Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nis procesi i dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën në fshat. Duke vënë në jetë një nga angazhimet themelore të qeverisë për fshatin, ky proces i jep zgjidhje përfundimtare problemit 25 vjeçar të pronësisë mbi tokën bujqësore, që ka sjellë pasoja shumë të rënda për zhvillimin e qëndrueshëm rural. 150 certifikatat e para të pronësisë mbi tokën u shpërndanë sot, në Novoselë, ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi  Rama.

“Koha që nga dita që kemi marrë këtë zotim është 2 vjet e gjysmë, por, nëse do t’i kërkoja Drejtorit të Përgjithshëm të hipotekës të tregonte gjithë kalvarin për të përgatitur këtë proces, do duhej të rrinim këtu deri në mbrëmje, pasi situata që trashëgua edhe në hipotekë ishte një situatë katastrofike. Këtë situatë kemi vendosur ta ndryshojmë rrënjësisht dhe jemi duke e ndryshuar, edhe pse jemi të vetëdijshëm që ka ende jashtëzakonisht shumë probleme që lidhen me bazën e të dhënave të informacionit,” – u shpreh Kryeministri.

Shërbimi për pajisjen me certifikatën e pronësisë për tokën bujqësore do të jetë falas dhe për këtë do të ndiqet modeli i legalizimit të shtëpive në zonat informale. “Një mesazh, të gjithë fermerëve, të gjitha familjeve që jetojnë prej vitesh me tokën, por që edhe pse e kanë punuar atë, ende nuk e kanë marrë në zotërim, se ka ardhur momenti i tyre për të marrë një shërbim plotësisht falas nga ana shtetit, përmes një bashkëpunimi tanimë të ndërtuar plotësisht mes bashkive, njësive administrative dhe hipotekës. Atë që po bëjmë me sukses për legalizimet, do ta bëjmë me po kaq sukses, edhe për tokën bujqësore, pra, certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore falas. Përveç burokracisë, problem tjetër ka qenë tarifa e papërballueshme për të përgatitur dokumentacionin, nga ana e kryetarëve të familjeve në fshat. Kjo i ka penguar që t’i hyjnë kësaj rruge, prandaj ne e morëm tërësisht përsipër këtë kosto,” – shpjegoi Kryeministri.

Në përfundim të kësaj procedure, për herë të parë, – vijoi Kryeministri, – ata do të kenë në dorë dokumentin që i bën zotërues të ligjshëm të tokës së tyre. “Mjafton që familja, kryetari i familjes të paraqitet në bashkinë përkatëse, përmes njësive administrative dhe të depozitojë kërkesën, aktin e marrjes së tokës në pronësi dhe certifikatën familjare. Mjaftojnë këto 3 letra që i kanë të gjithë dhe bashkia fillon përgatitjet, për ta kthyer të gjithë këtë histori të gjatë dhe sfilitëse për familjet për vite e vite të tëra, në një dokument që përfundimisht i bën zotërues të titullit të pronës mbi tokën e tyre bujqësore.”

Marrja e titullit të pronësisë është një proces jetik, vonesa e të cilit ka gjeneruar edhe një sërë problematikash të tjera në zhvillimin bujqësor e rural. Ky proces krijon kornizën ligjore për të zhvilluar pronën, për ta shitur tokën në pronësi, për ta dhënë me qira, apo trashëguar. Po ashtu, marrja e titullit të pronësisë krijon kushte të reja për fermerët. Ajo do t’i mundësojë fermerit për të përfituar nga programet e ndihmës shtetërore në bujqësi, apo për të hyrë në një marrëdhënie të re me bankat për kreditimin e aktivitetit të tyre. Sikundër, të ardhurat e përfituara nga kalimi i të drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar tek një fermer tjetër janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale.

“Jam familja e parë që kam krijuar atë fermën atje. E kam krijuar dhe mendoja se punoja kot. Një investim nuk bëja dot,“ – tha një fermer i zonës. “Prindërit tanë e kishin ëndërr për 25 vjet dhe më në fund u realizua” – tha një nga banorët, që tokën e ka përfituar dy dekada e gjysmë më parë nga i ati, por që vetëm tani e ndjen se ajo i përket familjes së tij. “Ka 50 vjet që ma kanë rrëmbyer këtë tokë, – u shpreh një tjetër. – Erdhi kjo ditë sot, që unë e mora dhe u bëra prapë pronar i kësaj prone.”

Nga Novosela, Kryeministri drejtoi një apel për të gjithë ata që jetojnë me tokën në fshat: “Thirrja ime dhe thirrja jonë është që të gjithë kryetarët e familjeve në fshat që zotërojnë një tokë, por që nuk e kanë me certifikatën e titullit definitiv të pronësisë, t’i drejtohen bashkive, njësive administrative, për ta çuar përpara me shpejtësi këtë proces, që është një zotim i yni, por njëkohësisht edhe një domosdoshmëri e madhe historike për të kaluar nga një fazë tjetër. Në fazën e kalimit nga bujqësia e mbijetesës dhe lëmoshës tek një bujqësi e zhvilluar, tek një zhvillim rural i qëndrueshëm.”

Deputetja e zonës Valentina Leskaj nënvizoi se edhe ky proces është dëshmi se qeveria ka kthyer vëmendjen nga bujqësia dhe fshati.

Ndërsa deputeti Koço Kokëdhima solli në vëmendje një problem të mprehtë, të përvetësimit të padrejtë të 11 mijë hektarë tokë, të evidentuar nga Task Forca e qeverisë, nga një grusht njerëzish në qeverisjen e kaluar.

 

***

Në Novoselë kanë përfunduar rreth 80% të punimeve për rehabilitimin e argjinaturës që do të mbrojë nga përmbytja dhe erozioni rreth 5 mijë hektarë tokë. Zona e Novoselës ka qenë klasifikuar si një zonë e rrezikuar nga përmbytjet edhe atëherë kur kishte reshje shiu me intensitet mesatar, edhe për shkak edhe të investimeve të munguara prej vitesh, duke kërcënuar seriozisht jetën e njerëzve, si dhe duke dëmtuar rëndë prodhimet bujqësore e blegtorale.

Gjatë vizitës në qarkun e Vlorës, Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve për rehabilitimin e kësaj argjinature. Një investim që do t’i shërbejë 12 mijë fermerëve të zonës.

Pas përmbytjeve të shkurtit të këtij viti, në bashkëpunim me donatorë u ndërmorën projekte rehabilitimi dhe ndërtimi të infrastrukturës mbrojtëse, për të cilën prej 25 vitesh nuk është kryer asnjë ndërhyrje rehabilituese. Këto investime do të garantojnë për një periudhë afatgjatë sigurinë e zonave përreth, jo vetëm për të parandaluar përmbytjet, por edhe për të mirëmenaxhuar burimet hidrike në dobi të zhvillimit ekonomik dhe bujqësisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.