Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me qytetarë të Qarkut Lezhë për prioritetet e buxhetit të vitit 2018:

Ne vijmë në këtë fazë, pasi kemi bërë një cikël të konsiderueshëm dëgjesash publike, edhe këtu në qarkun e Lezhës, gjatë gjithë muajit korrik, prej ku kemi marrë jo pak indikacione nga qytetarët lidhur me nevojat, prioritetet e me radhë. Ndërkohë, në një moment kur na duhet të ndërmarrim disa hapa shumë të rëndësishëm, qoftë nga pikëpamja e shtetndërtimit, qoftë nga pikëpamja e shpenzimeve kapitale, d.m.th, investimeve, kemi nisur një operacion të rëndësishëm, duke e çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit. Ky operacion do të vazhdojë përditë me intensitet, siç po vazhdon në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që siç e kemi deklaruar, do të përfshijmë të gjitha bizneset në skemën e TVSH-së.

Për fat të keq, nga ana e opozitës është ndërtuar një front që, me ose pa dashje i bëhet mburojë informalitetit, sepse të pretendosh që ta mbash akoma një pjesë të aktivitetit tregtar në Shqipëri, një pjesë të aktivitetit në tërësi sipërmarrës në Shqipëri në anën e poshtme të piramidës jashtë skemës së TVSH-së, do të thotë që ose të mos e kuptosh, ose të mos kesh kurajën që të shikosh në sy një problem real, që është problemi i hapësirës që krijohet për shkak të kësaj ndarjeje për evazion nga ana e kompanive të mëdha që shfrytëzojnë bizneset e vogla, për të mos e shkarkuar TVSH-në dhe kështu, për të futur në xhepat e tyre para të konsiderueshme që i takojnë publikut.

Si zakonisht në këto raste, sa herë ka një përpjekje për të bërë një reformë, ka një reagim normal, por ajo që nuk është normale është se përpjekja kundër reformës bëhet me argumente katastrofike, do mbyllen kaq biznese në ditë, do rriten kaq % çmimet, do bëhet hataja, e kështu me radhë. Njësoj siç ndodhte 1 vit përpara nga sot, kur filloi të zbatohej reforma në arsimin e lartë e kur për arsye objektive, edhe për shkak se ishte hapi i parë, momenti i parë, pati edhe një farë konfuzioni, një farë turbullire, një farë shqetësimi edhe nga prindër e studentë, edhe për shkak të moskuptimit të sistemit dhe të nevojës për më shumë kohë. U tha se ky ishte fundi i gjithçkaje, u tha se ishte rrënimi i universitetit, u tha se ishte fillimi i një torture çnjerëzore ndaj të rinjve e ndaj prindërve dhe ja ku jemi sot, procesi po përfundon tërësisht.

Shkolla e lartë fillon pas pak ditësh e nuk ka asnjë lloj problemi, asnjë lloj zhurme, asnjë lloj shqetësimi sepse sistemi tanimë është konsoliduar dhe vajzat e djemtë që kanë lënë bankat e gjimnazeve për të shkuar në universitet e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë, çfarë duhet të plotësojnë, si duhet të manovrojnë brenda atij sistemi për të marrë atë që i takon me meritë. E një sistem i mirëfilltë i meritës, ku vendosin notat, vendos vlerësimi i maturës shtetërore, vendos kompjuteri, nuk ka asnjë shans që dikush të kapërcejë dikë tjetër, duke hipur mbi kurrizin e një miku apo duke kaluar nën dorë një sasi parash e nuk ka asnjë shans që dikush tjetër për shkak se nuk njeh njeri, për shkak se nuk ka mundësi të ofrojë ryshfet, të mos e marrë atë që i takon.

E njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha reformat pavarësisht se asnjë reformë nuk është e përsosur, pavarësisht se të gjitha reformat kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm në proces sepse nga vetë procesi dalin probleme që janë të paparashikuara, e kështu me radhë. Por, një gjë është e sigurt, që ne do ta çojmë deri në fund këtë reformë kundër informalitetit për të pasur më shumë të ardhura e për të shpenzuar më shumë për njerëzit, qoftë për sa i përket investimeve, qoftë për sa i përket shërbimeve publike e sociale sepse është e papranueshme që një pjesë e të ardhurave që duhet t’i shkojnë mbrapsht njerëzve nga tatimi ynë mbi vlerën e shtuar, përfundojnë në xhepat e një grushti të pasurish. E ky është fakt, se si me vepra, jo me fjalë, ne përpiqemi në çdo hap të jemi të drejtë e të bëjmë politika të drejta dhe aspak politika që mbështesin më të pasurit, në dëm të më të varfërve; aspak politika që mbështesin kompanitë e mëdha, në dëm të biznesit të vogël apo në dëm të konsumatorëve.

Ata që na akuzojnë për këtë, faktikisht janë bërë mbrojtës sot të informalitetit dhe janë bërë mbrojtës të evazionit të më të mëdhenjve në kurriz të konsumatorëve dhe në kurriz të qytetarëve, sepse në fund të ditës janë para që duhet të vijnë në buxhet e duhet të shpenzohen për të mirat publike, në funksion të komuniteteve, në funksion të qytetarëve.

Nga ana tjetër, përsa i përket pastaj investimeve, ne jemi në një fazë që po dalim nga një situatë shumë dramatike lidhur me investimet ku përveç se lamë një mal me borxhe, kemi trashëguar një numër të konsiderueshëm kontratash të shkruara keq, të zbatuara keq, të monitoruara keq dhe mbi të gjitha, të paprioritizuara. Po dalim në kuptimin që përsëri do dedikojmë para për të vazhduar e mbyllur një pjesë të këtyre kontratave të trashëguara, ndërkohë që do fillojmë disa vepra, ku edhe Lezha përfshihet ndër to, që janë shumë të rëndësishme dhe madje strategjike.

Nga njëra anë, plotësimin e segmentit Milot-Lezhë, që është pjesë e një aksi shumë të rëndësishëm kombëtar, duke shmangur më në fund atë historinë e xhepit fals atje tek kthesa, tek shkëmbi dhe fillimin e punës për rrugën lidhëse mes Shëngjinit e Velipojës, e cila do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm për turizmin, një impakt shumë të rëndësishëm për ekonominë dhe një impakt shumë të rëndësishëm edhe për rritjen e shkëmbimeve me anën tjetër të kufirit. Është një rrugë strategjike që i ka ardhur koha të bëhet. Ne jemi duke punuar për projektin prej disa kohësh dhe do të fillojmë edhe me financimin e saj. Janë dy vepra tejet të rëndësishme për këtë zonë, ashtu sikundër do vazhdojmë të investojmë për të çuar më tutje projektin e rehabilitimit të sistemit ujitës dhe kullues. Në këtë zonë ka pasur një sasi të konsiderueshme tokës bujqësore që nuk ujitej dhe nuk kullohej e që sot ujitet dhe kullohet, po ka ende jo pak për të bërë.

E njëjta gjë edhe me ujësjellësit, një histori më vete. Ne e kemi projektuar dhe e kemi nisur, por tani jemi në kohën kur duam ta çojmë përpara me forcë dhe me vendosmëri reformën e ujit, duke reformuar gjithë sistemin e ndërmarrjeve të ujësjellësit në Shqipëri, për të garantuar që çdo ndërmarrje bën detyrën e vet dhe nuk vazhdojnë të akumulojmë borxhe, përkundër shërbimit inekzistent që japin.

Ne kemi pasur dhe kemi shumë dëshirë e vullnet që të mbështesim zhvillimin urban dhe social në bashkitë e këtij Qarku, duke filluar nga Bashkia e madhe e Lezhë, por pa harruar edhe Kurbinin dhe natyrisht, Mirditën. Një pjesë e fondeve do të shkojnë për të përfunduar projekte të nisura dhe për të nisur projekte të reja, në bashkëpunim me drejtuesit vendorë, pa dallim. S’ka rëndësi ngjyra në këtë rast, sepse e rëndësishme është që sëbashku të bëjmë ç’është e mundur dhe aq sa kemi mundësi ta shfrytëzojmë maksimalisht për të bërë sa më shumë, sepse kudo jetojnë njerëz që pavarësisht bindjeve janë njerëz në nevojë dhe meritojnë të kenë më shumë vëmendje, më shumë investime, më shumë transformime.

E njëjta gjë edhe në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë.

Natyrisht na duhet që për të bërë më shumë, të krijojmë më shumë mundësi financiare. Që të krijojmë më shumë mundësi financiare, nuk do të thotë që të rrisim taksat. Ne nuk bëjmë rritje taksash. Në bashkëpunim me kryeartët e bashkive dhe në dialog me ta, por edhe në funksion të modernizmit të sistemit të kadastrës dhe të ndërtimit të një kadastre fiskale, ne po e shikojmë taksën për pronën, një taksë që i shkon eksluzivikisht bashkive dhe jo një taksë që e merr buxheti i shtetit dhe në Shqipëri është një taksë jashtë çdo lloj parametri, po ta krahasojmë me Kosovën, me Maqedoninë, me Malin e Zi e lëre pastaj me vendet e tjera.

Përsa i përket tatimit mbi të ardhurat, qofshin të ardhura personale, qoftë tatimi mbi fitimin i kompanive, qoftë taksa e biznesit të vogël, asgjë nuk ndryshon. Biznesi i vogël e ka taksën zero, do ta ketë taksën zero deri në një kufi të caktuar, natyrisht kur është i vogël.

Një nga arsyet e bashkëpunimit të paligjshëm mes biznesit të madh dhe biznesit të vogël për të mos dhënë dhe për të mos marrë faturën e TVSH-së është se një pjesë e biznesit të vogël, duke marrë faturën del mbi limitin e përcaktuar dhe faktikisht zbulohet që nuk është biznes i vogël. Nuk është një numër i vogël ky i bizneseve që deklarohen si të vegjël dhe qahen si të vegjël, por në fakt nuk janë të vegjël. Duke e mbyllur skemën e TVSH-së, atëherë kemi një pamje më të qartë të xhiros. Sigurisht mbi xhiron, më saktë aty ku është i përcaktuar limiti i biznesit të vogël, ne nuk do të bëjmë asnjë lloj ndryshimi në raport me taksën; Kush e ka zero, do e ketë zero. 15% e kanë kompanitë e mëdha, 15% do ta kenë. Ndërkohë, përsa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, qoftë në shtet, qoftë në privat, ato mbeten aq sa janë dhe s’ka absolutisht as edhe një ndryshim.

Ne do të financojmë edhe më shumë shërbimet për qytetarët, për të rritur cilësinë e shërbimeve në sportelet ku ato jepen. Qytetarët duhet ta dinë që një pjesë jo e vogël e letrave, që deri para pak javësh duhet të merrnin që nga certifikatat personale, certifikatat familjare, vërtetimet e pensioneve e me radhë, për të marrë një shërbim, nuk duhet t’i marrim më. Sot, të gjitha zyrat e shtetit që, për të dhënë një shërbim të caktuar ndaj qytetarëve, kërkojnë këto dokumente, nuk duhet t’i kërkojnë më nga qytetarët dhe asnjë nga qytetarët s’do paguajë më asnjë qindarkë për certifikatë. Për fat të keq jemi akoma në një moment ku vazhdojnë të printohen certifikata, për shkak se gjendjet civile akoma nuk e kanë ndaluar atë proces, një proces i tepërt, i lodhshëm, me kosto dhe krejtësisht i kotë.

Ne do vazhdojmë të heqim dokumente. Jo më larg se dje kemi hequr detyrimin e qytetarëve për të nxjerrë dëshminë e penalitetit. Ashtu si dokumentet e tjerë, edhe dëshmia e penalitetit duhet të sigurohet nga zyrat vetë. Nëse një qytetar shkon një zyrë shteti për të marrë një shërbim, të gjithë dokumentet që kërkohen për atë shërbim, ato që janë të nevojshme dhe që merren brenda shtetit, shteti duhet t’i garantojë vetë. Zyra përkatëse duhet t’i garantojë vetë, s’duhet të thotë ik merr certifikatën, këtë apo atë dokument, por t’i marrë vetë drejtpërdrejtë nga sistemi elektronik që ne kemi ndërtuar. Kemi punuar katër vjet për të ndërtuar këtë sistem elektronik dhe sot kemi një numër të konsiderueshëm dokumentesh që i prodhon sistemi. Përpara pak ditësh, në mbledhjen e qeverisë kemi kaluar edhe vendimin për vulën elektronike. Kështu që çdo certifikatë dhe çdo dokument i nevojshëm që del drejtpërdrejtë nga sistemi, nën identitetin e qytetarit përkatës, është një dokument i vlefshëm, njësoj sikur të kesh vulën e noterit.Kjo është shumë e rëndësishme, sepse është e kotë që njerëzit të vazhdojnë të konsumojnë kohë, të vazhdojnë të bëjnë rrugë për të shkuar në gjendjen civile dhe të vazhdojnë të paguajnë lekë për të shtypur certifikata dhe jo vetëm certifikata. Vetëm në pjesën që ka të bëjë me sipërmarrjen janë hequr 24 dokumente, barabartë me 56 vjet kohë të humbur në radhë brenda një viti të vetëm.

Këto lehtësime do të ndikojnë pozitivisht, qoftë në uljen e ndjeshme të korrupsionit në zyrat e shtetit, qoftë në krijimin e një klime shumë më pozitive në marrëdhëniet e qytetarit dhe të biznesit me shtetin dhe është e provuar që do të ndikojnë edhe në rritjen ekonomike drejtpërdrejtë. Ne duam që ekonominë të vazhdojmë ta rrisim. Sot jemi në kushtet kur ekonomia është mbi 4%. Kjo nuk mjafton për ta bërë rritjen ekonomike që të ndjehet në gjithë familjet dhe është e provuar që në standardet që ka Shqipëria, në të ardhurat që ka Shqipëria, në të ardhurat që kanë familjet shqiptare, ne do të kalojmë 5%, që rritja të ndjehet në çdo familje, realisht. Jemi të bindur që deri në fund të vitit të dytë të mandatit, ne do të kalojmë 5%-in falë investimeve që do bëjmë dhe falë edhe gjithë këtyre masave që do marrim për të lehtësuar maksimalisht burokracinë dhe për të lehtësuar maksimalisht qytetarin dhe sipërmarrjen në raportet me makinën shtetërore.

Sidoqoftë kjo është një pasqyrë shumë e përgjithshme dhe unë jam këtu, bashkë me ministrin e Financave për t’ju përgjigjur pyetjeve që mund të keni, apo për të dëgjuar edhe kërkesa dhe ankesa konkrete. Para se të çohet dikush dhe të marri fjalën për rrugën e Torovicës, unë dua ta nënvizoj se ajo rrugë, që është bërë një plagë, një gangrenë prej më shumë se çerekshekulli, është një prioritet për gjithë këtë zonë dhe ne patjetër do të gjejmë mundësinë për ta filluar, për ta rindërtuar gjatë këtij mandati. Nuk mund të them se do fillojë sot, se nuk do fillojë sot, sepse fillimisht duam të ecim me aksin e madh kombëtar që do të sjellë goxha impakt pozitiv për të gjithë Qarkun. Duam të fillojmë të ecim me rrugën lidhëse Shëngjin-Velipojë që është strategjike për turizmin, është strategjike për ekonominë dhe sigurisht, një nga akset që detyrimisht i vjen radha do të jetë ajo e Torovicës.

Kryetari i bashkisë Lezhë: Zoti Kryeministër ju përshëndes dhe në emër të qytetarëve që përfaqësoj, ju falënderoj për këtë prezencë. Ishte shumë interesante rezymeja juaj politiko-ekonomiko-sociale. Unë personalisht nuk jam nga ata që bëj atë veprimin tjetër për inat të vjehrrës. Pra, nëse reformat tuaja do jenë të suksesshme, unë do t’i përshëndes absolutisht. Ky bilanc mbetet për t’u bërë natyrisht përpara shqiptareve në fund të mandatit dhe unë në emër jo vetëm timin të uroj punë të mbarë në këtë mandat që keni nisur. Do doja që këtu në vendin tuaj të ishte z.Basha, por shqiptarët kështu e zgjodhën dhe unë do e respektoj verdiktin e tyre. Unë kam një prioritet tjetër që është segmenti nga rreth-rrotullimi i Lezhës për në Shëngjin. Është një segment jo me kosto të madhe, por më një benefit të jashtëzakonshëm për shumë tregtarë dhe për pushuesit, për qytetarët këtu, edhe për qytetarët e Kosovës. Këto dy segmentet janë më kryesoret, pra, rreth-rrotullimi deri në Shëngjin dhe pjesa e Torovicës. Nuk do hyj te taksa e sheshtë, sepse unë realisht jam kundër informalitetit dhe nuk do them atë të fundit, që mirë bëni që e bëni, por unë them që mund të jetë një veprim në kohë, nëse kjo do jetë produktive, është shumë mirë që të impelmentohet. Them se duhet të kihet parasysh niveli jetik i shqiptarëve, por është një masë të cilin jam i bindur, personat, të cilët ua kanë rekomanduar, do të jenë kompetentë dhe do ta kenë të argumentuar dhe këtë pjesë. Kemi një problem ne si zonë, përveç përmbytjeve, kullimit, të cilat janë problematike gjithandej në Shqipëri, edhe te kthimi i pronave. Kemi fermerë, të cilët depozitojnë dokumente të kthimit të pronave nga akt-përdorimi në pronësi dhe ka më shumë se 15 vjet, të paktën, që jam unë kryetar, që vërtitemi zyrave për ta realizuar këtë objektiv. Kjo është një histori e vjetër që në kohën e qeverisë Berisha, por edhe në mandatin tuaj të parë. Do të ishte mirë dhe unë nuk jam xheloz fare, nëse ky mandat i juaji do ta mbyllte këtë problem.

Kryeministri Rama: Faleminderit! Së pari, për hir të së vërtetës, ndoshta nuk isha i qartë, ne kur flasim për lidhjen e Shëngjinit me Velipojën, sigurisht që nuk fillojmë nga Shëngjini në Velipojë, por fillojmë nga rreth-rrotullimi për të shkuar në Shëngjin dhe Velipojë. Pak a shumë besoj se themi të njëjtën gjë. Mua më kujtohet që këtë gjë ju e keni ngritur dhe në një takim tjetër që kemi qenë sëbashku dhe ne, kështu e kemi konceptuar dhe idenë fillestare për këtë projekt. Pra, që nga njëra anë të rindërtojmë segmentin e rëndësishëm që plotëson një pjesë shumë të domosdoshme të rrugës kombëtare Milot-Lezhë dhe nga ana tjetër të punojmë për të lidhur jo vetëm thjeshtë Shëngjinin dhe Velipojën, por edhe Shëngjinin me Lezhën në një mënyrë korrekte, sepse është e saktë ajo që ju thatë, ajo rrugë është një lloj shtegu dhish që s’ka lidhje fare me ambicien për turizëm dhe për zhvillim. Sigurisht që nuk i takon drejtpërdrejt Qarkut të Lezhës, por i takon interesit të të gjithë banorëve dhe patjetër interesit të përgjithshëm të zhvillimit dhe ekonomisë tonë. Fillimi i ndërtimit të rrugës së aksit nga Thumana në Vorë dhe nga Vora në Rrogozhinë, janë dy pjesë shumë të rëndësishme, që do krijojnë shumë më tepër kompaktësi, do sjellin standarde të reja. Ne sot jemi në kushtet kur duhet ta provojmë atë që kemi thënë, që këto rrugë kombëtare nuk janë rrugë kombëtare me standarde normale, lëre më pastaj europiane. Ambicia jonë është që në këtë mandat rrugët kombëtare të jenë rrugë me standarde europiane, në kuptimin më të mirë të fjalës. Këtu do të fokusohet e gjithë puna jonë, për të rritur në mënyrë të ndjeshme sigurinë. Rrugët tona janë të pasigurta. Ju e dini më mirë se unë që në aksin Shkodër-Lezhë-Fushë-Krujë ka një pasiguri shumë të madhe. Nëse flasim për Shqipëri turistike, nëse flasim për zhvillim turistik në një zonë fantastike siç është zona e bregut të këtij Qarku dhe zona më pas, ajo e bregut të Qarkut të Shkodrës, ne nuk mundet dot të pretendojmë të ngremë nivelin e turizmit me këto lloj rrugësh. E njëjta gjë vlen për rrugën poshtë, nga Durrësi në Vlorë. E njëjta gjë vlen për rrugën më tutje, nga Vlora në Orikum, në Llogara dhe në Himarë, që është një rrugë tanimë jashtë standardeve të sigurisë. E njëjta gjë vlen edhe për një pjesë jo të vogël të vetë Rrugës së Kombit, në krahun matanë, që shkon dhe lidhet me pjesën e Kosovës. Këto akse kërkojnë një shqepje dhe qepje përfundimtare, me standarde ashtu siç duhet. Qarku i Lezhës është një nga përftuesit kryesorë, për shkak të pozicionit ku ndodhet dhe për shkak të kësaj lloj situate aspak të volitshme, me atë xhepin fals atje. E gjithë Shqipëria kthehet tek ai xhepi. Do shkojnë në Shkodër sot kushedi sesa njerëz dhe kthehen aty tek ai shkëmbi që është kafshuar nga lart, është kafshuar nga poshtë dhe futet midis godinave aty, për të shkuar në veri. Është e pamundur kjo që të konceptohet.

Për sa i përket temës tjetër, është shumë e rëndësishme dhe është një plagë e vjetër dhe e rëndë. Ne kemi marrë përsipër ta zgjidhim dhe do të fokusohemi me prioritet tek pajisja e fermerëve me titujt e pronësisë. Kjo nuk diskutohet! Por këtu kemi dy anë. Një anë kemi rastet – dhe janë shumica, – kur i pajisin fermerët me titullin e pronësisë, bazuar në ligjin 7501. Kjo është absurde të mos përfundojë. Kemi dhe rastin tjetër, ku në shumë zona, deri lart në Kukës, por dhe poshtë në jug, – në zonat nga veriu është pak më ndryshe, – ku siç e dini, njerëzit në fshat nuk e kanë pranuar 7501-shin dhe janë rikthyer tek kufijtë e vjetër dhe nuk kanë konflikte. Tjetër historia kur janë në konflikt, por ka zona që nuk kanë konflikt, pra, çdo fqinj e pranon fqinjin tjetër dhe thotë, aty është kufiri. 7501-shi, këto familje do t’i fuste në sherr. Kjo është një zonë, po themi, e këtij problemi, për të cilën ne jemi duke punuar edhe me ekspertë ndërkombëtarë, për të gjetur një zgjidhje ligjore, që të mos krijojmë një precedent që pastaj të na hapet historia në zona të tjera. Ndërsa përsa i përket titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e 7501-shit, – jo kur sjellin letra me 7501-shin dhe e kanë tokën për ndërtim në mes të qytetit, por flasim për tokë bujqësore, – aty jam 100% dakord me kryetarin, që është e papranueshme që situata të vazhdojë me këto lloj gropash dhe pamundësish.

Nuk është ky rasti për të diskutuar për aspektin tjetër të zhvillimit, që ka të bëjë me nxitjen e drejtpërdrejtë të turizmit, të investimeve e kështu me radhë, por të jeni të sigurt që me këto ndërhyrje do të ketë patjetër një rritje edhe të interesit për të investuar më shumë në këtë zonë, për të sjellë më shumë punësim dhe patjetër për të krijuar kushte për më shumë mirëqenie.

Për sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë të qeverisë, në buxhetin e vitit të ardhshëm të gjitha bashkitë, Bashkia e Lezhës, Bashkia e Kurbinit, Bashkia e Mirditës do të kenë më shumë fonde. Por unë kam këtu një vërejtje, – për fat të mirë nuk është një vërejtje për Franin, por për të gjithë kryetarët e bashkive, kush më shumë e kush më pak, po duke qenë se shumica e kryetarëve të bashkive janë socialistë, barra më e madhe e përgjegjësisë iu takon atyre – që ka të bëjë me ndryshimin që ka sjellë reforma administrative-territoriale, ku një nga qëllimet fisnike të reformës ishte shkurtimi i shpenzimeve dhe rritja përkundrejt kësaj e shpenzimeve është e papranueshme.

Është e papranueshme që një bashki, po marrim Lezhën, – mund të marr sa bashki të doni dhe as nuk më shkon mendja që të shfrytëzoj praninë e kryetarit për të kritikuar, duke qenë se i takon një force tjetër politike, se kjo s’ka lidhje, – që të kemi rritje të numrit të punonjësve, të kemi sot më shumë punonjës, sesa kishim kur kishim bashkitë me të gjitha ato komuna. Është një rast tipik, i cili karakterizon shumë bashki. Do doja shumë që ta bëja këtë kritikë edhe për Mirditën dhe Kurbinin, por në fakt, në Mirditë ka një rritje të lehtë, në Kurbin s’ka asnjë rritje, ndërsa në Lezhë kemi një rritje të konsiderueshme, që është e krahasueshme me rritjen e shpenzimeve dhe të numrit të punonjësve në ndërmarrjet e varësisë, rreth 80% më shumë sesa kur ishin komunat, që është e krahasueshme me disa bashki të tjera socialiste në territor. Është një sëmundje që duhet ta luftojmë së bashku. Nuk është sëmundje demokratësh. Është sëmundje demokratësh dhe socialistësh që janë në krye të bashkive, nën presione për punësime, por që faktikisht është e pakuptimtë. Ne tani po punojmë me ministrin e Financave për një formulë që do të jetë për të gjithë njësoj, do të jetë transparente. Ne nuk do vazhdojmë të financojmë, ashtu siç do të mund të financonim, bashkitë që nuk i rrinë kritereve të përcaktuara në raportin mes shpenzimeve kapitale, investimeve dhe shpenzimeve për rroga dhe shpenzimeve operacionale.

Kemi parë sot me ministrin e Financave edhe më keq. Kemi parë çfarë bëhet prej vitesh në Portin e Durrësit. Është diçka e paimagjinueshme! Me shpenzimet e tepërta për rroga të Portit të Durrësit, rroga njerëzish të punësuar që rezultojnë që s’janë paraqitur ndonjëherë në punë, mund të kënaqnim të tria bashkitë bashkë, me fondet shtesë që kërkojnë për investimet e tyre brendapërbrenda qytetit. Nuk e ekzagjeroj. Ne kësaj sigurisht që duhet t’i japim fund sëbashku, kur vjen puna te bashkitë.

Bashkitë do kenë më shumë para në raport me vitin e shkuar, por ne do vëmë një tavan dhe nëse kryetari i bashkisë do vijë të kërkojë investime plus, atëherë do duhet të jetë brenda kritereve të përcaktuara. Nuk mund të japim më shumë para, ndërkohë që paratë nga të ardhurat e veta apo nga granti i pakushtëzuar i qeverisë, kryetari i bashkisë i shfrytëzon për të paguar më shumë rroga për punonjës. Ky është një element që e solla në vëmendje, jo për të gjetur rastin për të kritikuar Franin, por thjesht për të gjetur rastin për të përsëritur atë që ua kam thënë të gjithë kryetarëve të bashkie. Në këtë pikë, duke qenë se janë më shumë socialistët, është më problematike pjesa e barrës e bashkive socialiste nga ky zakon. Pastaj janë edhe ata socialistët e tjerë që janë më përpara se të dyja palët, kur vjen puna tek këto lloj abuzimesh, por kjo është një temë tjetër, që mos ta shtjellojmë më shumë, se mirë e tha Frani, s’kemi ardhur këtu për politikë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Qarkut Lezhë: Lezha njihet nga të gjithë për resurset, kapacitetet dhe për pozicionin gjeografik që ka. Por kemi një kontradiktë shumë të madhe, sepse nga BB, Lezha radhitet pas Kukësit si Qarku me numrin më të madh të të varfërve. Kjo, sipas studimit dhe afërmendsh është për shkak të mungesës së investimeve. Lezha kërkon realisht vëmendje, investime. Ne kemi qenë gjithnjë që biznesi i vogël të jetë në korsinë e duhur, brenda rregullave dhe ligjeve. Informaliteti është një sëmundje mbarëkombëtare. Në Lezhë është në shifra shumë të mëdha. Unë desha të di edhe nga ministri, problemin e ambulantëve dhe zejtarëve. Si do pajisen me kasë dhe si do funksionojë ajo?

Çështja e aksit Lezhë – Shëngjin. Ai është një aks që do fillojë nga Miloti dhe derisa të vijë në Shëngjin kam frikë se dhe për dy sezone nuk do mbarojë.

Brryli tek Fabrika e Letrës, ajo rruga e dhisë që the, është turp i madh. Është një pronë private që nesër mund të kompensohet nga qeveria, apo pushteti lokal. Unë dua të them këtu publikisht që të gjithë investimin e asaj rotonde, se ai është një investim shumë modest, ta marrim përsipër ne si biznes pa lekë, ta ndërtojmë. Lezha është një ndër qytetet e vetme që s’ka unazë. E gjithë industria e transportit, industria e rëndë, ndërtimi, të gjitha kalojnë në qytet. Ai është investim shumë i bukur që është bërë për sheshin, që mendoj duhet të vazhdojë me të gjithë Bulevardin, deri në fund të qytetit. Por duhet Unaza. Tjetër problem është çështja e studimit urbanistik. Sipas INSTAT-it, Lezha dhe Kukësi, asnjë leje ndërtimi për 4 vite, që do të thotë asfiksim i sektorit të ndërtimit në të gjitha aspektet.

Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj! Për sa i përket studimit urbanistik, ne do ta kalojmë në ditët që vijnë, jo vetëm studimin urbanistik të Lezhës, që siç më thotë kryetari ka përfunduar, por edhe disa studime të tjera që kam përshtypjen duhet të kalonin në periudhën prill-maj, po pastaj u morëm me të tjera probleme e histori, qeveria ndërroi dhe s’kishte më premisa për t’u marrë me atë punë. Kështu që kjo është një çështje që do zgjidhet në ditët në vijim dhe bashkitë do ta kenë në dispozicion Planin, për të vazhduar me veprimtarinë e tyre mbi Planin.

Sidoqoftë, edhe nga ndërhyrja juaj, unë mendoj që për çështjen e aksit Lezhë-Shëngjin duhet të bëjmë një konsultë, ndoshta për të kuptuar ekzaktësisht se çfarë po flasim, për të kuptuar që të mos jemi duke folur për të njëjtën gjë, apo mos jemi duke folur gjëra të ndryshme, në kuptimin që çfarë zgjidhjesh mendoni ju dhe kush është zgjidhja që po punojmë ne. Faktikisht, ato do jenë dy projekte, Milot-Lezha dhe rruga e Shëngjin-Velipojës, por të bëjmë një konsultë, që të shikojmë. Njëri projekt është i përfunduar, projekti i madh. Projekti tjetër është duke u punuar. Kështu që ta shikojmë bashkërisht me kryetarin, me ju, me deputetët, për të krijuar një ide të qartë se për çfarë po diskutojmë dhe për të vendosur bashkërisht se kush është zgjidhja e duhur. Mbase jemi duke folur për të njëjtën gjë, por mbi harta me specialistët. Natyrisht do kërkojë edhe kjo kohën e vet. Ti e the që kjo nuk bëhet dot e gjitha në 2018-ën. Kjo do kërkojë kohën e vet, po rëndësi ka ta fillojmë. Ne këto projekte duam t’i fillojmë në 2018-ën, që të dyja. Ky është qëllimi. Pastaj zgjatja ka sigurisht atë kohën e vet.

Përsa i përket çështjes së administratës, unë do të përfitoj nga rasti, meqë ju jeni edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë në këtë zonë, që t’ju them që për ne është themelore që biznesi të mos bëhet palë me inspektorët tatimorë, doganorë, hetimorë, mjedisorë e çfarë janë gjithë këta që vijnë e ju trokasin, duke ju rënë në qafë. Për ne është shumë e rëndësishme që ju të na vini në provë. Ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë një proces për të bashkëqeverisur me njerëzit, përfshirë edhe sipërmarrësin. Kemi ndërtuar një platformë komunikimi në kohë reale. Unë do t’ju ftoja edhe ju që t’i nxisni dhe të tjerët që të regjistrohen në këtë platformë dhe për çdo gjë që nuk shkon dhe sidomos për çdo inspektor që shfaqet në derën e një kompanie, në derën e një dyqani, që nga veshja, sjellja e lëre pastaj te këto historitë e tjera, me shantazhe e me gjoba për llogari të vet, ju të na njoftoni. Na njoftoni, sepse besoj që është më e denjë, është më patriotike, që në vend që të negocioni me këta lloj parazitësh, me këta lloj grabitqarësh që ju vijnë nëpër kompani, të bashkëpunoni me shtetin kundër tyre, që këta ta mësojnë njëherë e mirë që nuk mund të shkojnë në derën e një kompanie dhe të sillen sikur janë duke u sjellë me skllevërit e babës. Kjo është shumë e rëndësishme për ne.

Unë e di që tradita është kundër nesh sepse historia ju ka mësuar që t’i bini rrugës më të shkurtër, se rruga tjetër ju ka dalë shumë gjatë kur e keni provuar. Rruga më e shkurtër është, “t’i jap ndonjë lekë këtij dhe ta mbyll këtë punë”. Ju qofshi që keni kohë dhe nerva të merreni, duke ushqyer këta! Por ajo që besoj sot, është të na vini në provë. Pastaj në qoftë se prova nuk funksionon, ju jeni në të drejtën tuaj që të ktheheni përsëri dhe të vazhdoni me ato histori.

Lezha ka nevoja edhe për unazën, edhe për urat dhe për të gjitha. Jo vetëm Lezha, por ne do bëjmë çmos që të kemi një plan të posaçëm, një lloj emergjence në investime për ujë, sepse edhe uji i pijshëm është një problem. Unë kam lexuar të gjithë raportin e dëgjesave të Qarkut dhe uji i pijshëm ishte prioriteti numër një. Domethënë nuk kërkonin ura e kthesa, por ujë. Edhe ky është një element. Por të jeni të bindur që, nëse ne bëjmë këto investime madhore dhe nëse krijojmë lidhjen normale të Lezhës me Tiranën dhe me pjesën e kufirit nga ana e detit, patjetër që do kemi një rritje të menjëhershme të interesit për investime, qoftë nga kompanitë shqiptare, qoftë nga investitorët e huaj. Aty duhet të jetë synimi ynë, se ato janë para reale që vijnë dhe ndikojnë drejtpërdrejtë ndjeshëm në ekonomi.

Nuk e preka sektorin e peshkimit, por ne do t’i japim goxha shtysë edhe këtij sektori. Jo rastësisht kemi zgjedhur posaçërisht edhe një zëvendësministër njeri me eksperiencë dhe me profesionalizëm, i njohur i fushës, për të pasur më shumë fokus në këtë sektor, Një sektor që ka jo pak të punësuar dhe mund të punësojë ende shumë më tepër, sipas llogarive tona, këtu në këtë zonë. Kështu që unë besoj se, pavarësisht se Frani është mërzitur që fituam ne, do të dalë mirë kjo punë edhe për ne, edhe për demokratët e Franit.

Meqë këtu në Lezhë është zhvilluar një mikro-luftë aty te sheshi i tezgave, se kishte edhe forca politike që mbanin tezgat në krah, përsa i përket TVSH-së dhe ambulantëve, ministri do bëjë një sqarim që vlen për t’u marrë parasysh.

Ministri Ahmetaj: Ne sot patëm një diskutim shumë të gjatë me Kryeministrin për detajet. Kryeministri ka vendosur që logjika e TVSH-së për zejtarët dhe për tregjet e miratuara të bashkive të jetë e përjashtuar, pra, të mos të aplikohet. Për zejtarët, me definicion meqë s’kanë impute dhe për tregjet e bashkive të vazhdojë të jetë siç ka qenë. Pjesa tjetër pastaj shtrihet 20 përqindëshi.

Kryeministri Edi Rama: Me një ndryshim midis të dyjave se në rastin, p.sh, të berberit, – se këtu këto bandat e tatimeve tmerruan edhe berberët, – taksa është zero dhe nuk ka sesi aplikohet, apo në të gjitha rastet e tjera të zejtarëve, tek tregjet do të ndërtojmë në bashkëpunim me bashkitë dhe në bashkëpunim me, në rastin kur tregjet janë jopublike, janë të menaxhuara nga privatët, me atë që i menaxhon do ndërtojmë një skemë që tregu si i tërë të jetë i kontrolluar, të fiskalizohet. Pra, jo çdo individ që hyn brenda, jo të verë kasë çdonjëri që shet në treg, se kjo s’ka kuptim, por tregu si i tërë të jetë i fiskalizuar. Këtu flasim vetëm për tregjet të cilat janë tregje bashkiake që do plotësojnë standardet sipas kërkesave të bashkive, jo tregje të ndërtuara rrugëve, që nuk do t’i lejojmë më. Kështu që besoj s’do ketë probleme për ata të tregjeve, kurse të gjithë të tjerët do jenë brenda sistemit me TVSH.

Ju përshëndes në emrin e dy komuniteteve, rom dhe egjiptian. Ju falënderoj shumë që e keni vëmendjen për të na dëgjuar. Ka 20 vite, po themi, që janë disa pjesëtarë të komunitetit tonë aty, i kanë bërë të gjitha veprimet e legalizimeve, të gjitha procedurat e mbase dhe i kanë paguar disa prej tyre dhe janë të vetmit që asnjëri, nuk ka marrë certifikatën e legalizimeve.

Kryeministri Rama: Tani pas takimit do vendosësh [drejtorit të zyrës lokale së ALUIZNI-t] kontaktin edhe me palën tjetër atje dhe do t’i marrësh të gjithë të dhënat dhe qofshin romë, qofshin egjiptianë, nuk ka asnjë rëndësi, duhet t’i zgjidhni ato që zgjidhen.

Përshëndetje! Jam kryetari i shoqatës së përndjekurve politikë në Mirditë. Së pari, kam ardhur t’i kërkoj falje kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda, që nuk e kemi votuar. Faktikisht, sot e ndjejmë si peshë se në Mirditë po punohet, është modeli i një kryetari bashkia që Mirdita e ka kërkuar dhe tani e ka gjetur. Shfrytëzoj rastin, pasi kemi dhe ministrin e Financave, ta hidhni një sy nga të përndjekurit politikë, nga lista e dëmshpërblimeve. Janë 16 mijë dosje trashëgimtarësh, tani e 5 vjet pa u paguar.

Kryeministri Rama: Ju jeni vetë, apo jeni trashëgimtar?

Unë jam kryetari i shoqatës dhe jam edhe vetë.

Kryeministri Rama: Si një i përndjekur politik i drejtpërdrejtë, si mendon, a ka qenë e drejtë që të fillohet me trashëgimtarët, pa mbaruar me ata që kanë qenë vetë në burg dhe që tani janë gjallë?

E arsyeshme ka qenë ta merrnin të dy palët, po të më pyesësh.

Kryeministri Rama: Këtu ka ndodhur një diçka e paimagjinueshme. Këtu janë ndarë nga jeta, të përndjekur me nga 20 vjet burg e nuk e kanë marrë një qindarkë, ndërkohë që kanë marrë dëmshpërblime, trashëgimtarë edhe të sajuar. Ajo që kemi bërë ne është, e para, të rrisim fondin e dëmshpërblimeve. Fondi i dëmshpërblimeve për të përndjekurit në katër vitet e shkuara ka qenë më i lartë se ndonjëherë tjetër. E dyta, mbyllim të gjitha dosjet e atyre që janë gjallë e aktualisht që po flasim, pasi ne mbyllëm edhe këstin e fundit për ata që janë gjallë, që ishin të regjistruar, na janë shfaqur rreth 360 të tjerë, që nga Daut Gumeni, që njihet, por dhe të tjerë realë, të cilët nuk i kishin bërë letrat fare, sepse nuk e kishin shpresën se do të merreshin ndonjëherë këto lekë. Tani do i trajtojmë dhe ata. Kjo është një gjë me faza.

Ky ka qenë veprim i drejtë, nuk e diskutoj. Unë thashë, a ka mundësi, ajo hapësira tek ministri i Financave, të akordojë ndonjë fond për Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, se e përmirëson edhe ekonomikisht, edhe moralisht.

Kryeministri Rama: Jam shumë dakord. Asnjë lloj kontradikte, thjesht për t’ju thënë që ju keni të drejtë, por nuk është faji jonë që e kapëm kaq vonë këtë histori. Po të kishte filluar kjo histori me radhë, të kishin mbaruar të gjallët, të kishin vazhduar trashëgimtarët.

Ajo që dua ta ritheksoj është se për të mirë të njerëzve, për të mirë të vendit është të rrisni sa më shumë bashkëpunimin dhe ajo që duhet të tregoni ju më shumë se këta të bashkive, është që, nëse realisht ju sjellin projekte, të mos ndodhi si në kohën e Saliut që nuk shiheshin ata të anës tjetër, por t’i kaloni njësoj, si për të gjithë bashkitë socialiste. Pavarësisht se nuk i hiqet presje rrugës së Torovicës për rrezikshmëri, po të njëjtën rrezikshmëri ka Knalla ku ka mijëra turistë që kalojnë në shkëmbinj. Ndërsa përsa i përket këtij segmentit prej 2 kilometërsh që ka ardhur me 3 korsi deri në një farë vendi e pastaj ka ngelur rrugëve, ju them, Shëngjini sjell 25-30 milionë euro në sezon, ky segment është realisht një segment që duhet hapur. Lezha ka pasur parkun industrial në anën verilindore. Për 3 kilometra rrugë, ajo është sot gjysëm e rivitalizuar. Ka mbaruar rëra në plazhe tek ne. Tani kanë filluar të ndajnë detin. Afërisht 30 milionë euro pasuri publike janë marrë me 3 dëshmitarë. Ka dy rrugë, ose do t’i njihni ata pronarë, ose do t’i shpronësoni e do t’ia riktheni prapë publikut.

Më vjen mirë për konsultat që bëni. Do t’ju lutesha që sidomos për punë të lekëve, kur të investoni, për punë të ligjeve dhe për punë të administratës, këto konsulta janë jashtëzakonisht të mira. E fundit, duke qenë se punoj në tre shtete tani e 20 vjet, do t’ju lutesha shumë, të mos e kopjoni Greqinë e Italinë për administratën publike. Kopjoni Gjermaninë, se janë më të thjeshtë, më të kuptueshme, më të zbatueshëm. Këto dritare që ju keni hapur janë të mrekullueshme. Shumë të mira, sepse na mungonte komunikimi. Por mos harroni që përmes tyre mund të hyjë kushdo dhe ata që rrinë pas tyre duhet të jenë të aftë të filtrojnë ato që duhen e të mos harxhojnë energjitë e administratës kot.

Kryeministri Rama: The disa gjëra të rëndësishme. Përsa i përket bashkëpunimin, dua ta përsëris, nuk është çështje kush është burrë i mirë e kush i keq, por është shumë e thjeshtë; Ne kemi këtu njerëz që na votojnë, që nuk na votojnë, por, pavarësisht na votojnë apo jo, janë të gjithë njerëz që meritojnë të jetojnë më mirë dhe përpjekja për të bërë që të jetojnë më mirë, duam apo nuk duam ne, kalon nga kryetarët e bashkive dhe kryetarët e bashkive, po të ishte se do i emëroja unë, nuk do kisha emëruar Franin, kjo dihet e Franit nuk i mbetet hatri që po ia them. Por kryetarët e bashkive i zgjedhin njerëzit dhe ata që i zgjedhin njerëzit janë ata me të cilët je i detyruar të punosh për njerëzit. Kështu që jo vetëm që unë e kam kaluar këtë eksperiencë, kam qenë kryetar bashkie, e di se çfarë do të thotë të kesh qeverinë që të mbështet, të kesh qeverinë që nuk të pengon e të kesh qeverinë që të rri në qafë. I kam parë të treja. Në fund fare, Frani, unë e kushdo që është, apo ka qenë në atë zyrë, nuk është ai që e pëson nga bllokimi, pengimi, apo indiferenca. E pësojnë njerëzit. Aq më tepër që në këtë Qark, ne kemi marrë rezultat të jashtëzakonshëm në këto zgjedhje dhe është dhe një detyrim më shumë, në kuptimin e thjeshtë të fjalës, për të bërë më shumë dhe kryetarët e bashkive janë të domosdoshëm në këtë pikë.

Për atë projektin që folëm do ulemi menjëherë të bëjmë një konsultë me njerëzit e duhur, që po merren me këtë punë. Plus këtë që ju thatë, unë nuk e kam të qartë se ku ekzaktësisht, apo nëse lidhet apo jo me këto dy projekte, është një projekt i tretë, por është një gjë që do ta shikojmë edhe këtë. Nuk janë të pakufijshme mundësitë tona, por unë kam bindjen që, nëse paratë shkojnë aty ku duhet, me më pak mund të bësh më shumë. Nëse nuk shkojnë aty ku duhet, mund të harxhosh më shumë e nuk e bën atë që mund të bësh me shumë më pak para, nëse shkojnë aty ku duhet.

Për sa i përket administratës, ajo e gjermanëve na e ngatërron pak situatën, sepse administrata gjermane është pak si larg, por ka një zgjidhje, nëse bëjmë një shkëmbim që gjermanët të vijnë këtu e shqiptarët të shkojnë andej, do shikosh që administrata shqiptare do jetë ‘ok’ dhe administrata gjermane do prishet. Ne po mundohemi e do ta çojmë deri në fund, të heqim sa më shumë burokraci, sa më shumë rregulla, sa më shumë letra. Italianët kanë si numër ligjesh, disa herë më shumë se gjermanët. Grekët kanë më shumë se italianët. Mua më vinte për të qeshur me mikun tim dhe të Franit, Saliun, kur thoshte, kemi kaluar kaq ligje, do të kalojmë dhe kaq të tjera. Nuk ka rëndësi sesa ligje ke, shpeshherë, sa më shumë ligje dhe rregulla, aq më shumë ngatërresa e bllokime.

Ajo që ne po bëjmë është që të heqim sa më shumë rregullat e tepërta, të heqim sa më shumë letra. Si mundet që një popull të detyrohet të prodhojë, 4.5 milionë certifikata në vit, duke qenë 4.2 milionë vetë e nga këto 4.2 milionë, gjysma jashtë shtetit! Këtë vetëm administrata jonë mund ta bëjë. 4.5 milionë i bie 4.5 milionë rrugë për të shkuar tek gjendja civile. 4.5 milionë njerëz që rrinë në radhë. 4.5 milionë kontakte me ata të gjendjes civile, që të shohin nga xhepi, pa llogaritur kur i kanë thënë “ik se nuk më punon kompjuteri” apo “eja nesër se nuk ka drita”, “duku pasnesër se më ka mbaruar letra”. Heqja e këtyre dokumenteve do ulë në mënyrë drastike kontaktet. Për shembull, të gjithë ato vërtetime tatimore, vërtetime doganore etj., të gjitha kanë brenda stres, radha, ryshfete. Unë besoj se një nga burimet më pjellore të energjisë negative e të stresit në këtë vend, është pikërisht nga kjo, kur njerëzit shkojnë për të mbaruar një punë në shtet. Sa më pak t’i detyrojmë të shkojnë, aq më mirë është. Nga kjo pikëpamje, ne po bëjmë të kundërtën. Objektivi që kemi vënë është një zbaticë e madhe administrative. Objektivi që kemi është që të jemi njësoj si ia shtet në Europë që ka më pak dokumente; licenca, autorizime. Sa më shumë autorizime, sa më shumë licenca, leje, aq më shumë halle, aq më shumë zyrtarë mbrapa tyre, aq më shumë korrupsion. Kjo do ta uli në mënyrë të ndjeshme korrupsionin.

Sot ishim me AKU-në. AKU u bë si ajo KKK, (Ku Klux Klan), tmerr, se janë dhe të veshur me të bardha. Dalin nëpër dogana dhe dikujt që sjell nga Italia, mall të cilësisë më të lartë, i thonë “do i bëjmë analizat”. Ata nuk ka pse të jenë fare atje. Po ashtu inspektorët e mjedisit. Sa më shumë inspektorë, aq më shumë pemë priten. Si shpjegohet kjo?! Të gjitha këto, ne kemi marrë përsipër t’i neutralizojmë dhe nuk duhet të jetë e bazuar tek sa gjoba vë, por duhet të jetë e bazuar sa standarde garanton. Në këtë aspekt, biznesi do ta ndiejë shumë këtë çlirim, se biznesi ka shumë më tepër kontakte të tilla. Por unë dua ta përsëris, është shumë e rëndësishme që ju të bashkëpunoni. Ne kemi krijuar një akses. Mund të ankohet dikush, p.sh, në fshat, që s’kam internet, megjithëse në bashkëpunim me kryetarët e bashkive, ne do vendosim në çdo njësi administrative pikën e kontaktit dhe posta do bëjë të njëjtën gjë, do ketë pikën e kontaktit në internet për qytetarët. Ju s’mund t’ia lejoni vetes, biznesmenë të mëdhenj në tre shtete që të negocioni me një inspektor, apo një çetë inspektoresh, ata që vijnë me pantallona te shkurtra, me atë çantën e lëkurës me rripin anash, që nuk kuptohet a është armë, a është tufë me lekë, apo është bllok për të mbajtur shënime dhe shfaqen atje, me gjyzlykët sipër kokës dhe terrorizojnë kompanitë. Ju si kompani nuk mund të negocioni me ta. Ju duhet menjëherë të njoftoni, mu shfaqën disa alienë këtu, na i hiqni nga oborri dhe ne do vërtetojmë, a i qëndrojmë kësaj apo jo.

Platforma që kemi ndërtuar është e lidhur direkt me ministrat. Nuk ka filtra. Në momentin që dikush ankohesh për tatimet, ministri e merr direkt sinjalin dhe është njësoj si t’i telefonosh ministrit. Kështu siç e kemi bërë është direkte dhe çdo rast, kur sipërmarrësit do të shprehin shqetësime për sjelljen, për paraqitjen, për aktet e padenja, lere pastaj për tentativat për bakshish nga ana e inspektorëve, inspektorët do largohen dhe nuk do kthehen më aty, që ta mësojnë të tjerët që nuk mund të shkosh dot në kompaninë e tjetrit dhe t’i bësh sikur të ka borxh jetën. Gjithashtu edhe kontrollet do t’i sistemojmë ndryshe. Për shembull, inspektori i punësimit të kërkon t’i nxjerrësh letrat se çfarë ke bërë, pastaj vjen tjetri t’i numëron, pastaj tjetri e me radhë. Do t’i heqim këto të gjitha. Do vijë vetëm një inspektor dhe ai do t’i bëjë të gjitha. Vetëm një inspektor, i cili do vijë me vizita të paralajmëruara, jo duke shkuar për t’i kapur në befasi. Ata vijnë në befasi se thonë “ca do nxjerrim ndonjë gjë sot” dhe nuk vijnë, se i çon shteti në befasi. Për këtë dua ta theksoj, varet shumë nga besimi që do të ndërtojmë reciprokisht. Ju duhet të na vini në provë. Kompanitë dhe jo vetëm kompanitë, por edhe bizneset e vogla duhet të paguajnë atë që iu takon. Por ne duhet të bëjmë çmos dhe këtë duhet ta bëjmë bashkërisht, asgjë që nuk ju takon, s’duhet ta paguani. Asnjë stres që nuk ju takon, s’duhet ta mbani. Bëhemi dhe ne fajtorë, bëheni dhe ju bashkëfajtorë, sepse pranoni më mirë të negocioni me ta, sesa të komunikoni me qeverinë.

E di që ka pasur një problem hallkash dhe vështirësie dhe këtë problem jemi mundur të zgjidhim me këtë skemë, jo vetëm për biznesin, por edhe për qytetarët. Kur një qytetar shkon në hipotekë dhe dikush i përgjigjet keq, ai duhet të thotë “isha në ‘x’ hipotekë, më doli përpara punonjësi, kisha filan dosje dhe nuk ma bëri.” Ne do vëmë menjëherë në lëvizje njerëzit. Prapa atij ekrani është një ushtri njerëzish që do ta verifikojnë. Në rast se verifikohet që e ka fajin zyra, do mbajë përgjegjësi drejtori i zyrës, jo vetëm punonjësi. Kjo është e vetmja rrugë që të fillojë e gjithë administrata që është në shërbim të qytetarëve të tërhiqet nga pozicioni agresiv dhe të futet në pozicionin e vet, që është pozicioni normal, për të bërë shërbimin. Përndryshe, me zyra që kur hyn, të shohin nga xhepi, nuk mund të vazhdojë kjo histori. Aq me tepër në kompani. Kështu që meqë folëm për gjermanët, nuk ka biznesmenë që mund ta pranojë që t’i vijnë te oborri dhe t’i bëjnë presion kompanisë. Nuk ekziston. Kështu që sillu si gjerman vetë, unë do përgjigjem si gjerman nga ana ime dhe me dy gjermanë s’ka inspektor që nuk dorëzohet.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.