Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, për buxhetin 2014:
Sot e gjykoj shumë të rëndësishme që këtë kontakt ta bëjmë hapur edhe për publikun, sepse duam që shqiptarët ta dinë se kemi arritur të ndërtojmë buxhetin e kthesës dhe të rimëkëmbjes ekonomike. Kemi trashëguar një katrahurë financiare dhe një vend të gjunjëzuar ekonomikisht nga një hemorragji borxhesh dhe në vetëm 99 ditë kemi arritur të bëjmë për Shqipërinë zgjidhjen e duhur, jo vetëm për ndalimin e hemorragjisë, por për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë kombëtare dhe familjare të njerëzve të zakonshëm.
U jam mirënjohës ministrit të Financave dhe ministrit të Ekonomisë, të cilët edhe me mbështetjen e skuadrës sonë fantastike, të ekspertëve të shquar botërisht në fushën e financave dhe të ekonomisë, projektuan me durim dhe këmbëngulje, gjatë gjithë kësaj periudhe, rrugëdaljen nga gjendja e katrahurës dhe negociuan me FMN një marrëveshje të re, absolutisht të favorshme për vendin dhe për popullin tonë.
Ne u kemi thënë shqiptarëve hapur, ndershmërisht dhe mbi bazën e fakteve e të shifrave, kur ishim në opozitë, se rruga e qeverisjes së ekonomisë nga pala deri dje në pushtet ishte rruga e rrënimit të themeleve të jetës ekonomike të vendit dhe se politika e tyre e vjetër e borxheve, taksave, administrimit të të ardhurave dhe të pasurive të vendit tonë po e fusnin Shqipërinë në qorrsokak.
Sot, 99 ditë pas marrjes së frenave të qeverisjes në dorë, kemi drejtë të ndjehemi mirë përpara njerëzve jo vetëm se u kemi thënë të vërtetën dje, por sepse kemi mbetur po aq të vërtetë me ta, sot edhe në rrugën e re që kemi projektuar për forcimin e themeleve të ekonomisë, edhe në politikën e re që po vëmë në jetë me borxhet, taksat, administrimin e të ardhurave dhe pasurive të këtij populli, të lënë në mëshirën e fatit për vite me radhë.
U kemi thënë shqiptarëve që me të ardhur në qeveri prisnin të gjenim para nesh një gjendje ende më të rëndë sesa ajo që mund të shihej përmes mjegullës së fakteve të fshehura, shifrave të manipuluara, akteve të padenja të pushtetit të taksidarëve dhe të sekserëve.
Sot, 99 ditë pasi kemi shqyrtuar librat e llogarive të shtetit dhe aktet e atyre që në emër të shtetit kanë punuar për llogari të pushtetit dhe në dëm të njerëzve të zakonshëm dhe të sipërmarrjeve, ndjehemi mirë jo vetëm se nuk kemi gabuar dje në parashikimin tonë, por, ende më e rëndësishme, kemi bërë sot zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura, për t’jua rikthyer njerëzve pushtetin e tyre legjitim mbi vendimmarrjen për të ardhmen e ekonomisë. I kemi dhënë fund ecjes symbyllur drejt greminës ekonomike dhe financiare. Kemi çmontuar minat me sahat që do të plasnin njëra pas tjetrës, duke hedhur në erë urat e të ardhmes, njësoj si në vitet e mbrapshta të Sudes dhe të Rrapushit, këtë herë pasojë e një piramide borxhesh, që ne do ta rrafshojmë falë pikërisht ndryshimit rrënjësor të qasjes se qeverisë ndaj borxheve, ndaj taksave dhe ndaj administrimit të të ardhurave dhe pasurisë kombëtare.
Kemi hartuar një projektbuxhet solid. Kemi siguruar vënien menjëherë në jetë të një sistemi të ri taksimi, që do t’i rikthejë ekonomisë kombëtare e familjare frymën e mbetur në vend. Kemi shmangur mundësinë reale të një programi tipik të austeritetit që do t’i sillte dhimbje të papërballueshme, me ulje rrogash dhe me ndërprerje të plotë investimesh, siç ka ndodhur në vende të tjera më të forta se Shqipëria, në kuadrin e krizës ekonomike. Kemi ndërtuar një program fleksibël rritjeje ekonomike që do të na japë qysh vitin tjetër, shenjat e para të qarta të daljes nga katrahura dhe nga asfiksia financiare.
Por jo vetëm kaq. Kemi siguruar, për më tepër në një kohë kaq të shkurtër dhe përballë një shkëmbi borxhesh imediate që na e kanë lënë m’u në mes të rrugës, realizimin e disa zotimeve themelore të programit tonë, për të ecur më shpejt drejt rilindjes së Shqipërisë.
Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ne do ta themi fort- në kushtet kur padurimi i kuptueshëm i njerëzve, pas kaq vitesh rrënim dhe pritshmëria e lartë ndaj nesh, bën që njerëzit të bien shpesh në kurthin e zhgënjimi të paarsyeshëm;
Ne as e kemi thënë dhe as nuk mund të mendohet nga askush që mendjen e ka në kokë, që për tre muaj do të bëhen realitet të gjitha ato për të cilat jemi zotuar. Jemi votuar për të qeverisur 4 vjet. Kush kërkon më shumë prej nesh në kaq pak kohë, ka të gjithë të drejtën e vet dhe unë personalisht e ndjej veten të nderuar, sepse këtë e marr si shprehje besimi tek ne, por ne do të japim llogari zotim për zotim, vetëm në fund të mandatit tonë dhe jo në fund të 100 ditëve në krye të një vendi që prej 100 vjetësh është shkatërruar apo dhunuar vazhdimisht në bërjen e gjerave të duhura.
E megjithatë, sot, vetëm 99 ditë në krye të vendit, unë jam i gatshëm t’i shoh në sy shqiptarët, në radhë të parë ata 1 milionë që votuan “Aleancën për Shqipërinë Europiane” dhe t’u them: Më e keqja ka kaluar, sepse në radhë të parë, rruga e inercisë së të keqes mbi ekonominë dhe mbi financat e vendit dhe të familjeve të zakonshme shqiptare është ndërprerë.
Një rrugë e re nis me miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të buxhetit të vitit të ardhshëm dhe sistemit të ri të taksimit, që ndan qartësisht të shkuarën nga e ardhmja. Çdo qytetar dhe familje që rron me një punë të ndershme e të paguar me një rrogë deri në 1.3 milion lekë duhet të ndjehet mirë sot për rezultatin e 23 qershorit, sepse falë 23 qershorit, në një afat kaq të shkurtër do të ketë si rezultat drejtpërdrejtë në xhepin e vet, më shumë para nga ulja e premtuar e taksave për 95% të të punësuarave. Madje, janë fiks 97%, ata që do të përfitojnë nga 1 janari ulje të taksës mbi fitimin dhe sa më pak fitojnë, aq më shumë do të përfitojnë nga kjo ulje; Infermiere, mësuesë, policët e të tjerë të punësuar në shtet apo në privat, do të kenë më shumë lekë në fund të muajit, për të shpenzuar për familjen e tyre. Ndjehem mirë që madje e kemi kaluar parashikimin tonë, duke e bërë 100% realitet, zotimin se në 4 vjet do të rrisnim rrogën për njerëzit e policisë nga 20 deri në 25%. Le ta shohin tabelën e zotimit tonë në fushatë dhe të krahasojnë shifrat. Kemi lënë pa prekur vetëm rrogën e drejtuesve më të lartë. Kemi bërë investimin më të madh në historinë e Policisë së Shtetit në rritje rrogash, me bindjen se ky është një investim jo vetëm për ta dhe për familjet e tyre në të shumtën e herës të varfra, por për çdo pensionist, çdo prind, çdo student e nxënës, çdo sipërmarrës dhe çdo komunitet që sot kërkon me shumë të drejtë siguri, siguri, siguri, rend, rend, rend, luftë reale dhe rezultative në zmbrapsjen e krimit nga rruga e qytetarëve dhe nga mjedisi ynë, publik dhe privat. I jam mirënjohës ministrit të Brendshëm, i cili ka provuar me vepra, por edhe me ide të reja transformuese që do të vihen në jetë hap pas hapi në vitet në vijim, që jo vetëm zotimi ynë për ta kthyer plotësisht në krye të detyrës Policinë e Shtetit brenda 300 ditëve do të mbahet me dinjitetin më të lartë, por edhe se ky investim në rrogat e policisë ishte një akt i domosdoshmërisë me imediate.
Cinikët janë tallur me ne, ndërsa shumë dashamirës na kanë parë me dyshim kur kemi thënë se do ta bëjmë taksën e biznesit të vogël zero. Le të më shohin në sy tani dhe të na shohin të gjithëve në sy e të na dëgjojnë shumë qartë;
Nga 1 janari taksa e biznesit të vogël do të jetë Zero! Jo vetëm kaq! Por edhe stërmundimet administrative të taksimit të dyfishtë që u rëndoi deri më sot mbi kurriz, padrejtësisht, edhe në rrugë antikushtetuese, me dy palë letra, me dy palë taksidarë dhe dy palë pushtete, qendror dhe vendor, dhe me plot arbitraritet në xhepin e tyre të ngushtë të të gjithë atyre që janë vetëpunësuar me një biznes të vogël, do t’i mbeten vitin 2013.
Nga 1 janari, vetëm një kontakt dhe vetëm një taksë: Tatimi mbi fitimin. Madje edhe tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël jo më njësoj si deri dje, si tatimi mbi fitimin për kompanitë, që bënte që një furrë buke të paguante më shumë taksa se një fabrikë çimentoje, por i ulur 25% dhe i shoqëruar me uljen e kontributeve të detyrueshme shëndetësore për të vetëpunësuarit në qytet. 73 mijë të vëtëpunësuarit në Shqipëri, plus familjet e tyre, afro 400 mijë njerëz do të përfitojnë drejtpërdrejtë nga kjo ulje dhe do të kenë më shumë të ardhura në xhepin e tyre, për të shpenzuar dhe riinvestuar në vetëpunësim.
Janë tallur po ashtu, kur ne jemi zotuar që do ta heqim taksën e sëmundjes, taksën 10% për barnat dhe materialet shëndetësore dhe do të barazojmë çmimet e ilaçeve që shiten në Shqipëri me çmimet e vendeve të origjinës dhe nuk do të lejojmë më që një ilaç në Shqipëri për një pensionist apo për njerëzit në nevojë për ilaçe të kushtojë deri edhe tre herë më shumë sesa kushton në vendet e origjinës. E pra, sot është realitet; Nuk ka më taksë mbi ilaçet dhe as për materialet shëndetësore.
Po bëhet zhurmë e padrejtë dhe me qëllimin për të kallur frikë dhe pasiguri tek njerëzit, në fakt nga frika e dukshme e suksesit të sigurt të këtij projekti të ri për të rimëkëmbur ekonominë, lidhur me rritjen vetëm 10 lekë të taksës së qarkullimit mbi naftën. Po flitet për një apokalips që do të vijë së shpejti për shkak të këtyre 10 lekëve, që dalin nga xhepi i atyre që kanë mundësi të kenë një makinë dhe që shkojnë drejtpërdrejtë për të mbrojtur më mirë mjedisin, për të ulur ndotjen, për të lehtësuar qarkullimin në Tiranë dhe në qytetet të mëdha, si edhe për të siguruar fillimin e rrugës që kemi marrë përsipër, që gjatë këtij mandati, shërbimin shëndetësor ta kthejmë nga një privilegj në një të drejtë të garantuar për të gjithë, kanë apo s’kanë lekë, për ta marrë këtë shërbim.
Asgjë nuk do të ndodhë me çmimet dhe asgjë nuk do të shkojë në drejtim tjetër, përveçse në drejtim e përcaktuar, bazuar në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare dhe rajonale që thotë se taksa mbi karbonin dhe ndotjen është një taksë që lidhet drejtpërdrejt me krijimin e mundësisë së një shoqërie për të marrë frymë më lirisht, për të qenë më e pakërcënuar nga sëmundjet dhe nga ndotja dhe për të jetuar më normalisht, në kushtet kur trafiku i makinave është bërë i padurueshëm dhe madje është bërë pengesë e pakapërcyeshme me vite me radhë, për të gjithë ata që duan të shfrytëzojnë hapësirat publike për të ecur në këmbë dhe që nuk kanë mundësi të marrin makinat.
Është e sigurt se nëse në harkun e 8 viteve të shkuara çmimi i naftës u rrit nga 600 në 1800 lekë dhe asnjë apokalips nuk e zhbëri Shqipërinë. 10 lekë të vetme taksë qarkullimi, për gjithë këto qëllime të mira dhe në funksion të vlerave dhe të parimeve që ne mbrojmë si forca të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, jo vetëm që nuk do të cenojnë ekonominë, por përkundrazi, do të forcojnë shëndetin e shoqërisë dhe do të forcojnë edhe vetë normat dhe raportet me mjedisin e përbashkët ku ne jetojmë, të cilin i’a kemi borxh fëmijëve tanë dhe askush nuk na e ka lënë për ta kthyer në ferrin e ndotur të gjeneratës tjetër. Mjafton të them se falë këtij 10 lekëshi, që shtohet në taksën ekzistuese të qarkullimit, ne do të sigurojmë kontrollin shëndetësor bazë, falas, për 800 mijë njerëz në grupmoshën 40 deri në 60 vjeç, që është edhe grup mosha më e atakuar nga sëmundjet dhe grupmosha më vulnerabël në raport me sëmundshmërinë, për shkak të pamundësisë për të pasur një vizitë normale dhe një kontroll normal mjekësor si në çdo vend normal. Po ashtu, falë këtij 10 lekëshi, cilido që do të kontribuojë me këtë taksë duhet ta dijë se 30 mijë gra dhe vajza do të përfitojnë falas ekzaminimet për gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri, për shkak të varfërisë dhe për shkak të pamundësisë së këtij grupi jetik njerëzish për të ardhmen e vendit dhe për shëndetshmërinë e fëmijëve që lindin në këtë vend. Gjithashtu do të përfitojnë falas dhe ekzaminimet për kancerin gjirit, për të cilin janë shpenzuar shumë para për të bërë festa dhe për të ushqyer propagandë mbi tribuna farsash, por nuk është bërë asgjë konkrete, për të shkuar konkretisht aty ku qëndron problemi, në gjirin e nënave të reja dhe e nënave që kanë fëmijë dhe që gjenden papritur e pakujtuar përballë kësaj sëmundjeje vrastare në numra gjithmonë e në rritje. Jemi i vetmi vend në të gjithë Europën e në rajon që deri më sot nuk e ka garantuar dot as të parën dhe as të dytën. Jemi vendi që bëhemi normal si gjithë të tjetër, duke garantuar edhe të parën, edhe të dytën.
Kemi trashëguar një borxh të lartë publik, të cilin ne nuk po e rrisim, por vetëm po e legalizojmë. Duke legalizuar edhe atë shkëmb borxhesh imediate, që praktikisht ka bllokuar rrugën e ekonomisë dhe gjendet përpara rrugës së qeverisjes si kërcënim real dhe njëkohësisht si një imponim për të përcaktuar se çfarë Shqipërie duam nesër; Duam një Shqipëri që të mbytet në lakun e borxheve, apo duam një Shqipëri që të dalë nga kurthi i këtij laku.
I shoh me shumë kënaqësi takimet e opozitës me përfaqësuesit e biznesit të madh, sepse kurrë në tetë vjet, opozita nuk arriti dot të bënte një takim me biznesin e madh, përpara një projektbuxheti, nga frika e çdo sipërmarrësi që të nxirrte fytyrën në televizor, se pas daljes në televizor i vinte fatura të nesërmen, tek dera. Kjo epokë ka mbaruar! Unë e konsideroj një sukses të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe të 1 milion votuesve më 23 qershor, që kanë garantuar vrasjen e frikës së njerëzve për të folur hapur për interesat e tyre dhe për të mbrojtur interesat e tyre edhe kur këto interesat bien ndesh me interesat që mbron detyrueshmërisht qeveria e një vendi.
Por, ajo që dëshiroj të them dhe që u’a kam thënë edhe përfaqësuesve të biznesit të madh, është se në radhë të parë, rritja e tatimit të fitimit për kompanitë nga 10 në 15% nuk duhet të trajtohet nga askush si rrufe në qiell të pastër, pasi ka qenë e qartë si drita e diellit, gjatë gjithë përgatitjes dhe pastaj zhvillimi të fushatës sonë zgjedhore, se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë.
Nga ana tjetër, dua t’ju them se e vërteta është se ata do të paguajnë më shumë jo për të tjerë, por në radhë të parë për veten e tyre, për mirëqenien dhe mbarëvajtjen e kompanive të tyre dhe për këputjen e atij zinxhiri që u ka lidhur këmbët me borxhe dhe sepse kjo qeveri edhe pse nuk i krijoi borxhet ndaj tyre, i ka marrë ato përsipër dhe do të fillojë nga 1 janari shlyerjen e borxheve. Ka një llogari shumë të thjeshtë;
Nëse nga rritja nga 10 në 15% që është një taksë shumë e ulët mbi fitimin për kompanitë, buxheti i shtetit do të marrë 60 milionë dollarë, brenda vitit të ardhshëm ne do t’u kthejmë kompanive, jo pak, po 350 milionë dollarë për shërbime të papaguara, për punë të paguara, për kontrata të parespektuara nga qeveria e mëparshme. 350 milionë dollarë që përndryshe nuk do t’i kishin marrë kurrë, përveçse do kishin përfunduar në faliment, në kushtet kur bankat nuk u japin më kredi se nuk kanë më me çfarë të shlyejnë kreditë, pasi kanë lënë veten peng nëpër banka, me kontratat e firmosura nga qeveria e mëparshme dhe sot kanë lënë në shtëpi mijëra e mijëra punëtorë, mijëra e mijëra njerëz, të cilët nuk shkojnë dot në punë, për shkak të këtyre borxheve. Kjo është arsyeja që ne do t’i shlyejmë këto borxhe, një nga një, 350 milionë dollarë, duke filluar që vitin e ardhshëm.
Kush na tregon se vitin e ardhshëm nuk do u bëkan investime, bën dyfish gabimin e të gënjyerit të një populli të tërë. Sepse, nga njëra anë, investimet do të bëhen. Nga ana tjetër, ky është investimi më i madh dhe më serioz që një qeveri mund të bëjë. E para, për t’u sjellë si qeveri e vendit dhe jo si një bandë që përdor emrin qeveri për t’ju imponuar individëve, për t’ju imponuar sipërmarrësve, duke i detyruar të paguajnë më shumë, duke iu marrë gjithnjë e më shumë dhe duke mos bërë asnjë detyrë të vetën, karshi tyre.
E dyta dhe e fundit, sepse ka shumë rëndësi për ne, që rruga e re e Shqipërisë të fillojë mbi bazën e dialogut, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe jo domosdoshmërisht të biem dakord me njëri-tjetrin, sepse interesat tona nuk janë të njëjta, janë komplementare. Ne nuk kemi thënë ndonjëherë që taksat për biznesin e madh do t’i vendosi biznesi i madh. Taksat për biznesin e madh do t’i vendosë qeveria, e zgjedhur nga 1 milionë vota. Dhe përgjegjësia; Ne nuk mund të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kompanitë, nuk mund të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga biznesi i vogël, ne nuk mund të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga qytetarët, nëse ne pranojmë të vazhdojmë në rrugën e papërgjegjshmërisë dhe të sillemi si një forcë e papërgjegjshme në pushtet, duke mos marrë përsipër detyrimet tona. I kemi marrë detyrimet tona përsipër, do t’i shlyejmë një për një.
Një qeveri e zhytur në borxhe arbitrare ndaj kompanive nuk meriton të quhet qeveri dhe as mund të qeverisë në rrugë tjetër, përveç rrugës së rrënimit dhe të shpartallimit të financave, siç ndodhi edhe përpara 99 ditësh.
Nga ana tjetër, nëse do të shtojmë 100 milionë dollarë investime në projektet e qeverisjes vendore, 665 milionë dollarë investime të tjera, buxheti i vitit 2014, që është një buxhet i kondicionuar nga domosdoshmëria për t’u përballuar me një katrahurë të trashëguar dhe jo një buxhet i bërë në kushtet e një vendi normal, jo vetëm është buxheti më i madh, por është buxheti që injekton drejtpërdrejt në ekonomi, për të vënë në lëvizje gjithë makinën e bllokuar të ekonomisë dhe për të nxitur drejtpërdrejt punësimin, 1.1 miliardë dollarë. Ky është buxheti i kthesës ekonomike dhe financiare të vendit. Ky është buxheti i fillimit të një rimëkëmbje të qëndrueshme. Ky është buxheti që duhet të bëjë optimist çdo sipërmarrje, duhet të bëjë optimist çdo biznes të vogël, duhet të bëjë optimist çdo qytetar, sepse ky është vetëm fillimi.
Ky është fillimi edhe i një transformimi rrënjësor në arsim. Duke nisur me një zotim për të cilin na kanë qeshur shumë, por i cili do të fillojë të bëhet realitet qysh vitin e ardhshëm, me kalimin edhe të nxënësve të këtij vendi nga malet me libra nëpër çanta, në përdorimin e tabletave elektronike dhe kalimin e procesit të mësimit nga një proces me laps e me fletore, në një proces me standardet e vendeve normale. Vitin e ardhshëm fillon implementimi i këtij projekti, përmes një projekti pilot për 110 shkolla.
Po ashtu, ky buxhet, falë marrëveshjes së bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe falë mbështetjes intensive të siguruar nga Banka Botërore, është një buxhet që na garanton investime të qenësishme, më të mëdha se çdo herë tjetër, në fushën e bujqësisë, për fshatin. Me fokus aty ku jemi zotuar të atakojmë problemin më madhor; tek ujitja, tek kullimi dhe tek mbrojtja e këtij populli nga përmbytjet. Zotimi ynë për fshatin është një zotim madhor. Zotimi ynë për fshatin ka një sërë elementesh dhe sigurisht që, pavarësisht se në 2014 do të kemi 505 milionë lekë më shumë sesa në vitin elektoral 2013, nuk ka asnjë dyshim se zotimi ynë për fshatin është shumë më i gjerë se kaq dhe ne nuk tregojmë gishtin, kur gishti tregon hënën, por jemi absolutisht të qartë se çfarë duhet të bëjmë ende më shumë, që pas katër vitesh të kemi një hapësirë rurale të transformuar nga një hapësirë kaotike, në një hapësirë të zhvillimit të qëndrueshëm.
Miqtë e mi, ky buxhet dhe ky sistem i ri taksash tregon një gjë shumë të thjeshtë; Kush e qeverisi Shqipërinë në tetë vjet, e qeverisi për vete. Kush do ta qeverisë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme, do ta qeverisë për njerëzit.
Në këtë aspekt, edhe fillimi i një pune intensive, të vëmendshme dhe të qëndrueshme për larjen e borxhit është pjesë e ndryshimit për të cilin folëm, e të qeverisurit për njerëzit, e të mosmarrjes borxh të të ardhmes së njerëzve për të garantuar të tashmen në pushtet. Ky është një buxhet i punuar, siç e thashë, me shumë vëmendje për të qëndruar në një ekuilibër të plotë mes nevojës për zhvillim, duke mos mbyllur rrugën e zhvillimit, duke mos ulur rroga, duke mos prekur pensione, duke nxitur investime, duke nxitur transformime dhe nevojës për disiplinë financiare, pas kaq viteve rrumpallë me paratë e shqiptarëve.
Por ky, jam shumë i kënaqur ta shpreh sot, pas gjithë asaj përpjekjeje intensive në një negociatë jo të lehtë me FMN, është buxheti ynë, është buxheti i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, është buxheti i Partisë Socialiste dhe i Lëvizjen Socialiste për Integrim, është buxheti i asaj pjese të politikës shqiptare që solidaritetin e ka vlerë dhe parim të panegociueshëm. E pra, ky është një buxhet solidar. Është një buxhet solidar, sepse çdo shqiptar, çdo familje që bën pjesë në kategorinë e shtresave në nevojë do të përfitojë drejtpërdrejt para, për të subvencionuar 10% të faturës së energjisë, si dhe për të subvencionuar produktet bazë të shportës. Ky është momenti kur jemi ende larg një shteti të organizuar, institucionesh të qëndrueshme dhe mekanizmash për të garantuar instrumente agresivë punësimi dhe nxjerrjeje nga varfëria nëpërmjet punësimit, që i takon vitit që vjen dhe viteve në vijim, por ky është momenti kur ne duhet patjetër, që të subvencionojmë me para në dorë energjinë me 10% të faturës për të gjithë ata që e paguajnë dhe që janë në kategorinë e njerëzve në nevojë. Po ashtu, edhe ushqimet bazë të shportës. Që do të thotë për më tepër, se për gjithë këtë kategori edhe taksa, siç jemi zotuar, tatimi mbi vlerën e shtuar për energjinë elektrike dhe për produktet bazë të shportës bëhet zëro.
Zero që është njësoj si ato zerot që fola përpara, me të cilat janë tallur dhe na kanë shpotitur shumë, por që nga 1 janari janë zero në xhepat e atyre që për këto zotime na kanë votuar, por edhe të atyre që nuk kanë votuar duke rënë pre e propagandës kundër këtyre zotimeve. Janë plot 110 milionë dollarë që do të vihen në dispozicion të këtyre shtresave, të këtyre subvencioneve dhe të këtyre zotimeve dhe që do të lehtësojnë frymëmarrjen e këtyre njerëzve, duke u dhënë mundësinë të mos jenë ilegalë, duke u dhënë mundësinë që të mos i fshihen detyrimit për të paguar energjinë edhe pse ata janë të fundit që mund të kritikohen për këtë gjë, se e para është qeveria e Shqipërisë që ka trashëguar fatura të papaguara të energjisë, të dytët janë kompanitë e mëdha që nuk paguajnë energjinë, të tretët janë bizneset e vogla që nuk paguajnë energjinë, të katërtit janë rrogëtarët e shtetit që nuk paguajnë energjinë, të pestët janë ata që kanë ndërtuar shtëpi rreth e rrotull Tiranës dhe qyteteve të mëdha dhe nuk paguajnë energjinë dhe të fundit janë këta për të cilët po flasim. E, pikërisht pse janë të fundit, ne do t’ua japim paratë në dorë për çdo faturë energjie që do të paraqesin, duke hequr plotësisht taksën e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe duke ulur 10%, faturën.
Ne nuk i fshihemi, përkundrazi i dalim ballas edhe rritjes së akcizës së cigares. Kam dëgjuar shumë, por nuk kisha dëgjuar ndonjëherë atë që dëgjova opozita e sotme dhe qeveria e deridjeshme se kjo qeveri i ka hapur luftë dashamirësve të duhanit, këtë nuk e kishim dëgjuar. Lufta me dashamirësit e duhanit ishte një nocion që na e dhanë këta që nuk e kanë fare haberin dhe për më tepër që duke pasur për kaq vite një mjek në krye na paska stimuluar dashurinë me duhanin. Ndërkohë që, ne do ta rrisim akcizës e duhanit dhe do dekurajojmë pirjen e duhanit. Kush pi shumë duhan dhe ndjehet i luftuar nga ne, me siguri do të na e dijë për nder nëse do ta lërë duhanin e do të marrë frymë lirisht, falë nesh. Ashtu sikundër pijet alkoolike dhe pijet energjitike, ne do t’i vendosim nën akcizë më të rritur. Të parat duke u rritur akcizën, të dytëve duke u vënë akcizën për të rritur energjinë e buxhetit falë pijeve energjitike, që deri më sot edhe pse kanë brenda produktet që kanë akcizë, siç është kafja, kanë qëndruar jashtë akcizës. Kështu që jam i bindur se edhe kjo është një masë shumë e domosdoshme, krejtësisht në koherencë me vlerat tona, me parimet tona, me atë që përfaqëson Aleanca jonë dhe me programin tonë, që është një program që merr përsipër të kujdeset për shëndetin e shqiptarëve, edhe përmes parandalimit të sëmundjeve që vijnë nga duhani, edhe përmes uljes së dashurisë për alkoolin dhe përmes stimulimit të energjive të buxhetit duke i kthyer edhe pijet energjitike në një kontribut jo vetëm për të rritur adrenalinë e atyre që i konsumojnë, por për të rritur adrenalinën e qeverisjes.
Të gjitha këto do të rrisin me 35 milionë dollarë të ardhurat që do të shkojnë përsëri drejtpërdrejt aty ku janë shërbimet ndaj njerëzve, aty ku janë shërbimet për shëndetin, aty ku janë shërbimet për mjedisin. Pra, nga njëra anë do të paguhet për t’u mbrojtur nga sëmundjet nga ana tjetër do të investohet për t’i luftuar sëmundjet.
Na kanë thënë dhe po u thonë shqiptarëve se ne paskemi marrë përsipër që të mos rrisim rrogat për vitet që vijnë, madje paskemi marrë përsipër edhe të ulim pensionet. Ju siguroj që nëse të dy ministrat që i falënderova në fillim bashkë me grupin e këshilltarëve tanë, këshilltarë të rangut botëror, nuk do të kishin insistuar fort dhe nuk do të kishin paraqitur argumente të qëndrueshëm me katrahurën që na është lënë mund të kishim qenë përpara faktit të kryer dhe të bënim dhe ne atë që kanë bërë gjithë vendet e tjera dhe sidomos çdo vend që është përfshirë në marrëveshje me FMN-në dhe t’ju thoshim shqiptarëve ‘do na falni po do ju ulim rrogat, do na falni po do iu ulim pensionet’. Jo vetëm që nuk kemi pranuar dhe e kemi marrë më në fund marrëveshjen që donim për të mos prekur asnjë rrogë dhe për të ulur shpenzimet për taksa duke rritur sasinë e parasë në xhep, e parasë reale që shkon për konsum të atyre që jetojnë me rrogë, por edhe kemi vendosur kushtin e panegociueshëm që përsëri t’i rrisim pensionet edhe gjatë vitit 2014. Ne do t’i rrisim edhe pensionet. Ndërkohë që, pensionistët nuk do të përfitojnë vetëm rritjen e pagesës mujore, që le ta themi kur është rritur në të shkuarën ka qenë thjesht një indeksim gjysëm diabolik me inflacionin, s’ka qenë rritje, por edhe sado të rritet kurrë nuk do të jetë në lartësinë që të paguajë me para gjithë atë kontribut të jashtëzakonshëm që i kanë dhënë këtij vendi. Ne do të ulim për ta çmimet e ilaçeve të cilat e bënin pensionin e tyre nul dhe do të garantojmë për ta shërbimin shëndetësor që ata meritojnë duke arritur të sigurojmë në harkun e këtij mandati shërbimin shëndetësor të premtuar; pa sigurime shëndetësore, por me kontributin e shtetit. Janë 13 miliardë më shumë që shkojnë në këtë buxhet. 23.5% më shumë, rritja më e madhe që është bërë ndonjëherë për mirëqenien sociale dhe për rininë edhe pse kemi trashëguar borxhin apo më saktë haraçin që invalidët dhe njerëzit e varfër në ndihmë ekonomike i paguan tërbimit elektoral të atyre që në ethet e humbjes shkuan deri në pikën sa t’ju nxjerrin me përdhunë dhe me mashtrim nga xhepi i të ardhmes vjetore gjithë kësaj kategorie 5 miliardë lekë. E pra, 5 miliardë lekë pagesa të pakryera ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe individëve në ndihmë ekonomike, të cilat praktikisht kanë cenuar drejtpërsëdrejti 168 mijë e 574 persona dhe 108 mijë e 580 familje që mbështeten me ndihmë ekonomike. Sigurisht që, pjesë e kësaj grabitjeje ditën për diell nga një çetë që i thoshte vetes qeveria e Shqipërisë dhe që luftoi deri ditën e fundit me çdo çmim dhe mjet duke shkelur ligjet duke shkelur dinjitetin e njerëzve, në radhë të parë atyre ne nevojë, ishte edhe fryrja e skemës ku u regjistruan për invalidë shumë kushërinj, shumë kunetër dhe kunata, shumë njerëz plotësisht të shëndetshëm, të cilët morën nga paratë e invalidëve shpërblimin për të bërë deri ditën e fundit fushatën e humbjes së pashmangshme. Ashtu sikundër edhe shumë të tjerë që morën paratë e ndihmës ekonomike për të dhënë votën e tyre. Pra, vota e shumë njerëzve u ble me paratë e ndihmës ekonomike që i takonin njerëzve të tjerë. Skema do të pastrohet plotësisht. Janë me qindra njerëzit e çuar në prokurori dhe janë me dhjetëra e dhjetëra zyrtarët që janë bërë pjesë e kësaj skeme mashtruese. Gjatë vitit të ardhshëm ne do të instalojmë skemën e re të hyrjes dhe të qëndrimit në sistemin e ndihmës ekonomike përmes mekanizmit dixhital, ku do të jetë përfundimisht e panevojshme që t’i shtrish dorën si lypsar kur je në nevojë, jo për fajin tënd, një kryetari komune apo një zyrtari të korruptuar në zyrën e shërbimeve sociale dhe ku do të mjaftojë që të paraqesësh kushtet e tua për t’u verifikuar në një sistem që kryqëzon të dhënat dhe të marrësh atë që të takon.
Nga ana tjetër në vitin 2014 me këtë buxhet ne trefishojmë, nuk është shumë në raport me objektivat që kemi, por është shumë në raport me të shkuarën, fondin për të nxitur punësimin. Trefishojmë mundësitë financiare të shtetit për të përfshirë në skemën e nxitjes së punësimit përmes formimit për punë të mijëra personave të papunë. Në të njëjtën kohë fondi për zyrat e punës dhe formimin profesional rritet në masën 220%, duke mundësuar rritjen dhe forcimin e një rrjeti shërbimesh, për të ndërmjetësuar rrugët e punësimit, për 12 mijë punëkërkues të regjistruar si të papunë dhe për të mundësuar trajnimin profesional të 9 mijë të papunëve, duke filluar t’i orientojmë drejt tregut të punës dhe duke mos i lënë pas dyerve të ministrive e të bashkive për të marrë një punë në shtet, medoemos. Për ne administrata s’mund të jetë zyrë pune. Ama zyrat e punës së administratës duhet të transformohen në qendra të administrimit dhe të promovimit të kërkesave për punë. Kemi një buxhet që pavarësisht shtrëngesës të trashëguar parasheh 35.1 miliardë lekë për transportin. E, këtu flasim për buxhetin e shtetit, ndërkohë që investimet për transportin do të jenë shumë më të mëdha falë edhe projekteve me financim nga jashtë buxhetit të shtetit, disa prej tyre janë në rrugën e finalizimit të tjera kanë filluar dhe po diskutohet dhe po negociohen me partnerët ndërkombëtarë.
Por, ajo që do të theksoja këtu është që për herë të parë një qeveri, e ndarë përfundimisht nga praktika e shiritave elektoralë për të hedhur asfalt dhe inaugurimeve të një rruge shtatë herë, sa herë shtroheshin 100 metra, investon 13% të investimeve në rrjetin rrugor, vetëm për sigurinë rrugore. Sigurinë rrugore, që deri dje kishte vetëm 1% në buxhet. Me 1% buxhet vetëm numëronim të vrarët dhe numëronim të plagosurit në rrugët pa asnjë lloj sigurie.
Ndërkohë që, po ju citoj se vetëm për ujin në fshat dhe për kanalizimet ne do të investojmë vitin e ardhshëm 21.8 mld lekë, nga fonde që do të na vijnë nga jashtë buxhetit, të firmosura tani më pas negociatash, ku jemi përqendruar nëndrejtimin e zëvendëskryeministrit, në kompaktësimin e burimeve të jashtme që deri dje punonin secila për vete dhe që na kanë krijuar për shkak të keqqeverisjes një situatë skandaloze dhe patetike për një vend që duket sikur nuk është fare në Evropë po të shohësh këto rezultate. Ujësjellësa të dorëzuar me çelësa në dorë dhe të inauguruar që nuk punojnë. Sisteme kanalizimesh të dorëzuar me çelësa ne dorë dhe të inauguruara me fanfara që nuk punojnë. Landfille të dorëzuara me çelësa në dorë që nuk punojnë dhe të gjitha këto me paratë e mara borxh nga xhepat e popullit shqiptar që vuan për ujë, vuan për kanalizime, vuan mes plehërave, sepse paratë që ka investuar përmes qeverisë së vet, nuk janë kthyer në mekanizma që t’jua lehtësojnë jetën në këtë aspekt, por përkundrazi ju kanë krijuar fantazma hekuri dhe betoni, që tani kanë hyrë në fazën e degradimit sepse vidhen për skrap dhe për gjithfarë nevojash të atyre që shkojnë dhe i shohin si gërmadha.
Kemi marrë një zotim shumë solemn dhe dua të jem shumë i qartë për këtë, që do të bëjmë zero tatimin për vlerën e shtuar për çdo imput bujqësor. Ky zotim ka dy anë, sot që flasim në këtë buxhet; Njëra anë është ajo që kemi marrë përsipër, ana tjetër është ajo që do të garantojmë se do të mund të marrim përsipër në periudhën në vijim. Sot me instrumentet që kemi në dispozicion, me mekanizmat mungojnë, me institucionet që janë në ajër dhe me një sistem tërësisht absurd dhe korruptiv, ka vetëm një rrugë: të formalizojmë ekonominë në fshat dhe t’i japim paratë në dorë mbrapsht, duke bërë zero çdo taksë mbi imputet çdo kujt që paraqet një faturë. Në ndërkohë e kemi të domosdoshme që të fillojmë menjëherë punën për të ndarë naftën që përdoret për xhiro apo që përdoret për transport në rrugë, nga nafta që përdoret për prodhim bujqësor. Sot në 99 ditë kjo ishte e pamundur sepse është e pamundur të ndash të njomin nga i thati, është e pamundur madje të ndash kontributorin nga hajduti në gjithë sistemin e naftës në Shqipëri, që është një sistem i marrë peng në mënyrë kriminale me mbështetjen e qeverisë së deri djeshme dhe që nuk arrin dot t’ju kthejë shqiptarëve të mirat nga një pasuri e madhe kombëtare, që është lënë në duar krejtësisht të papërshtatshme, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër dhe që e ka kthyer sektorin e naftës në një xhungël ku fiton kush të mundet, vjedh kush të mundet, kontrabandon kush të mundet dhe rrënon kush të mundet. Sot ky është fakti. U them të gjithë atyre që dëgjojnë dhe do të na dëgjojnë ditët në vijim nga fshati se ajo rritje prej 10 lekësh në taksën e qarkullimit, sot sigurisht është e pandashme në sistem, por një orë e më parë ne do të sigurojmë që sistemi të sigurojë ndarjen e naftës për konsum të përditshëm urban dhe transport urban, nga ndarja e naftës industriale për prodhim. Ky është fakti. Nga ana tjetër nuk kemi as më të voglin dyshim që sidoqoftë kjo rritje prej 10 lekësh nuk do të çoj në asnjë përkeqësim të ndjeshëm të natyrës që është folur për fshatin. Ndërkohë që 1.9 mld lekë nga buxheti, pa llogaritur disa financime që janë tanimë të siguruara apo që janë në rrugën e negocimit nga burime të jashtme, do të shkojnë drejtpërdrejtë për bujqësinë dhe nga këto do të ketë drejtpërdrejtë subvencione për fermerët, do të ketë drejtpërdrejt investime për ujitjen.
Kemi një zë tjetër, ku kemi prap dy anë, që është zëri i strehimit. Do t’i rrisim 22% fondet e strehimit. Por ndërkohë jemi ende në shqyrtimin e atij kapitulli të librit të llogaritjeve të shtetit që ka të bëjë me strehimin, sepse ashtu siç keni parë nga shumë kapituj, fragmente që kanë dalë dhe në publik dhe që flasin më mirë se çdo koment që mund të bëjmë ne se kush e ka administruar këtë shtet, jemi përpara një skeme tronditëse të marrjes së parave nga buxheti për të pastrehë dhe të përdorimit të parave për vila, me kredi nga bankat që shkojnë për të ndërtuar apo për të blerë vila dhe interesat i paguan qeveria. Nuk dua të zgjatem më shumë për këtë, sepse është ende në shqyrtim. Është pak, por e sigurt që shqiptarët do të shohin shumë shpejt, ata që janë të pastrehë, ata që janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e pronarëve që me të drejtë duhet të gëzojnë më në fund shtëpinë e tyre, janë lënë rrugëve si të pastrehë, se kush i ka marrë paratë për të bërë vila dhe sesi një burrë dhe një grua në pozita kyçe në administratë kanë marrë dy kredi si të pastrehë, duke qenë në të njëjtën kurorë dhe kanë shkuar kanë blerë vilë në bregdet. E të tjera, e të tjera, e të tjera që vazhdojnë të jenë në investigim.
Kjo është historia që kemi trashëguar të dashur miq. Kemi trashëguar situata financiare në kapituj të ndryshëm të buxhetit që janë shumë të ngarkuara me borxhe dhe sa herë i kthehemi një kapitulli na del një borxh i ri, na dalin gjëra të reja, në këtë rrugë që e quajta jo për metaforë, të minuar në çdo hap, në çdo sektor.
Edhe një element për të cilin jam shumë krenar, unë dhe duhet të jemi shumë krenar të gjithë besoj, por arsyeja pse jam krenar është që buxheti i viti 2014 për njësitë vendore është më i madh sesa buxheti elektoral për njësitë vendore i vitit 2013. Është buxheti i parë që nuk diskriminon të majtë dhe të djathtë dhe që i mundëson dhe Bashkisë së Tiranës të rifillojë punën që e ka lënë sa vite u bënë, nuk e mbaj mend më sa janë bërë ngaqë shumë punë janë lënë pa bërë në Tiranë. Edhe komuna më e fundit merr të paktën 101% të fondeve që ka marrë në 2013. Ndërkohë që granti i pakushtëzuar është rritur me 1 miliardë lekë. Fondet e investimeve në infrastrukturën rurale janë shtuar me 3.8 mld më shumë. Këto janë të vërteta të shifrave të rakorduara me FMN, të cilën ata që deri dje shkatërruan financat e vendit e quajnë dëshmitarin e rremë të qeverisë. Akuzohet FMN-ja si dëshmitar i rremë nga po ata që thonin ‘lëreni FMN se ne kemi Suden, mos dëgjoni FMN dëgjoni këngët e Rrapushit, mos shkoni pas FMN, po vraponi pas Vehbiut’ edhe në fund fare e dogjën shtëpinë e përbashkët. Kështu do të digjej shtëpia prapë nëse në 23 qershor shqiptarët, jo ne, nuk do kishin nxjerrë nga dhoma ku merren vendimet ata që uzurpuan të gjitha të drejtat për vendimet të gjithë shtëpisë.
Në fund fare dua të them që 161% do të rrisim fondin për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, që do të thotë se jemi shumë të vetëdijshëm që ndërkohë që ne flasim, ndërkohë që ditët ikin, ndërkohë që vitet ikin Shqipëria për të cilën kemi mësuar shumë në histori dhe kemi parë shumë albume dhe kemi dëgjuar shumë, po zhduket. Shqipëria e të gjithë atyre vlerave të prekshme të trashëgimisë kulturore që ne na bëjnë krenarë, të tjerët i bëjnë që të mbajnë fjalime tronditëse për vendin me kulturën më të pasur në botë, po zhduket. Nuk e zgjidh problemin kjo shtesë, por është shenja e parë e vullnetit për të rritur rendin mbi pasuritë e trashëgimisë kulturore.
Unë dëshiroj që ne të gjithë të jemi të vetdijshëm për një fakt që është ai që thashë që në fillim, pavarësisht kushteve aspak të favorshme në të cilat ne e kemi marrë qeverisjen e vendit, se mesa duket kështu paska qenë e shkruar për këtë vend, kur vjen e djathta e shkatërron, duhet të vijë e majta që ta ndreqë, sot kemi një buxhet që nuk është buxhet i kushteve të krizës, por është shumë më tepër se kaq, është buxhet kthese, është buxhet i rimëkëmbjes ekonomike që na jep mundësi që t’i tregojmë tregjeve, t’i tregojmë investitorëve, t’i tregojmë partnerëve, t’i tregojmë Evropës se këtu është një vend serioz dhe ka një qeveri serioze. Se këtu është rivendosur ekuilibri mes qeverisjes dhe nevojave të vendit dhe se këtu nuk do të vazhdojë më rruga e rrënimit, por ka filluar një rrugë e re. Injektimi që ne i bëjmë ekonomisë me 1.1 miliardë dollarë dhe mesazhi shumë i qartë që i japim bankave që erdhi koha për të çliruar kreditë, sepse erdhi koha që kreditë e këqija të fillojnë të ulen nga pagesa mbrapsht dhe po ashtu mesazhi shumë i qartë që i japim sipërmarrësve dhe investitorëve se tatimi mbi vlerën e shtuar do të respektohet siç është i shkruar në ligj, kur rimbursohet rimbursohet dhe pikë dhe prandaj do të rimbursojmë direkt një masë të madhe të tatimit mbi vlerën e shtuar, është një mesazh që do të na ndihmojë shumë për të qenë më bindës kur shkojmë dhe takojmë investitorë të huaj dhe për të mos u gjendur siç u gjendëm në Itali kur takuam botën e sipërmarrjes italiane, e cila me gjithë entuziazmin na e përsëriti përmes të gjithë atyre që morën fjalën, se për çfarë arsye duhet të besojmë ne se në Shqipëri ka filluar kapitulli i një vendi normal, kur ne kemi dëgjuar nga investitorët në Shqipëri se qeveria të merr TVSH-në dhe nuk ta jep mbrapsht, se qeveria të bën kontrata që nuk i respekton dhe të lë në borxh me bankat, se qeveria të shfaqet te dera dhe të thotë e ke gjobën kaq e aq dhe të bën kontrolle njëherë në muaj për të të marrë para, se qeveria ta kërcet gjobën e të thotë bjere njëherë këtu pastaj shko në gjyq se e shohim bashkë, se qeveria kontrollon gjykatat dhe përmes gjykatave të nxijnë jetën, se qeveria nuk bën asgjë për të garantuar konkurrencën e lirë dhe të fitojë më i miri, se qeveria i jep koncesione familjes së vet dhe me radhë e me radhë. Pyetje të investitorëve italianë, jo të anëtarëve të Partisë Socialiste në emigracion.
Ky buxhet me mbështetjen e FMN-së e jep të qartë mesazhin dhe për ta. Por, një gjë ky buxhet, kjo marrëveshje, ky program i ri na imponon, sepse kur thashë që Ministri i Financave, Ministri i Ekonomisë, skuadra jonë ka arritur të negociojë një marrëveshje kaq të favorshme, nuk dua që askush të mendojë se kemi bërë për “budalla” FMN-në. Përkundrazi, përkundër gjithë këtyre favorizimeve që kemi kërkuar për të mos bërë një program klasik austeriteti që do të tmerronte njerëzit më të dobët, kemi marrë angazhime për reforma strukturore shumë të thella. Reforma strukturore shumë të thella në disa sektorë, në luftën kundër informalitetit, në gjithë strukturën e ekonomisë, në gjithë strukturën e sistemit elektroenergjitikë, në gjithë strukturën e marrëdhënieve publik-privat. E, çdo tre muaj Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ulet përballë nesh dhe do të kërkojë nga ne rezultate. Asnjë gërme e kësaj marrëveshje nuk mund të shkelet, sepse ndryshe nga Sudja, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk thotë kjo ishte loja në fund, por llogarit pastaj i kërkon në arbitrazh.
Kështu që, ne jemi të vendosur t’i bëjmë këto reforma strukturore, jemi të vendosur që të bëhemi pjesë me gjithë të tjerët e një reforme themelore që duhet të nisë një orë e më parë, administrative dhe territoriale. Se nuk ka ndjesi më të keqe se sa të shohësh sesi thërrmohet buxheti në njësi vendore në 366 pjesë, nga ku 150 pjesë nuk japin asnjë kontribut për buxhetin e shtetit, se janë komuna të vogla që s’kanë asnjë të ardhur, ndërkohë që kompaksimi i territorit siç është dhe gjithë trendi botëror dhe evropian do të na sjellë dhe kompaktësim të buxhetit, kompaktësim të investimeve, kompaktësim të administrimit të ujësjellsave, kompaksim të administrimit të kanalizimeve, kompaktësim të shërbimeve në mënyrë që të ndërtojmë shtet siç kemi premtuar dhe jo të vazhdojmë të shpërndajmë lëmosha dhe thërrime për të marrë mbrapsht vota.
Faleminderit! Edhe njëherë ndjehuni tërësisht të gatshëm për të përballur një debat që është i fituar në shifra, në fakte, në prova dhe që me patjetër duhet të kalojë tek shqiptarët mesazhin e qartë se, nga 1 janari Shqipëria ka filluar rrugën e një ndryshimi rrënjësor që ne krye të katër vjetëve do të përkthehet në një rritje ekonomike të qëndrueshme me mbi 4%.
Faleminderit !