një biznes shumë i bukur familjar i poçerisë, natyrisht, disa pika që janë përfaqësuese për sipërmarrjen këtu në Lezhë, por që janë vetëm një pikë në det, në krahasim me të gjithë sipërmarrjen.

Këtë vit perspektiva është edhe më pozitive për sipërmarrjen sepse kemi bërë disa ndërhyrje shumë të rëndësishme dhe lehtësime të konsiderueshme, që nga ulja, përgjysmimi faktikisht, apo më saktë, ulja trefish e taksës së fitimit për biznesin deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit, që tanimë ka hyrë në fashën e biznesit të vogël dhe taksohet vetëm 5%, tek politika e re për agroturizmin që ka filluar të stimulojë shumë të tjerë që të ecin në gjurmët e Altinit apo të pionierëve të parë të agroturizmit në Shqipëri, me një taksë mbi vlerën e shtuar vetëm 6% the tatim fitim vetëm 5%, tek masa historike e zerimit të taksës për të gjitha makineritë dhe imputet bujqësore për fermerët që është një lehtësim i premtuar qysh në fushatën e parë të transformimeve demokratike dhe më në fund i mbajtur prej nesh, tek më pas, mundësitë e reja të krijuara në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të turizmit – dhe këtu është një zonë që ka një potencial shumë të madh ende të pashfrytëzuar në një masë të konsiderueshme.

Ashtu sikundër, nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që këtu ne sot mund të themi disa gjëra që bëhen realitet që kanë një vlerë të caktuar që nga investimi në linjat e transmetimit të energjisë, një investim i konsiderueshëm, 3.65 miliardë që më në fund i jep përgjigje një shqetësimi shumë të kahershëm të mijëra e mijëra banorëve të komunitetit lezhjan për furnizimin normal me energji elektrike, si pasojë e mungesës së investimeve. Sot, aty ku ne ishim për të inspektuar një nga pikat ku po punohet, investimi i fundit ishte bërë në vitin 1971. Dhe ashtu sikundër aty, në shumë e shumë pika të tjera ku sot ende qytetarët me të drejtë ankohen për dobësinë e furnizimit, nuk janë bërë investime që në kohën e elektrifikimit.

Ne kemi filluar dhe faktikisht në zonën e bregdetit, unë kam shkuar dhe kam folur vetë me të gjithë ata që kanë hotelet atje, ka pasur një përmirësim shumë të ndjeshëm gjatë sezonit të fundit turistik, por kjo nuk është e vërtetë njësoj për komunat dhe zonat më brenda. Ky investim në rrjet do të sjelli një lehtësim të madh në këtë aspekt. Ashtu sikundër, jemi gati të investojmë për një problem shumë të vjetër dhe shumë të diskutuar që lidhet me shërbimin për nënën dhe fëmijën në Lezhë, materniteti. Do të ndërtojmë maternitetin e standardeve të fundit siç kemi bërë në Sarandë, siç kemi bërë në Korçë dhe siç do të bëjmë në Berat e kështu me radhë, për të pasur deri në fund të këtij mandati një sistem të shërbimit të nënës dhe të fëmijës, komplet ndryshe nga sistemi fyes për dinjitetin njerëzor, që trashëguam.

Po ashtu, kemi investuar në disa qendra shëndetësore edhe këtu në këtë territor në kuadrin e programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, 300 qendra shëndetësore që faktikisht i gjetëm të rrënuara plotësisht dhe që brenda mandatit do të jenë të transformuara tërësisht me standarde komplet të tjera që ofrojnë një shërbim normal, dinjitoz, parësor për të gjithë qytetarët që i drejtohen qendrës shëndetësore si hapi i parë për një konsultë apo për një vizitë elementare.

Sa herë kam ardhur në Lezhë, që kur kam filluar të merrem me politikë, kam dëgjuar, “rrugën e Torovicës, rrugën e Torovicës”.

Torovica është dhe në historinë e Skënderbeut si emër dhe është një hall që nga koha e Skënderbeut në një farë mënyrë. Për pak ditë do fillojmë rindërtimin e rrugës së Torovicës dhe projekti është bërë. Kontrata lidhet gjatë këtyre ditëve dhe më në fund, banorët e asaj zone, nuk do të ndjehen të fyerit e mëdhenj të të gjithë komunitetit pasi ishin praktikisht të braktisur, të izoluar. Më kujtohet kur erdhëm për fushatën elektorale, bëmë një takim me një përfaqësi, ata e kishin kapërcyer, ata e kishin bërë kapërcimin që unë shpresoj që ta bëjnë të gjithë shqiptarët. Kapërcimin e të majtës e të djathtës. Kishin shkuar ata përtej të majtës e të djathtës dhe ishin të gjithë drejtë me sytë tek fundit i rrugës. Kush na çon tek fundi i rrugës, është ai që duam, kush na lë këtu në fillim të rrugës, nuk kemi më punë dhe më thanë, a do e bësh apo nuk do e bësh. I thashë, besoni dhe kontrolloni, votat si të doni, por për ta bërë do ta bëjmë. Faktikisht rruga do fillojë për pak ditë kështu që do vimë prapë dhe unë nuk pres shirita, asnjëherë, por do marr një palë gërshërë të mëdha që ta presë shiritin ky këtu, sepse për investimin në sistemin e transmetimit të energjisë një dhe për rrugën e Torovicës dy, ka meritë të veçantë që ma ka rrokanisur kokën nonstop. Imagjinoni t’ju jap vetëm një shembull se mund t’ju jap shumë shembuj, por nuk jua them dot të gjitha se pastaj ju hapet oreksi edhe të tjerëve, por imagjinoni në kulmin e atyre komunikimeve me studentët kur ishin të gjithë të kapur nga ato ethet revolucionare  edhe unë rrija në aty zyrën time në telefon tek whatsappi deri në tre të mëngjesit dhe nuk e di, qindra, mijëra studentë që shkruanin lloj – lloj mesazhesh, që nga budallëqet më të mëdha, deri tek mesazhet më interesante dhe mes të gjithë atyre, në dy të natës, dilte mesazhi, “shef, a po mbyllet ajo puna e rrugës së Torovicës apo jo?” Mirëpo në atë mori mesazhesh, ti e shef tjetrin online dhe ti kujton se tjetri po të shef ty, por në fakt unë kisha 1000 gjëra të tjera aty dhe policia ndërhynte prapë, “si të duash, ti në fakt asnjëherë nuk na ke pasur seriozisht ne” e ca muhabete siç i ka ky ato. E në fund fare, më në fund, e pranoi që u krye kjo punë, kështu që tani e fundit që gjë më ka mbetur është, kam porositur një palë gërshërë të mëdha që të presë shiritin ky bashkë me ata që e kanë kapërcyer të majtën e të djathtën në Torovicë e ta ndërtojë atë rrugë, por nuk është vetëm ajo rrugë – se ajo rrugë zgjidh një problem të vjetër dhe faktikisht i jep, krijon një hapësirë për gjithë ato komunitet, por plus dhe për gjithë atë zonë ku njerëzit mund të kthehen, jo për të banuar ndoshta, por për të punuar gjithë ato territore që janë atje, – por është rruga tjetër shumë e rëndësishme që ne kemi në proces, që është Shëngjin – Velipoja.

Shëngjin – Velipoja është një aks strategjik për zhvillimin e turizmit dhe për një lidhje direkte, jo vetëm mes Lezhës dhe Shkodrës dhe jo vetëm për të mundësuar një zhvillim turistik në gjithë këtë brez, por edhe me Malin e Zi. Ne kemi diskutuar me Kryeministrin e Malit të Zi dhe në takimin e të dy qeverive për të ndërtuar bashkërisht edhe urën mbi Bunë që është në një distancë shumë të shkurtër dhe pastaj për t’i dhënë mundësi të një lëvizjeje të drejtpërdrejtë turistëve nga të dyja anët, gjë që do të sjelli një rritje të madhe të fluksit që vjen drejt Shëngjinit e drejt Lezhës padiskutim, por do ndryshojë komplet edhe komunikimin mes dy pikave në një rrugë të standardeve më të larta dhe në një rrugë që është një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë nga pikëpamja e panoramës që ofron.

Po ashtu, jemi në përfundim të procedurës për rrugën tjetër Milot – Balldren, që do të bashkohet me autostradën e do të bëjë të mundur një akses shumë mw të shpejtë dhe shumë më të siguritë pasi ende gjithë ky aks, ju e dini më mirë se unw sepse shkoni shumë shpesh, është problematik nga pikëpamja e standardeve nga pikëpamja e sigurisë.

Sot, në Tiranë lindën trinjaket e parë të vitit dhe erdhën të tre me nga 1 milionë e 200 mijë lekë me vete, gjë që përpara disa viteve do të ishte e paimagjinueshme. Ne trashëguam një bonus të bebes që ishe 50 mijë lekë të vjetra, që kur e pata vënë unë në bashkinë e Tiranës shumë vite më përpara. E mori pastaj dhe e bëri standard për të gjithë vendin qeveria e më pastajme, mirëpo mbeti aty dhe ne faktikisht e tetëfishuam për fëmijën e parë. E gjashtëmbëdhjetë fishuam për fëmijën e dytë dhe e njëzetekatër fishuam për fëmijën e tretë. Po shihja disa komente para se të vija këtu të disave që e kanë të pamundur që të shohin edhe pse Zoti jua ka dhënë sytë, e kanë të pamundur të dëgjojnë edhe pse Zoti ua ka dhënë veshët, e kanë të pamundur të mendojnë edhe pse Zoti ua ka dhënë qendrën e përpunimit të sinjaleve me jashtë, thonin që “e ca janë 1 milionë e 200 mijë lekë për një fëmijë?” “Çfarë do bëjë fëmija me 1 milionë e 200 mijë lekë?” Çfarë t’i përgjigjesh këtyre njerëzve? Çfarë t’i thuash? Nuk ke çfarë i thua fare ose do ti thuash atë që thonin pleqtë dikur, “amanet mushkat”.

Ndërkohë që patjetër, ne duke thënë të gjitha këto, absolutisht nuk pretendojmë se kemi zgjidhur të gjitha problemet apo se njerëzit duhet të ndjehen të lumtur dhe duhet vetëm të brohorasin kur ne ju dalim përpara, absolutisht jo. Por ama, nëse krahasohemi me nga u nisëm, nuk ka krahasim në asnjë aspekt. Ne u nisëm andej nga e filluam, pasi populli i largoi ata nga zyra. Tani e tha Lindita, ka dalë ai miku im nëpër rrugë dhe thotë kam një plan. Natyrisht, kur ke një plan ta bësh energjinë 300 lekë për litër, patjetër që je në kushtet kur mund të thuash çfarë të duash. E pastaj është nafta 300 lekë për litër apo është energjia 300 lekë për litër? Janë të dyja 30 lekë për litër? Si të vijë, nuk ka rëndësi, thua e thua çfarë të duash. Ajo që vlen ama, është ballafaqimi me faktet dhe me rezultatet.

Sot unë jam këtu për t’ju thënë që ne kemi nevojë që të kemi në bashkinë e Lezhës një krah. Unë nuk bëj politikë me marrjen e rolit të prokurorit apo të gjykatësit. As nuk jap vendime gjykatash dhe nuk jap dënime paraprake, por me thënë të drejtën, kur e shoh kryetarin e opozitës, në krah me kryetarin e bashkisë së Lezhës që ka një akuzë për grabitje pronash dhe që nuk lë gjë pa thënë me libër shtëpie, – i pari, jo ky i dyti, – në emër të drejtësisë, në emër të pastërtisë, në emër të Shqipërisë, them që ka një problem të madh me të gjithë ata që vazhdojnë i shkojnë pas dhe i besojnë.

Ka një problem shumë të madh.

Ka një problem shumë të madh, siç ka një problem shumë të madh për ne patjetër sepse ne nuk kemi një opozitë që të na sfidojë. Nuk kemi opozitë që na sfidon me ide, që na sfidon me argumenta që na sfidon me program, që është një alternativë që realisht ka një plan.

Kemi një opozitë që na sfidon me vezë. Me vezë gjuajnë ata që nuk dëgjohen, që nuk kanë mundësi të dëgjohen, ata që nuk kanë mundësi të flasin, ata që nuk kanë mundësi të shfaqen asgjëkundi, në rrugë, në protesta. Me vezë mund tw gjuajw një i ri, një e re për të thënë “ej, jam edhe unë këtu”, “kam dhe unë diçka për të thënë”, por një deputet që gjuan me vezë, në parlament dhe një opozitë që e duartroket dhe për shkak të gjuajtës me vezë e promovon në byronë e vetë politike, çfarë është kjo? Ose një opozitë që vjen në parlament për të treguar muskujt, për të treguar forcën, për të kërcitur dhëmbët, për të dalë e për të bërë skena fizike, çfarë jemi ne? Nuk jemi federata e mundjes.

Nuk kemi dalë atje të tregojmë se kush është më i zoti të tregojë muskujt apo kush është më i zoti të shajë tjetrin më shumë dhe natyrisht, populli e thotë, kush fle me qenin, ngrihet me pleshta. Futesh në një sallë që ti shkon për të diskutuar për të debatuar, për t’u përplasur për idetë dhe ndeshesh me njerëz që në një moment të caktuar të marrin edhe ty me vete se do përgjigjesh. Mirë është të mos përgjigjesh por një herë, dy herë, tre herë, në një moment, njeri je dhe ti dhe do përgjigjesh e në fund kush fiton nga gjithë kjo? Askush. Vetëm humbet respekt politika, humbet respekt parlamenti, humbasin respekt ata që në fakt janë votuar për një gjë krejt tjetër. Nuk dua të zgjatem më shumë, dua të them dhe diçka në fund përpara se t’ju jap mundësinë që të bëni pyetje, të thoni, të ngrini shqetësime. Ne patjetër që kemi të meta, patjetër që kemi bërë gabimet tona, patjetër që në procesin e qeverisjes, jo gjithçka e bëjmë si duhet dhe jo të gjitha gjërat që duam mund t’i bëjmë. Për shembull, nëse ne i përgjysmuam tarifat për studentët apo i bëmë zero detyrimet për të gjithë ata me 9-10, për të gjithë ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike madje u vumë dhe një bursë 100 mijë lekë në muaj, këtë e bëmë jo thjesht sepse ata kishin të drejtë, por edhe sepse ne kishim mundësi, gjë që nuk e kemi pasur disa vite më parë. Nëse protesta do kishte ndodhur dy vjet më parë apo tre vjet më para, ata mund të ishin akoma sot në protestë dhe ne do i thonim “jo, kjo nuk bëhet”. Jo se ata nuk do kishin të drejtë, por sepse ne do e kishim të pamundur dhe mundësitë e reja krijohen me mund. Patjetër që kanë patur të drejtë qytetarët e Lezhës, edhe dy vjet më përpara, edhe tre vjet më përpara, edhe dhjetë vjet më përpara kur janë dëshpëruar nga ikja e energjisë elektrike sapo frynte era e parë, por dy vjet përpara ka qenë e pamundur për ta bërë investimin që po bëjmë sot, ashtu sikundër sot është e pamundur për të bërë, nuk e di, një investim tjetër që me siguri është edhe ai i domosdoshëm ama duhet të krijojmë një mundësi të re që të bëjmë edhe atë tjetrin dhe në fund të fundit Shqipëria nuk është asnjë gjë tjetër veçse shtëpia jonë e përbashkët që rregullohet dhe përmirësohet njësoj si shtëpia e secilit prej nesh, si shtëpia e secilit prej jush.

Nëse secili prej jush e kthen kokën pas se si e ka pasur shtëpinë 25 vjet më përpara, sigurisht që sot shumica dërrmuese, 99% e kanë shtëpinë më të mirë ama i janë dashur vite, është dashur punë, është dashur mund, janë dashur kursime, është dashur që të bëhen gjërat me radhë për të ardhur tek ajo që është sot e që patjetër gjithsecili do ta ketë dhe më të mirë por që ta ketë dhe më të mirë, duhet të krijojë mundësi të reja dhe në këtë qeverisje, ndër shumë gjëra që unë besoj që kanë ndodhur falë nesh e nuk do kishin ndodhur po të mos ishim ne, është mundësia që ne i kemi dhënë çdo qytetarit, çdo njeriu të zakonshëm kudo që është që të lidhet me ne në mënyrë të drejtpërdrejtë e ta ngrejë në mënyrë të drejtpërdrejtë problemin e nëse ka të drejtë të marri zgjidhe pa pasur nevojë të ketë një mik, të ketë një kushëri që ka njohje, të ketë një parti që ia bën hyzmetin apo të paguajë lekë, me platformën e bashkëqeverisjes. Un e përsëris çdo ditë. Patjetër që ne jemi larg së pasuri një administratë që vepron ashtu siç duhet një mik, të ketë një kushëri që ka njohje, të ketë një parti që ia bën hyzmetin apo të paguajë lekë, me platformën e bashkëqeverisjes. Un e përsëris çdo ditë. Patjetër që ne jemi larg së pasuri një administratë që vepron ashtu siç duhet, por ama sot, secili ka një mundësi që nuk e ka pasur deri dje, që me një veprim në telefon, përmes internetit të shkojë tek platforma, tek shqiperiaqeduam.al dhe të shkruajë problemin e vetë e në atë moment, të ketë në krah qeverinë drejtpërdrejtë. Çështja të shkojë drejtpërdrejtë në ekranin e ministrit përkatës e për 10 ditë problemi të marri përgjigje dhe zgjidhje në rastin kur të takon. Të dy miqtë që janë këtu me ne janë dy dëshmitarë të këtij procesi. Unë do t’ju jap fjalën me radhë për të thënë se si konkretisht çka po them unë ju ka dhënë mundësinë të zgjidhin një problem të tyren.

Mark Gjoka: Jam Mark Gjoka, për ata që nuk më njohin. Zoti Kryeministër, kam nderin e veçantë t’ju them mirë se erdhët në Lezhë, por jam edhe personalisht i emocionuar që jeni këtu sepse vetëm sa herë vini ju, unë lejohem të hyj në këtë sallë. Në këtë institucion që pothuajse që ka 20 vite që unë i kam dhënë jetën time, si një punëtor modest i këngës dhe sapo mbaruan zgjedhjet dhe në Bashkinë Lezhë, erdhi Partia Demokratike, në datën 1 shtator më lajmëruan zëvendësimin nga detyra e përgjegjësit të pallatit të kulturës sepse kishte emëruar zoti Viktor Tushaj. Më kaluan specialist kur unë fillova të ngre një bandë muzikore për fëmijë, ata e panë të arsyeshëm që kjo bandë të mos zhvillohej dhe në prag të krishtlindjeve më solli si dhuratë vendimin e largimit përmes një njoftimi me shkrim që unë duhet të paraqitesha me datën 8 janar të vitit 2016 tek kryetari i bashkisë. Për 10 muaj me radhë unë vazhdova ecejaket dhe fatmirësisht dëgjoj në darkë që zoti Lulzim Basha, thoshte me të madhe që “Edi Rama po përjashton nga administrata, po shkatërron administratën duke përzënë nga puna njerëz të përgatitur, profesionistë”. Unw thashw shyqyr që erdhi rasti dhe i shkruaj një letër. E prita një muaj, nuk më kthehu përgjigje. Ia përsërita edhe një herë ankesën time, kjo punë zgjati 10 muaj. Rastësisht takoj zotin Pjerin dhe më thotë “tako zyrën e punësimit në Lezhë”. Unë dua të falënderoj sot zotin Fatmir Delishi, i cili më përcolli tek inspektorati i punës sepse puna ime aty kishte mundësi të gjente zgjidhje dhe unë dua të falenderoj të gjithë specialistët e inspektoratit të punës, në mënyrë të veçante drejtorin Gjin Çupi që për 10 muaj nuk u mërzit me mua. 4 herë më solli tek bashkia inspektorati i punës me pretendimin se duhet të më paguanin edhe 10 muajt, të katër herët përsëri më nxorën.

Përfundimisht e pashw të arsyeshme që zgjidhja do të ishte platforma për Shqipërinë që duam dhe në emrin tim, Mark Gjoka, ju garantoj që për 10 ditë, 4-5 telefonata në ditë, më merrnin specialistët e ministrive përkatëse dhe më jepnin informacion e më kërkonin informacion dhe ditën e 10 më vjen përgjigja nga Ministria e Financave, një përgjigje të cilën unë e çova dhe sot ajo është në gjykatë dhe shpresoj shumë që të gjej një zgjidhje edhe me sistemin e ri të drejtësisë. Mirënjohje për ju zoti Kryeministër, për të gjithë institucionet dhe për komunitetin lezhjan, unë kam dëshirë ta jap përmes një mesazhi siç dinë ta japin artistet (këndon). Ju ftoj të gjithëve që t’i shkrimë akujt dhe borën e keqkuptimeve. Më lejoni, unë dua të propozoj zoti Pjerin Ndreu për ta kthyer Lezhën një mbretëreshë të qyteteve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama: Ajo kënga ishte për Lulin, se me Lulin ke heq keq, ço letra e mos merr përgjigje, por nuk ka problem. Edhe unë problem e kam pasur për t’u takuar, se i thoja, aman takohem, nuk më takonte dhe prap do më takojë po problem e ka sa të bëj një çik sikur nuk do. Edhe ai atë “sikur nuk do” e ka me protesta, me çadra, me revolucione, me përmbysje, shko nëpër Shqipëri, mbledh ata, Franin me shoqërinë e tokave dhe hajdeni ta rrëzojmë.

Është mesazh dashurie, por nuk ka kurajon ta thotë hapur se ku e ka hallin dhe pastaj. Nuk është puna tek ai, se është artist, por unw habitem me këta që kujtojnë se ai do bëjë revolucion e i shkojnë nga mbrapa. Ai seriozisht e ka vetëm atë që nuk thotë, që do patjetër që të takohemi ne të dy. Për sa i përket asaj, ne nuk kemi ardhur këtu për të zgjedhur kandidatët, kështu që mos na fusni në këto situata. Edhe unë me ty jam, por duhet ta lëmë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që të jetë proces për të gjithë në mënyrën se si do të bëhet që mos kemi kështu sikur dikush po, dikush jo, që tani dhe kështu në momentin e duhur të shpallim të gjithë kandidaturat. Kjo që bëjmë nuk është fushatë e thashë edhe një herë, është një cikël takimesh publike, aty ku ne kemi bashkinë për të folur për çka kemi bërë e çka duam të bëjmë. Aty ku nuk e kemi bashkinë, sigurisht për të folur se çfarë kemi bërë si qeveri, por edhe se çfarë mund të bëjmë nëse kemi bashkinë. Unë nuk dua të bëj, thashë, aq më tepër në rastin e kryetarit të bashkësie së Lezhës që është dhe në atë hallin e vetë tani që si do i shkojë puna me prokuroria e me gjykata e me gjithë ato historitë e tokave, ku për fat të keq ai dhe të tjerë janë të përfshirë dhe jo vetëm ai dhe të tjerë këtu në Lezhë, por janë dhe disa në Tiranë që bëjnë thirrje për revolucion që janë të përfshirë, por dua të them që nëse ne e kemi edhe drejtimin e bashkisë, sigurisht që mund të bëjmë shumë më tepër se në fund të ditës, kur vjen puna tek fjalët, nganjëherë edhe ne që jemi brenda fare në parlament neveritemi, jo më njerëzit, por kur vjen puna tek veprat, është më e thjeshtë besoj, mjafton të shohësh çfarë ishte dhe çfarë është. Çfarë është nuk është më e mira, ka edhe më shumë se kaq, por është shumë më e mirë se çfarë ishte dhe “çfarë ishte” janë ata, “çfarë është” jemi ne. Tani, çfarë duhet të jetë, do ta bëjmë ose ne, ose ata.  Kush mendon se mund ta bëjnë ata, ka një problem. Ose duhet të vizitohet nga sytë, ose duhet të vizitohet nga veshët ose pastaj duhet të vizitohet nga mendja e kokës sepse realisht është problem i madh. Është problem i madh, sytë ti ka dhënë Zoti dhe nëna e ti nuk sheh. Veshët ti ka dhënë Zoti dhe baba, ti nuk dëgjon. Mendjen ta ka dhënë Zoti dhe të dy bashkë, nënë e babë, ti nuk mendon. E kush mendon për ty? Luli që kërkonte ky me letra. T’ia delegosh Lulit të mendojë për ty është edhe më keq se sa t’ia lësh Saliut se kur ia lë Saliut, të paktën shkon thyen kokën bashkë me Saliun kurse me këtë del gjithmonë me gisht në gojë dhe ky nuk e ka problem, se ky ka vetëm një problem, si të më takojë mua.

Paulin Lleshi: Unë jam Paulin Lleshi, ne sektorin zjarrfikës të Kurbinit, ne kishim një problem me punonjësit. Kishte një ngërç institucional. Punonjësit nuk merrnin pagën që u takonte, u desh që të shkruaja në portal dhe zgjidhja ishte e menjëhershme. Sinqerisht, e them pa mëdyshje që shkrimin në portal për problemet  krijuara eshët zgjidhja e duhur.

Kryeministri Edi Rama: Platforma ka dhe një gjë të mirë që as nuk kushton lekë, as nuk kushton kohë dhe askush nuk ka nevojë të besojë kur dëgjon dëshmitarë që thonë unë e provova dhe ishte ashtu. Mjafton ta provojë, ta provojë që a funksionon apo nuk funksionon. Nëse ke të drejtë merr të drejtën dhe mbi të gjitha, na jep dhe ne mundësinë që të ndjekim pastaj me një proces hetimi administrativ se pse je penguar më parë dhe aty kur mendohet që pengesa ka qenë për arsye të pajustifikueshme, personat ndëshkohen që nga vërejtje, tek largime nga puna e deri tek ndjekje në prokurori. Besoj që po të mendojmë sot se në një vit jetë të platformës janë mijëra e mijëra njerëz që kanë marrë zgjidhje për probleme që përndryshe nuk do i kishin zgjidhur dot, se nuk do i dëgjonte njeri, për të kuptuar që realisht për herë të parë ne kemi një qeveri që realizon atë që thuhet gjithmonë. Sa herë e keni dëgjuar nëpër fushata elektorale apo e keni lexuar në to posterat, “vota jote, zëri im”. “Zëri jot, vota ime, më jep zërin, të përdor zërin, ti ke zërin, ma jep mua, unë me zërin tënd do bësh për ty dhe e keni parë vetë”, i keni dhënë votën e nuk ia keni dëgjuar më zërin e nuk ia keni parë më fytyrën përveçse në televizor. Ndërkohë që platforma realisht është zëri i çdokujt që dëgjohet dhe çdokush që respektohet në kërkesën e tij për të marrë një të drejtë të penguar ose të shkelur. Shumë njerëz nga këta profesorët e televizorëve dhe mjeshtret e këtyre broçkullave të kazanit thonë që çfarë është kjo, sepse duhet të funksionoje shteti, duhet të funksionojnë zyrat. Kjo është një shpikje shumë e thjeshtë që na jep mundësinë ta realizojmë, teknologjia. Të gjithë e kemi një spiun në xhep dhe përmes këtij mund të çojmë fjalë menjëherë duke zëvendësuar zyrat e marrëdhënieve me publikun me letra. Për shembull, artisti i vërtetë këtu, i ka çuar atij artistit tjetër letë. Ku ia ka çuar? Tek zyra e marrëdhënieve me publikun e Partisë Demokratike.

Çuarja e letrave ka qenë praktikë edhe gjatë mandatit tonë të parë. Vinin letra në Kryeministri. Çfarë bënte Kryeministria? I merrte dhe i çonte nëpër ministri. Pastaj ministritë në shumicën e rasteve nuk përgjigjeshin fare. Ndërsa kjo është që, zyrën e marrëdhënieve me publikun të çdo institucioni ti e ke në xhep. Nuk ka nevojë fare të nisesh, të shkosh atje, të presësh në radhë, të kërkosh drejtorin, të gjesh mikun e drejtorit, të paguash lekë, fare. Ti e ke këtu. Nëse ti shkon te ALUIZNI dhe te ALUIZNI nuk të japin përgjigje, te Hipoteka nuk të japin përgjigje, te taksat ti kërkon të ankohesh për një faturë, te OSHEE-ja, kudo qoftë ti nuk ka nevojë të rrish të kërkosh drejtorin, të gjesh mik. Mjafton të marrësh mundimin 2-3 minuta, ta vësh ankesën tënde te Platforma dhe do të të marrin vetë në telefon, do të japin informacion, do të të kërkojnë informacion e brenda 10 ditësh do marrësh përgjigje. Nëse të takon, të takon dhe merr atë që të takon. Nëse s’të takon, s’të takon, por ama do marrësh përgjigje nuk do rrish rrugëve.

-Problemi im është që unë kam një truall në një shkollë të mesme, mbi 19 dynym. Kam mbi 20 vjet derë më derë që sorollatem dhe asnjë përgjigje nuk më japin. 

Kryeministri Edi Rama: Edhe ti bëj atë që po them, tek www.shqiperiaqeduam.al e ke në telefon. Nëse nuk e gjen dot në telefon, te njësia administrative, tek posta, tek zyra që kemi hapur ne këtu për këtë punë. Shko, vendos të dhënat personale, emër mbiemër, dokumentacionin që ke dhe brenda 10 ditësh do marrësh përgjigje: bëhet, s’bëhet.

-Banoj në Shëngjin. Kam 3 vjet që kam marrë lejen e legalizimit të banesës, por për certifikatën e pronësisë më sorollatin prej 3 vitesh.

Kryeministri Edi Rama: Është e njëjta gjë. Ne, po ta shikosh, në aktivitetin javor që bëjmë për Platformën e Bashkëqeverisjes, çdo javë ka raste të ALUIZNI-t, raste të Hipotekës. Bëje vendosjen e çështjes te Platforma. Për 10 ditë, nëse të takon, do ta marrësh. Shpesh ndodh që Hipoteka dhe ALUIZNI kanë harta të ndryshme. Ne e kemi dhënë urdhrin të prerë, që, nëse ALUIZNI të jep legalizimin, Hipoteka duhet ta regjistrojë, nuk duhet të rrijë të merret me hartën, sepse harta e ALUIZNI-t kur jepet legalizimi është harta e saktë. Ndërkohë që, ne tani kemi hyrë në procesin e përputhjes së hartave, që është një histori më vete dhe bashkimi i këtyre të dyjave. Shumë shpejt, – ligji është bërë gati, do të shkojë në Parlament, – do të kemi një Agjenci të vetme. Nuk do ketë më edhe ALUIZNI edhe Hipoteka që bëjnë ecejake dhe e kthejnë shpeshherë qytetarin në top ping-pongu, por do jetë vetëm një. Ti shkon legalizon, hipotekon, merr dokumentin. Por në rastin konkret, bëje këtë dhe është e sigurtë që brenda 10 ditësh do marrësh përgjigje. Këtu janë edhe ata të Platformës, se vijnë gjithmonë nëpër takime, pas mbledhjes do të të japin një asistencë, nëse është e nevojshme, por besoj që me telefonin dhe me njerëzit në shtëpi mund ta bësh fare lehtë dhe kjo gjë do marrë zgjidhje. Jam i sigurtë!

-Kam 16 muaj që nuk ka ardhur askush të më shohë sahatin e dritave. Kam shkuar 1 000 kilovat më tepër. I kam për t’i paguar këto, por nuk di ku ti çoj, po nuk erdhi dikush të shohë sahatin.

Kryeministri Edi Rama: Për këtë gjë nuk do të them shkruaj te Platforma. Të jap fjalën që do të ta çoj atë të elektrikut sonte në shtëpi. Ti paske hall realisht. Ai do të të vijë në shtëpi dhe do ta paguash faturën tamam.

-Po shohim që në Sarandë, në Durrës dhe në Vlorë po bëhen investime. Desha të di çfarë investimesh do të ketë të Porti i Shëngjinit, sepse aty janë shumë familje që hanë bukë, por vijnë vetëm 1-2 anije në muaj?

Kryeministri Edi Rama: Në çdo port po të shkosh të thonë, “te portet e tjera vijnë shumë, tek ne vijnë pak”. Të siguroj për këtë. Ndërkohë që, për Portin e Shëngjinit ne kemi një projekt dhe qëllimi është që të bëhet port turistik, d.m.th. në portin e Shëngjinit të mos vijnë më anije me mallra, që ndotin, etj, por të jetë një port turistik, pra të vijnë anije për turizëm dhe natyrisht edhe për lëvizjen e pasagjerëve. Ky është projekti. Patjetër, pjesa e peshkimit, nuk diskutohet, hap pas hapi besoj që shkojmë në atë drejtim, te porti ekzistues i Shëngjinit. Ndërkohë që, projekti i madh i një porti tjetër, etj, etj, mbetet një nga ëndrrat e të gjithëve, por, për momentin nuk kemi pasur asnjë lloj situate ku të mund të themi që kemi investitorë që janë realisht të interesuar. Ka pasur herë pas here interesime, por s’kemi hyrë në asnjë lloj procesi më të thellë sesa kaq, për të qenë i sinqertë me ju.

-Jam nga Balldreni. Unë kam aplikuar te AZHBR-ja, ku jam shpallur fitues. Kam hequr të zitë e ullirit për të bërë dokumentet. Më thotë ish-drejtori, “shko se kanë ardhur lekë për subvencionet për grurin”! Shkoj atje, “jo, s’ka ardhur gjë”. Marr AZHBR-në, thotë, “je shpallur fitues për vitin tjetër”. Unë grurin e kam mbjellë për këtë vit. Nuk mora asnjë lekë. Iu thashë do shkoj deri te Kryeministri. Pastaj më erdhi një letër ku thuhej që, “je shpallur fitues”, por më thanë që, “nuk ke marrë letrën te ish-komuna”. Ata nuk i lëshonin se ishin të PD-së dhe nuk munda t’i marr.  

Kryeministri Edi Rama: E para, ne kemi bërë një sistem ndryshe për të lehtësuar aplikimin. Kemi bërë aplikimin me zero dokumente. Pra, iu kemi dhënë mundësi të gjithëve që të aplikojnë me vetëdeklarim, jo të mbledhin të gjithë dokumentet, sepse ajo që ndodhte përpara ishte që, mbledhin dokumente, bënin të gjithë atë mundimin, edhe shpenzonin dhe pastaj kur nuk fitonin dilnin të humbur. Ajo që kemi bërë ne është që iu kemi thënë fermerëve, “gjithkush mund të aplikojë me zero dokumente”, por, në rast se fiton duhet të sjellë dokumentet”. Ka ndodhur që shumë nga aplikuesit nuk kanë arritur dot të plotësojnë dosjen me dokumente. Ky është fakt. Për rastin tuaj konkret nuk po them as kështu, as ashtu. Ty të takon të thuash që ke qenë në rregull, se kështu e kemi ne, të gjithë jemi në rregull, por do ta verifikojmë. Në rast se është kështu siç thua, patjetër që do marrësh atë që të takon, por kam frikë se nuk është kështu siç thua. Kam frikë se dokumentet të kanë munguar. Pa dokumente, ose qoftë edhe me një dokument mangët AZHBR-ja nuk jep dot lekë, sepse nuk mundet dot të disbursojë asnjë fond. Do ta shohim rastin konkretisht. Nëse dëshiron përdor Platformën e Bashkëqeverisjes, fut të gjitha dokumentet që ke, praktikën dhe për 10 ditë ti do marrësh përgjigje. Nëse është siç thua, patjetër do marrësh atë të takon.

-Unë kam një hall personal. Jetoj familjarisht që në vitin 1983 në Ishull Shëngjin. Jam vetë i shtatë në familje. Më erdhi radha e legalizimit, sipas VKM-së së vitit 2006 dhe me 5 maj 2011 më doli emri në gazetë, por akoma nuk më jepet e drejta e legalizimit.

Kryeministri Edi Rama: Sa herë ka dalë emri në gazetë në kohën e Saliut! Sa legalizime janë bërë nga ato, dil në gazetë edhe pastaj ikën gazeta e ti ngelesh me dëshmorët…! Shkruaj te Platforma www.shqiperiaqeduam.aldhe për 10 ditë do marrësh përgjigje të saktë, të takon, s’të takon. Kaq!

-Jam një qytetar me origjinë nga Mirdita. Aktualisht banoj në Laç. Në Mirditë, me hidrocentralin e Qafë Mollës, banesa dhe toka të regjistruara në emër të babait më janë përmbytur. Ajo dosje ndodhet në Gjykatë Kushtetuese. Problemi i dytë, kam qenë punonjës burgjesh në Shënkoll. Jam transferuar në paraburgimin Bradashesh. Për 8 muaj, dy largime nga detyra, me dy vendime në komision të apelimit. Nga auditi i Drejtorisë së Burgjeve ka rezultuar se, me largimin e dytë nga detyra janë marrë 8 paga të miat në një bordero fallso dhe unë përsëri pa punë. Problemi i tretë, në vitin 2008 kam fituar statusin si i pastrehë në Bashkinë Kurbin. Me një vendim të Këshillit Bashkiak ka ikur numri rendor i fondit në BKT, është tjetërsuar, e ka marrë dikush tjetër. E fundit, jam trajtuar me ndihmë sociale deri në 2017-ën. Në fund të 2017-ës më kanë larguar edhe nga skema e ndihmës ekonomike. Pra, pa tokë, pa shpi, dy persona kam invalidë brenda edhe thotë Lleshi, “ik merre ndihmën sociale te Partia Demokratike!”

Kryeministri Edi Rama: Ta filloj nga e fundit! Së pari, ndihmën ekonomike nuk e jep kryetari i Bashkisë. Ndihma ekonomike nuk jepet më përveçse nga sistemi kompjuterik, ku, secili fut të dhënat dhe është sistemi që bën kualifikimin e personave sipas të dhënave. Është sistemi që e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë, që është punuar bashkë me Bankën Botërore dhe që ka pastruar në një masë të madhe ata që nuk iu takon dhe ka arritur të vendosë 11 mijë familje që nuk e merrnin dot se ishin realisht në situatë shumë të vështirë dhe asnjeri nuk i llogariste për të gjallë. Por sistemi nuk është perfekt. Ka raste që nga verifikimet ka rezultuar që janë bërë gabime. Kështu që, për rastin tuaj do ta shikojmë konkretisht dhe do t’u japim përgjigje. Mjafton që pas takimit t’i japësh emrin dhe koordinatat personit që do të të takojë tani, direkt. Do ishte mirë që, për pjesën tjetër që ka të bëjë me historinë e punës etj., ta çoje rastin te Platforma www.shqiperiaqeduam.al Është shumë e thjeshtë. Mund të shkosh te zyra e bashkisë, e postës, mund të shkosh te zyra që kemi hapur ne edhe këtu në Lezhë, ngjitur me Prefekturën dhe mund ta bësh këtë gjë. Sa i përket asaj të Gjykatës Kushtetuese, është çështje e Gjykatës, nuk është çështje e jona.

Unë ju falënderoj shumë për këtë takim, për durimin dhe për pyetjet që ngritët! Bashkë do takohemi tek rruga e Torovicës, punë ditësh. Jam shumë i vetëdijshëm që ka shumë më tepër për të bërë akoma sesa është bërë, por, nga ana tjetër, një gjë unë e di mirë, edhe ju dini mirë dhe çdo njeri që sheh me sytë e tij, dëgjon me veshët e tij dhe mendon me kokën e tij e di mirë: o e bëjmë ne këtë vend, ose askush tjetër nuk e bën dot!

Faleminderit!