Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bypass-i Perëndimor i qytetit të Shkodrës, një aks i rëndësishëm i rrugës nacionale Tiranë-Hani i Hotit, është një kantier i hapur, ku po punohet paralelisht në të dy lotet e këtij projekti. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për Bypass-in e Shkodrës, përfundimi i të cilit, jo vetëm do të lehtësojë ndjeshëm trafikun e rënduar në rrugët të qytetit të Shkodrës, por njëkohësisht, i plotësuar me të gjithë elementet urbanë, do t’u shërbejë edhe qytetarëve, me trotuare, ndriçim, gjelbërim dhe korsi për biçikleta.

“Në lotin e parë punimet kanë arritur në 66% të volumeve të përfunduara, në lotin e dytë, edhe pse është më i shkurtër, për shkak të komplikacioneve që kemi patur me projektin kemi arritur në 44% të volumeve të punës,” – shpjegoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ndërsa sa i takon problematikës së shpronësimeve, Ministrja Balluku u shpreh se dokumentacioni së shpejti do të jetë gati, duke i hapur udhë projektit të vijojë më tej.  “Kemi problemin që pavarësisht të gjithë ndihmës që ne u japim, qytetarët nuk kanë të gjithë dokumentacionin e disponueshëm, kështu që koha zgjatet më shumë. Tashmë dosjet janë të mbyllura dhe në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të miratohet VKM për këtë pjesë, duke i dhënë mundësi projektit të vazhdojë,” – u shpreh ajo.

Drejtori i përgjithshëm i ARRSH, Ergys Verdho bëri të ditur se Bashkia e Shkodrës ka ngritur pretendimet sa i takon detajeve teknike të projektit. “Duan të ulin kuotën me pretendimin se me pedonalen tonë nuk shohin liqenin,” – tha ai. Lidhur me këtë, kryeministri Rama u shpreh: “Që të ketë besueshmëri kryetarja e bashkisë, – s’dua të bëj polemika këtu,  por është e pamundur t’i shmangësh, – lidhur me bezdinë që krijon, duhet të provojë që syri i saj shqetësohet duke parë atë “Zimbabven” që ka lënë aty tek hyrja. Pasi ta shikojë atë “Zimbabven” e vogël që e ka lënë aty dhe pasi ta pastrojë atë, që të japë një provë që syri i saj sheh dhe shqetësohet kur i prishet niveli i horizontit për të parë të ardhmen, atëherë edhe mund ta diskutojmë, për ta bindur që këtu nuk bëhet fjalë thjeshtë për një rrugë. Këtu nuk bëhet fjalë as për të bërë një shëtitore. Këtu bëhet fjalë për të ndërtuar një bypass të qytetit që është edhe digë mbrojtëse nga përmbytjet. Janë të dyja bashkë dhe në këtë pikë, kjo temë nuk është e sotme. Kjo temë është diskutuar denbabaden, qysh në kohën kur qeveriste partia e zonjës kryetare. Në këtë pikë, sugjerimi i specialistëve në atë kohë, që është dhe i njëjti në këtë kohë, është i vetmi sugjerim për t’u ndjekur. Ndërkohë që, syri i shqetësuar i Voltanës duhet të japë prova që meriton përgjigje, sepse kur sheh atë “Zimbabven” atje të rrëqethet mishi, sepse të duket sikur nuk je në Shkodrën e Luigj Gurakuqit dhe të gjithë atyre njerëzve që, kur i sheh si janë të veshur dhe kur i lexojmë se çfarë kanë shkruar, e bëjnë Shkodrën të jetë ajo që ne imagjinojmë, por që nuk është ajo që kemi sot, sepse bashkëjetesa me rrumpallën dhe me plehrat është një normalitet këtu.

Ne do të vazhdojmë punën. E vetmja gjë që duhet shqetësuar është shpronësimet e personave që kanë të drejtën të marrin dëmshpërblimin. Të gjithë atyre që kanë këtë problem, jo këtu, por në të gjithë Shqipërinë, u them se kjo është një tjetër storie e trashëguar nga e kaluara. Sepse edhe ky bypass i Shkodrës po ndërtohet sot, por është llogaritur që është bërë edhe tek ato kilometrat e  pafundme. Tek ato 10 milionë kilometrat që kishte bërë Saliu me Voltanën ishte dhe ky që s’ka mbaruar akoma sot. Tendera kanë bërë shumë ata, për hir të së vërtetës, i kanë bërë për faqen më të zezë të shtetit shqiptar, por temë tjetër kjo. I kanë bërë të tilla me projekte që u shtohen kostot rrugës. Kanë bërë ato historitë që i kemi parë tek “Tiranë-Elbasani” dhe që kthehen në kosto për popullin shqiptar, se “sheh rrushi, rrushin dhe piqet” dhe u bashkua rrushi blu me rrushin e kuq dhe doli një lloj rrushi që e bëri lëng buxhetin e shtetit. Por ajo që ka vlerë është që ne ta ndërtojmë. E për më tepër, unë nuk shikoj asnjë problem nga pikëpamja panoramike, sepse këtu është një rrugë makinash, nuk është një shëtitore. Sidoqoftë, nga pikëpamja e peizazhit është më së miri, nuk ka asnjë problem,” – përfundoi Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.