Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama për prezantimin në Kuvend të Projektbuxhetit 2017:

Projektbuxheti që sot do të votojmë në parim, finalizon një përpjekje të madhe e të vazhdueshme, të këtij mandati qeverisës, për të futur shtetin në shinat prej nga kishte dalë plotësisht kur ne morëm detyrën; për të vendosur rregull në llogaritë e shtetit, duke ulur gradualisht borxhin publik; për të rritur në mënyrë të qëndrueshme fuqinë blerëse dhe konsumin; për të financuar bindshëm reformat e mëdha të viteve të fundit, të cilat, siç e nënvizoi edhe vetë Kancelarja Merkel pak ditë më parë, kanë çelur rrugën e një ndryshimi rrënjësor në Shqipërinë e viteve të fundit.

Ky buxhet është një arritje shumë e rëndësishme, pas përpjekjesh të mëdha e mundimesh jo të vogla.

Besoj se një ndër treguesit më kuptimplotë të kësaj arritjeje është spostimi i 100 milionë dollarëve nga arka e shtetit, në arkën e familjeve të punonjësve të këtij shteti e të pensionistëve; rritja më e lartë e rrogave e pensioneve në një buxhet të vetëm, në harkun e 25 vjetëve.

Sa për të pasur një ide të domethënies së kësaj rritjeje, mjafton një krahasim shumë i thjeshtë:

Në tetë vjetët e qeverisë së shkuar u spostuan nga arka e shtetit në arkën e familjeve, përmes rritjes së rrogave e pensioneve, 124 milionë dollarë gjithsej.

Ndërsa vetëm me këtë buxhet, ne spostojmë 100 milionë dollarë.

Ndërkohë që përmes uljes së taksës mbi të ardhurat personale, në sistemin publik dhe privat bashkë, kemi spostuar 440 milionë dollarë në harkun e 4 viteve!

Që do të thotë se kjo qeveri dhe shumica e këtij parlamenti kanë vendosur të heqin mbi gjysëm miliardë dollarë nga duart e shtetit, për t’i kaluar në duart e qytetarëve – saktësisht 540 milionë dollarë në 4 vjet.

Por këtu dua të kërkoj edhe një ndjesë për një saktësim! Sepse kjo shifër, që e kam përdorur dhe e kemi përdorur edhe më parë, nuk përfshin rritjen e rrogave të Policisë së Shtetit qysh në buxhetin e parë, me rreth 10 milionë dollarë në vit, ose 40 milionë në 4 vjet, çka e çon shifrën e përgjithshme në 580 milionë dollarë!

Në të njëjtën kohë na është dashur të shlyejmë një mal prej 720 milionë dollarësh borxhe të fshehura, që i gjetëm mbi tavolinë, sapo morëm detyrën!

Por s’ka mbaruar, sepse, sikur të mos mjaftonte ai mal dhe mali tjetër i borxhit prej 1.1 miliardë dollarë të akumuluar nga OSSHE-ja në 6 vjet, nga viti 2007-2013, na u desh të përballemi me një krizë të vërtetë financimi të kantiereve të hapura të rrugëve.

Sa për ilustrim, sepse është interesante:

Shqiptarëve u thuhej përditë nga qeveria e vjetër, se ishin ndërtuar 10 mijë km rrugë. Ndërkohë që gjatë qëndrimit këtu në opozitë, qeveria e vjetër thotë se ka ndërtuar 11 mijë, domethënë ka bërë edhe 1000 km të tjera mbasi është larguar nga detyra në vitin 2013, po kjo është një histori tjetër.

E vërteta është se qeveria e vjetër tenderoi nga viti 2005 në vitin 2013, 1.744 km rrugë. Pra, jo 10.000, jo e jo 11.000, po saktësisht 1,744 km – përjashto këtu Rrugën e Kombit që u bë pa tender fare – dhe likuidoi vetëm 34% të vlerës financiare të kontraktuar, duke lënë pas nje gropë madhështore mungese parash për tenderat që kishte bërë dhe kantieret që kishte hapur me daulle elektorale në të katër anët e Shqipërisë.

Pra, për rrugët e nisura nga të katër anët dhe të lëna rrugëve, bashkë me litarin jashtë të një borxhi të keq që praktikisht çoi në prag të kolapsit financiar në vitin 2013, qeveria e vjetër e asaj këngës “Rrugë, rrugë, rrugë…!”, kishte para vetëm për 1/3-ën e shumës së tenderuar, ndërsa 2/3-at ia la në kurriz kompanive dhe qeverisë sonë.

Dhe kanë tre vjet e ca, që vazhdojnë me avazin qesharak, “Ne bëmë 11.000 km rrugë, ju s’keni bërë asnjë kilometër!”…

Në fakt e dini sesa kilometra rrugë ka bërë realisht qeveria e vjetër në 8 vjet? Vetëm 943 km! S’po i hyj fare se si i ka bërë për faqe të zezë pjesën më të madhe të tyre, por po them vetëm të vërtetën e thjeshtë që tregon libri i llogarive të infrastrukturës rrugore të këtij shteti:

As 10.000, 11.000 jo e jo, po as edhe 1000 km! Vetëm 943 km!

Ka plot xhevahire të tjera në atë gropë që kemi tre vjet që mbushim, por për sot po ndalem me kaq.

E meqë jemi te gropat, po ju jap edhe një shifër tjetër për katandinë e doganave e të tatimeve dhe politikën e hartimit të buxheteve të qeverisë së vjetër, të cilës në 8 vjet, mes parashikimit të të ardhurave dhe realizimit të tyre i munguan 1.55 miliardë dollarë.

Që do të thotë se në çdo buxhet që miratoi ky parlament, në ato 8 vjet të rrugës drejt rrënimit të themeleve të shtetit, e shtyu Shqipërinë një hap më afër greminës financiare, duke e çuar mu në buzë të saj në vitin e mbrapshtë 2013.

Tre buxhetet tona të mëparshme, 2014-2015-2016 ishin buxhete që mundësuan shmangien e asaj gremine, konsolidimin fiskal dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.

Sot, nga një ekonomi që luhatej mes 0 dhe 1% rritje në muzgun e qeverisë së vjetër, ne kemi një ekonomi që këtë vit do të rritet mes 3.3-3.5.% dhe do të vazhdojë të rritet çdo vit, duke sjellë më shumë zhvillim, më shumë mirëqenie.

Duke e ditur më mirë se kushdo në fakt, se e lanë shtetin buzë greminës, miqtë tanë këtu në të djathtë e predikuan gjatë fundin e shpejtë të kësaj qeverie dhe i parashikuan Shqipërisë një skenar grek, – ju kujtohet, – me fund edhe më të hidhur.

Pastaj vazhduan me parashikimin e uljes dramatike të konsumit dhe më tej fantazuan edhe deflacionin që u mbiu në gjuhë ca kohë, si zbulimi i një sëmundjeje të brendshme të ekonomisë, që do rezultonte fatale për qeverinë e për vetë Partinë Socialiste, e cila do përfundonte si Pasoku!

Por, ja ku është qeveria, aty ku ishte dhe aty ku do të jetë edhe sot një vit, për të paraqitur buxhetin e pestë të këtij koalicioni, ku Partia Socialiste është e do të jetë përsëri në krye të detyrës së saj, për ta përmbushur misionin e nisur për një Rilindjeje Shqiptare.

Po le të qëndrojmë tek buxheti ynë i katërt, ky që paraqesim sot, për të çelur një kapitull të ri zhvillimi për vendin, jo vetëm sepse:

rrisim rrogat dhe pensionet, por edhe sepse financojmë reformat si motorë të rritjes ekonomike dhe modernizimit të shtetit;

hyjmë në trajektoren e një uljeje historike të borxhit publik të shtrirë në kohë;

përmirësojmë më tutje menaxhimin e financave publike dhe stimulojmë mirëqeverisjen, duke e vendosur qytetarin më në qendër së asnjëherë më parë të një projektbuxheti të diskutuar në këtë parlament!

Dua që kush e ndjek këtë fjalë dhe këtë seancë t’i dëgjojë mirë këto shifra.

Deri përpara tre vjetësh, në momentin kur ne sollëm këtu buxhetin e parë, 97% e shqiptarëve taksapagues e kishin në fyt lakun mbytës të padrejtësisë së taksës së sheshtë. E cila, iu thithte nga xhepat rreth 19 milionë dollarë në muaj. Menjëherë, me atë buxhet, në ato kushte jashtëzakonisht delikate dhe në vijim çdo vit, ne filluam t’u kthejmë atyre, pra, 97% të taksapaguesve, mesatarisht 9 milionë dollarë çdo muaj.

Qeveria e vjetër kërkon të rikthehet në pushtet dhe pikën kyçe të programit të saj të vjetër, me të cilin do të dalë prapë për vota, ka që atyre 97% shqiptarëve që paguajnë taksa t’ua marrë mbrapsht nga xhepi këto para dhe t’i rifusë në arkën e shtetit. Po si mund të votojnë shqiptarët, rivënien e këtij laku në fyt?

Dhe e dini se sa do të kishte shkuar sot borxhi publik, me sistemin e tyre të taksimit, sistemin e tyre të hartimit të buxheteve, sistemin e tyre të mbledhjes së të ardhurave, sistemin e tyre të keqqeverisjes e të favorizimit ekstrem të një kaste të privilegjuarish? Plot 94%, nga 69.8% që ka rënë në tremujorin e dytë të këtij viti!

Nejse, kjo vlen vetëm si kuriozitet, sepse s’ka për të ndodhur kurrë, pasi qeveria e vjetër s’do të bëhet dot kurrë qeveri e re, deri kur të vazhdojë me avazin e vjetër të shpifjes që ka zëvendësuar vizionin, gënjeshtrave që kanë zëvendësuar programin, të recituesve të shpifjeve e gënjeshtrave që kanë zëvendësuar ekipin dhe natyrisht, me liderin që nuk kanë me kë ta zëvendësojnë, sepse e kanë një, të vetëm dhe të papërsëritshëm!

Kur flasim për taksa, të mos harrojmë se nuk janë vetëm ato 580 milionët që në katër vjet s’i takojnë më shtetit, por arkës së familjeve të shqiptarëve që punojnë dhe të pensionistëve.

Janë edhe ato 46 milionë dollarë të tjera, që qeveria e vjetër, përmes tatimit të dyfishtë dhe taksës së sheshtë ia merrte biznesit të vogël; të cilat falë heqjes së tatimit të dyfishtë që ditën e parë të kësaj qeverie dhe taksimit të ndershëm, ne ia kemi hequr arkës së shtetit për t’i kaluar në arkën e familjeve që jetojnë me një biznes të vogël.

Tani, kush ma thotë dot, cila qeveri në këto 25 vjet e ka bërë një operacion të tillë financiar për të rritur fuqinë blerëse të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi?!

E dyta, cila qeveri dhe si, do të mund të bënte më shumë për arkën e familjeve të këtij vendi në harkun e katër buxheteve, duke u nisur nga ku u nisëm ne, për të ardhur këtu ku kemi mbërritur, me një ulje kaq të fortë taksash e një rritje kaq të lartë rrogash, por duke ulur njëkohësisht borxhin e duke ruajtur defiçit primar pozitiv?!

Dhe e treta, cila qeveri, përveç të vjetrës që na la shëndenë, bashkë me pasojat e sëmundjes së rëndë të keqqeverisjes, nuk do të rriste ndërkohë taksën për biznesin e madh, ashtu siç bëmë ne me plot të drejtë?!

E në fakt, dua ta kujtoj këtu, – e besoj se ka rëndësi, – se taksën për biznesin e madh e rritëm kur erdhëm në detyrë, por e kishim paralajmëruar troç, kur dolëm për të kërkuar votën e shqiptarëve.

Tani, qeveria e vjetër na akuzon se kemi rritur taksat për të pasurit, a thua se ka bërë ndonjë zbulim që po na vë ne në siklet! Asnjë zbulim, asnjë siklet! Krenarë që kemi mbajtur zotimin madhor të programit tonë: Sot, kush fiton më pak, paguan më pak dhe kush fiton më shumë, paguan më shumë dhe janë 97% e shqiptarëve që paguajnë më pak taksa se 3 vjet më parë.

Natyrisht, pyetjet që bëra më lart dhe sqarimi për kë u ulën e për ku u rritën taksat, janë për njerëzit që respektojnë rendin logjik të gjërave dhe kokëfortësinë e shifrave e jo për ata që në këtë parlament, mendjen e kanë si të rendisin gënjeshtra pas gënjeshtrash e shpifje pas shpifjesh dhe shifrat i nxjerrin nga rrjedha e fabulave të tyre qesharake, për të varfërit që pasurohen duke varfëruar të pasurit.

Po le të vazhdojmë, sepse nuk janë vetëm paratë nga ulja e taksave mbi të ardhurat personale apo mbi biznesin e vogël dhe rritja e rrogave e pensioneve, që qeveria jonë ka shtuar e do të shtojë në arkën e familjeve, përmes katër buxheteve tona.

Janë 70 milionë dollarë në vit, ose 280 milionë dollarë në katër vjet, që qeveria e vjetër ua hiqte nga xhepi njerëzve të këtij vendi, duke i detyruar t’i paguajnë ilaçet 30% më shumë sesa çmimi i vendeve të origjinës. Ndërsa efekti i taksës 10% për çdo ilaç, të cilën ne e bëmë zero qysh vitin e parë, është 84 milionë dollarë të tjera në katër vjet. Pra, ja edhe 364 milionë dollarë të tjera që vetëm nga këto dy lëvizje, të parashikuara në programin tonë qeverisës, shkojnë plus në arkën e familjeve shqiptare, falë katër buxheteve të këtij mandati.

Po ka edhe një lajm të ri dhe shumë të rëndësishëm në këtë buxhet, nga fusha e shëndetësisë. Duke e thelluar më tej reformën në shëndetësi, në vitin 2017, ne do të zgjerojmë listën e ilaçeve të rimbursueshme dhe për plot 600 mijë shqiptarë! Të cilët, janë të pasiguruar e deri më sot nuk kanë përfituar dot asnjë rimbursim nga kjo listë. Nga janari i vitit që sapo vjen do të rimbursohen plotësisht. E dini çfarë do të thotë kjo?

8 milionë dollarë çdo vit, që njerëzit në nevojë për ilaçe dhe të pasiguruar për shkak të pamundësisë financiare, nuk do t’i shpenzojnë më për ilaçe, por do t’i mbajnë në arkën e familjes së tyre për nevoja të tjera.

Mjeku i familjes falas! Një shërbim parësor, i cili që prej këtij viti që po mbyllim, nuk thith më 6 milionë dollarë si deri dje nga xhepat e shqiptarëve të pasiguaruar, – doni shëndetësi falas? E kuptoni se çfarë është shëndetësia falas?! – sepse mbulohet 100% nga shteti. Dhe këto para u mbeten për nevoja të tjera familjeve të 600 mijë shqiptarëve të pasiguruar.

Se shëndetësia nuk është falas për pasanikët, as për ata që kanë mundësi të sigurohen. Problemi është si i bëhet me ata që s’kanë mundësi të sigurohen, që do të thotë, 12 milionë dollarë në 2 vitet e dyta të këtij mandati, plus 8 milionë dollarë rimbursime, bëjnë apo nuk bëjnë 20 milionë, të cilat, duke iu shtuar 364 milionëve që numërova pak më lart, e çojnë në 384 milionë dollarë, në katër vjet shifrën e përgjithshme të parave që nuk fluturojnë më nga xhepat e shqiptarëve, as në drejtim të paditur, si paratë e çmimit 30% më shtrenjtë të ilaçeve sesa në vendet e origjinës dhe as në drejtim të arkës së shtetit, si paratë e taksës së sëmundjeve.

Pra, për arsye shëndetësore, ne shqiptarëve iu kursejmë 384 milionë dollarë. Këto 384 milionë dollarë iu mbeten atyre për nevoja të tjera.

Po t’iu shtojmë 580 milionët që numërova më parë dhe 46 milionët e tjera të kthyera tek arka familjare e atyre që jetojnë me një biznes të vogël, bëjnë apo s’bëjnë mbi 1 miliardë dollarë që shteti, përmes kësaj qeverie, ua ka lënë njerëzve dhe nuk i merr më në arkën e tij. Janë pak?! Mbase nuk janë shumë, po besoj se mjafton ta parafytyrojmë vetëm për një sekondë, sikur këto mbi 1 miliardë dollarë të mos i kishin njerëzit, po të vazhdonte t’i merrte shteti, për të kuptuar se në çfarë derexheje do të ishte katandisur sot ky milet!

Ashtu sikundër mjaftojnë dhe teprojnë për të kuptuar se nga çfarë zgjebeje financiare dhe ekonomike shpëtuan shqiptarët me votën e tyre në qershor të 2013-ës!

E dini sa rriten si përfundim shpenzimet publike të shëndetësisë për banor?

Nga 122 mijë lekë, në 160 mijë lekë, që do të thotë +30%. Janë pak?! Mbase! Por janë qartësisht shumë më tepër se ç’ishin dhe shumë e shumë më tepër se ç’do të ishin në rast se rruga e rrënimit që u ndërpre në qershorin e 2013-ës do të kishte vazhduar pas berihait dhe daulleve elektorale.

Lidhur me investimet në shëndetësi, e dini sa është shifra që kjo qeveri do të investojë me mbështetjen e kësaj shumice parlamentare në këtë buxhet të katërt në rrugën shumë të vështirë të rilindjes së shëndetësisë?

Është afro 3% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar!

52 milionë dollarë investime, financimi më i madh për shëndetësinë, në një vit buxhetor në harkun e 26 viteve.

E kjo është e rëndësishme. Nga këto 52 milionë dollarë, 31 milionë i investojnë kompanitë partnere të sektorit publik të shëndetësisë, përmes të ashtuquajturave dhe të shumëmallkuarave koncesione. 31 milionë dollarë investime i bëjnë kompanitë.

E kam gjithnjë me shumë dëshirë shpjegimin e partneriteteve publike – private në tërësi, po veçanërisht në shëndetësi, sepse është një nga ato debate ku përballja me injorancën e kardiologëve të kthyer në politikanë dhe të opinionistëve të kthyer në ideologë, është e qartë si drita e diellit. Natyrisht, për ata që kanë sy të shikojnë, e jo për ata që janë të verbër.

A e keni dëgjuar, kur i rrokanisin kokën miletit, duke iu thënë “paratë tuaja ua kanë dhënë ca miqve”, apo “shërbimin që bëjnë ata, miqtë, për shtetin, shteti duhet ta bëjë vetë”?

Ja ku janë shifrat!

Shikoni shifrat historike!

Shteti sot nuk investon dot më shumë se 21 milionë dollarë drejtpërdrejtë. Kaq ka për shëndetësinë. Borxh nuk merr dot. Edhe po të merrte, prapë do të ishte një hile, sepse do t’ua merrte njerëzve.

Pa llogaritur që shërbimin publik që kompanitë private bëjnë për llogari të shtetit, pa i kërkuar asnjë qindarkë nga xhepi qytetarëve shteti nuk e bën dot aq mirë sa ata.

Atëherë, si i bëhet ndryshe për të rritur investimet dhe për t’i siguruar ato shërbime aq të domosdoshme që nuk i sigurojmë dot ndryshe?

Ja pra, i bëhet kështu si e bën e gjithë bota e arsyeshme dhe e përparuar. Kompanitë thirren në partneritet, jo për t’iu dhënë paratë e shtetit që t’i çojnë nëpër shtëpi, por për të investuar menjëherë një sasi parash që shteti nuk e ka; për të siguruar menjëherë shërbimet që shteti nuk i siguron dot dhe shteti shlyen çdo vit në harkun e 7 apo 10 viteve, sipas marrëveshjeve, këto investime, duke shpenzuar vetëm 5% të buxhetit të sektorit. Ndërkohë që, ajo që merr në këmbim është diçka që përndryshe s’do ta kishte dot. Përndryshe, sot, ata që kanë nevojë për të bërë hemodializë do vazhdonin të llahtariseshin e të torturoheshin bashkë me familjarët e tyre, për të ardhur tre herë në javë në Tiranë. Ndryshe, ata që operohen në spitale, s’do kishin instrumente mjekësore të standardeve më të larta. Ndryshe, Shqipëria sot e gjithë ditën s’do kishe asnjë statistikë të sëmundshmërisë se nuk do bënte dot Check-up.

Ajo që ndodh me këto investime, në fund, është ajo që na duhet për të kuptuar se sa e paudhë është propaganda që paratë po i merren shtetit dhe po u jepen miqve, sepse në fakt, në harkun e 7 deri 10 viteve, sipas marrëveshjeve, edhe infrastruktura moderne e Check Up-it, që shteti nuk e ndërton dot vetë se s’ka para; edhe pavijonet moderne të dializës, që shteti nuk i ndërton dot vetë menjëherë se s’ka para; edhe shërbimi modern i instrumenteve mjekësore, që shteti nuk e jep dot vetë menjëherë se s’ka para; edhe laboratorët modernë të analizave, – bëhen të gjitha pronë e shtetit shqiptar.

Është shumë më e shëndetshme sesa të turresh të marrësh borxhe dhe të zhytesh më thellë në borxh për t’i bërë këto investime.

Nuk është një zbulim i yni. Është një trend botëror. Mjafton të shikoni partneritetet publike private që bën Gjermania, vendi më i fuqishëm i Europës, e deri te Turqia që shëndetësinë e ka kthyer në model, për të kuptuar se çfarë paudhësie duhet për t’i hyrë kësaj propagande të shfrenuar të marrësh, që nuk kanë lidhje me shtetin e nuk kuptojnë fare si funksionon shteti dhe kur e kanë pasur shtetin në dorë e bënë rrush e kumbulla.

Vazhdojmë pak më konkretisht me rritjen e rrogave e pensioneve.

Rrogat rriten mesatarisht me 10%.

Lajmi më i mirë në këtë rritje rrogash, në këndvështrimin tim, është për ata që kanë rrogën më të ulët në administratë, për ata që janë struktura mbështetëse e administratës, nga pastrueset, tek të gjithë të tjerët që sigurojnë kushtet që të hapet dera e institucionit e të fillojë puna.

220 mijë lekë të vjetra rrogë kanë ata sot. Atyre do t’ua rrisim rrogën 36% dhe do t’iu shkojë 370 mijë lekë të vjetra. Nuk mjafton! Patjetër që nuk është shumë, por sigurisht që s’ka të krahasuar me atë që është sot.

Rroga për mësuesit dhe pedagogët do të rritet mesatarisht me 10%.

Rroga mesatare bruto për mësuesit e 9-vjeçares do të shkojë 646 mijë lekë.

Për mësuesit e gjimnazeve 679 mijë e 500 lekë.

Për lektorin do të rritet mesatarisht me 103 mijë lekë në muaj.

Për Profesorin do të rritet mesatarisht me 139 mijë lekë në muaj.

Për mjekët, që i lanë si mos më keq në 20 e ca vite dhe që sot marrin mesatarisht 690 mijë lekë, do të rritet 780 mijë lekë, mesatarisht 13%.

Për infermierët që sot marrin 390 mijë lekë, do të shkojë 450 mijë lekë, do të rritet 15%.

Policia që ka pasur një rritje të vazhdueshme nga dita e parë, do të ketë një rritje të mëtejshme me 10% mesatare, por duke privilegjuar gjithmonë ata që janë më poshtë e më pak ata që janë më lart.

S’do të ketë asnjë rritje rroge, asnjë qindarkë as për mua, as për ju.

Patjetër që pika ku pamjaftueshmëria është më evidente, është tek pensionet. Ato rriten me 3%. Nuk është as pak, por nuk është shumë, vetëm se është e kushtëzuar nga marrëzia e keqqeverisjes së sistemit të pensioneve në vite, nga zhytja pafund në rrugën drejt falimentimit të skemës së pensioneve që ishte në prag të shpërthimit, në momentin kur ne erdhëm në krye të detyrës.

Të gjithë pensionistët që kanë dalë dhe do dalin në pension, pasi ne bëmë reformën që askush s’guxoi ta mendonte, jo ta bënte përpara nesh, tanimë kanë një pension që sipas kontributeve shkon shumë më lart, sesa tavani që i latë ju pensionistëve, të cilët le të kishin bërë heroizma, nuk mund të merrnin më shumë se 240 mijë lekë.

Për herë të parë në gjithë këtë tranzicion të gjatë e të vështirë, që pjesën e vet më të rëndë ka pasur për pensionistët, ne, kjo qeveri, kjo shumicë futëm konceptin e pensionit social për gjyshet dhe gjyshërit, që, përndryshe, ju i kishin regjistruar si kategori të vdekurish, të pakallur dhe asnjë qindarkë për shkak se s’kishin dhënë asnjë kontribut gjatë jetës së tyre.

Sot do të ishin mbi 5000 pleq e plaka pa asnjë kokërr leku në xhep. Ndërkohë që të gjithë sot kanë një pension social. A është shumë?

Nuk është shumë, por është mjaftueshmërisht për t’ju dhënë qartësisht shenjën e respektit për dinjitetin njerëzor.

Numri i familjeve në skemën e ndihmës zgjerohet me 4 mijë. Ndërkohë që skema është pastruar nga të gjitha horrllëqet dhe batakçillëqet e 20 e kusur viteve, ku merrnin ndihmë ekonomike njerëz me vila e dy vetura dhe liheshin pa ndihmë ekonomike, ata që nuk i duheshin partisë për vota në zgjedhjet e ardhshme.

E ndërkohë, ndihma ekonomike në vetvete është dy dhe tre fishuar në shumë. A është mjaftueshëm? Jo, nuk është mjaftueshëm.

Asgjë nuk është mjaftueshëm ende sot, por të gjitha janë mjaftueshëm për të bërë krahasimin me pikën e zezë ku ne u nisëm.

U zgjidh përfundimisht problemi për 5130 ushtarakë, të cilët u detyroheshin shtetit 10 milionë dollarë për shkak të diferencës së përllogaritjes së pensioneve dhe diferencë që jua mbajtët në fyt me jo vetëm indiferencë, por edhe me qëllim, duke i përbuzur si pjesë e regjimit të kaluar. Sot, kjo padrejtësi ka marrë fund dhe këto 10 milionë dollarë, ne nuk i kërkojmë më, janë në arkën e familjeve të tyre.

Të përndjekurit politikë, kur ne morëm detyrën, nuk morën votën e tyre. Nuk kemi ardhur në këtë parlament në vitin 2013 me votën e tyre. Të paktën të shumicës së këtyre. E morët ju votën e shumicës së tyre, edhe pse në 20 e kusur vite provuat vetëm një gjë, që ata ju duhen vetëm si maskë për komunistin që keni në krye. Asgjë tjetër! Një maskë për të derdhur lot krokodili dhe pa u kujtuar kurrë se në radhë të parë, dëmshpërblimi i detyrohej atyre që janë ende gjallë. E çfarë gjetëm ne?

Ne gjetëm njerëz që pas ferrit të diktaturës komuniste zvarriteshin në ferrin e indiferencës suaj dhe nuk kishin marrë asnjë qindarkë, asnjë këst, ndërkohë që në emër të dëmshpërblimit të trashëgimtarëve, ju, siç pollët trashëgimtarë të paligjshëm për prona që nuk ju takojnë, pollët dhe trashëgimtarë fallco të persekucionit politik.

Ky buxhet ju thotë të gjithë të gjallëve, siç e kishim premtuar në program, deri kur mandati i kësaj qeverie të mbyllet, të gjithë ju do jeni shlyer 100% dhe nuk ka rëndësi fare, a na keni votuar, a do na votoni. Kjo për ne ka qenë, është dhe mbetet një çështje dinjiteti njerëzor dhe jemi shumë krenarë që ne jemi ata që e vëmë në vend dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur nga ju, që ju morët votën pa hesap dhe pa hesap i latë në rrugën e dëshpërimit.

Dëgjova këtu herën e kaluar, kur solla në vëmendje edhe një tjetër çështje të dinjitetit njerëzor, për pensionin e naftëtarëve në bazë të një statusi të posaçëm, që ne qenkemi qeveria që po shkatërrojmë buxhetin me skema anekse. Jo, nuk janë fare anekse këto. Ju i keni parë si anekse njerëzit dhe kategoritë e tyre, sepse e kishit paradhomën plot me kastën dhe nuk ju binte rruga fare nga aneksi.

5000 naftëtarë, me buxhetin që miratojmë sot në parim do të marrin pension të posaçëm në bazë të statusit të naftëtarit.

Në total këto masa, që janë masa të dinjiteti njerëzor, janë 63 milionë dollarë. Fare mirë ne mund të bënim si ju, mos t’ua hiqnim njerëzve lakun nga fyti, por t’ia shtrëngonim më fort, “taksë e sheshtë, taksë e sheshtë”, deri sa t’i sheshonim fare!

Mund të mos ndërhynim në çmimin e ilaçeve, mund të mos ndërhynim tek taksa e sëmundjeve, mund t’u thonim atyre që janë të pasiguruar, vrisni veten, por kur shkoni tek mjeku i familjes, kur keni nevojë për ilaç, tundni “xhixhat”;

Mund t’u thonim të përndjekurve politikë, ç’pune keni me ne, s’na keni dhënë votën”, siç bënit ju me ushtarakët në mënyrën më të paskrupullt, “s’na keni dhënë votën, ju jeni e kaluara, shkofshi në djall!”

Mund të mos merreshim me të gjitha këto dhe gjithë ato para t’i fusnim në buxhet e t’ju këndonim juve këngën, “rrugë, rrugë, rrugë, hajde takohemi tek rruga, po të na bjeri rruga”.

Por ne jemi thelbësisht ndryshe nga ju. E jemi kaq ndryshe, sa unë shpeshherë habitem sesi jemi të njëjtët shqiptarë, vijmë nga e njëjta histori, ndajmë të njëjtat qytete, jemi fqinj. Atje në kafe duket sikur jemi një parti dhe kur shfaqeni për të bërë politikë, jeni gjëja më e pabesueshme që ka prodhuar ky vend në historinë e vetë të politikës.

Dua ta përsëris çështjen e borxhit, se kam dëgjuar këtu këngëtarë të zisë së borxhit që flasin, po nuk dinë çfarë flasin. Jo vetëm që ne hymë në rrugën e uljes së borxhit, pasi kemi vendosur qëndrueshmëri në themelet e shtetit, por për 100 lekë të marra borxh, kur qeverisnit ju, investoheshin 141. Ndërsa sot, për 100 lekë të marra borxh, investohen 194. Është diferencë e madhe, sepse ju borxhet i merrnit për propagandë e për gropa. Kurse ne me borxhin kemi kuruar plagët e rënda të keqqeverisjes suaj.

E faktikisht, nga 71 euro në vitin 2013, sot, 63 euro është ajo që çdo fëmijë paguan nga e ardhmja e vet për interesat e borxhit – borxhi është i fëmijëve, jo i joni që jemi këtu, prandaj edhe kush qeverisi përpara tha “hani pini e këndoni sa të jetë lala Gjoni, kur të iki lala Gjoni, merrni trastën e kërkoni”, por puna është që as lala Gjoni nuk ikën e as trasta nuk latë ju, se i morët të gjitha për vete.

Jemi duke paguar interesat më të ulëta në histori, çka tregon ndër të tjera se kjo ekonomi, që ju e mallkoni çdo ditë si fundin e botës, ka fituar besim në tregun ndërkombëtar. E për të parë se çfarë besimi ka fituar në tregun ndërkombëtar, nuk po ju them t’i referoheni Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk po ju them t’i referoheni Bankës Botërore, por ju them referojuni Raporti të Progresit e na gjeni në historinë e Raporteve të Progresit të Komisionit Europian, një kapitull për ekonominë më pozitiv se kapitulli për ekonominë i Raportit të fundit të Progresit.

Ky buxhet parashikon një rritje të të ardhurave në masën 7.6% më shumë sesa ky vit. Por është një rritje që nuk bazohet në rritje taksash, se nuk rrisim taksat. As atyre që fitojnë më shumë, nuk u rrisim më shumë taksat, sepse jemi të vetëdijshëm për ekuilibrin që duhet të mbajmë, pasi ne nuk mendojmë se shkaku i varfërisë janë të pasurit. Ne mendojmë të kundërtën, sa më shumë të pasur të ketë, aq më pak ka varfëri. Jo sa më shumë të varfër të pasurohen e të pasur të varfërohen, aq më shumë rregullohet kjo punë, se kjo është histori qesharake.

Nga ana tjetër, ne kemi lajme shumë të mira, pavarësisht se nuk ulim taksa për ata që fitojnë më shumë, por vazhdojmë të lehtësojmë jetën e tyre përmes një politike edhe më agresive mbështetjeje të sipërmarrjes, duke thjeshtuar procedura, duke vazhduar ta përmirësojmë klimën e biznesit, që në gjithë historinë e “Doing Business” është sot në kuotën e vet më të mirë, por është larg së qeni në kuotën ku ne dëshirojmë të jetë dhe duke i reflektuar këto objektiva në paketën fiskale që shoqëron buxhetin.

Ajo që bëmë ne, është shumë e thjeshtë.

Vendosëm një marrëdhënie të re besimi e partneriteti me sipërmarrjen e i dhamë mesazhin jo me fjalë, por dhe me vepra sipërmarrjes, se sipërmarrja për ne nuk është një grup i vetëm njerëzish, por janë të gjithë ata që krijojnë punë, punojnë dhe kontribuojnë. Në 2 vite, ju kemi ofruar atyre 55 lehtësira fiskale, njërën pas tjetrës, me një vlerë 150 milionë dollarë më shumë, për investime dhe për konsum. Pavarësisht se ju kemi rritur taksën.

E nuk e diskutojmë fare, që kur na thoni, “jua rritët taksën atyre,” na vjen shumë mirë.

Biznesin e vogël ama, që ju e abuzuat në mënyrën më brutale, e kemi sot me 0 taksë, deri në kufirin ku është vetëpunësim i pastër. Zero!

As në ëndrrat tuaja më të guximshme, ku e merrni dhe e bëni fije-fije buxhetin për t’u treguar liberalë, nuk ju shkoi mendja që mund të bëhej zero taksa e tyre. Sepse ju e kishit mendjen si t’ia çonit drejt zeros atyre që mbajnë peng ekonominë dhe që fitojnë më shumë se gjithë të tjerët dhe këta të tjerët ju dukeshin miza. Ndërkohë që për të tjerët, sot është taksa gjysmë për gjysmë, vetëm 5%. Ndërkohë që taksa e biznesit të vogël është zhdukur që ditën e parë, në buxhetin e parë që kemi ardhur këtu në parlament.

E meqë ju flisni shumë për punësimin, për arratisjen, për syrgjynin, po ju them se sot që flasim, numri i bizneseve aktive të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve ka mbërritur 197 mijë. Dhe e dini çfarë janë?

Janë 54 mijë më shumë nga çfarë latë ju!

A janë mjaft? Nuk janë mjaft, për ne që kemi ambicie shumë më të mëdha, duke parë nga e ardhmja, por po të kthejmë kokën e të shohim ku ishim, këto dalin e teprojnë, madje janë të ekzagjeruara në raport me qeverinë e vjetër.

Edhe një gjë “për gjithë të huajt që po ikin, që po marrin shqiptarët me vete, që nuk do ngeli më njeri këtu”, – pyetja është që në fund fare, sipas jush, prapëseprapë do ngelet Saliu, – janë 2239 kompani me kapital 100% të huaj që zhvillojnë për herë të parë aktivitet në 3 vitet e fundit në Shqipëri. Nuk po flasim për të tjera. 2239, me aktivitet 100% të bazuar në kapitalin 100% të huaj, që janë regjistruar në tre vitet e fundit.

Edhe diçka për numrin e të punësuarve. Në shtator të vitit 2013, sipas librave të shtetit, jo sipas librave që bëni ju për qejf, ishin të regjistruar 873 291 punonjës. E dini sa është numri sot dhe flas për punonjës që paguajnë taksa, paguajnë sigurime shoqërore?

Sipas të dhënave të INSTA-t është 1 038 189.

Ndërkohë, sipas listpagesave, janë rritur me 173 mijë më shumë.

Përralla të tilla si “jo, këta ishin aty, por ne nuk i shikonim”, “bënim sikur nuk i shikonim se ishim liberalë”, “se për ne, puna në të zezë është punë e bardhë dhe sa më shumë të jenë në të zezë, aq më shumë jemi ne në të bardhë”, – është muhabet kazani. Ky është punësimi, kështu vlerësohet punësimi në vendet e qytetëruara që njerëzit nuk i ndajnë në qytetarë të dorës së parë që punojnë në të bardhë dhe në skllevër që punojnë në të zezë.

Përveç kësaj, po ju them se fakti i rritjes të kaq shumë bizneseve aktive dhe fakti i rritjes së punësimit në biznese është i pamohueshëm. Ashtu sikundër është e pamohueshme që sot, në Shqipëri, vetëm në zyrat e punës janë 27 mijë vende dhe kjo është shifra e para tre ditëve. Pra, 27 mijë e disa qindra vende të lira pune.

Unë ju sfidoj ju, – meqë keni marrë përsipër të dilni në Shqipëri dhe të vini gishtin tek gropat dhe tek hallet që i krijuat ju, – merrni rrugën nga Zogu i Zi deri në Durrës dhe po gjetët një biznes në gjithë ato ndërtesa që janë me radhë, ku nuk ka një vend të lirë pune të paktën, dilni në televizor dhe tregoni kush është ai biznes.

Nga Zogu i Zi deri ku mbaron vargani i bizneseve në anë të autostradës, shkoni atje, çoni dhe ata të rinjtë revolucionarë që tregojnë të vërtetën. Ta tregojnë të vërtetën, a ka ndonjë derë ku ata të trokasin dhe të dalë sipërmarrësi e të thotë s’kam asnjë vend të lirë pune? Atje ka nga minimumi 1 deri në 50 apo 60 vende të lira pune. Pse nuk mbushen?

Po si e me se do mbushen?! Me juristët që prodhuat ju, duke e bërë Shqipërinë vendin me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë! Nuk mbushen dot, se ata nuk kërkojnë juristë me diplomë “Kristali”. Ata kërkojnë zanatçinj. Pikërisht për këtë arsye, ne do vazhdojmë të stimulojmë, nga njëra anë sipërmarrjen që krijon vende pune, çdo biznes prodhues dhe nga ana tjetër, arsimin profesional.

Janë shumë masa për sipërmarrjen, por të gjithë ministrat kanë shumë gjëra për të thënë lidhur me çdo sektor dhe unë nuk dua të zgjatem, sepse ndërkohë ju keni ardhur këtu për ditën e punës dhe dita e punës tuaj kërkon që të merrni foltoren dhe të vazhdoni me avazin e vjetër të qeverisë së vjetër, që shans nuk ka të marri ndonjë besim, përveçse nga ata që ju kanë besuar sytë e ballit. I kanë hequr sytë nga balli i tyre, ua kanë deleguar juve, ju ia keni deleguar atij që shikon për ju, flet për ju, debaton për ju dhe ju shkoni pas tij, sepse jeni e vetmja parti politike në botë që ka vetëm dy sy, pavarësisht se ka mijëra njerëz.

Sot që flasim studiojnë 17 mijë nxënës në sistemin tonë të arsimit profesional, mbi 50% e atyre që ishin, por në fakt janë 100% në shkolla të arsimit profesional, jo në ato shkolla që i quanit të arsimit profesional dhe për shembull, elektricistit i mësonit zanatin, duke i treguar nga penxherja, “e shikoni shtyllën e dritave, e shikon fijen që lidhet aty që shkon tek ai ballkoni”, edhe kështu me radhë, pa mjete, pa praktikë, pa asgjë.

Nga ana tjetër, 100 mijë nxënës përfitojnë falas nga ky buxhet, tekstet shkollore në sistemin para universitar, ku bëhet fjalë për fëmijën e tretë, e katërt e kështu me radhë.

Vazhdojmë me reformat!

Që ju nuk e doni vettingun, kjo nuk diskutohet. Është një gjë që e kemi ditur që ditën e parë, por që do arrinit në pikën që do të thoshit, “fajin e ka përkthyesi”, kjo është një gjë që ka kaluar të gjitha parashikimet. Është një shprehje: “I humbur në përkthim”, por në fakt përkthimi ku keni humbur ju, është rruga e ankthit nga Reforma në Drejtësi. Ju mbase s’keni faj! Unë mendoj se shumica juaj e ka mendim dhe nuk ka lidhje, s’ka pse të bëhet palë me ata që nuk kanë faj, që largimi i gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi ju duket sikur hap derën e “ububu”- shme të parlamentit tjetër. Kjo është shumë e qartë.

Vetëm se shqiptarëve nuk mund t’ju thoni asgjë më, përderisa i keni dalë haptazi përpara dhe i keni zënë rrugën zbatimit të ligjit të Vetting-ut pa e çarë kokën fare që ky është mur në rrugën e çeljes së negociatave për Shqipërinë. Sidoqoftë, unë ju siguroj, jua kam thënë këtu, në fillim fare, kur flitej për Reformën në Drejtësi, – nëqoftëse nuk e mbani mend, referohuni memories së atyre që mbajnë mend në radhët tuaja, – se do vini këtu dhe do ta votoni që të gjithë. Ju kam thënë mos i bini vërdallë, mos na vononi, se do vini këtu në rresht, siç erdhët dhe do ta votoni që të gjithë. Pavarësisht se kur erdhët, nuk e fshihnit dot dëshpërimin kur ngrinit kartonin jeshil. Unë nuk kam eksperiencë të gjatë nga ky parlament, por nuk besoj në historinë e këtij parlamenti të ketë patur ndonjë votim tjetër, kur kartoni jeshil lart e koka poshtë. Atë votim kam parë unë.

Prapë po ju them edhe njëherë tjetër, ju nuk e ndaloni dot zbatimin e Reformës në Drejtësi. Nuk keni shans ta ndaloni dot. Thjeshtë ju do ta vononi dhe do ta paguani si “frëngu, pulën” vonesën në zgjedhjet e ardhshme.

Unë nuk shqetësohem se çdo paguani ju në zgjedhjet e ardhshme, por shqetësohem që vonesa i lë një faturë shumë të rëndë Shqipërisë. Kjo nuk është më çështje e jona, e juaja, e neve që jemi këtu. Kjo është çështje mirëfilli e interesit kombëtar të Shqipërisë. Juve po i bini ndesh.

Këtu në këtë parlament paraardhësi im ka përdorur shpesh fjalën “antishqiptar”. As e kam përdorur, as e përdor, se juve s’mund t’ju them kurrë antishqiptarë se ju s’keni lidhje me antishqiptarizmin, por problemi është që kjo që bëni me Reformën në Drejtësi është thelbësisht antishqiptare. E bëni se jeni të trembur, e bëni se jeni dhe më të trembur mbas të tremburve në rreshtat e tjerë dhe ju mbani avazin e të tremburve që janë në rreshtat përpara. Apo e bëni se nuk kuptoni se çfarë po bëni, kjo është temë tjetër, por padiskutim, ky është një akt antikombëtar i pastër.

Që të pengosh sot zbatimin e një reforme që shqiptarët kanë 25 vjet që e presin dhe t’i bëhesh sot pritë një vendi të tërë, duke e bllokuar çeljen e negociatave që ka kaq shumë vite që i duhen Shqipërisë, ky është kulmi. Por ne do ta vazhdojmë financimin e Reformës në Shqipëri edhe në këtë buxhet, sepse jemi të bindur që ju do ta vononi, siç vonuat dhe ndryshimet kushtetuese, por s’keni shans që ta pengoni. Mund ta pengoni deri në vetëmohim, por po ju them vetëmohimi juaj do vijë më shpejt se ç’kujtoni ju, në rast se do vazhdoni t’i bëheni barrë Shqipërisë, siç i jeni bërë. E me këtë të Reformës në Drejtësi keni dalë kaq hapur, sa ju siguroj që edhe ata që e kanë pushtuar Shqipërinë janë munduar ta paraqesin pushtimin sikur po i bëjnë ndonjë të mirë vendit. Ju jeni kaq hapur të trembur dhe kaq hapur kundër, sa arrini në budallallëkun e madh të thoni “e ka fajin përkthimi”.

Përsa i përket investimeve të mëtejshme në infrastrukturë, në arsim dhe në shëndetësi janë në buxhet, do të shpjegohen dhe nga ministrat në detaje, por nuk janë të mjaftueshëm dhe shumë shpejt, ne do të paraqesim për publikun, një program masiv investimesh në rrugë alternative. Jam i bindur që do të jetë një program që do të krijojë premisat për një nxitje të re të punësimit dhe të ekonomisë, përpara pranverës së vitit të ardhshëm.

Shumë faleminderit dhe falënderime për të gjithë deputetët e shumicës, – për juve përballë nesh kam vetëm ngushëllime, – që e kanë mbështetur projektin, kanë kontribuar për përmirësimin e projektit dhe mbi të gjitha, pa dallime partiake kanë punuar në harmoni të plotë, duke na dhënë mundësinë që të vijmë këtu me një buxhet që kurorëzon 4 vite të një mandati përpjekjesh të jashtëzakonshme, për të konsoliduar kthesën për të cilën patjetër do marrim një mandat tjetër që të ecim më tutje, në rrugën që tanimë është pa kthim.

Pavarësisht se kush na shtrihet në rrugë përpara, do bëjmë si do bëjmë, i njohim, jemi mësuar, nuk na ngelet vetëm se t’ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.