Pjesë e transformimit të Beratit janë edhe hapësirat dedikuar fëmijëve dhe komunitetit dhe i tillë është dhe parku rekreativ “Dua të Luaj”.
Gjatë vizitës së tij në Berat, Kryeministri i shoqëruar nga kryebashkiaku Ervin Demo, vizituan këtë hapësirë të re me 300 pemë, kënd lojërash, pistë vrapi, palestra në natyrë, fushë basketbolli, volejbolli, fushë tenisi, ambiente të gjelbra dhe stola për të pushuar.
“Ky është parku më i ri, në fakt një dhuratë e jashtëzakonshme për fëmijët e Beratit, i cili në vetvete është shumë divers përsa i përket aktiviteteve që mund të zhvillojnë fëmijët. Ne këtu fillojmë me fushat e padelit që është qyteti i dytë në Shqipëri që ka dy fusha padeli sot, është sporti që rritet me shpejtësinë më të madhe në Europë. Kemi fushë tenisi, fushë basketbolli, fushë volejbolli, kalceto, kënd lojërash për fëmijë, me rërë dhe me tapet. Në vetvete duke qenë se është në zemër të qytetit vetvetiu ka krijuar një ndjesi të jashtëzakonshme dhe këtu ndihet çdo ditë kjo zhurmë kaq e bukur e fëmijëve. Ndjesia është e jashtëzakonshme dhe kemi krijuar një staf të dedikuar vetëm për parkun që është 24 orë”, – shpreh kreu i bashkisë së Beratit, Ervin Demo.
Me impakt të drejtpërdrejtë në përditshmërinë e banorëve të të gjitha grupmoshave, parku “Dua të Luaj” është një dhuratë e bukur jo vetëm për qytetarët, por dhe për turistët e shumtë që vizitojnë qytetin.