Bypass-i Beratit, një rrugë e re, që do të çlirojë frymëmarrjen e qytetit

Një rrugë e re, që do të çlirojë frymëmarrjen e qytetit, të rënduar nga trafiku dhe sidomos të qendrës dhe të zonës historike është by-passi i Beratit.

“Është një rrugë që banorët e kanë patur ëndërr”, – shprehet Kryetari i Bashkisë, Ervin Demo dhe kjo për faktin se shumica prej tyre nuk e kanë shkelur asnjëherë, pasi ka qenë e paaksesueshme.

Ndonëse moti me shi, sot nuk e mundëson qartë panoramën e mrekullueshme të natyrës, banorët e dinë se peisazhi i Malit të Tomorrit është i magjishëm në këtë zonë. “Bypass-i është 4.2 kilometra e gjithë gjatësia, me trotuare, ndriçim, korsi biçikletash të dedikuara. Është  një zonë ku qytetarët e Beratit, shumica me shumë gjasa nuk kanë shkelur asnjëherë këtu, pasi ka qenë e paaksesueshme. Në krahun tjetër kemi kalanë e qytetit. Kjo nuk u shërben vetëm banorëve të Beratit, por edhe banorëve të Bashkisë Poliçan dhe Çorovodë. Shkurtohet rrugëtimi i tyre prej minimumi 20 minuta“, – thotë kryebashkiaku Demo.

“Deri më sot kalonin kamionët mes për mes qytetit. Me këtë aks largohet i gjithë trafiku i rëndë nga qendra e qytetit dhe nga zona historike, – shprehet drejtori i FSHZH Dritan Agolli, – duke e kaluar këtu dhe duke i dhënë edhe vlerë të shtuar, pikërisht atë që Berati ka nga pikëpamja e ofertës turistike.”

Të njëjtin fakt pohon dhe Kryeministri, i cili thekson se “hapja e rrugës do t’i sjellë një tjetër dimension zhvillimi, por më e rëndësishmja është që e lehtëson maksimalisht qytetin nga mjetet e  rënda.”

Kryeministri nënvizon se me projekte të tilla zhvillimore, vendi ka dalë nga rruga pa krye e ndërtimeve pa kriter, afatshkurtra dhe jo strategjike. “Na duhet të bëjmë dhe gjëra që duhet të ishin bërë me kohë. Nuk u mendua në mënyrë strategjike. U mendua “hajde o burra”, “hidh ca çakull këtu, shtro ca asfalt atje”  “fut një tub këtu se kemi ca vota andej, dil aty se janë tanët” dhe faktikisht u bë kioska-kioska gjithë zhvillimi.”