Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ata nuk do të jenë kurrë vetëm, por sot më shumë se kurrë, janë plot shpresë dhe besim tek e ardhmja, teksa rikthehen në shtëpitë e reja.

Janë 122 familje në fshatin Bubq që lenë pas të shkuarën e trishtë të rrënojave dhe nisin një jetë tjetër në strehën e re, më të bukur, më të fortë e më të sigurt se ajo që humbën natën e tërmetit.

Banesat të reja janë vetëm një pjesë e mozaikut që do të plotësohet së shpejti falë Programit të Rindërtimit që po rilind infrastrukturën në  të gjithë zonën.

Në Bubq ishte sot Kryeministri Rama për të ndarë me banorët gëzimin e hyrjes në shtëpitë e reja.

 

* * *

 

Mirëmbrëma dhe t’i gëzoni shtëpitë!  Shtëpitë që me siguri shumica, për të mos thënë të gjithë ju, në momentet e para, as nuk kishit fuqi të besonit se do të ndërtoheshin.

Shtëpitë që sot nuk ju japin juve, banorëve të kësaj qyteze të re, thjeshtë mundësinë e një strehe shumë më të mirë, shumë më të sigurtë e më të bukur se ajo që humbët, por ju japin dhe mundësinë e një jete të re në një komunitet.

Ky ka qenë një nga qëllimet e Programit të Rindërtimit, që të nxjerrim më të mirën tone, por dhe të krijojmë mundësi më të mira se ato që njerëzit kishin përpara tërmetit, duke pasur parasysh edhe një kategori familjesh, të cilat humbën banesa në pika të ndryshme, në zonën e fshatit, ku ishin larg shërbimeve dhe nga ku fëmijët niseshin për të bërë rrugë shpesh herë jo të shkurtër për të shkuar deri në shkollë, nga ku më të moshuarit duhet të bënin rrugë për të marrë një shërbim administrativ apo për një konsultim në qendrën shëndetësore, gjëra që sot janë të gjitha këtu.

Këtu nuk janë vetëm 122 banesa për një komunitet të ri, me infrastrukturë që çdokush do donte ta kishte në një lagje apo në një pjesë lagjeje e jo gjihëkush e ka ende edhe në Tiranë, për të mos folur për vende të tjera.

Me shkollën e re, një ndër 19 shkollat, apo 20 që janë ndërtuar e po ndërtohen të reja nga e para në Bashkinë e Krujës. Me qendrën e re administrative, e cila do të ofrojë shërbimet për krejt këtë njësi administrative, por që do të jetë faktikisht në pjesën e pasme të oborrit për gjithë ju këtu. Me atë amfiteatrin natyror ku të moshuarit, gjyshërit, gjyshet, nipërit, mbesat do të mund të kalojnë pjesë të kohës së tyre të lire, por dhe ku bashkia do të mund të organizojë aktivitete kulturore, artistike për fëmijët e shkollave dhe patjetër edhe me hapësira që unë uroj dhe ju nxis që t’i ktheni në hapësira të bukura, të gjelbëruara, pasi banesat nuk kanë vetëm kubaturën e mureve, por kanë dhe një oborr e nëse ju do të kujdeseni siç duhet, atëherë të gjithë këto oborre të mbjella me pemë, të gjelbëruara, plus edhe me mjedise ku mund të qëndrojnë pjesëtarët e familjes, të ulen, të pijnë kafe, të bisedojnë, të presin miq, do bëhet diçka edhe më e bukur se kjo që shohim sot.

Unë e kujtoj shumë mirë momentin e parë, kujtoj edhe takimet këtu në Bubq, kujtoj edhe sytë e zbrazur nga çdo shpresë dhe kujtoj dhe një konflikt që kemi pasur me dikë nga banorët, i revoltuar që do t’i prishej shtëpia që kishte dhe komplet agresiv në bindjen që as nuk bëhej fjalë që këtu, kurrë nuk do ndërtohej kurrë ndonjë gjë dhe këtu vetëm ne kishim ardhur për të shtuar peshën e fatkeqësisë.

Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë, është dashur kohë dhe të mos harrojmë që mes nesh sot dhe momentit kur ra ajo fatkeqësi, hyri në mes dhe një fatkeqësi tjetër shumë e madhe, pandemia, e cila gjunjëzoi krejt botën, e cila na detyroi të mbyllemi si kurrë më pare si të ishim në një film fantastiko-shkencor, të gjithë nëpër shtëpi për ditë e javë të tëra.

Bllokoi shumë nga importet e materialeve. Bllokoi shumë nga kompanitë, pra krijoi një vonesë brenda harkut kohor që ne parashikonim ta përmbyllnim këtë proces. Megjithatë, edhe këtu jam i bindur që ka jo pak njerëz që janë këtu të pranishëm që mbase kanë qenë në Itali, mbase kanë shokë, mbase kanë fqinjë mbase kanë dhe anëtarë të familjes në Itali, pyetini. Sa vite kanë në Itali. Në një vend që është fuqia e pestë ekonomike e botës.

Sa vite kanë nëpër kabina, rrulota që presin të kthehen në shtëpi pas humbjes së shtëpisë nga tërmeti. Dhjetë vjet, 12, 15 dhe akoma nuk e kanë shtëpinë e tyre. Dhe ata kur të kthehen në shtëpi, nuk do të kthehen në një shtëpi që do e marrin falas.

Është programi i parë i rindërtimit pas një tërmeti në këtë kontinent ku të paktën jetojmë – me sa kemi ndjekur nga programet për të mësuar, për të kuptuar si i kanë bërë të tjerët e për t’i bërë sa më mire, – që nuk ngarkon familjet me asnjë qindarkë kredi, sado të butë. Asnjë qindarkë! Por që ju kthen njerzve një shtëpi më të bukur, më të fortë, falas. 100% falas.

Falas me titullin e pronësisë në hipotekë dhe është e drejta juaj ta trashëgoni, ta shisni, ta lini me qera, të bëni çfarë të doni.

Vetëm duke pasur parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, kujdes bravat!

Kujdes me bravat sepse aty pastaj nuk është më pjesë e Programit të Rindërtimit! Ruajuni nga ndërrimi i bravave, nga bllokimi i bravave, nga çelsat, nga çelsat si i thonë “anglez” quhet në gjuhën teknike, por ka dhe një emërtim tjetër në gjuhën shqipe, por spo e them tani, e keni parasysh vetë. Si ai që të ngelet në derë. Çels si ai që të ngelet në derë. Kujdes nga këto! Këto nuk janë pjesa jonë.

Unë e di që këtu në Bubq ka shumë demokratë, ju uroj shumë shëndet!

Ky nuk është një program për socialistët. Ky është një program për shqiptarët.

Dhe për mua, shqiptarët janë njësoj kur është fjala për t’iu gjendur pranë në një moment fatkeqësie, janë njësoj kur është fjala për t’iu dhënë të gjitha shërbimet, të cilat me ligj dhe me zakon duhet t’i marrin nga shteti i tyre dhe njësoj si demokratët e socialistët, marrin sot kudo ku ne rindërtojmë shtëpinë që ju takon. Njësoj!

Dhe përsa na takon, të gjitha bravat janë të sigurta, si për socialistët, si për demokratët.

Kjo  sëmundja që i ka zënë demokratët me bravat nuk është çështje e qeverisë, as çështje e socialistëve.

Kështu që në këtë pikë, kush do që të mos ketë problem me bravën, të bëhet socialist dhe është në rregull. Por, ne prap do t’i qëndrojmë afër. Jam i bindur që komshinjtë socialistë do të ndihmojnë zhbllokimin e bravave të komshinjve demokratë.

Përtej kësaj, unë dua të shtoj që ne kemi marrë shumë mësime nga ky proces.

Kemi mësuar shumë se si mund të bëhen transformimet e një mënyre që nuk e imagjinonim me thënë të drejtën që mund të realizohej para se të binte tërmeti, po kjo është forca. Kjo është forca në fund të fundit që njeriu duhet të gjejë kur i bie diçka mbi kokë dhe këtu dallohen njerëzit nga njerëzit, këtu dallohen qeveritë nga qeveritë, këtu dallohet edhe komuniteti nga komuniteti.

Aty kur testohet karakteri I tyre dhe kush është më i fortë nuk gjunjëzohet, por përkundrazi, vendos të ri ngrihet dhe shikon përtej atij momenti, se si një krizë ta kthejë në një mundësi të re, se si nga një e keqe të nxjerrë një të mirë më të madhe.

Në këtë proces, ne kemi mësuar shumë dhe ndaj, po përgatitemi për një reformë për strehimin sepse me thënë të drejtën, është për të qeshur,sot, se të qarat i kaluam në momentin e fatkeqësisë, por është për të qeshur kur shkon në këto evenimente të bukura të fundvitit dhe shikon ndonjërin që është në pallat të vjetër; pallatin e vjetër nuk e ka gjet gjë nga tërmeti dhe duket sikur ata që shohin nga penxherja të thonë “Si s’më ra dhe mua tërmeti, që të kem një pallat të ri?!”

E pra, në një Program të ri Kombëtar për Strehimin dhe me çka kemi mësuar, me mekanizmat që janë ngritur për këtë qëllim, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që ka qenë lokomotiva e një transformimi të jashtëzakonshëm me cilësi dhe me standarde dhe me kosto jo të larta, ne duam që  në këtë dekadë të bëjmë me shtëpi edhe shumë familje të tjera, të cilat nuk kanë mundësi për 1001 arsye të blejnë një shtëpi të re me të ardhurat e tyre, dhe t’u japim mundësinë dhe shumë shqiptarëve të tjerë, pavarësisht bindjeve, që të kenë një strehë të re për fëmijët e tyre.

Jam shumë i vetëdijshëm që Programi ynë i Strehimit ka çaluar në gjithë vitet pas rënies së diktaturës.

Ju e dini shumë mirë sa lloj skandalesh e sa lloje turpesh kanë ndodhur, deri edhe me zëvendës ministra e me deputetë e me njerëz të pushtetshëm që merrnin shtëpitë, që gjoja ndërtoheshin për ata që ishin pa shtëpi.

Nuk kanë mbaruar të metat e këtij procesi as sot, por sot, ne jemi në gjendje ta fusim dhe këtë proces në një fazë të re.

Kështu që, ndërkohë që do mbyllim të gjitha shtëpitë, do t’u japim shtëpinë çdo familjeje që ka humbur strehën nga tërmeti.

Ne do të fillojmë projektet e strehimit për njerëzit që kanë nevojë për mbështetje për të marrë një shtëpi, qoftë për ata që janë shtresa në nevojë, pa dallim majtas e djathtas, qoftë për çiftet e reja; për ata që duan të ndërtojnë një jetë të re dhe që në hapat e parë të jetës  nuk e kanë të lehtë të shkojnë të marrin kredi të rënda nga bankat.

E fundit që dua t’iu them, atyre që na ndjekin dhe që juve ju shikojnë me zili, që do hyni në shtëpi dhe ndërkohë presin të hyjnë në shtëpi dhe akoma nuk janë në shtëpi, në Krujë, po edhe në Durrës, po edhe në Tiranë, edhe në Vorë, ku puna vazhdon, që ne do t’i shkojmë të gjithave deri në fund, por duhet edhe të na kuptojnë. Për shembull, në Krujë ka filluar tani. Pse ka filluar tani? Për probleme të panumërta me pronat, për sistemimin e të gjithë hapësirës së përbashkët, ku do ndërtohen pallatet e reja, në një projekt që është përpjekur t’i përshtatet natyrës së atij qyteti historik dhe me shumë trashëgimi të rëndësishme për ne.

Në Laç, besojeni ose jo, por ja që, edhe ne, qeveria, gjendemi hera-herës në të njëjtën pozitë, siç gjendet edhe një njeri i zakonshëm në këtë sistem drejtësie. Një gjykatës, i cili nuk ka për t’ia dalë t’i shmanget  kësaj përgjegjësie të madhe, ka dhënë një sigurim padije. A e imagjinoni dot që të shkosh dhe të japësh sigurim padije për të bllokuar  Procesin e Rindërtimit, se i teket njërit që thotë “Nuk dua unë”, ndërkohë që pallati duhet shembur dhe duhet bërë një pallat i ri, siç po bëhen gjithë të tjerët, dhe aty janë gjithë ato familje që presin del një gjykatës nga ana tjetër dhe e bllokon. E duhet të ndjekim procesin.

Në Durrës, zëvendëskryeministri, që e ka ndjekur si ministër rindërtimi të gjithë këtë proces solli shifrat. Janë qindra e qindra pallate të riparuara që ishin me dëme më të lehta. Ju i dëgjuat shifrat se sa shumë dhjetëra e miliona dollarë janë dhënë për riparimet, që i janë dhënë njerëzve në dorë apo që i janë dhënë kompanive që kanë bërë riparimet, duke i përforcuar dhe sistemuar edhe më mirë ato pallate.

Janë dhe një sërë pallatesh që kanë dëmtime të rënda që mund të rindërtohen, po ama duan secili projektin njësoj si kur po e bën nga e para. Kërkon kohën e vet.  Në ndërkohë, ka filluar puna për lagjen e re, totalisht të re, si këtu por shumë më e madhe, që do bëhet në zonën e Spitallës me donacionin bujar të princit të Kurorës së Emirateve, të cilit i shkova në shtëpi.

I shkova në shtëpi dhe i kërkova ndihmë.

Sepse e kam thënë, në momentin e parë dhe e kam thënë më shumë nga dhimbja, por edhe nga dëshira e jashtëzakonshme që t’ia dilnim, që do i nxjerr lekët edhe nga dheu sepse një gjë e tillë i bie një vendi shumë më të pasur dhe nuk është e lehtë, e jo më një vendi që nuk  është një vend i pasur, siç është Shqipëria.

Është e paimagjinueshme që të dëgjosh lloj-lloj broçkullash; “Jo po janë lekët e botës, jo po janë lekët e këtij dhe atij, jo po janë lekët e shqiptarëve që u mblodhën, jo po këtu e aty”.

E para punës, nderim, respekt dhe mirënjohje, gjithmonë, për të gjithë ata që kanë kontribuar, për të gjithë ata shqiptarë, por ai kontribut, në raport me të gjithë volumin, është një pjesë modeste e volumit.

Nga ana tjetër, sigurisht që qeveria, qëkur ka lindur një qeveri në botë dhe ka filluar shteti, është aty për të administruar lekët e taksapaguesve, është aty për të siguruar fonde nga të tjerët, është aty për të krijuar aleanca e të tjerë dhe unë mendoj se ne e kemi bërë këtë gjë, ashtu siç duhet, se ndryshe nuk do ta bënim dot këtë proces Rindërtimi.

Aty që thonë “Hë se janë borxhe” dua t’iu them “Po mirë, çfarë ndodh në shtëpinë tuaj kur pikon çatia dhe nuk e ke planifikuar, cfarë bën ti?” Shkon merr borxh patjetër.

E merr borxhin, e garanton dhe e lan pak nga pak.

Si mund të bëhej kjo pa marrë asnjë borxh? Me se?  T’jua merrnim disave dhe t’jua jepnim disa të tjerëve? Dhe askush nuk duhet të preokupohet për asgjë nga këto sepse të gjitha janë bërë ashtu siç duhet, për fat të mirë dhe me ndihmën e Zotit. Sot, puna flet vetë.  Unë, pas gjithë kësaj historie dhe gjithë asaj balte, pas gjithë atij agresiviteti, pas gjithë atyre akuzave, jo vetëm për këtë, por për të gjitha, jam shumë i vendosur që të mos humbas më asnjë minut me ata që kanë kohë për të humbur duke sharë e duke akuzuar e duke hedhur lloj-lloj teorish. “Jo po shtëpitë nuk do t’jua bëjnë, jo po do t’jua marrin tokat e do bëjnë pallat për vete”! Do vija unë të bëja pallat për vete në Bubq! “Jo po do t’jua bëjnë, por pastaj do t’jua shesin” e të tjera e të tjera. Të gjitha këto i merr era. Ja ku është vepra dhe tani edhe një gjë më vjen shumë mirë, me demokratët sidomos, me ata të bravave që do hyjnë në shtëpi, do hapin bravën dhe do më kujtojnë mua.  Këtë nuk kanë sesi ta shmangin.

Do më kujtojnë gjithmonë.  Pastaj do më shajnë kur të më kujtojnë.

“Nuk ka bë ndonjë gjë”, por do më shajnë rehat në shtëpinë e vet, rehat ulur duke parë televizor atje.

“Hë mo se nuk ka bërë ndonjë gjë. Hë mo se lekët e popullit ishin. Hë mo se bën kot. Hë mo se kushedi sa ka vjedhur nga kjo shtëpia”.

Cfarë  kam vjedhur nga shtëpia jote unë? E merr 3 dhomë e një kuzhinë? Sa e deshe? 30 dhoma me 7 kuzhina?

Se më tha ai drejtori i shkollës këtu “Shkolla jonë ka më shumë banjo seç kishte gjithë komuna e Bubq!

Po sa banjo do kishe ti, meqë të paskam vjedhur?

Do t’i thonë të gjitha këto, por prapë unë do t’i kujtohem. Dhe unë për këtë jam në këtë detyrë.

Për të lënë një emër të mirë, për të lënë një emër të mirë dhe për të mos iu ndarë demokratëve, si hije, gjithë jetën.  Si hije, ama jo hije për keq, por hije që kur rrëzohesh, e ke aty, të jep dorën dhe të thotë “Çohu se jemi bashkë”.

Shumë faleminderit dhe njëherë!

T’i gëzoni shtëpitë dhe sa më të sigurta bravat!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.