Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të buxhetit për bujqësinë në Ibë, Tiranë:
Së pari, për herë të parë, për këtë vit që po mbyllim, eksportet tona ushqimore pritet të tejkalojnë 300 milionë dollarët. Kur ne e filluam punën, pasi morëm detyrën për të qeverisur Shqipërinë, kjo shifër ishte 150 milionë dollarë. Kemi dyfishuar eksportet bujqësore. Është një shifër që ju flet qartë të gjithë atyre cinikëve, që, pa e ditur fare se çfarë ndodh në hapësirën e fshatit shqiptar, flasin pa lidhje dhe nuk kanë parasysh këtë të vërtetë shumë të thjeshtë.
Po ashtu, për herë të parë këtë vit, importet ushqimore nuk janë rritur. Kjo tregon se prodhimi vendas po rritet dhe po mbulon çdo vit e më shumë nevojën për ushqime.
Vitin që vjen ne do të kemi një buxhet në mbështetje të bujqësisë, që është më shumë sesa të gjitha vitet e qeverisë së mëparshme të marra së bashku, të teta. Flas, jo për buxhetin e përgjithshëm, por për mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët, sepse, falë punës së jashtëzakonshme që kemi bërë dhe falë besueshmërisë që i kemi dhënë institucionit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, morëm akreditimin nga Bashkimi Europian dhe çelim një program të ri mbështetje financiare të BE për fshatin, që i bashkohet programit të mbështetjes së qeverisë shqiptare, që në vetvete është për të dytin vit radhazi, një program që i kalon 20 milionë euro, diçka që as mund të mendohej dot më parë.
Ne kemi realizuar një lehtësim shumë të konsiderueshëm të procesit të aplikimeve, duke kaluar në zero dokumente për të gjithë ata që duan të përfitojnë nga skemat mbështetëse dhe duke i kërkuar dokumentet vetëm pasi projektet e tyre shpallen fituese. Kjo e bën aplikimin për skemat mbështetëse që të ketë një zero kosto dhe praktikisht i jep fund qysh në vitin që po mbyllim, të gjitha atyre varvingove të tmerrshme dhe gjithfarëlloj torturash që njerëzit kanë kaluar për vite me radhë.
Ne po shohim një ndryshim të madh në industrinë e peshkimit. Faktikisht jemi në kushtet kur vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti kjo industri është rritur me 34%. Objektivi është që impakti i kësaj industrie në eksportet tona, në 3-4 vitet që vijnë të jetë i barabartë në vlerë me impaktin e eksporteve bujqësore në tërësi. Është një transformim epokal i qasjes ndaj ekonomisë së detit dhe një hapësirë krejt e re për rritjen e punësimit, me rroga më të larta sesa ato mesataret në sektorë të tjerë.
Ne do të vijojmë të investojmë për ujitjen, të investojmë për kullimin, të investojmë për mbrojtjen nga përmbytjet. Aktualisht, për herë të parë po zhvillohet prej disa javësh një punë intensive e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim e Bashkinë e Fierit, për parandalimin e mëtejshëm të përmbytjeve të lumit Vjosa. Ndërkohë që jemi duke çuar përpara një program bashkëpunimi me Republikën e Turqisë, nga ku shpresojmë që të kemi rezultate të mëdha përfundimtare, lidhur me gjithçka që ka të bëjë e kapacitetet parandaluese, sepse jo gjithçka mund të parandalohet.
Po bëj një parantezë; E keni ndjekur se vetëm përpara pak ditësh, Italia kaloi rreth dy javë nën një ofensivë vdekjeprurëse të motit. U regjistruan mbi një dyzinë të humbje jetësh dhe besoj që asgjëkund nuk keni parë të shpërthejë lufta politike dhe që të vendoset nën akuzë qeveria italiane për atë që ndodhi, përkundrazi. Pra, ka përmbytje, të cilat shkojnë përtej mundësive dhe kapaciteteve mbrojtëse, por ajo që ne na takon, është që të kemi maksimumin e kapaciteteve mbrojtëse, gjë që për fat të keq ende sot nuk e kemi sepse trashëguam një situatë me kapacitete mbrojtëse zero dhe ndërkohë po i rrisim këto kapacitete, vit pas viti.
Këtë vit fillon materializimi konkret i programit të 100 fshatrave. Jemi duke diskutuar me ministrinë dhe brenda përbrenda qeverisë për të paraprirë – edhe këtu një skemë tjetër të financimeve europiane – dhe për të përfshirë edhe pushtetin vendor në procesin e aplikimeve nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.
Besoj se është folur më shumë se asnjëherë më parë për sigurinë ushqimore në këtë periudhë. Më shumë se asnjëherë më parë, ata që ishin mësuar t’ia hidhnin vazhdimisht konsumatorit janë vënë në alarm. Më shumë se asnjëherë më parë, disa pasqyra të kazanit mediatik janë paguar për të sulmuar Agjencinë Kombëtare të Ushqimit dhe për të propaganduar raste pasigurie të madhe, apo raste medemek korrupsioni. E vërteta është që koha e tyre nuk është më ajo që ishte, ka ndryshuar.
Ne jemi në një betejë frontale për të garantuar siguri të plotë ushqimore. Pa diskutim që në këtë betejë ka plot ende për të fituar në terrenin e sigurisë. Gjatë zhvillimit të kësaj beteje ka edhe më shumë evidentim të rasteve të pasigurisë ushqimore, ashtu sikundër ka edhe më shumë evidentim të rasteve të korrupsionit, brenda përbrenda Agjencisë në nivelet e inspektorëve, por të gjitha këto janë thjesht dhe vetëm tregues i faktit që prej një viti po zhvillohet një luftë e vërtetë në terren për të garantuar sigurinë ushqimore dhe kjo luftë do të vazhdojë.
Unë dua t’ju them të gjithëve që përtej atyre që shikojnë në ekranet e televizioneve, jo gjithmonë janë të pavërteta, jo gjithmonë janë shpifje, jo gjithmonë janë gënjeshtra, jo gjithmonë janë manipulime të opinionit publik për llogari të lobeve dhe për llogari të pagesave të marra nën dorë për të sulmuar AKU-në, për të sulmuar Ministrinë. Ka edhe raste mirëfilli problematike të pasigurisë ushqimore. Por sot, siguria ushqimore në Shqipëri është më e lartë se asnjëherë tjetër. Krahasuar me dje, krahasuar me ku duhet të jemi, padiskutim ka shumë më tepër akoma për të bërë.
Po ashtu dua të nënvizoj se përveç atyre që ministri i renditi një për një, si lehtësira dhe mbështetje nga pikëpamja e barrës së detyrimeve fiskale, ne jemi në proces diskutimi. Nuk e kemi harruar që jemi zotuar për zerimin e TVSH-së mbi imputet bujqësore. Sot është krijuar mundësia që ne të bëjmë një ulje drastike të TVSH-së mbi imputet bujqësore, duke marrë parasysh faktin se siguria ushqimore, patjetër që është e lidhur dhe me cilësinë e imputeve, duke marrë parasysh faktin që në tregtimin e imputeve ka problematika që lidhen edhe me faktin se për shkak të barrës fiskale, fermerët janë të prirur të shkojnë drejt rrugëve të shtrembra.
Kështu jemi duke finalizuar një diskutim ku besoj që do të bëjmë një rikonsiderim të skemës së rimbursimit aktual të TVSH-së që ka rezultuar pozitive, por kryesisht duke favorizuar grumbulluesit dhe një rishikim të skemës së TVSH-së për imputet. Për momentin jemi në pikën, ku kemi një nivel të arsyeshëm dakordësie për të shkuar në 6 me 6. Pra, për ta ulur nga 20% në 6% TVSH-në e imputeve bujqësore dhe për të ulur po ashtu rimbursimin për grumbulluesit, pasi kanë demonstruar një shkallë jo të vogël mungese, si të thuash, respekti për skemën, duke mos e ndarë suksesin e skemës me fermerët.
Kjo është ende në diskutim dhe besoj se gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare dhe deri kur të bëhet aprovimi i buxhetit, ne do të arrijmë që t’u japim fermerëve në gjithë Shqipërinë, një lajm shumë të mirë në prag të mbylljes së vitit, për një reduktim shumë të konsiderueshëm të TVSH-së mbi imputet bujqësore, farat, plehrat kimike, fidanët e kështu me radhë.
Faleminderit!