Busti i Eqerem Çabejt në zemër të Tiranës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e bustit të Eqerem Çabejt në parkun e Akademisë së Shkencave: 

 

Shumë e dashur Brikena,

I shtrenjti profesor,

Të nderuar miq dhe të ftuar!

Është një rast posaçërisht i veçantë, që sprovon të gjithë eksperiencën e fjalëve të mbajtura përpara njerëzve, pasi, të flasësh shqip, për të nderuar një njeri aq të bukur sa Eqerem Çabej, përkushtimi dhe kontributi i të cilit për shqipen e ktheu përjetësisht në lartmadhërinë e shkencave albanologjike, është një sfidë më vete.

Me një mik të shtrenjtë që sot nuk është mes nesh, por që u mundua gjatë në labirintet e shqipes, Ardian Klosin, më kujtohet se patëm folur njëherë për përkthimin në shqip të një fjale, që një përthyerje fatlume e greqishtes, seirios, e futi nëpërmjet latinishtes sirius e më pas prej mbiemrit foljor serenus në gurrën e përveçme e të përbashkët të shumicës së gjuhëve të Europës Perëndimore, serenitas.

Mungesa e Eqerem Çabejt e bën të pamundur që të rroket me një fjalë të vetme përkufizimi që më është dukur më i goditur për personalitetin e mishëruar në këtë vepër në bronz, që, kur e sheh, duke e njohur edhe veprën dhe stërmundimet e njeriut, të cilit i përkushtohet, të sjell tek serenitas.

Me siguri po të ishte këtu, Eqerem Çabej do të na e kishte dhënë pa mundim fjalën, apo togfjalëshin e duhur në gjuhën tonë të kësaj reference. Megjithatë, mjeshtëria e Hektor Dules ia ka dalë ta skalisë për përjetësinë atë çka do të ishte e pamundur të përmblidhej në një fjali, apo në një paragraf, atë çka Eqerem Çabej la jo vetëm si gjurmë, por edhe si frymë në të gjithë damarët e trupit të shqipes.

Nuk dua të marr përsipër të shpjegoj, apo edhe qoftë të përshkruaj vlerat e këtij portreti. Kemi parë shumë përpjekje të kthyera në bronz dhe unë hyj tek ata që në të shumtën e herës kam qenë i dëshpëruar për autorët. Por në këtë rast besoj se jemi përpara një përpjekjeje që e rendit bustin e Eqerem Çabejit në 5 gishtat e dorës mjeshtërore të skulpturës shqiptare dhe për mua është i barasvlershëm në emocion, në plastikë dhe në fuqinë goditëse, me atë që gjithmonë për mua është busti më i bukur që ka prodhuar mjeshtëria skulpturore shqiptare, Naim Frashëri i Paskalit.

Brikena mund të fliste sot dhe të thoshte gjëra shumë më të mençura dhe shumë më të përshtatshme për momentin që na ka mbledhur, sesa unë, por prania pa folur, në fakt e bën Brikenën sot, edhe njëherë tjetër, trashëgimtaren e denjë të të atit, që vetëpërmbajtjen e ka pasur pjesë të legjendës që ka lënë pas dhe nga ana tjetër, edhe diskrecionin në çdo mjedis ku ka rrezatuar vepra dhe ka rrezatuar e gjithë përmbajtja qytetare e qenies së tij, por rrallë herë fjala, apo prania e bujshme.

Imazhi i këtij busti i fal edhe këtij parku një copë ndjesie cabejane të të qenit i pranishëm, pa qenë në të njëjtën kohë ngacmues për të gjithë të tjerët rreth e rrotull. Është një prani e vyer dhe mjeshtëria për ta tejçuar përmes një busti besoj që kurorëzon në mënyrën më shembullore karrierën e gjatë, – 63 vjet numëroi Hektori sot, por mua më duket sikur janë 663, – të profesorit dhe nga ana tjetër na jep në mundësinë që të ngushëllohemi më së miri në mjedisin demokratik të gjuhës plastike, që ka njohur degradime të ngjashme me mjedisin demokratik të gjuhës së folur shqipe.

Kam këmbëngulur me Brikenën, lidhur me domosdoshmërinë që kjo vepër të kishte të gjithë hirin e saj, duke u vendosur ekzaktësisht këtu ku është vendosur dhe i kam thënë Brikenës që jo vetëm meriton të gjithë respektin për hyzmetin që i ka bërë figurës së Eqerem Çabejt, por që e gjithë përpjekja e saj i është kthyer më së miri mbrapsht përmes një realizmi të tillë, përmes një realizmi që vjen edhe si një bekim për të gjithë ata që do të kalojnë në këtë rrugë, pavarësisht se do ta kthejnë, apo s’do ta kthejnë kokën për të parë lartmadhërinë e tij të pranishëm nën hijen e pemës dhe me shpinë nga Akademia e sotme e Shkencave.

Do të ishte e lodhshme dhe e panevojshme që unë të zgjatesha më tutje në këtë fjalë, që realisht, e thashë që në fillim, është një nga më të vështirat që më është dashur të mbaj, sepse më rëndon tej mase madhështia dhe forca e Eqerem Çabejit në përdorimin e kësaj pasurie të paçmueshme të të gjithë ne shqiptarëve, që është gjuha shqipe, por dua t’i kërkoj Brikenës një nder publikisht.

Ky vit është viti i 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në të njëjtën kohë, ky vit, për këdo që mund ta ketë harruar, apo që nuk e di, është viti i 85, apo 86-vjetorit të një thesari kombëtar, tezës së doktoraturës së Eqerem Çabejit, mbrojtur në Universitetin e Vjenës, me titullin “Studime italo-shqiptare” kushtuar horës së arbëreshëve në Sicili.

Unë besoj që Brikena do ta marrë seriozisht botimin dhe rikthimin në jetë të këtij studimi historik, që padyshim do të stimulojë edhe një debat cilësor dhe do të ishte e mrekullueshme sikur ky thesar të niste të debatohej në Samitin e Diasporës, që ne do të mbajmë në 26 dhe 28 nëntor të këtij viti e që do i kushtohet albanologjisë. Albanologjisë së rigjetur si pasion dhe si domosdoshmëri në rrugën e mundimshme drejt njohjes, deri në zbulimin e rrënjës së fundit të bijve të shqipes në krahinat dhe në qindra fshatrat e vendit amë.

Nëse Brikena e merr përsipër këtë sfidë, pa asnjë diskutim që edhe unë dhe të tjerë dashamirës që janë këtu, mbledhur rreth bustit dhe Hektori e tha, pa të cilët busti nuk do të ishte realizuar, jemi të gatshëm që ta mbështesim për të kapërcyer të gjitha pengesat që zakonisht u dalin në Shqipëri të gjithë punëve të mira. Patjetër që atëherë publikimi i këtij thesari do të mbetej, siç Eqerem Çabej ka mbetur, si ajo shprehja që ai vetë shkruante për Naim Frashërin, “frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”.

Shumë faleminderit për durimin për të më dëgjuar mua, ndërkohë që unë flas për Eqerem Çabejin, që ky është kulmi në fakt, sepse nuk ka asnjë krahasim dhe asnjë mundësi barazimi, qoftë edhe për politesë dhe shumë faleminderit Hektorit që ma lehtësoi fjalimin, sepse pashë që ndërkohë që unë flisja, shumëkush shikonte skulpturën. Një falënderim i veçantë edhe të gjithë atyre që e bënë të mundur realizimin e kësaj vepre në kohën e duhur dhe në vendin e duhur!

Shumë faleminderit!