Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Bonusi i Rijetëzimit”, një ndihmë në formë granti është dedikuar për të gjithë ata individë që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve, duke kontribuar edhe për komunitetin që përfiton nga rijetëzimi i qytetit.

Në një dëgjesë publike me qytetarë e sipërmarrës në fushën e turizmit, të mbajtur në kalanë e Beratit, Kryeministri Rama shpalosi nismën e re për çdo qytetar që ka vullnetin dhe vizionin të bashkëpunojë me shtetin.

Përmes një skeme, granti i vënë në dispozicion do t’u financojë pronarëve restaurimin dhe kthimin e objekteve brenda qendrave historike, në modele të qëndrueshme biznesi, që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për komunitetin.

* * *

Faleminderit! Së pari dua t’i përgëzoj sinqerisht pronarët dhe investitorët e këtij mjedisi, i cili sot është transformuar në një mjedis shembullor rijetëzimi, me një investim shumë mbresëlënës, jo për nga madhësia, ndoshta e aspektit financiar, por për nga mençuria dhe përkushtimi për ta rijetëzuar këtë godinë, duke respektuar maksimalisht të gjithë elementët tradicionale dhe duke shtuar me shumë shije elementë të tjerë, siç është dhe kjo platformë ku ne qëndrojmë, që e kthejnë këtë godinë deri dje të papërdorur në një tjetër destinacion të bukur këtu në Berat.

Shpresoj që të kemi mundësi që pas këtij takimi t’i bëjmë dhe një reklamë përkatëse në rrjetet sociale tonat dhe ndërkohë, më vjen shumë mirë që pikërisht, në një shëmbëlltyrë konkrete të efekteve ekonomike dhe sociale të rijetëzimit, ne sot po bëjmë me dije se një tjetër zotim i fushatës elektorale dhe një tjetër pikë e programit tonë të Shqipërisë 2030 tanimë kthehet në një instrument në dispozicion të të gjithë atyre që do duan të përdorin bonusin e rijetëzimit për të kthyer në jetë dhe për t’i kthyer në instrumente ekonomikë shtëpitë e vjetra në qendrat historike, në radhë të parë në kala, sepse rijetëzimi i kalave është një nga gjërat më të bukura që mund të bëjë një vend me një trashëgimi kulturore të pasur si Shqipëria.

Përfitoj nga rasti t’i bëj një apel sot në këtë takim të parë informues të gjithë familjarëve që disponojnë shtëpi të tilla që tanimë, me bonusin e rijetëzimit, me këtë program të ri mbështetës, ne jemi në krah, siç e tha ministrja, me dy instrumente mbështetjeje; një për restaurimin dhe konsolidimin e pjesës, si të thuash, e guaskës së shtëpisë, pra mureve, dritareve, dyerve dhe fasadës apo çatisë, ku do të japim deri në 10mijë dollarë nga shteti, 1milionë lekë të reja dhe për instrumentin e dytë, për të gjithë ata që do duan të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë deri në 50mijë dollarë.

Është i njëjti instrument në parim, që është përdorur për nxitjen e bujqësisë përmes pikave të grumbullimit, përmes pikave të agro-përpunimit.

Është një instrument ai që është marrë nga modeli i Bashkimit Europian, ku shteti jep një pjesë të parave jo kredi, por dhuratë, bazuar sigurisht në një angazhim të subjekteve nga ana e tyre që duhet të prezantojnë një projekt dhe njëkohësisht duhet të vendosin dhe ata një shumë parash.

Faktikisht, besojmë shumë që në kushtet kur ne e kemi zeruar taksën për biznesin e vogël, dhe përgjithësisht këto janë biznese të vogla, kemi zeruar TVSH për biznesin e vogël deri në 100 mijë dollarë xhiro, dhe përgjithësisht këto hyjnë tek bizneset e vogla deri në 100 mijë dollarë xhiro, ky bonus do t’u japë një mundësi familjeve dhe në mënyrë të veçantë, pasardhësve të rinj që të angazhohen në një biznes dhe të përfitojnë nga trashëgimia e tyre për të krijuar të ardhura, që në të gjitha rastet, janë më të larta se rrogat e shtetit. Jo vetëm kaq, por krijojmë punë edhe  për të tjerët.

Jam i bindur që të dy çunat tek banaku janë sot përfitues të një vendi pune, mbase kanë qenë diku tjetër më parë ose mbase e kanë eksperiencën e parë, por ky është sistemi i krijimit të bizneseve të vogla, duke shfrytëzuar trashëgiminë  dhe duke nxitur ekonominë përmes rritjes së impaktit të turizmit.

Sa më shumë të kemi shtëpi të tilla të transformuara, destinacione që janë qoftë hoteleri, qoftë restorante, por edhe destinacione që kanë të bëjnë me zejet, me kulturën tradicionale, ose dyqane e më radhë, aq më shumë do kemi turistë, se do kemi kapacitet mbajtës përtej një dite të vetme dhe ky është qëllimi, që t’u japim mundësi turistëve që të kenë një hartë me disa stacione dhe kështu në çdo zonë të Shqipërisë të mund të programojnë më shumë se sa vajtje, ardhje brenda një dite e patjetër aq më shumë do të rrisim edhe të ardhurat.

Kjo ndodh paralelisht me disa ndërhyrje shumë të rëndësishme që po bëhen në Berat, në Gjirokastër, po marr dy pika që janë pika me peshë të madhe në historinë tonë të trashëgimisë kulturore ku po investohet masivisht nga qeveria, nga pushteti vendor dhe bashkërisht dhe faktikisht brenda pak javësh tanimë shpresoj unë do doja para vitet të ri, por jam i bindur që maksimumi menjëherë pas vitit të ri, do të kemi kantieret këtu të gjithë zonës poshtë, që do ta transformojnë të gjithë atë pjesën që është sheshi deri sot i makinave, aty në krah të sheshit kryesor apo që është sheshi përpara objekteve të kultit këtu kur vjen për lartë në kala, në një zonë komplet tjetër nga pikëpamja cilësore dhe patjetër në një arsye tjetër për të ardhur e vizituar Beratin e për të qëndruar në Berat. Kjo e kombinuar me disa ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë të bëra nga kryetari i bashkisë, edhe me mbështetjen tonë, por edhe me forcat e pushtetit vendor dhe kam këtu parasysh by-pass-in që është drejt përfundimit. Një ndërhyrje shumë e rëndësishme edhe për sa i përket mbrojtjes lumore të qytetit, por dhe për të lehtësuar më shumë trafikun. Edhe aksi që erdhëm sot këtu, rruga e kalasë që është komplet një realitet tjetër, janë të gjitha ndërhyrje që njësoj si në Gjirokastër, me parkimin që po bëhet në sheshin e Çerçizit e me transformimet e mëtejshme, do t’i japin më shumë vlerë pronës, do të rrisin vlerën e pronës dhe është gjynah që një pronë e rivlerësuar për shkak të gjithë këtyre ndërhyrjeve e që do ta vazhdojnë këto ndërhyrje dhe e vlerësuar si një pronë e rëndësishme, jo vetëm për të zotët e tyre, por dhe për thesarin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, të mbetet e pashfrytëzuar.

Sigurisht që  në bashkëpunim me bashkitë, ne do të bëjmë çmos që të gjithë ta marrin informacionin se kjo është gjëja e rëndësishme, që informacioni të shkojë tek të gjithë dhe pastaj do të kemi një sistem vlerësimi në bazë të projekteve që do të vijnë.

Si fillim kemi një fond jo të vogël për hapin e parë dhe mund të mbështesim një numër të konsiderueshëm familjesh apo subjektesh që do të duan të investojnë në këtë drejtim dhe më pas vit pas viti, ne do ta rrisim këtë fond, duke i dhënë mundësi gjithmonë e më shumë familjeve që të marrin para nga shteti drejtpërdrejtë për t’i bashkuar me të ardhurat e tyre, me kursimet e tyre apo me kredi që mund të marrin, për të ndërtuar këto biznese. Besoj që kjo është e mirëpritur nga ata që i kanë në kokë planet e transformimit të këtyre objekteve por që mbase nuk i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë vetë dhe na duhet vetëm që të shtyjmë përpara bashkërisht dhe bashkërisht të krijojmë këto realitete të reja. Është e vërtetë që qoftë Berati, qoftë Gjirokastra, e po përmend këto të dyja gjithmonë sepse këto janë prioritare edhe pse bonusi do të jetë në dispozicion të të gjithëve se mund të jetë një shtëpi me vlera në Shkodër apo në Dibër apo në Mirditë apo në Sarandë apo në Elbasan, në Durrës, në Tiranë, por Berati dhe Gjirokastra këtu janë prioritare për shkak të vetë konstitucionit fizik të këtyre qyteteve që janë më shumë se sa qytete me disa objekte trashëgimie, janë vetë në tërësinë e tyre qytete trashëgimie dhe brenda për brenda Beratit, kalaja do të jetë prioritet sepse jetësimi i kësaj kalaje është pa diskutim t’i shtosh Beratit një motor tjetër ekonomike.

Tani unë e di dhe ne jemi të informuar që këtu na kala problemet e pronësisë janë mbase pak më të mprehta midis familjarëve, por do t’i thoja miqësisht që ndërkohë që ziheni me njëri- tjetrin se kush do marri njërën dhomë e kush do marrin tjetrën dhe dhomat rrinë të dyja pa u marrë dhe objekti rri i papërdorur, bini dakord që të investohet e të përfitoni nga këto bonuse dhe pastaj rrugës shikojeni dhe zgjidheni vetë kur do ta zgjidhni çështjen, por nëse krijohet një mekanizëm ekonomik, i cili prodhon të ardhura, të ardhurat ndahen sipas hapësirave të vëna në dispozicion nga çdo pjesë e fisit dhe dua ta them, kjo nuk është një gjë për sot, nuk është një gjë për vitin tjetër, nuk është një gjë për mbas dy vjetësh, por nga ana tjetër, ne do të ndërhyjmë siç bëjnë të gjitha vendet e tjera, me masa shtrënguese për rastet kur godina të rëndësisë së veçantë, vihen në rrezik nga sherret e bashkëpronarëve që nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe kërcënojnë, duke mos u marrë vesh me njëri tjetrin, duke mos vënë dot godinën në përdorim, rrezikojnë shkatërrimin e saj.

Natyrisht masat shtrënguese janë masa të natyrës financiare administrative, nuk bëhet fjalë për masa ekstreme, por si fillim dhe për këtë periudhë disavjeçare, ne mendojmë të stimulojmë bashkëpunimin mes familjeve për të vënë në jetë godinat, për t’i jetësuar godinat e pastaj, të shikojmë si do funksionojë ky projekt.

Nuk është një shpikje e jona, është një praktikë e mirë e vendeve që i kanë këto pasuri. Natyrisht, sot është koha që ne mund ta vëmë këtë në lëvizje sepse nuk është se nuk e kemi ditur më parë, por nuk kanë qenë më parë mundësitë financiare për ta bërë diçka të tillë.

Më vjen shumë mirë se këtu në Berat e kemi prezantuar si ide dhe si zotim për herë të parë dhe po këtu në Berat, vijmë këtu ta konfirmojmë që zotimi është një zotim i mbajtur, paratë janë aty dhe tani na duhet bashkëpunimi me subjektet, me familjet, me qytetarët, me investitorët përkatës për t’i kthyer këto shtëpi në modele e nuk ka nevojë të shpikim, modelet i kemi, ja ku është këtu një model i ri fantastik. Castle Berati është një, se ky është momenti i publiciteti tani, Castle Berati ka qenë shkollë dhe pronarët e kanë vënë në dispozicion. Vëllai emigrant, vëllai tjetër këtu, kanë bashkuar forcat, kanë bërë këtë Castle këtu që duhet të vini ta vizitoni.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.