Cikli i bashkëbisedimit me qytetarë vijon në Lezhë

Nga cikli i bashkëbisedimit me qytetarë, nga takimi i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë të Lezhës:

– Pyetjes së një qytetari nëse a është sjellë në vëmendjen e kryeministrit Rama nga ekspertët e financave publike një mungesë kohezioni në shpërndarjen e fondeve publike veri-jug dhe akoma më thellë dhe lënien e Lezhës vetëm me investimin për ndërtimin e spitalit dhe shtesës së maternitetit dhe a ka planë të tjera për Lezhën, Kryeministri Rama iu përgjigj:
Besoj se për shumë vite kemi patur investime pa strategji, investime të bëra për të ruajtur balanca, në dukje, por në fakt nuk nxisnin zhvillimin përmes burimeve më të pasura në potencë. Ishin investime që nuk kishin një logjikë të hapave pse po investohet sot këtu e aty. Investimet e caktuara këtu e jo aty është e rëndësishme për atë që do të vijë nesër për të gjithë. Është e vërtetë që ne kemi vënë një fokus të posaçëm në vijën bregdetare dhe është e vërtetë që po të shohësh pasqyrën e sotme mungon një komponent i rëndësishëm i këtij fokusi dhe ka një arsye pse. Nëse një sërë investimesh janë bërë në zonën e bregdetit Jon, kjo ka pasur si arsye së pari që zona e bregdetit Jon ka qenë në një prapambetje të madhe dhe së dyti, sepse zonën e bregdetit Jon e kemi një nga burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike, rritjes së punësimit dhe mirëqenies për të gjithë vendin dhe jo vetëm për atë zonë.

Nga ana tjetër, sa i përket kësaj zone, nëse do t’i quajmë jokapitale investimet e bëra, elementi kyç që lidhet me strategjinë e zhvillimit të vijës bregdetare, është pikërisht aksi Balldren-Milot-Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës dhe aksi Milot-Muriqan. Është pjesë e përpjekjes që kemi bërë. Është një investim kolosal. Ne nuk e kemi finalizuar akoma me një kontratë të fillimit të punimeve, sepse gara e hapur për realizimin e kësaj kontrate, e cila u përfol si një garë e paracaktuar, faktikisht nuk nxori fitues pasi kompania që doli që e kishte mbyllur pazarin me qeverinë, nuk plotësoi ato pika që sipas nesh ishin të panegociueshme për interesin publik, që do të thotë që gara do të rihapet shumë shpejt dhe ai investim do bëhet.

Po të shikoni balancën e investimeve në funksion të potencialeve turistike, ne kemi investuar si asnjëherë më parë në Tropojë, në Malësi të Madhe, në Pukë, në Dibër, duke bërë realitet rrugën e Arbrit, që ishte një ëndërr që sot po realizohet prej dhjetëra vitesh tashme dhe patjetër që kemi investuar në të gjithë zonën e Lezhës. Nëse e shohim Lezhën, të shkëputur nga harta kombëtare, ne kemi investuar si asnjëherë më parë. Nëse flasim për lidhjen e Lezhës me infrastrukturën kombëtare është e vërtetë që mungon ky bosht, boshti i atij që ne e pagëzuam në atë kohë kur hymë në zgjedhjet e 2013-ës si Korridori Blu. Nga një ide që u bë pjesë e programit, po me këtë term hyri dhe bëri pjesë e financimeve të Bashkimit Europian për rajonin. Është e vërtetë që në këtë pikë, ne kemi një borxh të pashlyer me të gjithë zonën, por është borxh që kemi të gjitha arsyet të mendojmë që do ta shlyejmë sepse me hapjen e garës besojmë se do kemi kompanitë e duhura që do konkurrojnë dhe kompaninë e duhur që do bëjë realizimin e këtij projekti.

Sa i përket pjesës brenda mendoj që janë bërë investime shumë të rëndësishme. Ka një investim që është në sasi shumë i konsiderueshëm, 20 milionë euro për ujin e pijshëm. Brenda vitit 2021, ne do kemi të gjitha zonat urbane të Shqipërisë dhe zonat më të populluara rreth zonës qëndrore urbane me 24 orë ujë të pijshëm. E vetmja zonë që mund të mos përfundojë në 2022-in, por do përfundojë në 2023-in, është Tirana sepse është zona që ka problematikën më të madhe dhe komplekse për furnizimin e ujit të pijshëm dhe aty investimet janë shumë më të mëdha. Kjo është arsye për ta parë gjënë më në kompleks.

– Pyetjes së një qytetari se çfarë do bëhet për të ndihmuar biznesin e prekur rëndë nga pandemia këtë vit dhe vitin në vijim, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Para se të përgjigjem, po i rikthehem pyetjes paraardhëse dhe po them një komponent tjetër në këtë të infrastrukturës që ka rëndësi kombëtare, është rruga Shëngjin-Velipojë. Ne kemi përfunduar të gjitha procedurat, është garantuar financimi dhe fillimi i punimeve është çështje e afërt. Me sa informacion unë kam, jemi në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë. Projekti është financuar nga Banka Europiane për Investim dhe Zhvillim. Ne do kemi një kantier shumë të rëndësishëm, financim masiv nga pikëpamja financiare, por dhe një shtyllë të re kurrizore në një zonë me potencial shumë të madh të zhvillimit turistik. Do nxisim edhe investime të tjera për turizmin në zonën bregdetare.

Për t’iu rikthyer tek pyetja tjetër, unë besoj se në një vend ku biznesi deri në 140 mijë dollarë xhiro nuk paguan asnjë tatim mbi fitimin, mendoj se është mbështetja më serioze dhe afatgjatë që një qeveri i jep biznesit, sepse nuk është një masë për pandeminë, por një masë që do jetë aty deri në vitin 2029. Biznesi deri në 100 mijë dollarë xhiro vjetore nuk do paguajë TVSH. Këtë nuk e ka asnjë vend i rajonit. Nuk po flasim në Europë, sepse në Europë taksat janë ku e ku më të larta se taksat në rajonin tonë, po flas për vendet e rajonit.

Ndihma tjetër për biznesin dhe të gjithë shqiptarët është vaksinimi. Vaksinimi ka filluar, jam shumë shpresëplotë që është e afërt dita që ne do kemi një sasi të konsiderueshme vaksinash dhe do fillojmë vaksinim masiv me synim që sezoni turistik i ardhshëm të jetë sezon i lehtësuar në mënyrë të ndjeshme nga kërcënimi i infektimit. Vaksina është e vetmja armë, një sëpatë që këput zinxhirin e infektimeve hap pas hapi. Nëse realizojmë vaksinim masiv në periudhën e mbetur të marsit, në prill, në maj dhe deri në mes të qershorit, besoj se do kemi një sezon turistik shumë më ndryshe nga ai që kishim dhe shumë ndryshe nga ai që mund të kemi nëse vaksinimi nuk bëhet. Sigurisht, me vaksinimin e bluzave të bardha, me fillimin e vaksinimit për më të moshuarit +80 vjeç ka filluar një proces mbrojtjeje, por për ta këputur zinxhirin e infektimeve, duhet të kalojmë në një tjetër stad. Për të kaluar një tjetër stad, duhet një tjetër sasi vaksinash nga pikëpamja e volumit, se me volumet e deritanishme që kemi siguruar, procesi do jetë më i ngadaltë, për hir të vërtetës. Shpresoj që t’ia dalim. Kjo është ëndrra që më le pa gjumë për momentin, si të disponojmë sa më shpejt një sasi vrastare vaksinash për armikun e padukshëm.

– Një qytetare e Lezhës, e prekur nga tërmeti i nëntorit u shpreh më gëzon fakti që shumë banorë kanë marrë shtëpitë e tyre. Në emrin tim dhe të 95 banorëve të lagjes “Besëlidhja”, kur mendoni që dhe ne do marrim çelësat e banesave tona? Shqetësimit të saj, kryeministri Edi Rama iu përgjigj:
Në mos gaboj, lagja “Besëlidhja” është në qytet dhe ju jeni banore të pallatit apo jo? Nëse ju e gjeni një kompani private që nga fillimi i procesit, që do bëjë letrat e deri tek realizimi i një pallati në kantier, por nga momenti që ideja kthehet në projekt, kur dalin ekskavatorët, është bërë 60-70% e punës.

Pardje ishte një publikim i testimeve të uljes dhe ngritjes së avionëve në Aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit, kuptohet ata djemtë e Anglisë nga Kukësi, thonin se pse e le për tani të bësh aeroportin. Në fakt, puna për Aeroportin e ri të Kukësit ka nisur prej disa vitesh. Nuk po them përpjekja, sepse përpjekja ka nisur që prej ditës 1, por njerëzit mendojnë se puna është merr ekskavatorët e ndërto.

Me procesin e Rindërtimit kemi pasur një volum pune të padukshëm e të pandjeshëm nga njerëzit, të jashtëzakonshme e të keni kohë në një ditë tjetër të dëgjoni kryetarin e Bashkisë së Lezhës që t’ju tregonte se çfarë pune duhet bërë për të bërë fillimisht verifikimin e dëmeve, pastaj për të riverifikuar dëmet, për të përputhur të dëmtuarit me letrat e pronës në Kadastër, pastaj për të përputhur letrat e Kadastrës me të dëmtuarit për kurorat e familjeve me një çati e ndërkohë për të bërë masterplanet e veprimit në zona ku nuk do ndërtohet thjesht një pallat, por lagje të reja, qoftë lagje banesash individuale, qoftë lagje pallatesh. Pastaj është histori shumë e gjatë dhe nuk po flas këtu për pjesën e financimeve. Nga të gjitha eksperiencat që kemi parë dhe mbase ka, nuk po them që askund, por deri tani unë nuk e kam gjetur në Europë, nga Italia e në Turqi, një eksperiencë rindërtimi pas tërmeti falas për të dëmtuarit. Të gjitha eksperiencat janë eksperienca që bazohen tek kontributi i të dëmtuarve, sado absurde që duket. Në Itali e Turqi, familjet e dëmtuara që marrin shtëpi pas tërmetit marrin një kredi jo komerciale, por të butë, ku shteti paguan një pjesë të pagesave apo jep një kontribut, por apartamente falas e shtëpi falas jo.

Ne të gjithë këtë operacion po e bëjmë me konceptim që të gjithë ata, të cilët kanë humbur shtëpinë, do ta marrin. Këtë ne e kemi kthyer në një program strehimi në kuptimin e plotë të fjalës, sepse kudo ku nën një kulm ka pasur 2-3-4 kurora, ne nuk ndërtojmë një shtëpi, por secila familje merr shtëpinë e vet.

Pse e them këtë?
E them sepse duhet durim akoma. E rëndësishme është që tani procesi është i pandalshëm dhe të gjitha ato problemet e mëdha të procedurave kanë përfunduar, projektet kanë përfunduar, për një pjesë të madhe janë bërë garat, janë lidhur kontratat e kanë filluar punimet. Ka filluar lëvrimi i shtëpive individuale. Deri tani nuk kemi dhënë asnjë apartament, sepse asnjë apartament nuk është gati. Ndërtimi i apartamenteve është më kompleks, por unë besoj se nuk do prisni kaq sa keni pritur dhe shumë shpejt do keni ju dhe të gjithë banorët e pallatit tuaj një pallat më të ri, më të fortë e më të bukur se ai që kishit.

– Interesimit të një qytetareje, e cila theksoi se rritja e pagës minimale ishte një premtim i mbajtur i qeverisë, por përtej aspektit pozitiv mund të ketë një aspekt negativ në ardhjen e investimeve të huaja në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama u shpreh:
Ka qenë një debat i rëndësishëm ky në Shqipëri brenda nesh dhe është debat i përgjithshëm, jo vetëm për ne. Vendi jonë, që është vend në zhvillim, duhet të bëjmë shumë kujdes me pagën minimale, sepse një nga arsyet më të rëndësishme të tërheqjes së investimeve të huaja është krahu i lirë i punës, pra, paga e ulët. Nga ana tjetër, unë besoj që jo vetëm që nuk duhet të shqetësohemi për këtë, por për të kundërtën, sepse fillimisht bëhet fjalë për ata që punojnë sot në manifakturë, ndërmarrje, gra e burra që 300 mijë lekë paga minimale është shumë pak. Patjetër që shumë më shumë sesa 239 mijë lekë që e gjetëm ne, por është akoma shumë pak në raport me nevojat e njerëzve që punojnë seriozisht. Nuk e shoh të rrezikshme për investimet sepse kjo duhet të shkojë gradualisht dhe paralelisht me rritjen e kapaciteteve produktive dhe ndryshimin e qasjes së vetë sipërmarrësve në Shqipëri, që duhet të orientohen më shumë nga përmirësimi i mënyrës si planifikojnë, investojnë dhe e shohin të ardhmen dhe nga kënaqësia e atyre që kanë në punë.

Ne do ta rrisim më tutje pagën minimale, është e padiskutueshme që duhet rritur akoma dhe nuk e shoh si rrezik për ardhjen e investitorëve të huaj, përkundrazi, unë mendoj se koha kur në Shqipëri mjaftoheshim me një resort të huaj vetëm për këtë arsye, duhet lënë pas. Koha kur mjaftoheshim me investitorë të huaj që vijnë për të marrë në punë nëna dhe vajza të reja për 230 mijë lekë dhe që i mbanin në punë përtej orarit dhe shpeshherë në të zezë, ku nuk i jepnin as sigurimet shoqërore e shëndetësore, është kohë e shkuar dhe nuk duhet të na tundojë ky lloj pozicioni konkurrues.

– Pyetjes nëse është e vërtetë që Europa ka vendosur një kusht që për lëvizjen në BE, të aplikojë vetëm vaksinat e saj, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:
Çdo gjë bën vaki, por nuk më rezulton për momentin. Madje më rezulton e kundërta që Europa ka filluar të mendojë, në disa vende europiane, Gjermania psh që është lokomotiva e Europës ka filluar të hapi dialogun me Kinën dhe me Rusinë, për vaksinat kineze dhe ruse. Duke e paimagjinueshme që kontinenti më i pasur dhe më i fuqishëm i planetit të gjendet në këtë situatë. Por në këtë situatë gjendet. Siç duket e pabesueshme që momenti i shpërthimit të epidemisë i kapi gafil të gjithë dhe i gjunjëzoi të gjitha shtetet, pavarësisht sa të pasura dhe të zhvilluara janë, por ishte fakt.
Duhet thënë që bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord dhe parashikim në shpikjen e vaksinës për Covidin. Sepse deri më sot nuk ishte parë që një vaksinë të shpikej të testohej dhe të futej në përdorim në një kohë kaq të shkurtër. Por këtu jemi në ksuhtet kur pak kompani faktikisht sot janë katër kompani dhe është e gjithë bota që do vaksina. E po të shtojmë kinezët dhe rusët, bëjnë gjashtë. Nuk e shoh këtë, nuk jam aspak i bindur që mund të ndodhë, por çdo gjë mund të ndodhë në këtë Europë.

Ajo që për ne ka rëndësi është që të bëjmë atë që duhet për njerëzit. Një gjë dua të shtoj këtu se ka shumë njerëz që mendojnë se mosmarrja e vaksinave nga ne është çështje gjopolitike. Jo nuk është kështu. Vaksinat nuk kanë dalë në treg që shkon atje dhe i blen. Vaksina nuk ka, kaq e thjeshtë është. Pra të gjitha vaksinat janë në sasi shumë më të vogla sesa nevojat e atyre që i kanë. Nuk është as çështje çmimi. Ne për vaksinat do të lemë çdo çështje tjetër. Unë jam shumë krenar që ne sot nuk jemi në kushtet e vendeve të tjera në rajon që ende nuk kanë bërë asnjë gjilpërë. Po mbarojmë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, kemi filluar vaksinimin e 80+ vjeçarëve, por nuk mjafton fare, por ama po ecim. Deri para ditësh, 140 shtete të botës nuk kanë bërë asnjë vaksinë. Deri para pak ditësh, 70% e prodhimit botëror të vaksinave është në dorën e 10 shteteve. Europa në këndvështrimin tim e ka të pamundur që të vërë një kusht të tillë sepse Europa sot ka problemin që nuk ka të garantuar vaksinat e veta nga kompanitë jokineze dhe joruse. Po të shikoni debatet që bëhen, përjashto Britaninë e Madhe dhe Izraelin në të gjitha vendet e tjera të kësaj ane, midis popullit dhe qeverive ka tension. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshmërinë dhe nuk ka garantuar shpejtësinë e vaksinimit të atillë që njerezit të jenë ok.

-Lidhur me mundësinë për të përfituar mbështetje nga shteti për ta shndërruar shtëpinë në fshat në bujtinë, Kryeministri Edi Rama u shpreh:
Duhet një projekt për ta bërë ëndërrën realitet. Kushti për të marrë mbështetje nga shteti është aplikimi me projektin dhe patjetër që në rast se projekti është bindës, në rast se aplikimi është korrekt, mbështetja vjen. Në këtë zonë, në Lezhë, unë e kam thënë qysh kur mbiu “Mrizi i Zanave” se më shpejt se vonë, agroturizmi do bëhet trend. Unë mendoj që jemi në fazën kur ka filluar të bëhet trend. Sot janë disa, por unë di 5 agroturizma të rinj që janë spektakël, që janë në nivel europian i kategorisë A. Shembujt e tyre tregojnë se kush ka kursime në Shqipëri dhe në emigracion dhe ka një shtëpi të vjetër në fshat, ka një tokë të gjyshërve në fshat apo ka mundësi të marrë një tokë dhe një shtëpi të vjetër në fshat dhe investon në agroturizëm është 100% e sigurtë që fiton më shumë sesa fiton nga rroga e tij si emigrant kudoqoftë dhe këtu flas për një emigrant që ka një punë të zakonshme. Është përgjigja më fantastike dhe më e sigurtë fitimprurëse për të gjitha ato zona ku nuk bën dot bujqësi intensive. Zonat që duken të dëshpëruara nga pikëpamja e perspektivës, zonat që dikur kanë qenë blegtorale, zona ku njerëzit rrinë dhe thonë “çfarë të bëj këtu, me çfarë të merrem këtu?”, aty është vendi për të bërë agroturizëm, për ta sjellë tregun tek dera e shtëpisë, duke sjellë njeriun që vjen tek ty, si turist, si vizitor, si konsumator.

-Çfarë keni menduar që të bëni që ta eleminoni sa më shumë fenomenin e përmbytjeve që na vjen herë pas here, ishte një nga pyetjet së cilës Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:
Për ta eleminuar sa më shumë, ne nuk kemi menduar, ne kemi vepruar. Unë kam qënë këtu në Lezhë në një përmbytje para se ne të vinim në këtë detyre dhe kam parë njerëz që ishin realisht, jo metaforikisht, të mbuluar nga një shtresë balte nga koka tek këmbët. Përmbytjet në Lezhë kur ndodhnin për sasira më të vogla sesa sasirat që kemi patur herët e fundit bënin hatanë. Tani bëjnë dëme, por jo hatanë. 100 kilometra kanale kulluese, 47 kilometra vetëm në zonën e Zadrimës. Kjo nuk është të mendosh, kjo është të bësh. Sigurisht ka zona Lezha ku nuk lejohej ndërtimi në kohën kur skishte ndërtime pa plan dhe pa leje, pasi janë zona nën nivel. Këtë e them për të kujtuar. Një fjalë e mençur thotë po nuk e kujtove nga je nisur, nuk arrin dot aty për ku jeni nisur. Sot mund të them që për mua, çfarë ndodhi këtë vit ishte një test shumë pozitiv për ne që tregoi se punët tona dhe ndërhyrjet që kemi bërë kanë dhënë shumë rezultat.

Do vazhdojmë të bëjmë punën që duhet bërë akoma. Do vazhdojmë të pastrojmë, të mirëmbajmë kanalet kulluese, të garantojmë që ndërtimet rriten cilësisht në aspektin e konsideratës për infrastrukturën e nevojshme tokësore, të rrisim përmasën e gjelbër aty ku është e mundur sepse një arsye që rrit rrezikun nga përmbytjet është erozioni, prerja e pyjeve, etj, etj dhe të gjitha këto kanë ndodhur. Do të vazhdojmë të bëjmë më shumë duke rritur mundësitë.

-Interesimit qytetar lidhur me ndonjë plan për rritjen e pensioneve, kryeministri Edi Rama iu përgjigj:
Pyetja për pensionet është pyetja më e vështirë dhe më e pamirëpritur e cilitdonjeriu që është ne dëtyrën që kam dhe unë, në cilindo vend të botës. Nëse do të isha dikush tjetër, do të thosha po sigurisht, na jepni votat dhe ne do ulim sigurimet shoqërore dhe të rrisim pensionet. Këtë faktikisht e ka programi i PD-së, e përkthyer në gjuhën e “Mrizit të Zanave” do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Si mund të ulesh sigurimet shoqërore dhe të rrisësh pensionet?

Ndërkohë që problemi në Shqipëri është që për shumë e shumë vite nuk u bë reformë pensionesh dhe deficiti vazhdoi të rritej sepse normalisht idealja është që çka shoqëria paguan sot për të paguar pensionet, të mos jetë për të mbushur një hendek që është më i madh sesa çfarë njerëzit paguajnë sot, për të marrë pensionin e tyre nesër. Ne kemi bërë reformë pensionesh. Në Shqipëri ka dy kategori pensionistësh, një kategori që kanë dalë në pension para se bëhej reforma jonë dhe një kategori tjetër janë pensionistë që dalin sot. Ai që ka dalë në pension përpara reformës e ka pensionin më të ulët se ai që ka dalë pas reformës. Po të shikoni sot pensionet që marrin njerezit në bazë të sigurimeve që kanë paguar pas reformës, janë pensione që shkojnë shumë më tepër sesa pensioni bazë që ishte tavan Ne e hoqëm tavanin dhe e bëmë pensioninm në bazë të sigurimeve. Të thuash do ul sigurimet dhe do rris pensionet, do të thotë të ulësh paratë që ti ke për të paguar pensionin, do marrësh nga taksat dhe në vend që t’i çosh për investimet, do t’i çosh për të paguar pensionet sot dhe do të lesh pa pension të tjerë nesër, sepse skema do të falimentojë njësoj siç falimentoi Sudja.

Sigurisht ne duam t’i rrisim pensionet. Ne kemi bërë rritjen në bazë të indeksimit. Ne kemi vazhduar ta japim bonusin për pensionistët në fund të vitit dhe patjetër do vazhdojmë. Bonusin e fundvitit, ne duam ta rrisim sepse, nëse i ke mundësitë, ajo është e shëndetshme për ekuilibrin, por nëse i merr këtej dhe i çon andej dhe zbraz këtu për të mbushur atje, atëherë atje shtohet nevoja, ti këtu nuk ke më dhe atyre i thua “nuk ka më”.

– Kryeministri Rama u pyet nga një fermer i Lezhës se kur do të merrte përgjigje mbi naftën, të cilët fermerët përmes kartës së naftës së fermerit do ta përfitojnë me çmim të subvencionuar, për të cilën u shpreh:
Në dijeninë time ka kaluar numri mbi 15.000 i atyre që janë aprovuar. Ka pasur disa problematike specifike por do të të lutesha të shikosh një komunikim të ministres së Bujqësisë me një grup fermerësh pikërisht për këtë temë sepse ka disa pyetje e disa pikëpyetje që janë sqaruar sot. Janë bërë dhe disa ndërhyrje të tjera nga ana jonë për të lehtësuar maksimalisht marrjen e naftës pa taksa duke reduktuar maksimalisht procedurat burokratike e letra por duke qenë se është shumë specifike dhe nuk e di rastin tënd konkret, po të përgjigjem në këtë mënyrë jo për tu shmangur por që ta kesh saktë përgjigjen se janë disa lloj tipologjish, rastesh e nuk e di cili është rasti yt e duke parë shpjegimin e ministres do ta kuptosh ekzatësisht që në rast se ka diçka që duhet ta plotësosh ta plotësosh, në rast se nuk ka diçka që duhet ta plotësosh, patjetër do marrësh përgjigje.

– Një përfaqësuese e një biznesi të madh në qytetin e Lezhës, e pyeti Kryeministrin lidhur me taksat e biznesit të madh.
Kryeministri Edi Rama: Ne nuk flasim për ulje takse. Taksa e sheshtë është taksë në favor të atyre që kanë më shumë për hir të vërtetë e nëse do të ishte vetëm kaq marrëdhënia me qeverinë e qeverisjen, sigurisht që ne do ndiheshin në disavantazh ndaj jush sepse ne ju kurojmë e ju marrim 15%.
Ju thonë 9%, por 9% e ka bishtin mbrapa sepse është parapagim, pastaj vijnë pagesat e tjera të keqqeverisjes, të paaftësisë. Ajo që besoj unë është shumë e rëndësishme për biznesin e madh, është që të ketë të gjitha garancitë e siguritë në punë, që të ketë rimbusrimin e TVSH-së në kohë, që të ketë një marrëdhënie me shtetin ku taksidarët, ku inspektorët nuk vijnë për të rritur stresin dhe shqetësimin e vetë punës, të ketë mundësi për ato raste kur konkurron të ketë garanci në konkurrencë, pra e kam fjalën kur konkurron për fonde publike, të ketë transparencë në konkurrencë ndërsa në fushën e konkurrencës në atë zonë të sektorit privat ku punon, të ketë ndershmëri. Pra, janë shumë komponentë.

– Një sportist i qytetit të Lezhës i kërkoi kryeministrit terrene sportive dhe një pallat sporti për Lezhën, të cilat sipas tij do ta aktivizojnë rininë e Lezhës në aktivitete sportive. Lidhur me këtë, Kryeministri Edi Rama u shpreh:
Sporti kryesor në këtë vend është bërë fusha e celularit dhe loja me 1 gisht tregues. Ne kemi bërë jo sa kemi dashur, por sa kemi mundur. Deri ditën kur ne e filluam këtë punë nuk kishte asnjë orë edukimi fizik në shkollë, ishte komplet i përjashtuar. Ne e rifutëm edukimin fizik, ne e riorganizuar sistemin e mësuesve të fizkulturës.

Kemi bërë sa kemi mundur, jo sa kemi dashur për terrenet sportive. Sot ka shumë më tepër terrene sportive nga sa kishte dje, por, ngaqë dje nuk kishte fare, këto që janë sot janë shumë pak në krahasim me çfarë duhet të jenë. Kemi investuar në stadiume për herë të parë. Kemi bërë pallatin e sportit, të parin, me standarde në Parkun Olimpik në Tiranë, por janë shumë pak në krahasim me çfarë duhet të jenë. Do vazhdojmë patjetër, po nuk të premtoj dot – se po ta premtoj do ta mbaj, – që do bëjmë pallat sporti në Lezhë. Më vjen mirë që bashkia ka kthyer sytë nga boksi. Besoj që në terrenet e futbollit është bërë progres i jashtëzakonshëm. Fatkeqësisht, e vërtetë është, kemi lënë pas dore disa të tjerë dhe unë gjithmonë, në diskutimet që kemi bërë, ideja ka qenë që të mbështesim sportet ku ne kemi potencial për të nxjerrë kampionë përtej Shqipërisë, peshëngritje, boks. Edhe pse unë nuk shoh ndeshje boksi, ndeshja e fundit që kam parë, e kam parë në televizionin jugosllav.