Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 25 Vjetorit të Gjykatës Kushtetuese:

Përshëndetje të gjithëve!

Kushtetutat hartohen në kohë trazirash dhe pas tyre e si të tilla, ato zakonisht mbartin vulën e frikës së të shkuarës, të cilat në fakt përkufizohen si këshilluesit më të mirë gjatë hartimit të Kushtetutës, – thotë një gjyqtar i njohur i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Faktikisht, pas një historie 50 vjeçare shkeljesh flagrante, sistemike të të drejtave të njeriut, ndryshimet demokratike shënuan një kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar, por padyshim, edhe të drejtësisë shqiptare. E në kuadër të këtyre ndryshimeve u krijua edhe Gjykata Kushtetuese, një nga institucionet më të rëndësishme për garantimin e rendit të ri kushtetues në Shqipëri.

Që në fillim, ky institucion u konsiderua nga ligjvënësi, si autoriteti më i lartë që garanton respektimin e ligjit themelor të këtij vendi.

E vërteta është që gjatë veprimtarisë së saj, që nga krijimi në vitin 1992 e deri më sot, Gjykata Kushtetuese është përballur me një sfidë të pazakonshme me vakumin e plotë të traditës dhe përballë mijëra çështjesh të natyrave e përmasave të ndryshme, duke qenë e sfiduar, të krijojë hap pas hapi një praktikë të pasur.

Vend për kritika, me siguri mund të ketë dhe ka, por, nëse ka një institucion të gjyqësorit shqiptar, ku sot mund të hyhet pa të ardhur turp, është pikërisht Gjykata Kushtetuese. Nisur nga fakti që në një kohë të shkurtër, Gjykata Kushtetuese ka qenë e detyruar të merrej me vendime shumë të rëndësishme, e vërteta është se ky organ është përpjekur të shfaqet i paanshëm në gjykimet e dhëna dhe i ka siguruar imazhit të vet një pamje të besueshme në sytë e të gjithëve.

Nuk ndodh shpesh në jetën e një institucioni, kudo qoftë, por sidomos në Shqipëri, që të fitojë simpati e mbështetje popullore, siç ndodhi me këtë Gjykatë, pas vendimit historik për çështjen e kufirit detar.

Ishte një nga ato vendime që definojnë imazhin, karakterin dhe rrugën e një institucioni, ndoshta për dekada. Ishte një nga ato vendime ku, pavarësisht se në të shumtën e herës, në traditën e vendimmarrjes së Gjykatës lexohej një shumicë e një pakicë dhe nuk ishte edhe aq e vështirë që të definohej edhe një qasje e majtë, apo e djathtë brenda saj, Gjykata Kushtetuese u ngrit mbi gjithçka e mbi të gjithë dhe me një vendimmarrje vërtetë për të qene të gjithë krenarë, u bë Gjykata e mbrojtjes të sovranitetit kushtetues dhe shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Pas 25 viteve nga krijimi i saj, Gjykata Kushtetuese sot e gjithë ditën ka një sfidë, të ngulmojë në përpjekjet për të harmonizuar jurisprudencën e saj me atë ndërkombëtare, duke e rreshtuar jo thjesht veten, por edhe Shqipërinë, hap pas hapi, në botën e re që për ne ishte një utopi, vetëm 25 vjet më parë.

Uroj e besoj që kjo përpjekje të konsolidohet edhe përmes hyrjes në historinë e re të pallatit të drejtësisë, duke forcuar themelet e transparencës, paanshmërisë dhe barazisë para ligjit.

Unë jam shumë i nderuar sot, që në këtë takim është i pranishëm edhe një njeri që emrin e tij e ka të lidhur me historinë e zhvillimeve të drejtësisë në Shqipëri, por edhe me historinë e vetë kësaj Kjykate, i nderuari Gianni Buquicchio dhe me thënë të drejtën, pavarësisht se të gjithë, në institucionet tona punojmë me partnerë, jam shumë xheloz për një partner si Komisioni i Venecias, që është partneri i Gjykatës Kushtetuese. Jam i bindur që secili nga ata që janë ulur në karrigen e lartë të gjykatësit apo Gjykatës Kushtetuese do ta dëshmonte se pavarësisht faktit që është një karrige aspak komode, prania në krah, në çdo rast e për çdo nevojë, e Komisionit të Venecias e bën shumë më të lehtë këtë detyrë kaq të rëndë.

Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’i uroj të gjithë atyre që janë këtu të pranishëm e që vijnë drejtpërdrejtë nga rruga e ndërtimit të mundimshëm të këtij institucioni kaq themelor, çdo të mirë dhe sigurisht atyre që vazhdojnë të jenë gjykatës e gjykatëse kushtetuese, çdo sukses, në një rrugë që është e gjatë dhe e mundimshme për të zbatuar reformën në drejtësi, sepse jemi të gjithë të vetëdijshëm që drejtësia është një fjalë që të gjithë e përdorim me vend e pa vend, por që në veshët e të gjithë shqiptarëve tingëllon ende një fjalë pa kuptim. E përdorur thjesht sepse tingëllon bukur, apo sepse duke e përdorur, ata që e përdorin mendojnë se vendosen, vetëm duke e përdorur, në anën e duhur të historisë.

Sidoqoftë jam i bindur që në fund të rrugës, Shqipëria do ia dalë mbanë, sepse siç e thoshte Platoni, drejtësia në jetën dhe në sjelljen e shtetit është e mundur, sepse ajo banon në zemrat dhe shpirtrat e qytetarëve.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.