Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë e përbashkët për mediat e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, pas mbërritjes së sasisë së parë të vaksinave nga Bashkimi Europian:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!

Sapo kemi përfunduar një takim miqësor, si gjithmonë, me Komisionerin Varhelyi, i cili gjithmonë ka provuar përkushtimin dhe mbështetjen, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet e rajonit, duke qenë qysh në krye të herës, zëri i arsyes në Komisionin Europian për të mos e lënë jashtë Ballkanin Perëndimor nga skema e shpërndarjes së vaksinave dhe arritur ta materializojë këtë punë të tij disa mujore, edhe me mbështetjen e presidentit von der Leyen, duke përcaktuar 651 mijë doza të vaksinës Pfizer, të shpërndara proporcionalisht për vendet e rajonit. Ndaj, unë dua t’i shpreh mirënjohjen dhe dua ta falenderoj edhe publikisht për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë absolutisht të jashtëzakonshme.

Nga ana tjetër dua të nënvizoj faktin se falë Komisionerit në radhë të parë, Komisioni Europian u rikthye si motor i solidaritetit, jo vetëm për planet e rimëkëmbjes, por edhe për vaksinimin e vendeve europiane, përfshirë në këtë rast 6 vendet e rajonit tonë.

Më vjen natyrshëm që të kujtoj këtu se Komisioni ka mundësuar njëkohësisht, kualifikimin e vendeve të rajonit, por në këtë rast flas për Shqipërinë, për fondet për përballimin e pasojave shëndetësore të pandemisë përmes fondit të solidaritetit të Bashkimit Europian dhe janë afro 1 milionë euro që i takojnë Shqipërisë.

Po ashtu, Komisioni ka miratuar dhe propozimin e paketës së asistencës makro-financiare  në mbështetje të Ballkanit Perëndimor, duke disbursuar një lot të parë prej 90 milionë eurosh dhe nga ana tjetër, shuma totale prej Bashkimit Europian prej 2,2 miliardë euro do të kontribuojë edhe për lëvrimin e vaksinave për rajonin, ndërkohë që tanimë kanë mbërritur në Shqipëri dozat e para dhe deri në gusht, Shqipëria do marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave.

Me Komisionerit kemi diskutuar dhe për vazhdimësinë e planit të madh të investimeve në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria sigurisht bën pjesë si aktore në këtë proces. Jemi shumë optimistë që tanimë shumë gjëra janë vënë në vijë dhe projektet e mëdha do të fillojnë të lëvizin në drejtimin e duhur me financimet e para.

Edhe njëherë shumë faleminderit për gjithshka i dashur mik dhe mirënjohje për ardhjen këtu, personalisht, për të dëshmuar jo vetëm simbolikisht, por edhe faktikisht qëndrimin në krah të vendit tonë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me kënaqësi po i kaloj fjalën Komisionerit, për të shprehur nga ana e tij, jo vetëm për rëndësinë e madhe të këtij momenti, përsa i përket solidaritetit europian në raport me Shqipërinë dhe vendet e rajonit, por edhe shpresoj gatishmërinë për të lëvizur më tutje me një plan shumë ambicioz që tanimë nuk është më një dëshirë, as ambicie, por një plan konkret, hapash konkretë që do t’i hedhim së bashku, me mbështetjen e vazhdueshme të Komisionerit dhe të Komisionit Europian.

 

Komisioneri për Zgjerimin Varhelyi: Mirëmëngjesi të gjithëve! Mirëmëngjesi Zoti kryeministër! Faleminderit shumë që na keni pritur sot këtu! Është ditë vërtetë e mrekullueshme dita e sotme për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë. Jam vërtetë i kënaqur që kem arritur në fundin e këtij procesi, që më ka sjellë këtu, me dorëzimin e vaksinave. Kemi punuar fort, kemi punuar shumë që kjo gjë të bëhej realitet. Nuk ka qenë e lehtë, por mendoj se ne po vijmë këtu në momentin e duhur, në një moment kyç, në një moment kur ne duhet të fillojmë të dalim nga kjo pandemi dhe dalja nga pandemia është gjë e mirë e në rast se ne promovojmë vaksinat dhe arrijmë t’i kemi ato e prandaj kemi ardhur këtu, sot, për të sjellë vaksinat. Për ne është përparësi, është prioritet që fqinjët tanë të kenë vaksina, të bëhet vaksinimi dhe prandaj besoj se nuk është e nevojshme ta them që Ballkani Perëndimor është edhe më shumë i rëndësishëm për këtë arsye për ne dhe ne shpresojmë se me këto vaksina ju do të siguroni jo vetëm sektorin e shëndetësisë dhe vaksinimin e tyre, por edhe vaksinimin e grupeve më të cenueshme.

Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat jo vetëm po i sjell BE-ja, por edhe janë tërësisht 100% të financuara nga BE-ja. Këto janë burim, donacion, dhuratë nëse mund të shprehem kështu, nga ana jonë për t’ju treguar se keni rëndësi për ne, për t’ju treguar interesin dhe dashamirësinë tonë.

Një tjetër gjë që dua ta bëj të qartë është që nuk do kishim mundur ta bënim këtë gjë pa miqtë tanë austriakë dhe qeverinë austriake, të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm pikërisht për këtë gjë. Doja të falenderoja qeverinë austriake dhe kancelarin Kurtz dhe ministrin e jashtëm Schalenberg, të cilët kanë bërë të pamundurën gjatë gjithë kohës që kjo gjë të bëhej realitet. Pa koordinimin e tyre, kjo gjë nuk do ishte arritur dhe për këtë u jemi vërtetë mirënjohës.

Mendoj se ky lloj bashkëpunimi tregon vlerën e skuadrës europiane, e ekipit Europë dhe tregon çfarë mund të sjellë dhe të arrijë BE-ja, në rast se bëhemi bashkë. Ndoshta mbani mend që e kemi ndihmuar Shqipërinë që prej fillimit të kësaj pandemie, që prej marsit të vitit të shkuar jemi përpjekur t’ju ndihmojmë me gjithçka që kishim mundësi dhe në momentet e duhura, p.sh, me maska, aspiratorë, pajisje mjekësore, ambulanca, njësi të reanimacionit, me përmirësimin e spitaleve apo me ndihmë financiare, ekonomike apo me ndihmë makro-financiare për buxhetin e shtetit. Tashmë sot po sjellim dozat e para të vaksinës, sepse ky është momenti jo vetëm për të filluar vaksinimin, por edhe për ta fuqizuar atë më tej, sepse asnjë prej nesh nuk do jetë tërësisht i sigurt në rast se nuk vaksinohemi të gjithë dhe ne tregojmë se jemi të interesuar posaçërisht tek siguria dhe shëndeti i plotë i qytetarëve shqiptarë. Faleminderit!

 

– Ju vini në Tiranë plot 10 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Besoj se jeni informuar me detaje për ecurinë e tyre edhe nga ambasadori Soreca që ka qenë shumë aktiv si në ditën e zgjedhjeve, por dhe gjatë procesit të numërimit. Si i keni parë ju këto zgjedhje, ndërkohë që opozita shqiptare nuk e pranon rezultatin e certifikuar tashmë edhe nga KQZ-ja? Mendoni se qeveria ka përdorur pushtetin e saj për të manipuluar dhe blerë këto zgjedhje? A do ndikojë ky qëndrim i opozitës shqiptare në mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe a do vazhdojë Shqipëria të mbetet peng i Maqedonisë së Veriut, do jetë gjithmonë fati i këtyre dy vendeve i lidhur për ecurinë e procesit të integrimit?

 

Komisioneri Varhelyi: Ne kemi një ambasador vërtetë shumë të mirë në Shqipëri dhe unë jam shumë krenar që kam mundësinë të punoj me të. Unë e ndjek të gjithë punën e tij dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe për procesin e zgjedhjeve. Kështu që jam shumë i kënaqur me punën që ambasadori i BE po bën në Shqipëri.

Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, unë e kam ndjekur nga afër gjithçka që po ndodh edhe median, por edhe çka thënë OSBE/ODIHR. Kështu që mendoj që pas një fushate zgjedhore mjaft të zjarrtë dhe debate të zjarrta, gjëja që na nevojitet tani janë rezultate të qarta përfundimtare dhe më është thënë që ka filluar procesi, pra  periudha e apelimit, kështu që ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë, qoftë edhe blerjen e mundshme të votave që të ndiqet nga të gjitha autoritetet gjyqësore, por pas këtij procesi do të na duhen rezultate përfundimtare. Pra, pas rezultateve përfundimtare do të na duhet që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna e vet shumë shpejt për reformat e BE. Pa një parlament të plotë, nuk është e mundur që të ecet përpara në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Europian, dhe ka ende shumë punë për të bërë. Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj të dytë, kjo është edhe më shumë e vërtetë në rast se do të ishte një marrëveshje për mbajtjen e një konference të parë ndërqeveritare në Shqipëri , në qershor. Në rast se do të ndodhë kjo gjë, puna jo vetëm do të duhet të vazhdojë, por do të duhet të përshpejtohet dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Kuvendi i ri i Shqipërisë.

Kështu që ne të gjithë do të duhet të tregojmë me punën tonë që japim rezultate, duhet të shikojmë këto rezultate. Duhet të presim rezultatin e procesit të apelimit dhe atëherë shpresojmë që Shqipëria të ecë përpara dhe të punojë për anëtarësimin e saj në BE.

Kryeministri Rama: Meqë pyetja ishte për të dy, unë dua të përsëris që bindja dhe vullneti im është që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS-ja do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër, bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin dhe për sa më takon dhe për sa na takon, ne do të fokusohemi plotësisht tek punët e mëdha për të cilat jemi votuar dhe do ta mbajmë dorën të shtrirë, pa asnjë ndërprerje, për opozitën, për PD-në.

PD-ja është e mirëpritur, kurdoqoftë dhe sidoqoftë, të kthehet me këmbë në të tokë për të hapur një proces diskutimi krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si ne mund të kontribuojmë bashkërisht, për të shtyrë sa më shumë përpara punët dhe patjetër dhe integrimin europian të Shqipërisë.

Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar në këtë aspekt dhe me ndihmën tuaj besoj që do të jem dhe unë në gjendje të qëndroj larg nga polemikat e vjetra, të kota, të lodhshme midis partive për partitë dhe me partitë.

Shqipëria është në një moment me kaq shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër. Mandatin e kemi marrë që ta ngjisim atë në majën ku e meriton dhe të gjitha energjitë, e gjithë koha ime dhe energjitë dhe koha jonë, si shumicë që kemi përgjegjësinë të udhëheqim, do të jetë në këtë drejtim.

 

– Do të vazhdojë BE-ja të mbështesë vendet e Ballkanit perëndimor ku përfshihet  dhe Shqipëria me dozat e vaksinave, duke patur parasysh se vende si Kosova dhe Maqedonia e Veriut apo Bosnja janë ende shumë larg sa i takon vaksinimit masiv dhe a do të mundet që shtetasit e Ballkanit Perëndimor të lëvizin lirshëm në BE? Një pyetje për Kryeministrin Rama. A do të kërkojë Shqipëria pasaportë vaksinimi për të gjithë ata që do të duan të mbërrijnë në Shqipëri për pushime apo për turizëm.

Komisioneri Varhelyi: Shpresoj shumë që me 651 mijë dozat, ne thjesht po çelim dorëzimin e këtyre dozave.  Ne po punojmë edhe për iniciativa të tjera ose për të sjellë doza të tjera dhe shpresoj se unë do të vijë vetë personalisht në të ardhmen dhe shpresoj që do të vijnë aq shpesh doza, sa unë nuk do të kem kohë të vij në Shqipëri.

Ndërsa sa i përket pyetjes tjetër përgjigja është po, ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare e marrin këtë vendim, pra, vendimin se si do të ecet përpara, si do të procedohet. Është një rekomandim që ne propozojmë, në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera të hyjnë në BE, në veçanti nga Ballkani Perëndimor, edhe pa patur për arsye thelbësore, pra, që të rifillojë udhëtimi i tyre. Natyrisht për këtë po përdorim të dhëna epidemiologjike, në mënyrë që ato vende që kanë situatë të mirë epidemiologjike, të kenë mundësi që qytetarët e tyre të vizitojnë shtete anëtare të Be si dhe ata individë që janë të vaksinuar. Kështu që shpresoj që në formë graduale, ne do të rifillojmë të gjithë këtë proces e shpresoj që të kemi një verë që do t’i ngjajë një vere normale ose një normaliteti veror, pasi ka ardhur tashmë koha që të ndodhë kjo gjë.

Kryeministri Rama: Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht e asnjë pengesë për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri për një sezon turistik që, siç e kam thënë më parë, duhet të jetë një sezon shumë më i lehtë se ai i shkuari. Me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e prenotimeve e të kërkesave që rriten vazhdimisht nga vende të tjera për të ardhur, për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ne jemi sot në një pozicion realisht të admirueshëm nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra e do të vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin e gjysmë milionë vaksinimeve 29 ditë përpara afatit. Tani objektivi është 1 milionë dhe puna vazhdon intensivisht, në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin, të përdoret sa më shumë këtë vit e pastaj totalisht, vitin e ardhshëm dhe në vijim.

 

 – I nderuar Zoti Komisioner, besoj që ju e keni dëgjuar apo edhe mund ta keni lexuar publikimin e asaj që njihet si non – paper. Do doja të dija, cili është komenti juaj për këtë non – paper e nëse publikimi i kësaj non – paper ka krijuar shqetësim në Bruksel.

Po për të njëjtën çështje Zoti Kryeministër, çfarë dini ju për këtë non – paper dhe cila është përgjigja juaj për të gjithë ata që thonë që në një formë apo tjetër, ju keni kontributin tuaj në këtë non-paper?

Komisionari Varhelyi: Është në fakt si një stinë ku tashmë ne po shikojmë që kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen non-paper. Pra, është interesante kur dëgjojmë lajme të tilla, edhe pse jemi mjaft të bindur që asnjë nga këto non-papers nuk janë në fakt të vërteta. Po të ishin të vërteta, atëherë do të ishim të shqetësuar, sepse sigurisht që ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë mirë të gjithë se ku na çon kjo lloj gjëje. Nuk jam i mendimit që ndokush që është vërtetë serioz, asnjë person serioz do ta vinte një gjë të tillë mbi tryezë për të diskutuar e në veçanti në këtë rajon ku jemi. Kështu që nuk jemi dakord me asnjë pjesë të saj, kështu që nuk mendoj që këto janë ide të vërteta dhe reale. Por ndoshta u shërben më shumë disa synimeve të tjera e unë ndihem mjaft mirë për faktin – e jam shumë i qetë, – që ato janë njoftuar pikërisht nga ato persona, të cilëve u është atribuuar ky dokument, ky non-paper. Kështu që kalojmë tek stina tjetër dhe kjo stinë ka të bëjë me atë që si do ta bëjmë këtë stinë, stinën e Ballkanit Perëndimor dhe si do të marrim në fakt marrëveshjen ose më saktë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare jo vetëm me Shqipërinë, por dhe me Maqedoninë e Veriut, se si do të punojmë për aplikimin e metodologjisë së re në lidhje me Serbinë dhe Malin e Zi e si do të vazhdojmë të vijojmë me dialogun e si do të na duhet të arrijmë sukses midis Beogradit e Prishtinës. Këto janë çështjet e vërteta e i kam zili të gjithë ata që kanë kohë të hartojnë letra të tilla.

Kryeministri Edi Rama: Unë e kam dhënë opinionin tim e nuk do lodhem së përsërituri që ne duhet të ulim prodhimin e historisë e duhet të rrisim prodhimin e ekonomisë. Mandati ynë i tretë do të jetë ndër të tjera, shumë i fokusuar në drejtim të uljes së prodhimit të historisë dhe të historive që këtu në Shqipëri, prej 30 vitesh i prodhojmë me kapacitet të plotë, duke u marrë jashtëzakonisht shumë energji njerëzve e duke i lënë shumë më pak energji sesa meritojnë punët e vendit dhe hallet e njerëzve. Përsa i përket Ballkanit, vizioni dhe bindja ime është e shpallur, Shengeni Rajonal është rruga ku ne duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mosdakordësitë tona.

Mosdakordësitë tona nuk duhet të na pengojnë asnjë ditë që të mbështesim sëbashku rritjen ekonomike, të mbështesim sëbashku përmirësimin e situatës sociale të njerëzve në këtë rajon, të mbështesim sëbashku ndërtimin e një baze të re për të ardhmen që t’ju shërbejë të gjithë fëmijëve të rajonit. Shengeni rajonal është një vizion dhe një projekt i përqafuar plotësisht nga Bashkimi Europian, i mbështetur plotësisht nga Komisioni dhe Komisioneri është një kontributor konkret i këtij projekti me planin e investimeve. Kështu që ka kaq shumë mundësi që na takon neve t’i shfrytëzojmë maksimalisht, saqë është vërtetë gjynah të humbasim kohë të çmuar duke prodhuar e riprodhuar historira që nuk na çojnë asgjëkund. Nuk shoh asnjë mundësi që ne të gjejmë zgjidhje magjike për problemet që duhet të zgjidhim me shumë durim në rajon, por jam i bindur që sa më shumë ta përmirësojmë atmosferën e marrëdhënieve ekonomike, sociale, fqinjësore mes vendeve, aq më shumë krijojmë kushtet që edhe mosdakordësitë e mëdha të trajtohen në mënyrë civile, në mënyrë europiane dhe në mënyrë produktive.

Konfliktet jo produktive na kanë lënë mbrapa. Fatkeqësisht, artin e sajimit të konflikteve joproduktive e kemi realisht një art për të cilin nuk na konkurron askush. Ne duhet të europianizohemi dhe nuk duhet të riballkanizohemi, ndërkohë që jemi në mes të rrugës mes ballkanizimit dhe europianizimit. Kështu që le të fokusohemi tek gjërat që kanë lidhje drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve, me jetën e popujve tanë, me të ardhmen e vendeve tona, ndërkohë që konfliktet duan kohën e tyre për t’u zgjidhur.

Unë jam shumë dakord me Komisionerin që çdo përpjekje për të dhënë çelësa magjikë që i hapin dyert e të ardhmes  me një të rënë të lapsit, çon vetëm në atë që kemi parë në të shkuarën e Ballkanit e që nuk duhet të përsëritet më kurrë. Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.