Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian. Gjatë kësaj seance, Kryeministri Rama siguroi europarlamentarët për gatishmërinë e qeverisë shqiptare në përmbushjen e të gjitha prioriteteve kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

 

Pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, Kryeministri theksoi se përgjegjësia për të ardhmen europiane të Shqipërisë është edhe më e madhe. Duke falënderuar qeverinë e mëparshme për punën dhe përpjekjet në fushën e integrimit europian, Kryeministri deklaroi se qasja e re e qeverisë së re synon t’i japë opozitës një rol më aktiv në axhendën europiane. “Do të sigurohemi se opozita do të përfitojë çdo të drejtë që ne na u mohua gjatë tetë viteve në opozitë”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

 

Kryeministri e njohu Komisionin për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian me prioritetet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, marrëdhënies së fqinjësisë së mirë bazuar në filozofinë e “zero problemeve me fqinjët”, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Duke iu përgjigjur interesit të disa eurodeputetëve, Rama theksoi se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë shënon një moment të ri e të rëndësishëm jo vetëm për këto dy vende, por për të gjithë rajonin. Kufijtë, theksoi Kryeministri, nuk duhen parë si barriera që pengojnë bashkëpunimin rajonal, e pikërisht prandaj qeveria shqiptare ka vendosur të mbajë mbledhje të përbashkëta qeverie me qeverinë e Kosovës për të bashkëpunuar si dy shtete në fusha të rëndësishme dhe strategjike si energjia, turizmi, ekonomia, arsimi apo sporti. Harmonia dhe bashkëjetesa fetare ishte një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së kreut të qeverisë, të cilat së bashku me respektimin e të drejtave të pakicave e rendisin Shqipërinë në një ndër vendet më tolerantë dhe model në këtë fushë.

 

Kryetari i delegacionit për Europën Juglindore Eduard Kukan përgëzoi Kryeministrin Rama për fitoren e zgjedhjeve duke shprehur besimin se qeveria e re do të sjellë energji të reja në funksion të rrugëtimit europian. Kukan tha se zgjedhjet e 23 qershorit ishin një provë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, provë që u kalua me sukses.

 

Si zoti Kukan, ashtu edhe zonja Doris Pack, përgëzuan Kryeministrin për gjuhën tolerante të përdorur në deklaratat dhe qëndrimet e deritanishme në media dhe Parlament nga ana e qeverisë shqiptare dhe kërkuan që kjo frymë të vazhdojë edhe në të ardhmen. Zonja Pack kritikoi frymën nacionaliste të vënë re muajt e fundit të qeverisë së mëparshme dhe kërkoi nga Kryeministri Rama që të vazhdonte të jepte edhe në të ardhmen shembullin pozitiv të dhënë në mbledhjen e sotme.

 

Europarlamentarja Tanja Fajon vlerësoi angazhimin e Kryeministrit në axhendën europiane. Fakti që vetëm pak orë pas betimit dhe marrjes së detyrës Kryeministri Rama vizitoi Brukselin, është një shenjë e qartë që tregon prioritetin europian të qeverisë së re.

 

Pas seancës dëgjimore në komision, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit Europian Martin Shulz, në përfundim të së cilit u zhvillua edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

 

Kryeministri Edi Rama: “E sigurova, Presidentin dhe Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian se ne do të bëjmë të mundur ndryshimin. Ne kemi një mandat për ndryshim. Ne do të nderojmë këtë mandat duke nisur nga detyra jonë për t’i dhënë opozitës çfarë na është mohuar ne kur ishim në opozitë dhe për të ecur përpara me reformat, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. Kështu që, unë, jam shumë i lumtur që Presidenti së fundi do të vijë të vizitojë Shqipërinë përpara fundit të mandatit të tij dhe ne do ta mirëpresim. E, deri atëherë do jemi në gjendje t’i tregojmë atij rezultatet e para të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.

 

Pyetje: Cilat janë shanset e Shqipërisë, për të marrë jo vetëm statusin e kandidatit, por edhe për të hapur negociatat përpara zgjedhjeve të reja parlamentare europiane?

 

Martin Shulz, Presidenti i PE: “Stefan Fule është duke bërë maksimumin për të përshpejtuar hapat e nevojshëm. Është e vështirë për të përcaktuar kohën. Unë jam për të shpejtuar që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të reja europiane parlamentare. Është e paparashikueshme, por mendoj që qeveria e re e ka zgjedhur në titull qeveria e Aleancës Europiane, çka tregon se vendi ka një perspektivë europiane dhe vullnetin për të shkuar në drejtim të bashkëpunimit me Bashkimin Europian. Ndjesia ime është që kjo është shumë e mirëpritur. Jo vetëm në institucionet europiane, por gjithashtu edhe nga shtetet anëtare.”

 

Kryeministri Edi Rama: “Jam shumë besimplotë se filozofia jonë e qeverisjes është e duhura. Nuk bazohet në vetëm çfarë ne bëjmë për të njohur progresin e vendit, po çfarë progresi real bëjmë për ta bërë Shqipërinë një shtet europian me të gjithë standardet dhe parametrat e kërkuar. Unë kam pasur opinionin tim kur kam qenë lider i opozitës, nuk mund ta ndryshoj këtë mendim tani që jam kryeministër, që integrimi europian i Shqipërisë nuk është një udhëtim në Bruksel, po është një udhëtim në veten tonë për të zbuluar gjithë energjitë tona pozitive dhe për të transformuar Shqipërinë në një vend me standarde europiane. Sigurisht, ne do ta bëjmë dhe do të njihemi si të tillë dhe do të jemi anëtarë me të drejta të plota të kësaj familjeje.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.