“Branding Albania”, promovim identitetit të Shqipërisë në botë

Përshëndetje të gjithëve,

Jam sot përpara jush për të prezantuar një tjetër nismë të rëndësishme të qeverisë shqiptare.

Sot njoftojmë zyrtarisht çeljen e konkursit ndërkombëtar për logon, sloganin dhe strategjinë e re për të promovuar Shqipërinë.

Nisma e iniciuar nga tre Ministri, ajo e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Punëve të Jashtme gjeti mbështetjen e Kryeministrit dhe të gjithë qeverisë.

Konkursi që ne shpallim sot, për “Brandimin e Shqipërisë” synon të promovojë imazhin e ri të vendit tonë. Është një nismë madhore, për të promovuar identitetin e Shqipërisë në tregun botëror.

Kjo nismë është konceptuar si një projekt, i cili do të ndryshojë rrënjësisht imazhin e vendit në një mënyrë tjetër, që reflekton energjinë dhe vitalitetin e popullit tonë, potencialin e madh për zhvillim, traditën e mikpritjes, kulturën e pasur dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme historike, vendet dhe peizazhet e mrekullueshme.

Kjo nismë lindi natyrshëm, si një nevojë për t’ju përshtatur realitetit, përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të rritur numrin e turistëve, të huaj sidomos, por edhe për të rritur investimet e huaja në vend.

Ne synojmë të lancojmë një imazh të ri të Shqipërisë dhe potencialit të saj turistik, një portë hyrëse për investimet e huaja në rajonin Ballkanik, një Shqipëri faktor stabiliteti, sigurie dhe paqeje në rajon, për një Shqipëri Europiane, një Shqipëri të Gjeneratës tjetër.

Ftojmë të gjithë të interesuarit, kompani ose individë, vendas apo të huaj të paraqesin propozimet e tyre, për logon, sloganin dhe strategjinë e promovimit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar.

Të gjitha propozimet e dorëzuara do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga personalitete, ekspertë, njohës të fushës dhe miq të Shqipërisë.

Aplikimi do të kryhet përmes faqes online: nextgenerationalbania.info ku do të shpjegohen në detaje hapat e procesit.

Konkursi do të zhvillohet në dy faza.

Në fazën e parë, kompanitë do të paraqesin konceptin e tyre për logon, sloganin dhe një draft projekt, deri në fund të muajit prill. Juria ndërkombëtare më pas do të përzgjedhë 5 propozimet më të mira.

Në fazën e dytë, 5 kompanitë më të mira, të përzgjedhura nga juria do të paraqesin propozimet e tyre dhe paketën e plotë në datën 16 maj, në një aktivitet të hapur për median dhe publikun, ku do të ndiqen drejtpërdrejt prezantimet e përzgjedhura.

Përzgjedhja e logos dhe e sloganit të Shqipërisë, përmes një mesazhi që na përfaqëson, një logo që shpreh identitetin tonë dhe përmes një strategjie të qartë do të na e bëjë më të lehtë rrugën për një promovim më të mirë të potencialeve tona turistike, mundësitë e pafundme për investime, potencialin intelektual dhe identitetin tonë kombëtar.

Faleminderit!