Konferencë për mediat e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, lidhur me vendimin e fundit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s:
Përshëndetje dua të ndaj me ju një informacion shumë të rëndësishëm jo vetëm për sistemin e trashëgimisë kulturore dhe për Ministrinë e Kulturës, por besoj për gjithë Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare. Gjatë kësaj jave është mbledhur në Bon, sesioni i 39-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i cili kryesohet nga Maria Böhmer, ministre e Shtetit e Republikës Federale të Gjermanisë për Çështjet e Kulturës dhe të Edukimit.
Gjatë këtij sesioni, Komiteti i Trashëgimisë Botërore diskutoi ndër të tjera, edhe Raportin e fundit të Gjendjes së Konservimit (SoC) të Qendrave Historike të Gjirokastrës dhe Beratit , të dyja site të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Raport i paraqitur nga shteti shqiptar në shkurt 2015.
Dua të theksoj që ky tip raporti ndryshe nga raportet periodike është pjesë e bashkëpunimit ad hoc që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës zhvillon me UNESCO-n në mënyrë specifike që nga vjeshta e vitit 2013, për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara.
Duhet të theksojmë se sidomos vitet 2011, 2012, 2013 janë vite të rënduara jo vetëm për trashëgiminë, por edhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me UNESCO-n, pasi misionet speciale të monitorimit kanë prodhuar raporte emergjence pas vizitave dhe informacioneve të mbledhura për gjendjen e Qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit.
Në raportin e posaçëm të vitit 2013 citoj: “Qendra e Trashëgimisë Botërore konsideroi se përmasat e ndërtimeve pa leje në këto dy qytete janë alarmante dhe konstatoi se nuk ka asnjë plan veprimi nga shteti palë për ta ndaluar këtë dëmtim.”
Në po atë raport të 2013-s, Qendra konstatoi gjithashtu se “Trashëgimia kulturore ishte në situatë shumë të vështirë dhe kishte pësuar degradim për shkak të punimeve të ndërtesave ilegale dhe të mungesës së masave për t’i trajtuar këto dhunime.”
Në të njëjtën periudhë, pikërisht për këtë situatë, Qendra e Trashëgimisë Botërore paraqiti ankesa për moskomunikim nga ana e shtetit shqiptar me UNESCO-n, çka rëndoi dhe më tej, marrëdhëniet me këtë organizatë kaq të rëndësishme për kulturën dhe arsimin e shteteve anëtare të UNESCO-s.
Për këto arsye, dy qendrat historike, Berati dhe Gjirokastra, ishin vendosur në monitorim të rreptë, me paralajmërimin për t’u përfshirë në listën e siteve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore.
Ministria e Kulturës, që ditën e parë të funksionimit të saj e ka konsideruar si një prioritet absolut, reformën e plotë në trashëgimi dhe në sistemin e menaxhimit të saj, si dhe rishikimin dhe rindërtimin e marrëdhënieve me UNESCO-n në shërbim të mbrojtjes, njohjes dhe promovimit të vlerave jo vetëm të 2 qyteteve, pjesë e trashëgimisë botërore, por të të gjithë trashëgimisë tonë kulturore.
Komunikimi i rregullt dhe raportimi sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, i punës së kryer çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, me monumentet, me restaurimet, me ndërhyrjen në monumente me operacione shpëtimi, sipas një liste prioritare, rindërtimi i inventarit të monumenteve, i papërditësuar që prej 25 vitesh, këshillimi me UNESCO-n për çdo hap të hedhur dhe sidomos moratoriumi i tetorit i vitit 2013 për të pezulluar lejet zhvillimore në zonat e trashëgimisë, shënoi një ngjitje në shkallën e vlerësimit nga ana e UNESCO-s në vitin 2014. Por vazhdonim të ishim nën monitorim.
Raporti i fundit paraqitur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve, në shkurt të 2015, u bë objekt shqyrtimi i sesonit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po zhvillohet në Bon.
Dje, Komiteti, edhe në prani të delegacionit shqiptar, pasi vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit, vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Rezoluta e miratuar vlerëson ecurinë në reforma dhe masat e marra nga qeveria shqiptare për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe Misionit Monitorues të ICOMOS të vitit 2012, në reformat e kryera në menaxhimin e trashëgimisë.
Po kështu, Rezoluta i kërkon qeverisë shqiptare të miratojë dhe zbatojë sa më parë, Projekt Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, si dhe Rregulloren e Re të Administrimit dhe Menaxhimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe të Beratit; të zbatojë rekomandimet për mbrojtjen e Vlerave Universale të Jashtëzakonshme (OUV) të Gjirokastrës dhe Beratit; të bashkërendojë Strategjinë për Zhvillimin e Turizmit me Planin e Menaxhimit të këtyre dy qendrave.
Kam kënaqësinë që në përgjigje të kësaj Rezolute, të ndaj me ju faktin se:
Projektligji për Trashëgiminë kulturore, për të cilin Ministria e Kulturës po punon tashmë që prej një viti, do të paraqitet brenda korrikut në qeveri;
Rregullorja e re e qendrës historike të Beratit është aprovuar tashmë nga Qeveria shqiptare;
Rregullorja e re e qendrës historike të Gjirokastrës do të shqyrtohet për miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të mërkurën e ardhshme;
Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me drejtoritë rajonale, monitoron dhe ndjek çdo projekt restaurimi dhe po procedon me ndërtimin e zonave të mbrojtjes të të gjithë monumenteve të kulturës dhe të zonave historike. Nga vetëm 20 zona mbrojtjeje të ndërtuara në 24 vjet, brenda një viti e gjysmë kemi tashmë më shumë se 70 të tilla dhe po vazhdojmë me të njëjtin ritëm;
Po kështu jemi në fazën e hartimit të strategjisë së re të zhvillimi të turizmit kulturor, që do të plotësohet në bashkëpunim jo vetëm me ministrinë e linjës, por sidomos me bashkitë e reja që u krijuan pas Reformës Administrative-Territoriale.
Në vijim, qeveria shqiptare do të dorëzojë në dhjetor të vitit 2015, pranë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, raportin e radhës të monitorimit të siteve të Gjirokastrës dhe Beratit, ku parashikojmë të kemi inventarin e plotë të monumenteve në masën 100%, listën e monumenteve të restauruara deri në atë fazë dhe planin e menaxhimit të ri të këtyre dy siteve.
Përgëzime, kjo ishte një rezyme shumë e mirë e punës suaj si ministre në kwtw periudhw dyvjeçare. Ka të bëjë kjo me faktin që qarkullojnë zëra se ju jeni një nga ministret që do të zëvendësoheni dhe a ka lidhje kjo me daljen e sotme?
E para ka lidhje me raportimin në vijim të Rezolutës të nxjerrë dje nga Komuniteti i Trashëgimisë Botërore, të dytën po e dëgjoj tani nga ju. Kështu që unë nuk shoh asnjë lidhje.
Kohë më përpara keni vënë theksin jo vetëm tek mbrojtja e zonave që janë në rrezik të trashëgimisë kulturore që Shqipëria ka, por sidomos edhe në trajnimin e burimeve njerëzore që duhet t’i menaxhojnë këto. Si po shkojnë paralele këto edhe në dritën e këtij vendimi nga UNESCO?
Duhet të kuptojmë që, ashtu sikurse flasim për Trashëgiminë Kulturore Kombëtare, ajo nuk është pronë dhe as përkatësi e drejtpërdrejt vetëm e punonjësve që janë brenda sistemit të trashëgimisë. Ky është një koncept shumë i gabuar dhe nëse e shohim si të tillë, kemi bërë gabim. Është në vizionin tonë që trashëgimia kulturore si një pasuri kombëtare mund të mbrohet, të ruhet dhe promovohet vetëm nga një bashkim forcash midis të gjithë aktorëve në qeverinë qendrore, pushtetin lokal, shoqërinë civile dhe komunitetit që jeton dita me ditë në atë monument, në atë park, në atë kështjellë apo afër asaj kishe, cilado qoftë kjo. Kjo është arsyeja pse që në fillim të vitit 2014, ne kemi ndërtuar një iniciativë që na rezulton shumë e suksesshme, e quajtur “Miqtë e monumentit”, ku tashmë kemi të përfshirë një numër shumë të madh, mbi 10 mijë, nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, që kanë adoptuar monumentet dhe kujdesen për to. Sigurisht, puna profesionale behët nga drejtoritë rajonale dhe të gjitha institucionet e varësisë të Ministrisë së Kulturës, paralel me një plan trajnimi profesional, të kualifikuar dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me një kalendar të caktuar, për të rritur aftësitë profesionale, duke i dhënë një rëndësi shumë të madhe sidomos atyre që ne i quajmë administratorë territorial të monumenteve. Asnjëherë sa tani nuk kanë pasur rëndësi drejtoritë rajonale në terren, që janë aktorët kryesorë dhe me të cilët ne jemi në komunikim të drejtpërdrejtë, pa frikë mund të them 24 orë në 24. Po kështu kemi një bashkëpunim shumë të mirë me bashkitë, i cili ka dhënë rezultate shumë të mira, si në Berat, në Durrës, në Korçë, në Shkodër, në Gjirokastër, duke dhënë rezultatet që janë të dukshme jo vetëm për ne që i kryejmë, por, siç e tregon edhe Rezoluta e fundit, edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.
A do të ketë masa ndëshkimore të punonjësve që kapen duke dëmtuar monumentet, apo të atyre që ju shkon në mendje të ndërtojnë afër këtyre zonave?
Pa dyshim, por, përpara se të flasim për këtë, duhet të flasim për vendosjen e rregullave. Kur unë fola pak më parë për vendosjen e zonave të mbrojtjes, të cilat organizohen dhe koordinohen në bashkëpunim me pushtetin lokal, këtu është shumë i rëndësishme ky bashkëpunim me pushtetin lokal, sepse bashkitë janë në mënyrë permanente në terren dhe pa bashkëpunimin e tyre, qeveria dhe vetëm me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nuk mund t’ia dalë e vetme. Në ato vende ku ne kemi pasur bashkëpunim shumë efikas kemi qenë edhe më të suksesshëm dhe jemi të sigurt që ky është çelësi i suksesit. Sigurisht jemi shumë vigjilentë dhe marrim dhe konsiderojmë brenda 24 orësh çdo sinjal, ndërhyjmë dhe procedojmë menjëherë, me të gjitha masat që parashikon ligji dhe në respekt të rregullave, që nga gjoba, paralajmërimi dhe gjoba më e thjeshtë, deri në ndjekje penale, sikurse nuk kemi hezituar t’i bëjmë.