Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një nga rrugët tregtare kryesore të Lezhës ishte ndalesa e Kryeministrit Edi Rama në javën e dytë të operacionit kundër informalitetit, për të parë ecurinë e operacionit në terren. Njësi shitjeje për veshje, një pikë tregtimi e artikujve të ndryshëm, bar-kafe, farmaci veterinare etj.. ishin disa nga njësitë tregtare ku u ndal Kryeministri, teksa në to, grupet e punës po kryenin veprimet e verifikimit të ligjshmërisë së aktivitetit tregtar, pajisjes me kasë fiskale dhe përdorimit të saj.

Kryeministri u takua me pronarët e këtyre bizneseve dhe grupet e verifikimit. Biznesmenët e vegjël të Lezhës shprehën mbështetjen për këtë operacion, duke e cilësuar si të drejtë, që duhej bërë kohë më parë, por mbi të gjitha do të nxisë konkurrencën e ndershme mes tyre.

“Duhet të jemi të gjithë njëlloj dhe jo ne të paguajmë dhe të tjerët jo. Jam shumë e kënaqur që po arrin edhe Shqipëria si vendet e tjera,” – tha pronarja e një dyqani veshjesh.

Ndërsa një tjetër biznesmen i vogël, me krenari i thotë  Kryeministrit se është i pari në Lezhë që ka vendosur kasën fiskale.

“I paguaj të gjitha taksat shtetit dhe kjo është shumë e mirë, që të jemi të gjithë të barabartë. Është iniciativa më e mirë dhe të përgëzoj,” – u shpreh ai.

Prerja e kuponit tatimor, për Kryeministrin, është edhe vendosje e barazisë në ushtrimin e aktivitetit tregtar.

“Më mirë të gjithë të barabartë, sesa disa me kuponë dhe disa me dorën në xhepin e tjetrit,” – u shpreh Kryeministri.

Pronari i një bar-kafeje ngriti shqetësimin e çmimit të lartë të kasave fiskale, për të cilën mori nga Kryeministri sigurinë se nga sot, çmimi i kasave fiskale ulet, sikundër edhe ai për mirëmbajtjen e tyre.

“Ne kemi bërë një ndërhyrje dhe çmimi i kasave do të bjerë nga 330 në 279 euro dhe pjesa tjetër, ajo e mirëmbajtjes do të jetë një shkurtim drastik. Praktikisht, vijmë në çmimet që janë më të ulëtat që ka edhe në rajon,” – nënvizoi Kryeministri. Gjatë bisedave me ta, i ftoi që në rast se sjellja grupeve të verifikimit nuk është korrekte, t’i denoncojnë.

Nga data 1 deri më 6 shtator të 2015, krahasuar me 1 deri 6 shtator të 2014, kuponat kanë shkuar nga 3.9 milionë, në 6.2 milionë dhe vlera e tatueshme ka shkuar nga 68 milionë dollarë, në 82 milionë dollarë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.