Kryeministri Rama zhvilloi sot një vizitë në zyrat qendrore të Bankës Botërore, ku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim.
Presidenti Kim u shpreh me tone shumë optimiste për ecurinë e reformave në Shqipëri dhe rrugën e bashkëpunimit në rajon dhe dha konsideratat me të larta për punën e qeverisë shqiptare dhe lidershipin e Kryeministrit në atë që ai e quajti fazë ndryshimesh historike për Shqipërinë dhe rajonin. Duke iu referuar takimit me Kancelaren gjermane Merkel, Presidenti i Bankës Botërore theksoi opinionin e zonjës Merkel për momentin pozitiv që po kalon Ballkani Perëndimor dhe rolin e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Rama në zhvillimin e rajonit.
Kryeministri Rama e falenderoi Presidentin Kim për punën e pakursyer të Bankës Botërore në Shqipëri, si edhe theksoi nevojën që Banka Botërore të jete katalizator i zhvillimit të rajonit të Europës Juglindore. Kryeministri Rama u shpreh se bashkëpunimi rajonal është kritik për zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit, duke nënvizuar faktin se e ardhmja e rajonit i përket Bashkimit Europian.