Për herë të parë, Qendra për hapje dhe dialog, (COD) në Kryeministri, sjell për publikun veprat e Maestro Gjelosh Gjokajt, pjesë e koleksionit më të madh të piktorit të jashtëzakonshëm shqiptar prej Malit të Zi, i cili me punën e tij krijuese, bëri që emri i tij të jetë i pavdekshëm, jo vetëm në kulturën shqiptare, por edhe në mbarë kulturën evropiane në përgjithësi.
Gjelosh Gjoka, artisti shumëdimensional, i la trashëgimi artit shqiptar dhe atij europian qindra piktura dhe punë të ndryshme grafike, duke u bërë një ndër piktorët më të mëdhenj të botës shqiptare. Ekspozita e çelur në COD përmban 73 vepra të krijuara mes viteve 1961-2013.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama ndau kujtime nga takimet me piktorin dhe e cilësoi atë si një artist që jetën e tij ia dedikoi plotësisht artit. “Gjelosh Gjokaj ishte një nga ato personazhe ku nuk merret vesh ku mbaron jeta e përditshme e njeriut dhe ku fillon arti, piktura sepse të dyja bashkë jetonin të ndërthurura me njëra-tjetrën. Ai ishte i gjithi i dhënë mbas artit. Nuk pikturonte për të jetuar, por jetonte për të pikturuar.” – përshkroi Kryeministri Rama.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Për mua është një ekspozitë shumë e veçantë edhe për arsye shumë personale sepse me Gjeloshin kemi pasur një marrëdhënie të afërt, miqësore edhe profesionale dhe kujtoj që edhe vizitën e tij të parë në Shqipëri e kemi bërë sëbashku, ashtu sikundër falë mikpritjes së tij dhe natyrës së tij si një bohem që pëlqente shumë të ndante dhe hapësirën ku jetonte me miq, me të ftuar, me vizitorë.
Unë kam pasur privilegjin që të kaloj disa ditë të gjata, por edhe netë në studion e Gjeloshit në Augsburg, ku kam qenë i ftuar prej tij dhe kam kaluar një moment shumë të rëndësishëm diskutimesh pune, kemi punuar së bashku në atelie, kemi ndarë historitë tona, ai historinë e tij të lavdishme, unë historinë time të periudhës kur ishim ende të mbyllur dhe më pas kemi vazhduar të jemi në kontakt.
Jemi takuar përsëri e përsëri, kemi pasur edhe evenimentin e ekspozitës së tij të madhe këtu në Shqipëri. Kam fatin të kem së bashku me Lindën, pak, shumë pak krahasuar me këtë koleksion, por sidoqoftë praninë e tij në muret e shtëpisë sonë dhe i jam jashtëzakonisht mirënjohës Shkëlzenit që u bë sebep, por mbi të gjitha Seadit, i cili jo vetëm e ka mbledhur këtë koleksion me shumë përkushtim edhe me largpamësi do të thoja, por bujarisht po e ndan me publikun.
Do më lejoni vetëm për një moment të bëj një kthesë në italisht sepse nuk ishim të përgatitur për këtë, por kemi këtu nderin që të kemi të pranishëm edhe kryetarin e bashkisë së një prej qyteteve më të suksesshëm të Italisë fqinjë dhe mike Giorgio Gorin të cilit do t’ju lutesha t’i rezervojmë një duartrokitje mirëseardhjeje.
Shumë faleminderit të gjithëve për praninë!
Shpresoj që të vlejë kjo hapje dhe edhe prania e vëmendja e mediave për të sjellë më shumë vizitorë sepse është një rast shumë i rrallë.
Ky koleksion nuk është i shfaqur çdo ditë dhe nuk mund të shihet çdo ditë dhe ndërkohë është koleksioni i një historie të bukur të një artisti që mbetet ende për tu zbuluar në detajet e veta edhe pse është bërë një punë shumë e lavdërueshme edhe për monografinë e tij, por Gjelosh Gjokaj ishte shumë më tepër se kaq dhe ajo që dua të them në fund fare është që Gjelosh Gjokaj ishte një nga ato personazhe ku nuk merret vesh ku mbaron jeta e përditshme e njeriut dhe ku fillon arti, piktura sepse të dyja bashkë jetonin të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe ai ishte i gjithi i dhënë mbas artit, nuk kishte agjent që të kujdesej për punët e tij, të kujdesej për ekspozitat e tij, nuk ishte i interesuar fare për aspektin komercial. Nuk pikturonte për të jetuar, por jetonte për të pikturuar dhe jeta e tij ishte fare e thjeshtë, por njëkohësisht ishte dhe plot për të qenë në lartësinë e bujarisë dhe të dëshirës së tij për të kaluar edhe kohë me miq dhe biseda të cilat i pëlqenin shumë.
Kështu që, me kujtimin e përjetshëm të Gjelosh Gjokajt dhe me këto imazhe që shtrihen nga viti 1961 në vitin 2013 dhe që japin mundësinë për ta parë brenda një koleksioni gjithë trajektoren e transformimit të tij stilistik, unë ju shpreh edhe një herë falënderimet e mia për nderimet që po i bëni Gjelosh Gjokës dhe ndjehem i privilegjuar që me këtë ekspozitë shtohet edhe në atë gjeografinë e COD-it një tjetër punë e mirë për të cilën falënderoj edhe Eridanën dhe drejtuesen e COD dhe gjithë stafin, kuptohet që kanë qenë në lartësinë e detyrës për t’i shërbyer më së miri kërkesës, dëshirës dhe idesë së Shkëlzenit sëbashku me Seadin dhe të tjerët.
Shumë faleminderit!