Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konkursin ndërkombëtar për shpalljen e kompanisë fituese për realizimin e platformës multimediatike “Branding Albania”:
Dua të falenderoj të pranishmit, duke filluar nga zonja Rana Nejem që vjen nga Jordania, si themeluese e një organizate jashtëzakonisht interesante dhe të njohur të etikës ndërkulturore të biznesit.
Pastaj duke vazhduar me një zonjë tjetër që vjen shumë më shpesh në Shqipëri, po sa herë vjen, bie me vete shumë rreze shprese për të ardhmen e shqiptarëve dhe jo vetëm të Shqipërisë, Mimoza Kusarin, kryetaren e Bashkisë së Gjakovës.
Sigurisht, është kënaqësi e veçantë që të kemi mes nesh, jo thjesht si vizitor, se nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri, por si një ndihmës për të arritur në një zgjedhje më të mirë në këtë proces kaq të rëndësishëm, një njeri që është rregullisht në shtëpitë e shqiptarëve përmes ekranit të televizionit, gazetarin e madh italian, Bruno Vespën.
Më tutje, zoti Ahmed Al Mansoori i cili vjen këtu si themeluesve i njërit prej të muzeumeve më interesantë të botës, një muzeum i një hapësire ku bashkohen bashkë, në Dubai, të gjitha kulturat dhe bashkëjetojnë krijesat më të bukura të kulturës çifute, të kulturës arabe, të kulturës aziatike e me radhë. Përveç kësaj, ai është edhe anëtar i Komunitetit në Punët e Jashtme, i Planifikimit dhe Burimeve Minerare në Këshillin Kombëtar Federal të Dubait.
Po ashtu, me shumë kënaqësi e falenderoj për praninë e vetë zotin John Kester, menaxherin e Programit të Strategjive të Marketingut dhe trendeve të Turizmit në Organizatën Botërore të Turizmit, një agjenci e specializuar dhe botërisht e njohur e Kombeve të Bashkuara, me selinë e vet në Madrid.
Zotin Paavo Pettai, i cili është Drejtori strategjik i një kompanie marketingu që është bërë e njohur botërisht me bërjen pikërisht të këtij procesi për Estonin. E dinë të gjithë që Estonia është një nga shembujt më të shkëlqyer të suksesit në përpjekjen e asaj pjese të botës që u nda nga bota e vjetër komuniste dhe që u bashkua me botën demokratike, me familjen e Europës së Bashkuar.
Zotin Christophe Ginisty. Në fakt i kanë bërë një përcaktim shumë të fortë, që nuk e di a e ndan ai me ne, por ne për këtë e kemi ftuar, një guru në fushën e komunikimit.
E padyshim, dua të falënderoj posaçërisht të dy ministrat, Ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermenin dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj bashkë me ekipet e tyre, që mundësuan realizmin e këtij procesi, ku ne patëm 110 kompani apo individë, të huaj apo vendas, që shprehën interesin e tyre për të marrë pjesë në këtë përpjekje, dhe 5 finalistë që besoj folën vetë më mirë se çdo koment për cilësinë e projekteve të tyre, por edhe për reputacionin e tyre, me prezencën këtu, në Shqipëri.
Si gjithmonë, si në çdo ndeshje, si në çdo konkurs ka vetëm një fitues, nuk mund të ketë 5. Unë nuk do të doja të isha në vend të anëtarëve të jurisë sot, sepse me aq sa pashë, zgjedhja është jashtëzakonisht e vështirë. Duke qenë se pasi juria e fazës para finales bëri një paraseleksionim munda të shoh të gjitha projektet, edhe projekte të tjera do të kishin merituar të ishin këtu sot, ku u diskutua shumë për logo dhe për slogane. Për shembull, më ka mbetur në mendje një projekt që e kishte logon “Albania extra virgin”. Ndoshta është shumë kurajoz për momentin që kalojmë.
Megjithatë, sot është një ditë jashtëzakonisht e bukur për ne. Jam i bindur që do të jetë një ditë e shënuar në historinë e projektimit të imazhit tonë jashtë nesh, pa dyshuar se në fund të fundit imazhi përfundon me logon, por fillon dhe ndërtohet me punët që duhen bërë realisht. Vuajmë prej vitesh një imazh negativ. Nuk diskutohet që ne, shqiptarët, kemi dhënë një kontribut të posaçëm për të ndërtuar këtë imazh negativ, por nuk diskutohet, po ashtu, që në këtë imazh negativ një pjesë të madhe e ka perceptimi i krijuar mbi gjykime të vjetra apo mbi paragjykime që nuk kemi mundur t’i zmbrapsim dot asnjëherë.
Unë jam i bindur që me studion fituese, që do të përcaktohet nga juria, ne do të kemi një aleat më shumë dhe me projektin do të kemi një instrument më shumë dhe shumë efikas për të luftuar pikërisht këtë imazh negativ e për të çliruar sa më shumë energji pozitive rreth Shqipërisë dhe rreth shqiptarëve.
Edhe njëherë tjetër, mirënjohje për gjithë anëtarët e jurisë.
Falenderime për të gjithë ata që morën pjesë në konkurs, jo vetëm për finalistët. Suksese të 5 finalistëve, të cilëve u them se si pjesëmarrës në një sërë konkursesh ndërkombëtare që ne kemi bërë këtu në Shqipëri,- ku kemi futur këtë traditë prej vitesh në Bashkinë e Tiranës,- kam parë në fund të konkurseve finalistë humbës, të hidhëruar, që nuk më kanë besuar kur u kam thënë nuk ka rëndësi, rëndësi ka që erdhët, sepse problemi i Shqipërisë është që askush nuk do të vijë për herë të parë, por gjithmonë, gjithkush do të vijë për herë të dytë. E, ju do të vini prapë. Kanë ardhur prapë e prapë dhe kanë fituar konkurse të tjera apo kanë bashkëpunuar me ne në fusha të tjera. Kështu që ne do të bëjmë çmos që edhe 4 finalistët që nuk do të fitojnë, t’i mbajmë në komunikim dhe të bëjmë me ta punë të mira të përbashkëta, për një vend që ka shumë të meta, por ka një të mirë që nuk e gjen askund, as në Europën e Bashkuar, është një vend që nuk është i mërzitshëm për asnjë sekondë të vetme.
Faleminderit!
***
Platforma multimediatike “Branding Albania” është projekti i cili synon të përcjellë potencialin e pashtershëm që Shqipëria ofron për zhvillim dhe asetet më të cmuara të saj.
Konkursi i lançuar rreth një muaj më parë, ngjalli interesimin e rreth 110 aplikantëve, kompani vendase e të huaja, individë apo grupe studentore, të cilët në përfundim të afateve të konkursit dorëzuan 38 projektpropozime. Në ceremoninë e sotme u prezantuan për publikun 5 propozimet më të mira, të përzgjedhura nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga personalitete të spikatura të fushës së komunikimit, medias dhe marketingut.
Në përfundim, juria shpalli fituese të konkursit për “Branding Albania” kompaninë StrawberryFrog APCO, nga SHBA-të.