Kryeministri Edi Rama në takimin me 200 operatorë turistikë të Beratit:
Shumë faleminderit për praninë tuaj në këtë verandë spektakolare, që është rezultat i punës së një familjeje, e cila një rrënojë e ka kthyer në një tjetër pikë referimi për jetën e përditshme dhe për turizmin këtu!
Përpara sesa të ngjiteshim deri këtu, kaluam nëpër katet e ndërtesës dhe pamë një punë të bërë me shumë dashuri, me shumë pasion, me shumë shije dhe 40 dhoma që i shtohen Beratit në një proces transformimi, i cili ka nisur me 13 mijë vizitorë në vitin 2013 dhe ka arritur në 110 mijë vizitorë në vitin 2018.
Është një shumëfishim që vjen si rezultat i rritjes së fuqisë tërheqëse të Beratit, falë Programit të Rilindjes Urbane, programit të anatemuar dhe të mallkuar të “fasada, fasada, fasada”, që, në fakt, nuk është një program zbukurimi, por është një program zhvillimi ekonomik, zhvillimi social, një program që fuqizon kapacitetet e të gjitha zonave të vendit tonë për të thithur më shumë vizitorë dhe duke thithur më shumë vizitorë, është shumë e thjeshtë, thithim më shumë para që shpenzohen në dyqanet, restorantet, baret, bujtinat e në hotelet e Beratit dhe të të gjitha zonave.
Sot, ne ia kemi kushtuar pikërisht këtij aspekti këtë vizitë. Ishim në një bujtinë të ndërtuar pranë rrugës së rindërtuar të kalasë, e cila tanimë është e shpëtuar nga të gjithë ato vështirësi dhe probleme që krijoheshin për shkak të mungesës totale të kanalizimeve dhe të degradimit të kalldrëmeve. Ndërkohë kemi parë se çdo muaj e më e lartë është shprehja e interesit për të transformuar shtëpitë tradicionale në bujtina.
Sëbashku me Ministrinë e Kulturës, me Ministrinë e Turizmit, me Ministrinë e Financave po punojmë për një program të ri mbështetjeje për transformimin e shtëpive monument kulture, e shtëpive tradicionale në bujtina në mënyrë që:
shtëpitë tradicionale të shpëtohen nga degradimi dhe nga rrënimi e jo pak shtëpi janë rrënuar për fat të keq në të gjithë këto vite, sidomos në Gjirokastër;
të rritet kapaciteti ekonomik i familjeve që praktikisht kanë një pasuri të fjetur në duar dhe mezi e arrijnë fundin e muajit.
Është e pafalshme. E kam thënë qysh në krye të herës, kur ne kemi marrë besimin për mandatin e parë qeverisës, parafytyroni vetëm kaq, sepse sot nuk jemi në kohën kur e kishim të vështirë të parafytyronim se ç’do bënte bota, se tanimë të gjithë kanë dalë e kanë parë botën, parafytyroni ç’do kishin bërë fqinjët tanë, sikur të kishin Beratin dhe Gjirokastrën. Më tregoni një rast të vetëm, – nuk po shkoj në Itali e në Francë, vende me zhvillime tradicionale shumë shekullore, po flasim për rajonin, – në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi, në Bosnje ku ka pasur dhe luftë së fundmi, që një pasuri e tillë të jetë lënë me vite të tëra, siç u la Berati dhe Gjirokastra.
Më tregoni një rast të vetëm, që të shkosh në një lagje tradicionale, një lagje karakteristike, një lagje që simbolizon të shkuarën, historinë e një zone dhe të gjesh njerëz të varfër, të gjesh familje që jetojnë vetëm falë emigracionit të fëmijëve të tyre. Nuk ekziston.
E kam thënë atëherë dhe sot e rithem, por duke e vënë theksin tek fakti se sot nuk është më siç ishte para 4-5 vitesh, sot ka filluar kthesa. Aty ku ishim ne, ishin prindërit e një djali që është akoma në emigracion, të cilët pas 20 e ca vitesh në Itali janë kthyer dhe tanimë punojnë dhe fitojnë me shtëpinë e tyre. Shtëpia aty ishte, po kush do vinte tek ajo shtëpi? Berati këtu ishte, po kush do vinte në Berat? Vetëm për të ardhur nga Lushnja ishte një aventurë. Mezi vinin dhe mezi iknin njerëzit që jetonin këtu dhe që e kishin të detyruar të kalonin rrugën, jo më të vinin turistë.
Ndërkohë që sot, kemi programin e ri të mbështetjes financiare në forma të ndryshme, që nga grantet, deri te kreditë me interesa shumë të ulëta për ata që do të duan të investojnë në shtëpitë tradicionale të Gjirokastrës, të Beratit dhe në shtëpi të tjera tradicionale që figurojnë në listën e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe janë pasuri e përbashkët, jo thjesht pasuria e një familjeje, si dhe me disa lehtësia të tjera. Po diskutonim me Ervinin, p.sh., bashkia duhet t’ia zerojë taksën e pronës shtëpive tradicionale që kanë një plan investimi dhe t’ua rrisë taksën e pronës shtëpive tradicionale që mbahen mbyllur dhe mbahen peng, siç është një godinë këtu, e privatizuar që në 1994, një godinë e bukur, një nga kryeveprat e arkitekturës tradicionale dhe që në vend të ishte një atraksion turistik, është një rrënojë që të pengon.
Nga ana tjetër diskutuam edhe për investimin që duhet bërë me shembjen e shkollës 9-vjecare aty dhe me hapjen e komplet hapësirës mes dy xhamive dhe pjesës së sheshit të shkollës, për të krijuar një esplanadë që të çon drejt rrëzës së kalasë me sy të lirë dhe një hapësirë ku fare bukur mund të jetë pika ku mblidhen njerëzit, ku mblidhen të rinjtë, ku organizohen aktivitete të ndryshme dhe një lloj shkallareje që në njëfarë mënyre të kujton shkallaren e Piazza Di Spagna. Ndërkohë që të gjitha këto hapësira mes këtyre dy veprave të mëdha të traditës, xhamive që po restaurohen, duhet të jenë në dispozicion të publikut, duken sikur janë kërpudha në Bathore, ndërkohë që këtu është e gjithë kjo hapësirë e mrekullueshme për të krijuar frymëmarrje dhe për të krijuar një tjetër atraksion të madh për njerëzit, duke bërë edhe lidhjen mes hyrjes së këtij hoteli dhe pjesës tjetër.
Gardhi i xhamisë, gardhet e ndërtesave të kultit janë produkt i komunizmit. Gardhet e hekurit rreth e rrotull kishave e xhamive u ndërtuan kur ato ishin thjesht monumente kulture dhe u nda publiku prej tyre. Ndërkohë që shkuarja në xhami e në kishë nuk ka gardh asgjëkund. Kishat dhe xhamitë janë vende të hapua për këdo, nuk ruhen me gardhe. Këtu hyri gardhi në psikikë dhe me rënien komunizmit, secili ndërtoi gardhin e vet. E sjell si shembull për të thënë se sa shumë ka akoma për të pastruar, për të çliruar, për të lehtësuar dhe për të ndriçuar këtë mrekulli që është pasuria e kujtdo, jo thjesht pasuri në kuptimin që është pasuri kulturore botërore e regjistruar në UNESCO, por është pasuri që prodhon para.
Kjo kodër duhet të prodhojë para për të gjithë dynjanë këtu. Ky qytet duhet të prodhojë para për të gjithë dynjanë këtu. E nëse ata nga Berati, të cilët sot janë në emigracion, investojnë kursimet e tyre, qoftë në shtëpitë që kanë këtu, qoftë në shtëpitë që kanë në zonën rurale, për të ndërtuar bujtina, për të ndërtuar agroturizëm, të ardhurat vjetore të tyre nga këto investime janë padiskutim më të larta, sesa të ardhurat nga puna në emigracion. Ata mund të rrinë atje akoma, por duke investuar këtu kanë një të ardhur të shtuar që lehtëson shumë edhe ekonominë e tyre, edhe ekonominë këtu.
Jemi në fazën kur kemi provat për të thënë që kjo që po bëjmë është ekonomi, nuk është zbukurim. E bukura nxit ekonominë. E shëmtuara e dekurajon ekonominë. Lufta me të bukurën, në emër të luftës kundër fasadës është në fakt antiekonomike. Unë kam parë, të gjithë kemi parë dhe kudo mund të shohësh vende të bukura që kanë probleme ekonomike, por s’kam parë ndonjë vend të shëmtuar që të jetë i zhvilluar ekonomikisht. Mund të hysh në një shtëpi të bukur, ku mund të ketë probleme ekonomike, por s’ka shans të hysh në një shtëpi që është e rrënuar dhe të ketë zhvillim ekonomik. E pamundur! Është shumë e thjeshtë, kjo është lufta e padijes, e injorancës, e errësirës me dijen dhe me dritën, ndërkohë që çka ne po bëjmë është nxitje e dijes dhe rritje e kapacitetit të dritës.
Berati sot ka shumë probleme, por as mund të krahasohet me dje. Dje s’kishte shpresë. Sot ka shpresë për këdo që do të shikojë dritë dhe do të punojë për të arritur dritën, jo për ata që rrinë “lozin e kuvendojnë dhe nga gratë rrojnë”, se atyre s’ke çfarë u bën fare.
Ajo që do të jetë edhe objektivi ynë i mandatit tjetër të bashkive, kombinimi i zgjimit në qendër të bashkive, pra, të qyteteve, me nevojën për të zgjuar zonën rreth e rrotull, zonën rurale me agroturizëm. Ju këtu keni një shembull fantastik. Këtu keni një një shembull, shembullin e një njeriu që nga hiçi ka ndërtuar një sukses që mund të jetë dhe do të jetë me siguri më i madh në të ardhmen, por që është provë për të gjithë. Nëse Çobo do kishte shkuar në emigracion, do kishte bërë ca para, por s’do ishte kurrë me aq të ardhura, saç është sot. Ata që janë në emigracion mund të qëndrojnë atje, por duke investuar të ardhurat dhe kursimet e tyre këtu, do të shtojnë mundësitë e tyre financiare.
Për këtë arsye, ne i kemi dhënë agroturizmit një stimul të madh, duke e bërë jo si të gjitha bizneset e tjera, po vetëm 6% TVSH, njësoj si hotelet me 5 yje; duke e bërë vetëm 5% tatim-fitimin. Mund të fitojnë sa të duan, por tatim-fitimin e kanë vetëm 5%, edhe sikur të shkojnë përtej 140 milionëshit në vit, gjë që një agroturizëm i strukturuar mirë e ka plotësisht të mundur.
Ju keni këtu konkurrentin e Çobos, Nurellarin. Është një tjetër histori e bukur. Unë kam qenë, e kam parë dhe mund t’ju them me plot gojën se 2-3 miq të huaj që i kam çuar për të parë kantinën më kanë thënë që është një mrekulli. Një mrekulli në mes të një vendi ku të tjerët thonë “po ikim, se s’ka asgjë”!
Në fakt, përpara sesa Nurellari të ndërtonte atë mrekulli, asgjë s’kishte aty. Por kjo është një arsye për të parë se është e mundur. Me të gjithë këto bukuri, me të gjithë këto pasuri të trashëguara, falë të parëve të të parëve të të parëve të kësaj zone, me këtë klimë, me të gjithë këta njerëz në zonë rurale që punojnë, prodhojnë, eksportojnë, janë të gjitha mundësitë për të bërë një hap tjetër përpara dhe për të krijuar kushte për ta nxjerrë jashtë varfërinë nga e gjithë kjo zonë, për të mos pasur njerëz të varfër fare.
Kjo kërkon vizion, vullnet dhe këmbëngulje. E vërtetë, kur sheh sot kantinën e Çobos, kantinën e Nurellarit e të tjera, thua, “oh sa bukur”, por ama, po t’u dëgjosh historinë, ajo ka sakrifica, ka dhimbje, ka momente dëshpërimi, ka edhe momente që kanë thënë do ta lë fare, do iki dhe unë jashtë shtetit, por nuk janë dorëzuar dhe ja ku janë sot. E ju siguroj se pas 10 vitesh do jenë shumë më përpara seç janë sot. Përsëri do kenë momentet e tyre të dëshpërimit, “do ta mbyll fare,” etj., por kjo është rruga. S’ka rrugë tjetër.
Programi i ri që po punon Ministria e Kulturës me Ministrinë e Turizmit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, për stimujt fiskale dhe për mbështetjen financiare direkte për ata që do të angazhohen në rilindjen e shtëpive që janë trashëgimi kulturore në Berat, në Gjirokastër dhe në zona të tjera, ku do të përcaktohet një hartë dhe nga ana tjetër, një program i veçantë bashkëpunimi i qeverisë, bashkive Gjirokastër dhe Berat, pasi t’i ketë dorëzuar doktoresha dhe t’i kemi marrë ne dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këto shtëpi, do të bëjë që në mandatin e ardhshëm të bashkive të kemi një transformim edhe më të madh.
Kemi arritur nga 13 mijë në 110 mijë vizitorë në 4 vjet. Në 4 vitet e ardhshme duhet të shkojmë në 300 mijë vizitorë. Me 300 mijë vizitorë futemi në një ekonomi shkalle të një fuqie tjetër.
Kemi dhe një debat të fundit. Në Korçë kemi vendosur të ndërtojmë Muzeun Kombëtar të Rakisë. Këtu në Shqipëri historia ka qenë muzeu kombëtar i luftës, muzeu kombëtar i pavarësisë, muzeu kombëtar i lirisë, muzeu kombëtar i heroizmit, ne në kuadër të programit të 100 fshatrave do ndërtojmë muzeun kombëtar të rakisë. Të gjitha rakitë që prodhohen në Shqipëri, të mbledhura në një muze që është muze do jetë një muze aktiv ku njerëzit do vijnë, do shohin dhe mund jo t’i prekin, por dhe t’i pijnë objektet, që do të jetë një bum i madh për turizmin, i cili dimensionin e pijes e ka dimension të patjetërsueshëm. Ndërkohë, jemi duke diskutuar dhe kjo kërkon një tryezë të veçantë me këta konkurrentët e verës për të ndërtuar një muze të verës shqiptare në Berat.
Se ku, se si, por ama turistët kur vijnë, çfarë thonë? Kush është pija tradicionale? Dhe duan të pinë verë shqiptare, pastaj atyre që u qëllon të njohin dhe rakinë, aty pastaj krijohen situata më intensive marrëdhëniesh me njëri – tjetrin dhe me vendin. Ne tua japim këtë destionacion e të bëjmë promovimin e të jetë muze ku, siç kanë muzeun e çajit në Japoni që është një nga muzetë mw të bukur të botës ku shkojnë dhe degustojnë edhe blejnë dhe provojnë dhe lënë shënime, qajnë, përqafohen, martohen, kështu të jetë dhe kjo histori.
E thashë këtë jo për shaka, por edhe pse shoh buzëqeshje në sytë tuaj dhe në fytyrat tuaja, kjo është buzëqeshja që do shkaktojë vajtja në këto dy drejtime. Kështu që të ulemi bashkërisht me ata që kanë futur traditën e verës, të thërrasim dhe të tjerët e të ndërtojmë këtu, ne do mbështesim në një nga 100 fshatrat që është këtu, të ndërtojmë dhe muzeun e verës. Shumë faleminderit!
Tani, sipas programit të Blendi Klosit, kush e do fjalën, të thotë diçka, të shtojë diçka, të pyesë, të sugjerojë, të polemizojë.
– Përshëndetje! Unë jam administratorja e këtij objekti. Faktikisht, kjo detyrë mua më është besuar nga familja ime. Objekti që ju shikoni është falë një pune disavjeçare të prindërve të mi dhe unë pata le të themi përgjegjësinë dhe detyrën që gjithë investimin dhe mundin e jetës së tyre ta menaxhoj dhe ta administroj. Shumica prej jush e dinë që ky objekt nuk ka qenë i lehtë për t’u ndërtuar. Kalvari ka filluar që nga 2012, ku falë ish Kryetarit të Bashkisë të asaj kohe ne jemi shpallur fitues për ta marrë në restaurim objektin, por pas shumë problemesh, objekti nuk mbante restaurim, kemi pasur problem dhe me kanalin e ujërave të zeza që duhej s’postuar. Por kjo është arritur falë mbështetjes, – unë dua ta përmend, – të mikeshës sonë të familjes, deputetes Ermonela Felaj, e cila na ka mbështetur dhe ka qenë një urë lidhëse e jona me kryeministrinë dhe me ministritë që ky objekt të ecte para. Jemi mundur që në objekt të reflektojmë një stil modern, duke e kombinuar me tradicionalen. Gjithashtu, jemi munduar që të mbajmë dhe një kontakt të vazhdueshëm me agjencitë e ndryshme turistike që operojnë në zonën e Beratit dhe para një jave kemi pasur disa vizita prej tyre dhe të gjithë kanë një stepje për këtë sezon turistik në zonën e Beratit. Janë shumë prenotime që janë bërë më përpara dhe momentalisht le të themi turistët më shumë të ardhur nga Italia, kanë filluar ndoshta për shkak edhe të situatës që kemi aktualisht të anulojnë rezervimet.
Kemi pasur disa anulime të tilla të ardhura nga vendet e Ballkanit, por shpresojmë që ndoshta pas një muaji situata do jetë më e qetë dhe do jetë më e thjeshtë për ne që në vitin e parë të kemi sa më shumë turistë. Një kërkesë që unë kam është që me kryetarin e ri të bashkisë, e ftoj që një javë të rijë këtu në këtë verandë e ta sodisi mirë qytetin sepse që këtu mund të shikosh të gjithë bukuritë e Beratit, por mund të shikosh dhe problematikat më të mëdha që berati ka dhe që është nevoja që të ndërhyhet që Berati të jetë një pikë turistike, jo një ditore, por disa ditore. Unë ju falënderoj për ardhjen tuaj këtu dhe çdo koment dhe sugjerim është i mirëpritur duke qenë se jemi akoma në ndërtim dhe në investim.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Në fakt unë nuk desha ta prek këtë aspekt sot, por duke qenë se ju e prekët, fatkeqësisht ajo që ndodh me politikën, gjithmonë ndikon kur ndodh për keq, sjell keq, nuk sjell mirë. E në këtë rast, e vetmja pikë, e vetmja gjë, i vetmi segment që nuk cënohet sado paradoksale që të duket është qeveria dhe shumica qeverisëse në aspektin e numrave. Gjithçka tjetër preket. Qeveria nuk preket. Shumica qeverisëse nuk preket se nuk është një mur që i bie dhe e shemb, është një mandat besimi i shumicës së popullit dhe ndryshon vetëm kur i vjen radha popullit që të gjykojë nëse duhet ta rinovojë atë mandat besimi apo t’ia kalojë dikujt tjetër.
Ndërkohë që, preket ekonomia e kujtdo. Ndër ata që shkojnë në protesta të organizuara dhe të orkestruara për t’u materializuar në dhunë, një pjesë janë rrogëtarë të cilët marrin një rrogë, si punonjës të administratave lokale politike dhe të tej politizuara dhe që bëjnë detyrën e tyre ndaj partisë që marrin autobusin dhe vijnë. Janë si të thuash punëtorë të ndërmarrjes parti që i thërret në një rrëmujë politike dhe mbase për ta llogaria, sado dritëshkurtër është më e thjeshtë, “marrim rrogën dhe bëjmë këtë punë”, por për këdo tjetër që jeton me punë është të shkojë për t’i rënë këmbëve të veta. Për të penguar veten të shkojë më tutje, sepse çka ju thatë është efekti i parë.
Ky vend, tek turizmi ka motorin e vet më të fuqishëm të zhvillimit dhe të rritjes së punësimit. Ky vend, rritet me thuajse 20.000 vetë në punë, gjatë sezonit turistik, por ndërkohë, vetë turizmi punëson.
Rënia e numrit të turistëve për shkak të frikës që krijohet nga imazhet mizerabël që përçojnë jashtë kufijve këto sherre dhe rrëmuja, do të thotë rënie e parasë që hyn në vend. Turistët nuk janë statistika. Janë xhepa të mbushur që vijnë për t’u zbrazur këtu. Numri i këtyre xhepave të mbushur që vijnë për t’u zbrazur këtu, për t’u zbrazur tek bujtina, për t’u zbrazur tek kantina, tek dyqani, tek klubi, tek bari, për t’u zbrazur tek linjat e autobusëve, për t’u zbrazur kudo, në kala kur paguajnë biletat, është rënie ekonomike e njerëzve këtu. Plus nga ana tjetër, efekti i këtyre lloj konvulsioneve te konsumatori i brendshëm është i menjëhershëm.
Bie konsumi, nuk nisen familjarët, prindërit me fëmijët për të ardhur në Berat po thonë prit të shohim njëherë se mund të na duhet të kursejmë për ditë më të vështira që mund të vijnë, që nuk kanë për të ardhur, por që është psikologjike.
Kështu që në këtë aspekt ky është dëm që i bëhet vendit. Ashtu sikundër, është edhe ana tjetër. Sigurisht që këto lloj konvulsionesh, ngërçesh, bllokimesh, pengesash dhe shfaqjesh papjekurie në raport me detyrimet ndaj sistemit që kemi zgjedhur nuk është se na e bëjnë më të lehtë me partnerët tanë europianë procesin që duhet të kurorëzojmë për të hapur negociatat. U japin argument atyre që nuk duan që të thonë, ju nuk keni as minimumin e maturisë. Juve jeni akoma në epokën e gurit politik se nuk keni mësuar akoma që mandati i popullit nuk digjet, nuk ekziston, nuk e ka bërë askush, nuk e njeh historia. Vendet kanë kaluar çudira, por këtë gjë nuk e kanë bërë. Aty ku ka pasur një parlament, si ikën ti. Ku shkon? Dhe kush nuk na do, thotë “shkoni bëni njëherë atë stazhin e demokracisë pastaj hajdeni këtu të pretendoni të futeni në shtëpinë tonë”. Është njësoj si ti shkosh tjetrit në shtëpi mysafir dhe të thuash që “zakoni im është të mos ha me lugë dhe me pirun, por të ha me dorë dhe nuk e kam zakon të rri në karrige kur ha, por dua të rri mbi tavolinë”. E kush të pranon kështu? Por do kalojë. Unë kam besim që do kalojë dhe nuk do kalojë pa dëm, për sa i përket ekonomisë dhe për sa i përket turizmit, do ketë dëmin e vet, por do kalojë.
– Përshëndetje! Ju falenderojmë që gjeni kohë midis problemeve dhe halleve të merreni dhe me problemet e biznesit të zonës së Beratit. Pak a shumë ato që shtruat përbëjnë të njëjtën strategji dhe vizion që kemi dhe ne si biznes se po ta përkufizojmë, turizmi mbështetet në tre shtylla; investim, strategji dhe infrastrukturë. Atëherë strategjia me ato çfarë dëgjova dhe që ne dimë e çfarë kemi prekur deri më tani, një pjesë janë të realizueshme, një pjesë janë drejt realizimit që do të thotë që si biznesi, si politikat qeveritare janë në të njëjtën linjë se deri dje qëllimi i biznesit ka qenë ndryshe, politikat kanë qenë ndryshe.
Ne në këto kushte kërkojmë dy gjëra. Në drejtim të infrastrukturës, është bërë shumë, në raport me qytetin e Beratit nga vinim dhe ku shkojmë. Unë doja të ngrija një shqetësim, ne që punojmë me grupe të organizuara, që janë autobusë të mëdhenj, për rrugën dytësore që vjen. E di që është miratuar një fond. E di që është në projektet e qeverisë dhe ajo si të thuash për grupe që vijnë masivisht, të paktën unë vjet kam pasur mbi 450 grupe.
Kryeministri Edi Rama: Flet për rrugën prapa kalasë? Është fondi i dhënë, është bërë kontrata, duhet vetëm të bëjmë një likuidim shpronësimesh dhe do të bëhet njësoj siç është bërë pjesa përpara.
– Kjo do të na ndihmojë shumë. Kjo për sa i përket infrastrukturës dhe pjesa tjetër për sa i përket shtëpive karakteristike të Beratit dhe ajo natyrisht që do japë frytet e saj. Për pjesën e menaxhimit njerëzor, duhet të kemi shkollat profesionale. Pavarësisht punës së mirë që është bërë, pavarësisht ndihmës që është dhënë nga qeveria, automatikisht duhet të jenë dhe ato më aktive duke simuluar më shumë ose duke bërë politika qoftë dhe me bursa falas, qoftë dhe duke investuar nga biznesi, por problemi është që ata bëjnë shkollën profesionale, vijën bëjnë praktika pranë biznesit dhe pastaj çuditërisht shikojnë ëndrra dhe kërcasin dhe ikin. Ky është një ekuacion që duhet ta zgjidhim. Në kushtet e reja, në pritshmërinë e madhe që ne kemi, në vëmendjen që ka hyrë qyteti i Beratit dhe gjithë Shqipëria, kërkon që ana profesionale kërkon të jetë në një shkallë të lartë që do e kërkojë koha. Me atë që kemi qenë, nuk diskutohet që ka përmirësime, por shpresojmë që gjërat do jenë më mirë në të ardhmen.
–Përshëndetje! Sezonin e shkuar vizituan kanionin e Skraparit 17.000 turistë. Këtu çdo ditë rritet kapaciteti i dhomave dhe sot ishte një lajm i mirë për ne se sa më shumë shtretër të kemi ne më të lirë ndihemi se gjithmonë kemi qenë në stres se nuk gjenim dot vende ku t’i akomodonim. Ne për momentin po konkretizojmë një marrëveshje mes Federatës Shqiptare të rafting dhe asaj italiane dhe me një shkëmbim kulturash midis dy federatave gjithashtu dhe turistët do vijnë më shumë nga Italia në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Mirë, unë nuk dëshiroj që t’ju mbaj më shumë nën këtë diell, në këtë ditë të bukur ku keni gjëra shumë më të bukura për të bërë se sa të më dëgjoni mua. Mua më keni në televizor gjatë gjithë kohës, edhe në frigorifer kur është nevoja. Kështu që ju falënderoj shumë për këtë mundësi dhe ju siguroj që ne do të jemi shumë të vëmendshëm, shumë të përqendruar dhe shumë mbështetës për ta çuar më tutje projektin e rilindjes në Berat, në qytet dhe në fshat.
Faleminderit!