Cikli i bashkëbisedimit të Kryeministrit me qytetarë, në Vlorë

Cikli i bashkëbisedimit të Kryeministrit me qytetarë vijoi sot në Vlorë:  

 

– Para disa ditësh ju keni deklaruar që do të fillojnë punimet në Sheshin historik  të Flamurit. Dua të di nëse gjatë punimeve që do të kryhen në këtë shesh historik do të ruhen vlerat historike kulturore të këtij sheshi apo jo?

Kryeministri Edi Rama: E di që ka pasur disa debate që besoj janë më shumë fryt i mungesës së informimit të plotë për projektin apo i leximit të pasaktë i atyre materialeve të prezantuara nga projekti, sepse rikonceptimi i Sheshit të Flamurit qëllim themelor nuk ka ruajtjen, por vlerësimin sa më shumë të atyre elementëve historikë të atij sheshi. Sigurisht që është pjesa e trashëgimisë në ato godina që i takojë një periudhe historike përpara luftës, është pjesa që ka të bëjë me zonën arkeologjike në shesh, është pjesa që ka të bëjë me varrin e Ismail Qemalit, është pjesa që ka të bëjë me Monumentin e Pavarësisë, është pjesa që ka të bëjë me Varrezat e Dëshmorëve në anën tjetër dhe që me këtë formatim ekzistues të sheshin janë pak të spostuara nga pjesëmarrja në atë kompleks. Është edhe instalimi i 4 topave të famshëm të 4 vilajeteve.

Projekti i ri, jo vetëm që i ruan, por edhe i nxjerr në pah më bukur, duke shtuar edhe të tjerë elementë, që nga tapeti i kuq i gurit apo i mermerit, sepse kjo është çështje e materialeve që do zgjedhin arkitektët, tek  tempulli që do shërbejë edhe si strehë për aktivitet të natyrave të ndryshme, por edhe si zonë, për të pasur në fundjavë, siç e kanë shumë qendra historike të Europës, tregun e produkteve të zonës që hapet në fundjavë e më pas largohet.

Sigurisht që do të pasurohet dhe me një element tjetër që deri më sot ka qenë problem më i madh i sheshit, që është ajo karabinaja e madhe e Sulos, të cilën ne e kemi futur në një procedurë shpronësimi, për të prerë kullën që do të asgjësohet dhe për të transformuar pjesën tjetër trekatëshe në një qendër publike me funksione të ndryshme. Duke ju ofruar hapësira të gjitha moshave, me një bërthamë të rrjetit që ne kemi filluar të ngremë, duke filluar nga Tirana, Korça së shpejti, të inovacionit digjital, që do t’i shërbejë të rinjve për të marrë kurse intensive të praktikave digjitale, për të mësuar kodimin, rrugën për t’u përfshirë në tregun online, gjë që është e ardhmja për të rinjtë në aspektin e punësimin, ku krijohet mundësia pa lëvizur nga vendi, qyteti apo fshati ku je. Mjafton të kesh akses në internet dhe ti vetëpunësohesh dhe jep shërbime për të tretë në një treg që sot ka 2,4 milionë vende të lira pune për të gjithë të rinjtë e globit që zotërojnë këto aftësi.  Jo vetëm për këtë, por për të hyrë në biznesin e rikrijimit të aplikacioneve e kështu me radhë.

Përveç kësaj bërthame, aty do ketë hapësira të tjera për kulturën, artin, më të moshuarit, shërbimet publike.

Jo më pak e rëndësishme, mënyra si do rikonceptohet ajo godinë do krijojë mundësi për të krijuar më shumë hapësira të brendshme dhe lidhje me pikat e tjera nga sheshi dhe jo vetëm ajo rrugica e qendrës historike.

Më kujtohet që kur ne bëmë Lungomaren, në fillim pati shumë debat, polemika, kundërshti, por sot Lungomare është hapësirë që ka konsensus të plotë. Kështu do jetë dhe Sheshi i Flamurit. Mendoj që pas përfundimit të këtij projekti, edhe ai që nuk e di se çfarë është ai shesh, që vjen nga jashtë apo vizitor i huaj që nuk e di historinë e atij sheshi, do kuptojë që është në një hapësirë që ka të bëjë me historinë e këtij qyteti dhe do ndjehet si pjesë e hapësirës së një sheshi, siç është Sheshi i Flamurit.

Pyetjes së studentes së Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, nëse ka qeveria një strategji që garanton punësimin e studentëve  pasi mbarojnë studimet e larta universitare, duke marrë parasysh që qarku i Vlorës është një qark me emigracion të lartë, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Një temë shumë e rëndësishme, komplekse dhe jo e lehtë, por sidoqoftë disa gjëra duhen thënë dhe mund të thuhet pa pasur frikë se gabon. Ne kemi kaluar një fazë historike dramatike përsa i përket të ardhmes së rinisë, duke shthurur komplet sistemin arsimor dhe duke hapur rrugën qorre  për arsimimin masiv të tyre në universitete që ose kanë dhënë me shumicë të madhe diploma që nuk vlejnë për tregun e punës, ose kanë dhënë diploma false pa shkuar në shkollë. Nga ajo periudhë kemi trashëguar një numër të madh të rinjsh që gjenden me një diplomë në dorë dhe nuk kanë akses, sepse tregu nuk ka kërkesë për aq shumë juristë apo ekonomistë, ndërkohë që të tjera zona të tregut janë me kërkesë të mëdha.  Kërkesa në fushën e Teknologjisë së Informacionit është e madhe, por oferta është e dobët.

Përtej kësaj, ne, sot kemi një situatë më të mirë në sistemin arsimor, por jo shumë të mirë. Edhe këtu, si në çdo fushë jemi në mes të rrugës. Jemi në një proces që duhet çuar përpara, jemi në një betejë që duhet fituar. Kemi bërë progres, kemi fituar terren, por ende nuk e kemi vënë në kontroll gjithë fushën, sepse vazhdon tendenca e universiteteve në programe që në fund nuk të japin akses në treg dhe për të shtuar programe që rrisin numrin e të papunëve. Qeveria ka bërë punën e saj. Ka krijuar një kanal preferencial për të gjithë ata që mbarojnë me 9-ta dhe 10-ta. Kemi pasur qysh prej kohës që protestës së studentëve dhe në kuadër të Paktit me studentët, sistematikisht thirrje për aplikime dhe marrje në punë të studentëve, duke patur parasysh nevojën për t’u dhënë atyre eksperiencë dhe mundësinë që, në rast se duan të qëndrojnë më tutje në administratë, të kenë atë eksperiencë për të aplikuar për një vend pune përfundimtare.

E gjitha kjo është e lidhur me dy faktorë.

I pari ishte arsimi.

Faktori tjetër është ekonomia. Është krijimi i vendeve të reja të punës dhe vendeve të punës me paga më të larta. Për të kaluar në një fazë tjetër në aspektin e pagave, duhet të kalonim në fazën tjetër në strukturën e ekonomisë. Kjo bëhet nëpërmjet investimeve dhe unë besoj që Vlora, me dy investimet që janë shumë afër fillimit të realizimit, edhe pse kemi patur një proces sfilitës me të parin, aeroportin, për shkak të pandemisë, stërzgjatjes së garës që u pezullua, u hap dhe u ripezullua dhe tani shpresojmë të kemi një fitues dhe porti i ri turistik që do të fillojë të ndërtohet së shpejti, së bashku me portin e mallrave dhe pasagjerëve që do të spostohet tek porti që do sistemohet dhe porti i peshkimit, do krijojë impakt të rëndësishëm ekonomik dhe perspektivë për shumë vende të reja pune.

Është shumë ndryshe nga çka flitet, sepse shumë thonë ne nuk kemi bukë e ti merresh me aeroporte. Aeroportet janë fabrika buke, nëse do t’i përgjigjemi bukë për bukë metaforës. Aeroportet nuk janë stacione autobusi që zbret njëri e hipën tjetri. Aeroportet sjellin konsumatorë, njerëz që duhet të hanë, flenë, dalin, konsumojnë kënaqësi të ndryshme përmes atraksioneve të ndryshme, duan të vizitojnë hapësira të ndryshme, të shkojnë në aktivitete artistike dhe duhet të marrin shërbime shëndetësore dhe shërbime të natyrave të tjera. Është kjo arsyeja pse, sikundër thonë të gjitha studimet, 1 euro e investuar në një aeroport sjell 24 euro të tjera. Nëse 1 aeroport kushton 100 milionë euro, shumëzojeni për 24 dhe ato janë të ardhurat që aeroporti sjell në ekonomi si investime. Porti turistik është ndryshe, por përsëri çon në të njëjtin drejtim. Nëse kemi në Vlorë një port me 300-400 varka, janë 300-400 ekuipazhe që qëndrojnë këtu edhe jashtë sezonit dhe 300-400 ekuipazhe që konsumojnë, paguajnë, pa llogaritur faktin që gjatë sezoneve, portet turistike sjellin konsumatorë që shpenzojnë shumë, janë konsumatorë të një tjetër niveli. Këto struktura, hotelet që do shtohen dhe të gjitha shërbimet që do ofrohen do kërkojnë punonjës. Kjo do sjellë edhe rritjen e pagës, sepse cilësia e shërbimit duhet të jetë më e lartë.

Kështu që unë mendoj që perspektiva është aty, por që ajo që unë them, se di nëse me këtë humbas vota, mbase nuk humbas asnjë, por kjo është e vërteta; ne jetojmë në një fazë historike ku trendi i largimit të njerëzve nga vendi është negativ, në sensin që më shumë ikin sesa vijnë. Kjo nuk është fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, por i të gjitha vendeve që kanë dalë nga komunizmi e izolimi për shumë vite. Shqiptarët, vetëm në një periudhë të caktuar të historisë nuk kanë dalë. Kur i mbylli Enver Hoxha në kafaz dhe i bëri si gardalina që duhet të këndonin vetëm këngët e partisë. Po të shikojmë në të kaluarën, shqiptarët kanë qenë popull, i cili ka lëvizur gjithmonë. Unë kurrë nuk mund t’i them një vajze apo djali që sot është 20-25 vjeç e që thotë dua ta provoj veten tani, sepse nuk pres dot as një mandat tjetër, as 2, 3 as 7 të kujtdoqoftë, për të patur gjërat që unë i dua sot e do t’i marr atje. Jetojmë në një kohë tjetër.

Ajo që është skandaloze këtu është propaganda që bëhet me këtë, helmi që lidhet me këtë, sepse, nëse unë e shoh në aspektin e ikjes së një të riu që nuk e gjen veten këtu, është njësoj sikur më ikën një qelizë nga gjaku im, në aspektin e dhimbjes që më krijon, nga ana tjetër, shqiptarët kanë filluar të lëvizin që në ’90-ën. Shifrat që japin që, kur erdhi Edi Rama, ikën 500 mijë, është çmenduri. Nuk vërtetohen nga asnjë fakt, ka më shumë shqiptarë që ikin sesa vijnë. Të mos harrojmë që ka shumë shqiptarë që janë kthyer këto periudha dhe nëse shkon sot në fshat, në zonat ku bëhet bujqësi dhe ka marrë ritëm tjetër, është eksperienca e atyre që janë kthyer. Vajtja jashtë është shkëmbim kulturash dhe nuk është fundi i botës.

Trendi historik do kthehet dhe këtë nuk e vendos as unë e askush tjetër si individ. Këtë e vendos zhvillimi dhe konteksti më i gjerë. Në vitin 2019 ka pasur 100 mijë kroatë në zyrat e punës në Gjermani, që kështu, çështja është më komplekse. Nuk kemi shkop magjik, nuk e bëjmë dot Shqipërinë të tillë, që të rinjtë shqiptarë ta gjejnë sot, këtu, atë që kërkojnë dhe që shpesh e gjejnë e shpesh jo, por drejtimi është i duhuri. Askush të mos e harrojë që Gjermania e Italia nuk janë ndërtuar për 7 vjet dhe as për 30, por për shumë vite e dekada dhe shekuj disa. Plus kësaj, nuk është e parëndësishme që të kihet parasysh që emrat që përmenda janë fuqitë më të mëdha në botë.

Ne ishim në takimin me italianët në Vlorë dhe ata thonin që erdhëm këtu sepse jemi më mirë, seç ishim në Itali. Njeriu është i prirur që kam atë që s’dua dhe dua atë që nuk kam, por duhet t’i kini parasysh këto. Ne jemi në mes të kontinentit më të pasur të botës. Më të pasurit i kemi nga një orë larg dhe kontrasti është shumë i madh dhe kjo krijon tek të rinjtë pakënaqësinë. Ka vetëm dy gjëra për të thënë.

A jemi sot, në të gjithë sektorët, në një raport më të mirë me të ardhmen, seç ishim para 7 vitesh?

Unë mendoj që kjo nuk ka diskutim.

Nëse e shohim nga ana tjetër, a jemi sot aty ku duhet?

Unë jam i pari që them jo. Në asnjë sektor. Edhe Vlora sot, që është një nga pasqyrat më evidente të ndryshimit, nuk është Vlora që unë dua dhe që unë mendoj se do kemi. Një pjesë e Vlorës është spektakolare, por kemi një pjesë të Vlorës që është kiamet, siç ka qenë, por i bie të jetë më keq se kanë kaluar shumë vite. Nuk them dot që e gjithë Vlora është si Lungomare, si bulevardi, Qendra Historike, siç janë ato lagjet ku është ndërhyrë. Ka ende plot gjëra, por rruga është e duhura, puna e bërë, është e duhura, thjesht të gjitha këto duhet të vazhdojnë.

-Një operator në sektorin e peshkimit veçoi se ajo që është bërë më shumë është ndryshimi ligjor që ju keni ndërmarrë këto 7 vjet në 2 pika; e para, nafta ishte një sistem i dyfishtë, u implementua dhe nuk falimentoi dhe e dyta, formalizimi i peshkimit. Siç janë bërë këto, do duheshin dhe të tjera gjëra që janë në proces. Interesimit të tij në lidhje me Triportin dhe mëkaton e peshkimit, Kryeministri u shpreh:

Tek peshkimi, po të kthesh kokën mbrapa, para 7 vitesh dhe sot nuk ka krahasim. Para 7 vitesh, Shqipëria eksportonte 18 milionë euro produkte peshkimi. Sot, Shqipëria eksporton 105 milionë euro. Potenciali është për të shkuar 200-300 milionë. Jemi në mes të rrugës. Kemi bërë një pjesë të mirë të saj, por kemi akoma për të bërë, për të çuar peshkimin aty ku duhet. Është një betejë që është në mes dhe nuk mund të lihet. Në portin e peshkimit është një gjendje mesjetare. Merkatoja nuk është thjesht çështja të depozitosh apo të shesësh. Është gjithë sistemi i bursës së peshkut e me radhë. Kjo pjesë duhet ndërtuar. Më vjen shumë mirë që me portin e peshkimit jemi në gjendje të themi jo do ta bëjmë se kemi një plan, por projekti është gati.

Kemi kaluar vendimin për të materializuar nga pikëpamja procedurale kalimin e portit ekzistues, në mënyrë që të vazhdojë procesi dhe investimi për portin turistik.

Njëkohësisht të fillojë edhe ndërtimi i portit të mallrave dhe i peshkimit që do të jenë të ndara, por do të jenë në një pellg. Po të shohësh projektin është një botë tjetër dhe aty do të kemi një port peshkimi, një merkato dhe një situatë krejt tjetër me restorante peshku me dhe tregun atje, siç e ka gjithë bota. Është sikur shkon në një panair, jo sikur shkon në një pellg në mesjetë. Është tipike kjo situatë në të gjitha fushat, edhe tek peshkimi. Në Vlorë më vjen shumë mirë që të kemi mundësinë ta themi që projektet janë tani në fazën finale dhe kalojnë në kantiere. Dihet financimi, dihet vendi, dihet procesi. Nuk janë vetëm në letër.

-Interesimit të një qytetari lidhur me vijimin e projektit të rrugës së Selenicës dhe deklaratave të Presidentit se qeveria ka hequr dorë nga ky projekt, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Ta filloj nga bishti i rrugës që është Presidenti. Për fat të keq, Iliri nuk është president. Është shpërdoruesi në vazhdimësi i institucionit dhe i rolit të Presidentit. E shpërdoron atë institucion dhe atë rol në funksion të ndërmarrjes politike që formalisht, por jo realisht, e drejton e shoqja. Presidenti – po e quajmë se e ka këtë titull, – thotë çfarëdo qoftë që atij i duket se prodhon vota për ndërmarrjen e tij partiake. Ilir Meta shpërdoron rolin e një institucioni që është institucioni simbol i unitetit kombëtar, sipas Kushtetutës dhe president që të përdorë një projekt rruge për të përçarë, jo për të bashkuar, duke keqinformuar, ky vend nuk ka patur. E kam thënë më parë dhe e përsëris, Ilir Meta ka arritur të paarritshmen. Po të nisësh me standardin e Ilir Metës, Bujar Nishani duket si Jefferson, shumë herë më korrekt, më normal.

E vërteta është shumë e thjeshtë. Ne kemi marrë përsipër të bëjmë dy gjëra që ju e dini janë premtuar jo përpara 30 vjetësh, por janë premtuar para 50 apo 60 vjetësh. Rruga e lumit të Vlorës është premtuar denbabaden. Edhe rruga lidhëse e Labërisë me Bregun, për të nxjerrë Kurveleshin nga vetërrethimi. Këto të dyja ne po i bëjmë realitet. Nuk janë më projekte, janë zbatime.

Rruga e Lumit të Vlorës u nda për arsye fondesh – se kushton jo pak, – në katër lote dhe loti i katërt ishte loti i Peshkëpi- Selenicës që ishte vendosur të financohej nga Fondi Saudit. Kosto e atij projekti doli shumë e lartë dhe ndërkohë që ne donim të rishikonim projektin, pasi donim të kishte një kosto më të arsyeshme dhe një zgjidhje më të arsyeshme nga pikëpamja inxhinierike, ne vendosëm ta spostojmë atë fond në projektin e Radhimës që është projekti paralel me rrugën, pasi janë dy projekte nga tuneli në Orikum; njëri është projekti i rrugës dhe tjetri është projekti i vazhdimit të Lungomares, në një ndërhyrje që sistemon të gjithë bregun me zona të caktuara në shërbim të turistëve dhe pushuesve.

Në këtë moment, zoti president na del përpara dhe na thotë ju s’mund ta bëni këtë gjë. Krijoi gjithë atë bolori, që është një gjë si të gjitha gjërat që bën Iliri, tragjikomike. Kjo është e vërteta. Në ndërkohë, ne ribëmë të gjithë projektin e risollëm në një kosto më të arsyeshme, rreth 10 milionë dollarë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit që është autoriteti që ka bërë të gjithë rrugën e Lumit ka shpallur garën. Kështu që rruga Peshkëpi-Selenicë do të bëhet.

E sigurt është që ne do t’i bëjmë të dyja rrugët. Vlorën nuk e ndalon dot askush. Sa më shumë të bëjnë të tilla, aq më shumë do të marrin edhe reston nga zona këtu, sepse kjo zonë ka qenë zona më e diskriminuar. Kam parë shifrat e 30 viteve dhe kjo zonë, deri në vitin 2013 kur na dha besimin neve, ka qenë zona më e diskriminuar. Që nga viti 1991 kur ra regjimi, në këtë zonë është bërë volumi më i vogël i investimeve, që nga të ashtuquajturit të djathtë, por edhe kur ka qeverisur e majta ka qenë e njëjta gjë, përveç investimeve që ka bërë bashkia gjatë gjithë periudhave.

Faktet janë me shifra. Gjithë investimet që janë bërë në Qarkun e  Vlorës në këto 7 vite, shifra është 1 miliardë. Po ta marrësh këtë 1 miliardë dhe ta shpërndash në 30 vjet, ne në Vlorë vetëm kemi shlyer një borxh dhe jo një borxh të Partisë Socialiste, por një borxh të Tiranës, atyre në qendër që vinin e vijnë këtu për të nderuar me një minutë heshtje në varrin e Ismail Qemalit. Vinin e vijnë këtu për të dhënë medalje për të vdekurit në luftën e Vlorës. Vinin e vijnë këtu për salltanetet e qokat dhe i bien gjoksit, por Vlorës i vunë vetëm bërrylin në fyt. Prandaj unë them se, nëse ka një vend ku vota nuk duhet të jetë përkatësi partiake, por duhet të jetë përkatësi historike dhe vota duhet të jetë vlonjate, është ky vend këtu, se vlonjatët duhet të kenë Vlorën mbi çdo gjë.

-Lidhur me pyetjen mbi projektet për zonën e Orikumit, Kryeministri Rama u shpreh:

Ne po ecim ndërkohe me pjesën e rrugës për të shkuar deri në Orikum. Pastaj kemi rrugën Orikum-Llogara që është një tjetër kantier. Pastaj vjen tuneli i Llogarasë,  ku gara mbyllet këto ditë dhe do të fillojë puna sapo të lidhet kontrata me fituesin. Gara është ndërkombëtare dhe ka shumë kompani të interesuara.

Të mos harrojmë që ky mandat ka qenë mandat atipik, se gjysmën e mandatit na e hëngri tërmeti që na spostoi një pjesë të madhe të vëmendjes dhe të energjive, por edhe të financave, plus, pandemia, kështu që shumë punë u ngadalësuan.

Unë kam një besim të jashtëzakonshme tek fakti që Vlora është e krijuar për të qenë një nga motorët më të fuqishëm të perspektives së këtij vendi. Vlora ka potencialin të transformohet në një fuqi jo vetëm për vlonjatët, por edhe për gjithë ekonominë e vendit, të ketë një influencë të madhe, duke i vënë në dispozicion të gjithë këto mekanizma. Po shikoja dje shifrat e biznesit vetëm për pjesën e Lungomares. Kur unë në fillim thosha që këtu çmimet do të kërcejnë dhe vlonjatët në këtë zonë do të kenë një rritje të papritur të pasurisë së tyre, më thoshin “flet kot”. Po ju them sot se nuk do të duhen 40 vjet, do të duhet vetëm të largohet kjo flama, pandemia, të hapet turizmi komplet, do të duhen pas largimit e hapjes disa vite dhe Kumja, që është një zonë që as nuk mund t’i shkojë mendja njeriu që mund të nxjerrë lekë, me infrastrukturën qe po bëhet sot, me përmirësimin e thjesht të kushteve të shtëpive, aty do të jetë një nga vendet ku në sezonin e verës shtëpitë do të jenë plot me turistë.

Ne po shohim në vazhdimësi projektet për hotelet. Është qartësisht një perspektivë konkrete. Fillimi i aeroportit do të jetë garancia më e madhe për rritjen e investimeve. Të jeni të bindur se këto që po them, do të jenë fakte konkrete shumë më shpejt sesa duken sot.

– Në lidhje  e projektin turistik të Vlorës dhe portin e peshkatarëve, një nga pjesëmarrësit në këtë bashkëbisedim shprehu interes edhe për portin tregtar të mallrave, kur do të fillojë projekti dhe kur do të jetë funksional ky projekt. Për këtë, Kryeministri u shpreh:

Tek Triporti do jenë  të dy, edhe porti i peshkatarëve dhe ai i mallrave dhe i trageteve dhe do të jenë me kompartimente. Projekti është gati dhe unë besoj e uroj, – mësova nga aeroporti dhe mirë është t’i lë vetes pak tolerancë, – që në dy apo në tre muaj maksimumi do të jetë kantier. Do jetë një ndryshim shumë i madh. Të jemi realistë, porti ekzistues është një shaka e hidhur në raport me kohën që jetojmë dhe në raport me ambicien që kemi për Vlorën. Siç është një shaka e hidhur Porti i Durrësit, një port në mes të qytetit, me ndotje të madhe, me kushte shumë për të dëshiruar, që do t’ia lërë vendin një porti turistik dhe porti i ri do të ndërtohet matanë.

 

 – A keni ndonjë plan konkret përsa i përket rimëkëmbjes të fushës së turizmit pas dëmit që ka shkaktuar pandemia, ishte një nga pyetjet që iu drejtuar Kryeministrit në bashkëbisedim e për të cilën Kryeministri u shpreh:

Unë dje isha me një operator turistik dhe jashtë kamerave më konfirmoi atë që di në fakt, që sezoni i kaluar nuk ishte me humbje. Unë besoj që sektori i turizmit është një sektor që është realisht e ardhmja dhe ka realisht një potencial të jashtëzakonshëm. Investimet në turizëm do të kthehen ndoshta më shumë se në çdo sektor tjetër, për nga pikëpamja e shumëfishimit të tyre në formën e të ardhurave, për investitorët kuptohet, kërkon kohë, kërkon durim, kërkon shkathtësim të strukturave për të shërbyer me cilësi. Por është e sigurt që kështu do ndodhë se nuk ka asnjë mundësi tjetër. Ajo që ne duhet të bëjmë me siguri është që të bashkëpunojmë më shumë për të rritur kapacitetet e shërbimit, për të rritur aftësinë e atyre që shërbejnë.

Përsa i përket ndihmës direkte, unë besoj që ne kemi ndihmuar sektorin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke ia bërë TVSH-në 6%. Më kujtohet kur vinin e ankoheshin operatorët turistikë, bëjeni TVSH-në 8% dhe nuk do na keni më në derë. Ne ua bëjmë 6% dhe u gëzuan të tërë. Ndërsa këta në qeveri thoshin, tani duhet mbyllur Ministria e Turizmit se nuk ka nevojë më. Unë ju thashë që Ministria e Turizmit duhet fuqizuar se ankesat do vijnë duke u shtuar.

 Ndërkohë që pandemia ishte realisht e frikshme për sektorin, por lëvizja që ne bëmë duke mos e mbyllur kufirin me Kosovën dhe fakti që shqiptarët në Shqipëri nuk mundën të ikin jashtë, bëri që hotelet të jenë plot. Unë nuk besoj se, kur i keni marrë lekët, nuk u janë dukur më pak se po jua japin shqiptarët, se nuk është se i ulët çmimet. Ky sezon ka qenë një provë domethënëse e faktit, sesa shumë para shpenzohen nga shqiptarët e Shqipërisë për turizëm dhe përgjithësisht shkojnë jashtë.

Tjetra që e ka ndihmuar shumë sektorin, që është indirekte, ka qenë që shumë nga shqiptarët që janë mësuar përndryshe të iknin në Budva, në Greqi, në Itali, në Spanjë e në Turqi, njohën Shqipërinë. Kjo është konkrete. Një pjesë e madhe e tyre dinin Tiranë – Durrës, maksimumi deri në Vlorë dhe këtu mbaronte puna e tyre.

 

– Një tjetër pyetje që iu drejtua Kryeministri ishte në lidhje me investimet për të përmirësuar lagjet e brendshme të Vlorës, për të cilën tha:

Nuk kemi gjë tjetër për të bërë përveç se të hyjmë brenda lagjeve. Akset kryesore janë bërë. Do bëhet edhe Sheshi i Flamurit. Tani janë blloqet. Aktualisht, ne kemi filluar të hyjmë brenda lagjeve. Në një pjesë me riparime, ka bërë bashkia jo pak, me thënë të drejtën, por ato projekte që ne kemi tani në kantier janë projekte brenda lagjesh. Unë e kuptoj që tek një lagje e brendshme më e vjetër mund të jenë pak të inatosur, por duhet ta kuptojnë që zgjedhja për të bërë këto lagje ishin më keq se të tjerat. Kumja ishte një kiamet, ndërkohë që ne do të investojmë aty.

Kanalizimet, ujësjellësi, blloqet e brendshme janë tani vazhdimi i punës për Vlorën, sepse pjesa tjetër është e financuar dhe po investohet. Gjithë aksi i Orikumit po investohet. Gjithë shëtitorja që vazhdon në forma të ndryshme deri në Orikum po investohet.

Unë jam i bindur që turizmi do futet nëpër lagje, siç ndodh me të gjitha këto realitete. Vlora është një qytet i vogël për atë fluks turistik që do përballojë dhe turizmi do futet nëpër lagje, nëpër apartamente. Kjo do të sjellë më shumë të ardhura për të gjithë