Ceremonia e 30-vjetorit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 30-vjetorit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri:

 

Më kanë bërë një fjalim shumë të gjatë meqë ra fjala, do mundohem të flas në mënyrë sa më të përmbledhur, gjë që me thënë të drejtën nuk më vjen shumë lehtë pas fjalës së ambasadores suedeze, e cila i dha një ton të posaçëm kësaj tribune.

E meqë ra fjala, është hera e parë që shoh një tribunë në një dhomë, por duke pasur parasysh se kujt i ka përkitur kjo shtëpi, tribuna bëhet edhe më e paharrueshme.

Shqipëria hyri në Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1955, por u deshën 36 vjet që Shqipëria të hynte në një marrëdhënie domethënëse me Organizatën e Kombeve të Bashkuara përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim ose më saktë me UNDP.

Në atë kohë, qëllimi i vetëm i UNDP ishte t’i jepte sa të mundej oksigjen vendit, në një moment ndryshimi dramatik që bashkë me lirinë, kishte sjellë dhe një mal me sfida dhe me vështirësi.

Është vërtetë thuajse e paimagjinueshme që në harkun e një jete, ne të kemi pasur fatin të shohim dy botë kaq të ndryshme njëra me tjetrën, botën e të shkuarës, kur edhe pse ishim anëtarë të Kombeve të Bashkuara, ne nuk kishim asnjë marrëdhënie me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe botën e të sotmes e të të ardhmes njëkohësisht, ku ne po në harkun e një jete jemi anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, këtu u thanë disa gjëra. Janë shumë gjërat që janë bërë në këto 30 vite nga ky bashkëpunim mes programit dhe qeverisë dhe për hir të të vërtetës, ajo që bën përshtypje kur shikon listën shumë të gjatë të gjërave të bëra, është fakti se programi ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet më kritike, më kyçe të këtij procesi kaq të jashtëzakonshëm të transformimit të vendit nga një diktaturë totalisht e mbyllur, në një demokraci në ndërtim e sipër.

E faktikisht, programi ka qenë i pranishëm me hapjen e shkollës së parë publike të administratës.

Programi ka qenë i pranishëm në momentin e trazirave të mëdha të vitit 1997, ku përmes UNDP u pilotua nisma e armëve në këmbim të zhvillimit.

Programi ka qenë i pranishëm në periudhën e kthesës historike të Tiranës, ku pas një 10 vjeçar kaosi të jashtëzakonshëm dhe praktikisht deformimi urban të paimagjinueshëm si rezultat i prurjeve të mëdha demografike drejt Tiranës dhe i mungesës së plotë të ligjit dhe të rregullit, ne u futëm në një rrugë të re, duke u përpjekur të rikthejmë qytetin tek njerëzit, duke u përpjekur t’i japim njerëzve sensin e hapësirës publike, jo më të ndodhur aty si rezultat i mungesës së plotë të pronës private, por të hapësirës publike si një hapësirë e ndërmjetme mes pronave private të njerëzve.

E falë programit, ne kemi pasur, jo thjesht mundësinë të bëjmë disa ndërhyrje të rëndësishme në aspektin financiar, por kemi pasur mundësinë  të veprojmë me një organizatë, e cila më shumë se sa paratë, ka si vlerë të sajën në këndvështrimin tim dijen dhe aftësinë për të transferuar dije në funksion të gjithçkaje që ka të bëjë me organizimin, që nga organizimi i një koncepti në një projekt, tek rruga e zbatimit të një projekti, gjëra të cilat sot mbase mund të na duken sikur kanë qenë aty gjithmonë, por në fakt nuk kanë qenë aty gjithmonë dhe na është dashur, të gjitha këto gjëra ne t’i mësojmë njësoj si fëmijët abetaren hap pas hapi e në këtë rast, jo një, dy, tre apo njëqind individë, por një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në një kurs të vërtetë kundër analfabetizmit, në raport me demokracinë e jo me letërsinë. Këtu besoj që programi ka një dorë që është e paharrueshme në historinë e vendit tonë.

Po ashtu programi, u tha këtu, ka qenë i pranishëm dhe në disa momente të rëndësishme ku na është dashur të konceptojmë reforma me impakt të gjerë dhe të thellë, që nga reforma territoriale administrative deri tek reforma e drejtësisë. Pa harruar se ka qenë i pranishëm kur ne na është dashur të përballemi me çështjen e përmbytjeve, duke u bërë një urë lehtësisht e kalueshme mes Bashkimit Europian e qeverisë shqiptare, siç është sot faktikisht pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm rindërtimi, si pasojë e tërmetit ku programi mundëson kalimin në një urë të të gjithë kontributeve të donatorëve të ndryshëm e në mënyrë të posaçme të donatorit më të madh në këtë rast që është Bashkimi Europian.

Kështu që, për të gjitha këto, besoj që programi mbetet një faktor me një rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë, në jetën e shoqërisë sonë, në jetën e politikës në sensin e shoqërimit të të gjithë përpjekjeve të aktorëve vendimmarrës në rrugën e jetësimit të vendimeve të tyre, që nga vendimet për reformat, deri tek vendimet që lidhen me adresimin e nevojave deri edhe dramatike, siç ishin ato të viteve ’90, ato të fillim viteve 2000 apo siç janë dhe ato që kemi sot para syve tanë, kur kemi parasysh se ende kemi akoma punë për të bërë për të përmbyllur përfundimisht programin e madh të rindërtimit e të lënies pas të një tragjedie, duke krijuar mundësinë që gjithçka që u shkatërrua, të rindërtohet dhe të ketë për njerëzit kushte shumë më të mira se sa kishte përpara se sa të shkatërrohej.

Asnjë shans që fjala ime të jetë në lartësinë e fjalës së ambasadores së Suedisë se nuk kam pasur në fakt asnjë histori dashurie me UNDP dhe në këtë pikë jam në disavantazh, por sidoqoftë, besoj që në këtë rast, nuk është pavend që të numërohen gjërat e bëra dhe thashë, përmenda vetëm pak nga shumë gjëra të bëra dhe kur po kaloja nëpër pikërisht gjithë listën e punëve të bëra, pata ndjesinë e punës së një milingone. Programi është një milingonë këtu në raport me elefantët e mëdhenj që i kemi të pranishëm dhe që për herë të parë nuk janë këtu për të marrë fjalën, meqë ra fjala, por si një milingonë që në mënyrë të pandërerë, në një ritëm konstant, arrin të bëjë të mundur një sasi pune të paimagjinueshme për përmasat që ka, besoj që edhe programi meriton respekt, meriton mirënjohje, meriton vlerësimin më të madh.

Nuk e di se çfarë do kishte bërë programi po të kishte pasur mundësinë që kanë elefantët, mbase nuk do kishte bërë dot punën që bën sepse milingona është e vetëdijshme që nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të kompensojë me një qëndrueshmëri, me një ritëm konstant dhe me një durim të jashtëzakonshëm atë që nuk ia ka dhënë si mundësi natyra, por ama në fund të ditës, apo në fund të rrugëtimit të saj, është fakt i njohur që volumi i punës së kryer dhe sasitë e ngarkesave në raport me njësinë që përfaqëson milingona, janë eksponencialisht më të mëdha sesa sasitë e ngarkesave që mbajnë trupa dhe entitete shumë më të mëdha.

Shumë faleminderit për ftesën!

Shumë faleminderit për gjithçka keni bërë për vendin tone!

Jam i sigurt që siç në të shkuarën kanë qenë të tjerë, në të ardhmen do jenë të tjerë, ajo që do mbetet do të jetë prezenca e programit në Shqipëri e natyrisht do të bëhet gjithmonë e më e vështirë për ata që vijnë pas që të zgjedhin kë të përmendin mes shumë e shumë punëve që ju me siguri do të vazhdoni të bëni.

Shumë faleminderit!