Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e Programi Bujqësor dhe Rural, IPARD II:

Është një ditë e rëndësishme për ecurinë e programit të rilindjes së bujqësisë, blegtorisë dhe në tërësi rilindjes rurale. Unë dua ta shpreh që në fillim falënderimin për miqtë dhe partnerët tanë të delegacionit të Bashkimit Europian, të cilët na ndihmuan shumë seriozisht, nga afër, për t’ia arritur realizimit final të një marrëveshjeje, aspak të lehtë.

Zëvendësministri përmendi këtu 1300 dokumente që duheshin përgatitur dhe unë e risjell këtë fakt për të nënvizuar gjënë më të rëndësishme, besoj, në ditën e çeljes së këtij Programi. 50, 70, 90 apo më shumë milionë euro, të ofruara nga Bashkimi Europian, nuk duan të thonë aspak se mund të kthehen në realitetin e investimeve dhe të zhvillimit, nëse nuk ka projekte të mirepërcaktuara dhe të mirëshkruara.

Bashkimi Europian është një nga shembujt më kuptimplotë të të vërtetës së madhe dhe të thjeshtë që vendet nuk dallohen në shkallën e zhvillimit të tyre nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë. Mund të kesh dhe përsëri nuk ke. Ne kemi ujë më shumë se gjithë vendet e Europës, por nuk kemi ujë në fund të ditës, madje kemi dhe problemin e përmbytjeve në mes të dimrit. Sepse nuk kemi ditur në vite e vite të tëra, të ndërtojmë një sistem dijeje të administrimit të këtij burimi kaq të rëndësishëm natyror. Ndërkohë që hebrenjtë nuk kanë ujë fare, Izraeli nuk ka një pikë ujë dhe ka ujësjellësin më ekselent, model reference për gjithë botën. Sepse nuk ka ujë, por ka dije. Ne kemi ujë, por nuk kemi dijen e nevojshme dhe të mjaftueshme për të bërë gjënë e duhur prej kaq shumë vitesh.

Duke u rikthyer tek Programi, ai është në radhe të parë çështje dijeje dhe tek dija duhet të investohen të gjithë ata që do t’i drejtohen programit për të marrë fondet, përndryshe mund të gjendemi në situatën që fondet janë aty, por nuk alokohen për shkak të mungesës së besueshmërisë së projekteve. Një nga arsyet e rritjes së eksporteve në Shqipëri është edhe rritja e kapaciteteve të dijes së një pjese të sipërmarrësve në fshat.

Ne sot kemi mundësinë që për herë të parë të kalojmë 300 milionë dollarët e eksporteve si vend. 5 vjet më parë kishim 150 milionë dollarë eksport, pra, kemi dyfishim të eksporteve në 5 vitet e fundit dhe një nga arsyet është rritja e kapaciteteve të dijes. Por nuk kemi kapacitetet e nevojshme të dijes sot, për të bërë kapërcimin e madh që duam dhe duhet të bëjmë e do ta bëjmë përmes rritjes së këtyre kapaciteteve, për të cilat edhe ndihmesa e Bashkimit Europian është e domosdoshme dhe patjetër që nuk do të mungojë.

Shqipëria patjetër ka probleme të trashëguara me sigurinë ushqimore, por Shqipëria kurrë më parë nuk ka qenë më shumë nën kontroll sesa është sot. Patjetër që lajmi i keq është lajm dhe lajmi i mirë në të shumtën e herëve nuk bën lajm, por nga qindra, mijëra ton prodhime vendase të eksportuara nuk na është kthyer mbrapsht nga Bashkimi Europian një kilogram i vetëm për çështje sigurie, në kuptimin e përmbajtjes ushqimore.

Sot, ne shikojmë që për herë të parë gjatë këtij viti nuk kemi rritje importesh bujqësore. Sepse prodhimi vendas po kompenson hap pas hapi ato hapësira që ishin dhe vazhdojnë të jenë në një pjesë të konsiderueshme të zëna nga importi. Kjo është një tjetër e dhënë e rëndësishme.

Tjetra është se në këto masa, për të cilat sigurisht do duhet një fushatë intensive informimi, adresohen disa prioritete kyçe, të përcaktuara nga vetë qeveria dhe shprehimisht Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, si pika reference për aty ku ne duhet të fokusohemi. Ne po vazhdojmë ta konsolidojmë një politikë të re, një qasje të re, në raport me të gjithë ata që duan të përfitojnë nga mbështetja e skemave të ndryshme të financimit, që gjithkush është i lirë të mbjellë çfarë të dojë, por ne mbështesim vetëm një numër të caktuar kulturash dhe prodhimesh që kanë perspektivë eksportin.

Paralelisht me thirrjen e Programit të ri, ne po punojmë dhe për thirrjen e Programit Kombëtar, në mënyrë që të fitojmë kohë dhe të mos kemi vështirësinë e absorbimit të fondeve, duke lançuar thirrjen përpara fundit të këtij viti dhe duke i dhënë mundësi vetes që të mund të bëjmë të gjithë ato seleksionimet e nevojshme në pjesën e parë të vitit tjetër, që pastaj të gjitha fondet e vëna në dispozicion të mund të shpenzohen deri në qindarkën e fundit dhe të mos ketë nevojë në fund të vitit për të bërë alokime të tjera.

Me këtë Program dhe me Programit tonë, ne praktikisht kemi financimin më të madh, me herë, të sektorit në vite. Shkojmë në një volum financimi, ku, nuk është më çështja, a kemi mjaftueshëm, por a do të jemi në gjendje që të absorbojmë në ekonominë rurale të gjitha këto fonde. Kjo është sfida.

Të mos harrojmë që vendet që i janë bashkuar Unionit kanë pasur një periudhë të ndërmjetme me absorbim shumë të ulët të fondeve. Nëse shohim nivelin e absorbimit, do të shikojmë që “çuditërisht” vendet më të zhvilluara, Gjermania, Franca, Austria e me radhë kanë dhe nivelin më të lartë të absorbimit të fondeve. Vendet e tjera, deri te Rumania, Bullgaria, apo Kroacia që u bashkuan më vonë, e kanë më të ulët në vite, edhe pse sot e kanë shumë më të lartë seç e kishin në fillim. Kjo, jo sepse ato që janë vendet më të forta iu marrin lekët, sepse fondet ndahen për secilin, por sepse ato janë më të forta ngaqë dinë më shumë sesi merren lekët nga arka e Unionit, ndërkohë që kapacitetet e të tjerëve janë më të dobëta.

Ne, këtu kemi një sfidë shumë të madhe. Sigurisht proporcioni i fondeve është i madh në raport me ne, por nuk është aq i madh, sa të mos arrijmë dot ta absorbojmë nëse do të jemi të mirëorganizuar dhe nëse do të dimë të koordinojmë si duhet me investitorët potencialë, me sipërmarrësit që janë në proces e sipër të transformimit të iniciativave të tyre rurale, nga iniciativa që kanë nisur si iniciativa familjare e individuale, në iniciativa që kthehen në iniciativa të mirëfillta industriale. Ky është thelbi i sfidës.

Edhe njëherë, duke i shprehur falënderimin ambasadorit, më vjen shumë mirë që takimin tonë të parë publik e kemi për diçka konkrete, për ushqimin, për financimin e rritjes ekonomike të fshatit dhe për mbështetjen konkrete të Bashkimit Europian, që për herë të parë përfshihet me Shqipërinë në këtë sektor, me një volum të tillë financimi.

Kemi një kontradiktë të pashmangshme që do të mbetet deri në fund, se, ambasadori është me Napolin, unë dihet se me kë jam dhe sa herë e shoh më vjen keq se është gjithmonë i dyti, por, sidoqoftë, po e mbajtët gjithmonë vendin e dytë në raport me ne, jemi mirë të dy palët, të paktën në këtë rast.

Shumë faleminderit dhe njëherë!

Ju uroj vërtetë kurajo dhe sukses të gjithë atyre sipërmarrësve që do t’i drejtohen këtij programi! Ne do bëjmë çmos t’i mbështesim dhe besoj shumë që, duke bashkuar dijet dhe duke bashkuar forcat do ia dalim që të kemi një kapërcim të madh në këtë sektor dhe të kemi një rritje edhe më të madhe të eksporteve, gjë që është vënë re në vende të tjera, si pasojë e efektit të këtij Programi. Kemi parë disa shifra të Sllovenisë, të Rumanisë, të Kroacisë, të Bullgarisë, që me përfshirjen në këtë Program kanë pasur disa hope shumë të rëndësishme në një hark të shkurtër vitesh dhe ne do bëjmë çmos që ky të jetë rasti edhe për Shqipërinë.

Faleminderit!

***

U çel sot Programi Bujqësor dhe Rural, IPARD 2, bashkëfinancim i BE dhe qeverisë shqiptare, me vlerë të përgjithshme 94 milionë euro. Programi është një mbështetje për investime në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillimin rural. Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e programit në një takim të posaçëm me sipërmarrës në fushën e agroturizmit, si dhe fermerë, në zonën e Shkallnurit, në Durrës. Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i dorëzoi dokumentin zyrtar Kryeministrit Edi Rama në prani të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi. Me një eksperiencë të suksesshme në vende të tjera të rajonit, Programi synon të mbështesë fermerët, shoqëritë e bashkimit bujqësor, stabilimentet e përpunimit ushqimor, mikrosipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private, për të rritur kapacitet, standardet, shumëfishuar prodhimin dhe transformuar e modernizuar mjedisin bujqësor. Hapja e thirrjes së parë për aplikime parashikohet në datën 30 nëntor 2018, me kohëzgjatje për aplikim 60 ditë.  ​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.