Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bypass-i i shumëpritur i Fierit nga sot është 100% në dispozicion të qytetarëve, i hapur në të dy krahët, pas përfundimit të punimeve me të gjitha detajet. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe nga kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi ishin në hyrje të Bypass-it, të cilin qytetarët mund ta askesojnë lirisht tashmë.

22 kilometra i gjatë, Bypass-i i Fierit, autostradë e kategorisë B, ekstra urbane dhe me një limit shpejtësie prej 120 kilometrash, do të kontrollohet me radar shpejtësie për të monitoruar respektimin e rregullave nga drejtuesit e automjeteve.

“Gjerësia e këtij Bypass-i me dy karexhata është 22 metra total. Secila karexhatë ka nga 2 korsi. Është një rrugë e trajtuar dhe në detaje sipas kërkesave të pushtetit lokal. Kemi diskutuar dhe për disa problematika siç është rasti i përmbytjeve duke vendosur 104 tombino, por sigurisht kemi respektuar dhe ambientin duke mbjellë përgjatë gjithë segmentit pemë në të dy krahët e rrugës. Kemi ndërtuar 3 ura përgjatë këtij Bypassi, atë të Pojanit, Semanit dh Hoxharës. 4 udhëkryqe me dy nivele dhe, sigurisht, 21 nënkalime dhe 7 mbikalime”, – u shpreh Ministrja Balluku.

Pas dorëzimit të Bypass-it, puna do të vazhdojë me rrugën e Apolonisë dhe me rrugën hyrëse të qytetit të Fierit për të cilën ministrja tha se, “aty projekti është rishikuar pasi rruga është zgjeruar dhe kemi krijuar akses më të mirë për të gjithë daljen në qytet, që supozohet të jetë dhe aksesi kryesor i këtij Bypass-i”.

Një tjetër vepër për të cilën punimet po avancojnë është edhe Bypass-i i Vlorës, për të cilin ministrja u shpreh se punimet kanë ecur mjaft mirë. “Do fillojmë asfaltimin duke filluar nga kjo javë në një pjesë të mirë të tij. Kanë ecur edhe veprat e artit, kështu që, po plotësohen të gjitha pjesët, qoftë me Bypassin e Fierit dhe me Bypass-in e Vlorës. Ditën e premte ne do lancojmë dhe garën për tunelin e Llogarasë dhe më pas ditët në vazhdim do të lancojmë edhe garën për pjesën më të madhe të korridorit Adriatiko – Jonian”.

Aksin prej 120 kilometra pjesë e Korridorit Adriatiko – Jonian, Kryeministri Rama e cilësoi si një vepër gjigande. “Të sistemohet e gjitha nëpërmjet Thumanë- Rrogozhinës e deri këtu është fantastike”, – u shpreh Kryeministri.

Aksi Milot – Thumanë – Rrogozhinë – Fier, i cili do të lidhet pikërisht me Bypass-in e Fierit dhe do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën rrugore të Shqipërisë Turistike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.