Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e ekspozitës në COD ku zbulohen për herë të parë vizatime të piktorit Sali Shijaku:
Është në fakt, një kontekst shumë i posaçëm që të hapet një ekspozitë që sidoqoftë është një moment festiv për veprat që ekspozohen dhe për autorin e tyre. Dhe kjo të zhvillohet me kaq pak njerëz, si rezultat i pikërisht këtij konteksti shumë të posaçëm ku jemi, por, nga ana tjetër, çka unë po mendoja kur e pashë për herë të parë këtë ekspozim të këtyre punëve të vogla në përmasa, por domethënëse në bashkësinë e tyre, është pikërisht ideja e një muzike dhome dhe gjëja që më shkoi në mend është që profesori ka pasur shumë momente festive, me turma të mëdha që vizitonin ekspozitat e mëdha për veprat, shpeshherë monumentale të tij. Ndërsa një koncert, një muzikë dhome, duket se është hera e parë, nëse unë nuk gaboj dhe kam shpresë që në ditët në vijim dhe në javët e në periudhat në vijim, kur ekspozita do të jetë e hapur për publikun, pavarësisht numrit të kufizuar që është i imponuar nga kushtet në të cilat jemi, kjo ndjesi e muzikës së dhomës dhe ky privilegj i të shijuarit të të gjithë këtyre punëve me pak njerëz, pa zhurmë, pa atë presionin e një mase të madhe njerëzish, në një farë mënyrë do të sjellë një kënaqësi të veçantë për ata që do ta vizitojnë.
Unë besoj që është një nder i madh për qendrën tonë këtu, është një nder i madh për këtë godinë dhe për mua personalisht që na u dha mundësia, falë zemërgjerësisë dhe gatishmërisë së profesorit, që ne ta ekspozojmë Sali Shijakun, një pikë referimi e padiskutueshme e arteve tona pamore, një figurë kyçe e historisë së pikturës sonë dhe patjetër, një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë të tjerëve, qofshin kolegë, qofshin breza të tërë studentësh që u inspiruan dhe u motivuan nga Sali Shijaku.
Unë e kujtoj profesorin si një prani shumë hijerëndë në jetën tonë artistike. Për të gjithë ne që ishim më të rinj, ishte një ëndërr që të takonim Sali Shijakun, që të na fliste apo që të na jepte këshillat e tij dhe ka qenë privilegj për mua që kam marrë disa mësime që edhe sot e gjithë ditën i mbaj mend nga profesori në studion e tij. Ashtu sikundër ka qenë vërtetë një privilegj për të gjithë ata që kanë pasur mundësi të kenë më shumë afërsi me të dhe të ndihmohen prej tij.
Profesori tha diçka që mendoj që koha tanimë, pas 30 vitesh e ka zgjidhur, mendoj, lidhur me artin e krijuar në periudhën e totalitarizmit nën atë diellin e realizmit socialist, që ishte në një farë mënyrë një diell verbues për të gjitha ato rrugët e tjera të shikimit dhe që përcaktonte një rrugë të vetme të shikimit dhe është e qartë, ma ha mendja sot, se pavarësisht kohës kur u krijuan, pavarësisht kontekstit dhe pavarësisht instrumenteve të kufizuar në dispozicion të artistëve, ka padiskutim sot dhe do ketë besoj gjithmonë e më shumë vend për të vlerësuar ato vepra, të cilat nga pikëpamja artistike kanë qenë dhe mbeten me peshë, edhe me autoritet në sallat ku ekspozohen. Ma ha mendja që pavarësisht kontekstit dhe mënyrës së shikimit të asaj kohe mbi Vojo Kushin, përshembull, tablonë e Vojo Kushit apo ajo mbi Mit Sokolin apo mbi të tjera tablo monumentale të Sali Shijakut, ato sot i qëndrojnë kohës më së miri dhe i flasin pa diskutim edhe shikuesit që është komplet i zhveshur nga pesha e ideologjisë së dikurshme apo komplet i distancuar nga çfarë ka ndodhur rretherrotull veprës në kohën kur ajo vepër është krijuar. E po kështu janë jo pak vepra të asaj kohe, që sot, në kontekstin të një kohe tjetër, kur liria për të ekzistuar dhe liria për të shikuar është shumë më e madhe se atëherë, ato përfitojnë nga kjo liri dhe qëndrojnë aty pa diskutim si gur kilometrik të historisë së artit tonë, por edhe në vetvete qëndrojnë aty. Nuk është thjesht konteksti historik që i bën të rëndësishme, por në jo pak prej tyre, edhe në vetvete, ato qëndrojnë më së miri pa asnjë problem sipas meje, me çka krijohet sot dhe me mënyrën se si shihet sot. Për këtë mendoj që është e dyfishtë vlera që ka krijuar Sali Shijaku, qoftë në aspektin historik, sepse është një nga revolucionarët e penelit shqiptar dhe është një nga ata që hapën shumë horizont për mënyrën e të shikuarit të pikturës, të kompozimit, të teksturës, të marrëdhënieve mes figurës dhe spektatorit, por dhe në kontekstin e bashkëkohësisë. Unë mendoj që jo pak prej atyre veprave, sot qëndrojnë të pavarura nga koha kur u krijuan dhe në një aspekt të caktuar janë aty dhe me një farë çudie që lidhet me kohën e atëhershme, por që lidhet dhe me mënyrën se si janë kompozuar dhe se si janë vendosur përballë spektatorit.
Në fund fare, i dashur profesor, unë mendoj që është një dhuratë e posaçme që ti na ke bërë ne si dashamirës të artit tënd dhe të gjithë atyre që i shoh si pjesë të saj dhe të këtij komuniteti dashamirësish të artit tënd, që shpresoj të gjejnë kohën dhe mundësinë për ta vizituar këtë ekspozitë. Sepse ke hapur një pjesë të krijimtarisë tënde që deri më sot ka qenë e pazbuluar. Punë, të cilat mund t’i kenë parë shumë pak njerëz dhe që siç e the dhe vetë, në të shumtën e herës nuk janë krijuar për të dalë në ekspozitë, por janë krijuar si pjesë e procesit tënd të brendshëm në kërkim të një zhvillimi të ri në ato kanalet e krijimtarisë tënde. E faktikisht janë, si të thuash, kuzhina ku është gatuar shumëçka që i është ofruar më pas në kohë të ndryshme publikut, me të gjithë atë paketimin që këtu në këtë rast mungon, por e gjitha kjo është një buqetë shumë e bukur dhe shumë bujare. Unë do përfitoja nga rasti për të gjithë ata që na ndjekin që t’i këshilloja, t’i sugjeroja, t’i ftoja studentët, studentet, nxënësit, nxënëset e arteve që të vijnë ta vizitojnë këtë ekspozitë. Është një mundësi e veçantë për të hyrë në kuzhinën e një mjeshtri të madh dhe për ta lexuar krijimtarinë e tij nga një këndvështrim shumë më informal dhe shumë më konfidencial, është një ekspozitë konfidenciale, nuk është një ekspozitë që synon të përgjithësojë apo të përshkojë të gjithë krijimtarinë e Sali Shijakut, por është një ekspozitë konfidenciale me shumë punë të vogla që janë pjesë e një procesi të tërë.
Shumë faleminderit profesor për bujarinë dhe për mundin që vure në këtë iniciativë! Sigurisht, faleminderit dhe të dy çunave që janë pjesë e pandarë e jetës tënde, jo thjesht në aspektin e marrëdhënies të djemve me babin, por dhe në aspektin e kujdesit që ata kanë për krijesat e tua prej letre e prej bojërash.
Shumë faleminderit dhe tre profesorëve të tjerë që janë këtu, sot e që e bëjnë shumë dinjitoz këtë koncert me pak njerëz të muzikës tënde të dhomës.
Respekti dhe e the mirë, po kur të plakesh, çfarë do bësh? Se për momentin është e qartë se çfarë po bën dhe ajo që është pjesa më e bukur e kësaj krijimtarie dhe atyre që janë më rishtazi të krijuar është që duken si punët e një fëmije shumë kurioz dhe më kujtojnë Pikason që thoshte, na duhet gjithë jeta për t’u bërë fëmijë, kështu që plakja është larg fare!