Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e qeverisë për masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19:
Përshëndetje të gjithëve!
E bëjmë këtë mbledhje të paracaktuar edhe për publikun e interesuar që të ndjekë zhvillimet nga këndvështrimi ynë dhe gjëja e parë që dua të theksoj është që të gjithë ata që i kanë ndjekur më parë mbledhjet e qeverisë, kanë parë që kanë qenë të pranishëm edhe zëvendësministrat që janë rregullisht të pranishëm në mbledhjet tona dhe sot, ne jemi këtu me një numër të reduktuar, sepse nuk mund të predikojmë masa për të tjerët, por në radhë të parë duhet të japin ne shembullin tonë. E jo thjesht të japim shembullin tonë, por të bëjmë detyrën si qytetarë, duke ruajtur jo thjesht veten, por duke ruajtur edhe të tjerët, duke mbrojtur shoqërinë dhe kështu secili individualisht duke kontribuuar në një luftë që sot është një luftë botërore përballë një virusi të panjohur.
Dëshiroj t’ua përcjell të gjithëve mesazhin e qartë, se thirrja për të kufizuar në maksimumin e mundshëm kontaktet fizike nuk është një predikim në ajër, por është një thirrje që buron nga këshilla numër 1 e OBSH-së dhe e të gjithë ekspertëve të fushës në mbarë globin.
Ne vendosëm të mbyllim shkollat, kopshtet, çerdhet, universitetet, por vendosëm t’i mbyllim jo për t’iu dhënë vajzave dhe djemve tanë një dyjavësh pushim, për t’u mbledhur në disko, për t’u mbledhur nëpër pub-e, për t’u argëtuar si të ishte një kohë e zakonshme, sepse kjo është një kohë lufte dhe është një luftë të cilën padiskutim, bota do ta fitojë, ne do ta fitojmë, por ama të gjithë sëbashku, që të kufizojmë maksimalisht dëmet që mund t’i shkaktohen jo trupit fizik të vendit, siç ndodhi me tërmetin, por shëndetit tonë, shëndetit të njerëzve tanë.
Nga ana tjetër, kjo nuk është një luftë si luftërat konvencionale, ku vihet në pah tërësia e virtyteve njerëzore që lidhen me trimërinë, me guximin, me sypatrembshmërinë, me pasionin për lirinë deri vetësakrifikim. Kjo është një luftë me një armik të padukshëm, fare të padukshëm, i cili hyn në trupin tonë dhe në trupin e njerëzve tanë më të dashur, duke kërcënuar seriozisht shëndetin dhe duke kërcënuar jetën e atyre që janë më të moshuar, atyre që janë të sëmurë mes nesh. Kjo do të thotë që mund të jesh malësor, mund të jesh lab, mund të kesh shumë e shumë për t’u krenuar me historitë e trimërisë në male apo në bregdet, por, në këtë rast, ky armik nuk pyet as nga vjen, as kush je, as çfarë historie ke dhe as ku je. Godet!
E them këtë, sepse përtej faktit që individë në mosha të caktuara, qytetarë të cilët kapen në befasinë e një mikrofoni që vendoset në rrugë mund të thonë edhe fraza të tilla që në kohë të tjera natyrisht bëjnë për të qeshur, është e patolerueshme, është e pajustifikueshme, është e papërputhshme me çdo standard etik që ekranet e televizioneve t’i transmetojnë të tilla shaka, në vend se t’i shfrytëzojnë ato sekonda, ato minuta për të sensibilizuar, në vend se edhe t’u përgjigjen atyre qytetarëve, që krenohen “unë jam malësor”, “unë jam lab”, “unë jam trim”, “ne nuk pyesim”, “ne hamë bio”. Kjo nuk është shaka!
Natyrisht që OBSH ka thënë një të vërtetë të madhe, kur thotë që përtej luftës me virusin, përtej mbrojtjes nga epidemia ka dhe një luftë tjetër për të bërë, për t’u mbrojtur nga infodemia, nga lajmet, nga kronikat, nga postimet, nga deklaratat, nga debatet që nuk çojnë askund, përveçse shtojnë konfuzionin, rrisin pasigurinë, thellojnë paqartësinë.
Prandaj në këtë fazë, kur jemi ende në fillimin e kësaj lufte me armikun që ka hyrë në territorin e vendit tonë, ka hyrë në trupat e njerëzve tanë, vazhdoj të ftoj të gjitha mediat, të gjithë ata që kanë mundësinë të përdorin një mikrofon, të gjithë ata që kanë ndjekësit e tyre aty ku postojnë opinione, apo mendime të tyre, që të mos abuzojnë, që të ndërgjegjësohen se kjo nuk është një nga ato betejat e radhës. Kjo është një luftë. Është një luftë që e kemi ne në dorë, me sjelljen tonë, me angazhimin tonë, me zbatimin e atyre këshillave, në dukje krejt elementare, por në fakt thelbësore, që ta bëjmë një luftë me dëme më të vogla, sesa dëmet që vijnë nga një luftë, kur ne sillemi në mënyrë të papërgjegjshme dhe bëjmë sfida që janë pa lidhje me armikun, të cilin nuk e kemi përballë dhe i cili mund të na hyjë në trup nga kudo.
Siç e dini, numri i të prekurve është rritur dhe është shumë e rëndësishme të dëgjohet nga të gjithë, se 8 prej tyre janë vazhdë e 2 kontakteve, apo më saktë e një kontakti të vetëm dhe një kontakti të afërt, djali, babai dhe pastaj me radhë 6 të tjerë, të cilët janë kontakte të ashtuquajtura të afërta, por jo aq të afërta sa brenda mureve të shtëpisë. Dhe 2 raste të tjera, një e moshuar në Durrës dhe një tjetër djalë në Tiranë. Të gjitha rastet janë kontakte të importuara nga Italia. Duke iu gjendur pranë Italisë dhe duke pasur kaq shumë kontakte me Italinë, ishte e pashmangshme që Komiteti ynë i ekspertëve në bashkëpunim me OBSH-në të ndërtonin skenarët e një vendi fqinj me një zonë që sot është e tëra e kuqe. Skenarët janë ndërtuar sipas fazave dhe për t’iu përgjigjur dinamikës së shtrirjes së virusit, por baza mbetet e njëjta, si në skenarin e parë, si në të dytin, si në të tretin, si në fillim, si në mes, si, kur urojmë sa më shpejt, forca goditëse e virusit do shkojë në rënie, sugjerimet dhe detyrat e secilit prej nesh për shëndetin e të tjerëve, natyrisht dhe të vetes.
Ne besojmë shumë që është një rast që, në radhë të parë, personat publikë dhe mbi ta, për shkak të aksesit dhe të përgjegjësisë, të gjithë përfaqësuesit e politikës sot kanë detyrën të jenë bashkë dhe jo të ndahen në task-forca të ndryshme, që janë praktikë e panjohur në planet. Në asnjë vend tjetër të planetit nuk është shfaqur ndonjë task-forcë alternative dhe jo më të shfaqen disa task-forca: task-forcë opozitare, task-forcë presidenciale, task-forcë digjitale. Për çfarë?
Çfarë do nxjerrim politikisht dhe çfarë mund të nxjerrim ne politikisht në kushtet e kësaj lufte përveç bojës tonë, si persona që përfaqësojmë?
Më erdhi shumë mirë, jo më larg se dje, kur kryetari i opozitës mbajti një fjalë përpara opinionit publik, që ishte as më shumë dhe as më pak, por fjala e mbajtur nga të gjithë sivëllezërit apo simotrat në të njëjtin pozicion në të gjitha vendet që janë në luftë. Por sot, as më shumë e as më pak, gjithçka ndryshoi, duke nxitur panik dezinformimi, një dezinformim i pajustifikueshëm.
Shqipëria nuk është kaq e madhe dhe nuk ka kaq shumë ekspertë, sa të mund të ndahet në kaq shumë task-forca.
Shqipëria është e vogël, ka ekspertë të shkëlqyer, por, nëse në Italinë e madhe, një vend i G7, një vend me një prej sistemeve më ekselente të shëndetësisë në BE, sistemi praktikisht kolapsoi dhe të gjithë, përfshirë edhe mjekë dhe infermierë në pension u bashkuan, të gjitha institutet e ekspertëve janë bashkuar, po në Shqipërinë e vogël, çfarë më mirë mund të bëhet nga ekspertë të nderuar të këtyre task-forcave, sesa të bashkohen me autoritetin shëndetësor dhe me Komitetin Teknik?
Nuk ka asnjë problem, të monitorohet, të verifikohet patjetër, por niveli i komunikimit, niveli i bashkëpunimit, niveli i mirëkuptimit, jo në funksion të njërës palë, apo të tjetrës, se këtu ne nuk jemi palë, këtu jemi një komunitet njerëzor i kërcënuar nga një virus. Këtu, ne jemi familjarë dhe të moshuarit tanë janë të gjithë të kërcënuar po njësoj. Këtu, ne jemi individë që kemi të dashurit tanë dhe ata më të dobëtit mes nesh janë të kërcënuar po njësoj. Duhet të jetë një nivel komunikimi për të bërë më mirë dhe sa më mirë dhe akoma më mirë, se e mira s’ka fund, por jo një zgjatim, një bisht, një degëzim i helmatisur i luftës së përditshme mizerabël politike në kushte paqeje.
Këto janë maskat që janë shpërndarë për të gjithë personelin shëndetësor në qendrat shëndetësore, në spitale, që nuk janë përfshirë drejtpërdrejtë në frontin e parë në perimetrin e luftës me të infektuarit nga koronavirus.
Këto janë maska, të cilat kanë ardhur në Shqipëri si dhuratë nga një fondacion i quajtur “Bijtë e Shqipes”, nga Kanadaja. Janë ndaluar në doganën e Durrësit për shkak se, siç dihet, në shtetin shqiptar, jo sot, por gjithmonë ka pasur një regjim doganor edhe për materialet apo dhuratat me natyrë humanitare. Ishin të destinuara për një shoqatë bamirësie, e cila pas thirrjeve të përsëritura të autoriteteve nuk u paraqit për të paguar ato detyrime që janë detyrime të shtetit dhe për të tërhequr këto pako që janë prodhim amerikan, kompani amerikane, prodhuar në Kinë dhe nëse këto maska do të ishin të rrezikshme dhe nëse skadenca e tyre do të implikonte që sendi tjetër, përveç uljes së eficencës së tyre në sallat kirurgjikale, ku operohen trupa njerëzore në kushtet e sterilitetit, këto maska nuk dilnin dot nga kufijtë e Kanadasë, as nga kufijtë e SHBA-së dhe nuk përshkonin oqeanin për të ardhur në Shqipëri. Këto janë maska, të cilat përdoren gjerësisht pas datës së tyre të skadencës jashtë sallave kirurgjikale, që do të thotë jo sepse në sallat kirurgjikale këto janë të rrezikshme, por sepse në sallat kirurgjikale këto nuk e kanë të gjithë efektshmërinë e tyre dhe janë maska që e zëvendësojnë disa herë më mirë për të mos thënë se sa fish, disa herë më mirë fazoletën, apo garzat që vendosen përpara fytyrës për vetëmbrojtje, apo mbrojtjen e tjetrin në kontaktin gjatë një gjendje të caktuar gripale apo epidemike. Asgjë tjetër. As më shumë dhe as më pak. Të thuash që këto janë maska të rrezikshme do të thotë që thjesht dhe vetëm të duash të përhapesh panik, apo të harrosh se sot nuk është koha për të luftuar me qeverinë, por sot është koha për të luftuar sëbashku që të gjithë, jo si qeveri, jo si opozitë, jo si politikë, por si shqiptarë për shqiptarët kundër një armiku që e ka nxjerrë botën nga binarët e natyrshmërisë së vet.
Thënë këto, unë e përsëris që kjo e maskave është njësoj si ajo e karantinës, si ajo e Shtëpisë së Ushtarakëve, Shtëpisë së Pushimit, për të cilën sot, bashkë me maskat u pretendua se ishte prova flagrante e kapjes mat të qeverisë. Pse? Se merret një vendim qeverie, lexohet dhe pretendohet që ne sot kemi filluar të mendojmë për shtëpinë e ushtarakëve. Po kur Shtëpia e Ushtarakëve u prezantua në media, e bërë gati, çfarë ishte, film? Po kjo task-forca opozitare, – edhe njëherë e përsëris, i ndaj qartë ekspertët shumë të nderuar që e përbëjnë me disa të tjerë që nuk do dëshiroja fare që të diskutonim sot se çfarë janë, – a nuk i tha të nderuarit kryetar të opozitës, ta shohim atë Shtëpinë e Ushtarakëve se aty fare mirë mund të vini dhe të bëni një vizitë, ndërkohë që nuk duhet të shkojnë të bëjnë vizita në spitale dhe në qendra shëndetësore, kur tërë bota dhe ne bashkë me botën iu themi dhe familjarëve të të sëmurëve mos u afroni, sepse mund të merrni, apo mund të jepni përmes një kontakti të afërt koronavirusin.
Nuk ka vend në planet që sot ka disa task-forca dhe për më tepër që sot merren me këtë me punë, me kush po bën çfarë, si po e bën etj..
Shtëpia e Ushtarakëve është gati. Vendimi i qeverisë është marrë, siç do merren dhe vendime të tjera me radhë në bazë të dinamikës se ne nuk jemi Kina, por dhe Kina po të ishim, nuk do të hidhnim kot fonde që i numërojmë si kokrrat e orizit, pa i ardhur momenti për t’i hedhur dhe këto fonde janë për ushqimet e për të vazhduar më tutje me infrastrukturën në 2 godina të tjera të po Shtëpisë së Ushtarakëve, është një kompleks i tërë dhe kjo është e gjitha sipas planit dhe skenarit. Por në vend se ta ndiqni me sytë e skifterit sistemin shëndetësor dhe punën që të gjithë po mundohemi të bëjmë, ejani bashkë me ne, njihuni dhe me skenarët tonë, njihuni dhe me planet dhe me të gjithë hapat e paracaktuar, jepni opinionin tuaj, sepse kjo nuk është një luftë dhe asnjë luftë në fakt nuk bëhet duke e treguar përpara e për më tepër, sepse skenarët janë të ndryshëm, dinamikat janë të ndryshme, vendet kanë pasur eksperienca të ndryshme. Ka algoritme mbi të cilat punohet për të ndërtuar modelet e rezistencës dhe këto nuk janë as për të ushqyer klubet e mbrëmjes, as për të ushqyer ekranet që duan gjak, por janë për të zhvilluar këtë luftë për njerëzit e zakonshëm.
Kështu që ftesa ime është ejani dhe të gjithë sëbashku të përballojmë këtë situatë, nuk ka nevojë për shumë task forca, nuk ka nevojë për këto shkëmbime, por jam i detyruar sot t’i bëj, sepse lëndon jo mua, por lëndon zemrën dhe helmon mendjen e një populli të tërë, kur dëgjon se janë shpërndarë 1 e kusur milionë maska të skaduara e të rrezikshme dhe tani po nxirren fondet për të filluar përgatitjen për karantinën. Lëndon, është një nga ato shpifje që lëndojnë një popull të tërë. Ftesa është shumë e sinqertë dhe nuk kam ndërmend të kthej përgjigje të tilla, përveçse në rastin kur, lus Zotin jo, për të mirën e gjithë këtyre njerëzve, mund të shfaqen përsëri të tilla monstruozitete që unë uroj të jenë thjesht dhe vetëm inercia e një sjelljeje dhe një qasjeje të papërgjegjshme në kushte paqeje. Por, nëse në kushte paqeje, papërgjegjshmëria dëmton një herë, në luftë, papërgjegjshmëria vret.
Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që të gjitha task-forcat e përshëndesin personelin shëndetësor për sakrificat, për kurajën, për rezistencën, por çfarë vlere ka përshëndetja, kur personelit shëndetësor i thua, këto janë vrasëse për ty. Personeli shëndetësor, lavdi Zotit, është një personel i jashtëzakonshëm. Janë ata që e kanë treguar veten atëherë kur fatkeqësitë na kanë rënë të gjithëve. Janë ata që e treguan veten edhe kur na ra një fatkeqësi e madhe si tragjedia e 26 nëntorit. Janë ata që po e tregojnë e do e tregojnë veten deri në fund, përsëri.
Sot ne, sipas parashikimit, jo për arsye tjetër dhe sipas meritës, kemi vendosur që të gjithë personelin mjekësor, mjekë dhe infermierë, sanitarë dhe shoferë, të angazhuar në sistemin e vijës së parë në luftën frontale me koronavirusin, pra, nga autoambulancat që shkojnë për vendosjen e tamponave që marrin analizat tek zona e blinduar e Infektivit, do t’i paguhen 1000 euro plus në muaj deri në mbarimin e epidemisë dhe sanitarët dhe shoferët, 500 euro plus. Natyrisht që në formulimin e vendimit do të specifikohen të gjithë.
Nga ana tjetër ka disa figura të mëdha dhe të respektuara mjekësia shqiptare dhe kjo është koha që mendja, eksperienca, kthjelltësia janë pasuria më e çmuar. Disa njerëz që janë ende shumë dinamikë, ende shumë të fortë, edhe pse i kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës, janë të ftuar dhe edhe ata, do të paguhen 1000 euro mbi pensionin e tyre, për të kontribuuar në këtë luftë. Nuk e përsëris fjalën luftë për asnjë zmadhim. Unë nuk e kam zmadhuar e nuk e zmadhoj kërcënimin e kësaj epidemie, por kjo epidemi që ka kapacitetin për të marrë jetë njerëzish është një armik. Ky virus është një armik dhe ne duhet të bëjmë çmos, gjithçka që ta përballojmë si një armik dhe ta vrasim si armik. Duke zvogëluar sa të jetë e mundur plagët, dhimbjet dhe humbjen.
Çfarë mund të jetë tjetër, përveçse luftë, nëse në vendin fqinj, në Itali do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë? Çfarë ka tjetër hapur në luftë? Madje në luftë ka hapur dhe gjëra të tjera, kur nuk je në frontin e parë të luftës. Çfarë kanë ushtarët në frontin e parë të luftës? Farmaci dhe ushqim. Asgjë tjetër. Dhe një vend për të fjetur. Por që të mos vijë puna tek farmacitë dhe ushqimoret si të vetmet pika të hapura, unë i bëj thirrje të gjithëve dhe më takon mua ta bëj këtë, duke kërkuar mirëkuptim maksimal dhe duke ju thënë se unë jam i pari, që për të lidhur fjalët me veprat, pavarësisht se nuk më kontrolloni ju nga afër, po zbatoj rregullin. Të zbatoni rregullat, sepse, nëse dikush vendos të vrasë veten, shteti është i detyruar ta ndalojë të bëjë një gjë të tillë, por këtu jemi në kushtet kur shumëkush po luan me veten dhe me të tjerët, po luan me nënë dhe me babain, po luan me motrën dhe me vëllain, duke i bërë karshillëk një armiku që nuk ka fare as veshë, as zemër, as sy, një force të verbër që të hyn në mes dhe të thyen brinjët e të këput në gjunjë, siç po ndodh me një vend aq të madh e aq të fortë e me atë sistem ekselent shëndetësie e siç po ndodh kudo, që po i dridhen këmbët gjithë botës.
Është një tjetër histori se sa e qysh kjo epidemi është e shërueshme, sepse vazhdojnë shifrat të jenë tejet pozitive për shërueshmërinë, por bota, sot nuk mund të pranojë e ne sot nuk mund të pranojmë që qoftë dhe një numër “i vogël” të ikin, pa i bërë hyzmetin deri në fund e mbi të gjitha, të mos i vrasim ne, mos bëhemi ne bashkautorë në vrasjen e tyre, duke u përqafuar e duke u shtrënguar duarsh e duke u bashkuar nëpër mjedise të mbyllura me shumë njerëz e duke shkuar nëpër disko, nëpër palestra e në hapësira që janë gjëja më normale në jetën normale, por që në luftë nuk frekuentohen. E për këtë arsye, ne do t’i mbyllim të gjitha, PUB-e, disko, palestra dhe mjedise që mbledhin shumë njerëz. Do t’i mbyllim të gjitha për të vendosur shëndetin të parin.
Edhe një herë e përsëris, më ka rënë mua kjo pjesë që ta bëj këtë rol me ju dhe të bëj edhe policin, edhe prindin, edhe të keqin, por duhet ta mirëkuptoni, nuk është dëshira ime, nuk do doja shumë të isha në këtë pozicion, por po ju them që kjo është gjëja që duhet bërë. Janë kufizuar kontaktet këtu në këtë godinë, për të gjithë, jo vetëm për mua. Edhe kjo mbledhje sot, edhe mbledhje të tjera që mund t’i bëjmë kështu, janë diçka e rrallë dhe që nuk është maksimumi për të zbatuar rregullat, sepse është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjen. Lëvizjet që në jetën e përditshme janë të nevojshme, por që nuk janë jetike dhe sot është një luftë për të mbrojtur jetën e çdokujt që është pranë nesh. Nuk mundet dot të shkojmë në klub dhe t’ia sjellim koronën gjyshes të sëmurë, apo gjyshit të moshuar. Nuk mundet dot të shkojmë në palestër dhe t’ia sjellim sëmundjen, larg qoftë, bashkëshortes shtatzënë.
Nuk është luftë që do zgjasë me vite, por është një luftë që çdo minutë është sa një vit. Kërkon vullnet dhe disiplinë me një të përditshme të reduktuar. Për këtë arsye, nga dita e nesërme do të çojmë në shtëpi të gjithë atë pjesë të administratës që mund të vazhdojë të punojë përmes kompjuteri, që bën punë zyre e që ka një kompjuter e që zakonisht bën atë punë.
Për këtë arsye, nga nesër ne nuk do të japim më shërbime nëpër sportele për të gjitha aplikimet online.
Për këtë arsye, nesër, shërbimi i ADISA-s do të mbyllet dhe të gjitha shërbimet do të merren online. Do të kërkohen online e pastaj do të shfrytëzohet koha, shpresoj që disa javë, kurba do të fillojë të përmirësohet, do të marrim përgjigjet.
Për këtë arsye, të gjithë prindërve që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtit apo arsimit bazë dhe që nuk janë në këtë pjesë të administratës që do shkojnë në shtëpi për të punuar nga shtëpia, ne do t’i japim menjëherë kohën sa i kemi dhënë dhe të formalizojmë sot lejen për të shkuar në shtëpi, për të mbajtur fëmijët në shtëpi, për të kufizuar sa më shumë kontaktet e tyre me të tjerët. Nuk është aspak gjëja më e mirë, apo një gjë e pëlqyeshme që mund të na ndodhte, sidomos ne shqipove që nuk jetojnë për të punuar, punojnë për të jetuar, por është diçka me të cilën duhet të përballemi me seriozitet dhe dinjitet, duke kontirbuuar të gjithë për familjen, për njëri-tjetrin e për shoqërinë. Nuk do të lejojmë që të shkojnë pranë spitaleve, jo vetëm ata, të cilët janë të afërm të të sëmurëve, por dhe ata, të cilët në ditë të zakonshme nisen drejt spitalit për të parë një herë se mos kanë ndonjë gjë.
Konsulta në spital do të bëhet sipas skenarit dhe planifikimit për gjendjen e luftës, për të gjithë ata që janë të sëmurë kronikë, apo për të gjithë ato raste, kur Urgjenca Kombëtare vendos sepse nuk ndalon lufta individuale me sëmundjet e tjera se erdhi korona. Ka njerëz që kanë nevojë për shërbim e do t’u japim shërbim të gjithëve, por është gjendje lufte. Ju e dini shumë mirë që unë do dëshiroja të shkoja e t’i përqafoja të gjithë, në radhë të parë, ata që e kanë. Do doja shumë që të isha ditë – natë, kudo, për të çuar këtë mesazh, por armiku na ka vënë të gjithëve këtë kufi dhe nëse unë bëj trimin, do kthehem në vrasës, duke ardhur dhe duke përqafuar të tjerë. Sa më shumë seriozisht e sa më shumë qetësisht ne të respektojmë këto kufizime, të vështira, patjetër, të mërzitshme, padiskutim, aq më shumë secili prej nesh bëhet një kontributor për ata që janë në vijën e parë të luftës e për ata që duhet të përballen me armikun në trupin e tyre.
Është po kaq e rëndësishme që të jetë shumë e qartë, nuk ka asnjë pengesë dhe ndalim për të gjitha mallrat. Është ndërprerë transporti me Italinë nga ajri dhe nga deti, si pasojë e shpalljes së të gjithë Italisë zonë e kuqe, por nuk ka asnjë ndërprerje të importit apo të eksportit, që do të thotë përveç të tjerash, se nuk është vetëm importi apo tregtia me Italinë, nuk ka asnjë problem për ushqimin, nuk ka nevojë për të rendur. Të gjitha pikat e furnizimit me ushqim, mbeten aty. Ashtu sikundër të gjitha pikat e furnizimit me ilaçe, mbeten aty.
Nuk është pjesë e kësaj dite të kësaj faze që ne të mbyllim restorantet apo klubet, por është e domosdoshëm që të gjithë restorantet dhe klubet të garantojnë një modifikim të numrit të tavolinave, duke krijuar një distancë dy metra nga njëra tavolinë tek tjetra. Këtë nuk e kemi shpikur ne. Unë nuk do doja kurrë të thoja gjëra që në kohë të tjera do dukeshin qesharake, por janë aq serioze sa nuk ka më. Është njësoj si të shmangesh nga plumbi. E njëjta gjë. Nuk janë gjobat, gjëja që ne mendojmë se është e para. Vendet e tjera, vende demokratike, vende të BE-së kanë vendosur gjoba marramendëse. Në Republikën Ceke paguan 100 mijë euro, i marrin edhe shtëpinë dikujt që del nga shtëpia, pasi ka ardhur nga një nga vendet e prekura.
Por ne jemi të vetëdijshëm që këtu është nevoja për t’u bërë bashkë. Këtu është nevoja që secili të bëjë detyrën e vet. Ne do bëjmë detyrën, unë do bëj detyrën, edhe si kryeministër, edhe si individ, edhe si familjar, edhe si prind dhe si biri i një nëne të sëmurë. Por pas kësaj sigurisht do të ketë dhe sanksione, sepse, kur të thonë ke ardhur nga një zonë e prekur, apo ke pasur një kontakt me dikë, – e thashë në fillim, 8 prej të prekurve janë kontaktet e një burimi, nga 10 që kemi, – atëherë duhet ta respektosh për veten tënde e për familjarët e tu. Në 14 ditë, Izraeli ka mbyllur 100 000 vetë në shtëpi. 100 000 qytetarë izraelitë janë mbyllur nëpër shtëpi 14 ditë dhe nëse dalin, shkojnë drejtpërsëdrejti në burg. Këtu besoj që duhet të mirëkuptohemi e do respektojmë shumë jetën dhe të drejtën e atyre që janë më të rrezikuarit, që të mbrohen dhe nga ne. Është e vërtetë, prek më të moshuarit, ata që janë më të sëmurë, por ne nuk mund të bëjmë asnjë shaka. Frikë, fare! Ndërsa kujdes po! Maksimal!
Frika është këshilltari më i keq, sepse statistikat, edhe të Italisë vetë, në raport me popullsinë, në raport me të prekurit, janë numra të vegjël. Shumica as nuk e marrin vesh fare që e kanë, por mund ta transmetojnë tek të tjerët. Dhe kur nuk e ke, kur nuk e merr vesh që e ke, nuk merr në telefon 127-ën, por ama je bartës dhe çon tek tjetri. Ky tjetri tek tjetri dhe një prej tyre hyn tek ai 20% që fillojnë shfaqin simptomat. Fatkeqësisht, një tjetër prej tyre hyn tek ajo përqindja e vogël e 20% që përfundojnë në spital.
Nuk dua t’i kthehem asaj që thash në fillim, kur fola për task-forcat e tjera dhe uroj që mos kem nevojë t’i kthehem më deri në fund të kësaj lufte. Nëse kanë shqetësime, nëse kanë nga këto akuzat për të bërë, ju lutem, mblidhini të gjitha, ruajini dhe plasini të gjitha, kur të ketë ikur armiku nga këtu. Për sa kohë armiku nuk ka ikur nga këtu, çfarë kontributi dhe çfarë ndihme është kjo? Kujt i shërben kjo, përveç se armikut, dekurajimit të njerëzve, panikut, pasigurisë dhe pastaj sjelljeve të papërshtatshme në raport me rregulla që duhet të ndjekim të gjithë. Të mbarojë kjo, ka kohë për të gjitha. Edhe për akuzat, edhe për përgjigjet. Të gjitha siç i meritojmë.
Dua ta ritheksoj domosdoshmërinë e madhe, shumë fare, që të mirëkuptohemi që të gjithë. Gjërat sipas skenarit do të shkojnë me një kurbë rritjeje. Ne presim sipas llogarive të bëra me algoritmet e vëna në dispozicion nga OBSH-ja dhe vendet e tjera që studiojnë njëra-tjetrën për të parë si sillet virusi këtu e atje dhe cilat janë masat dhe gjatë kurbës rritëse do të rriten edhe kufizimet, por do të rritet edhe goditja për ata që nuk do duan të kuptojnë se këtu nuk jemi në kushtet kur po themi paguaj taksat, ose mos shkel vijat e bardha, ose mos bëjë këtë e atë, se do të marrësh gjobë. Këtu jemi në kushte kur themi, kemi për detyrë të të ruajmë ty dhe ti s’ke të drejtë të vrasësh të tjerët rrotull.
Shumë respekt për punën që po bën gjithë ekipi drejtues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i ekspertëve. Do ta vazhdojmë pjesën tjetër të mbledhjes, për të miratuar disa prej vendimeve që i kemi dakordësuar. Por dua ta përsëris. Fëmija yt nuk rrezikohet në jetën e tij, larg qoftë, por duke patur kontakte të afërta fizike jashtë shtëpisë mund ta transportojë virusin në shtëpi dhe mund t’ia përcjellë gjyshit apo gjyshes. Vajzat ose djemtë, që me të gjithë të drejtën e Zotit dhe të robit kanë dëshirë të shkojnë dhe të argëtohen në mbrëmje, duhet ta dinë që u bënë shumë party nate në Milano me temën “ne s’pyesim për coronën”, ashtu sikundër u bënë shumë shfaqe aerobike nëpër palestra “ne i thyejmë brinjët coronës”.
Nuk janë gjërat e duhura, përkundrazi janë me dëm të madh për të gjithë.
E fundit, drejtuar të gjithëve.
Ti mund të mos ta marrësh vesh kurrë që e kishe koronavirusin. 80% s’kanë për ta marrë vesh kurrë, sepse e ke dhe nuk ka asnjë simptomë, por ti e transporton dhe ia jep të tjerëve. E nëse tek ti nuk ka asnjë simptomë, tek dikush tjetër mund të shfaqen simptoma dhe tek dikush tjetër që është hallka më e dobët godet.
Kjo është arsyeja, sepse nuk është çështja sa trima apo guximtarë jeni, por sa të vetëdijshëm dhe sa solidarë jeni, sa të gatshëm jeni të vetëpërmbaheni, duke sakrifikuar një stil të caktuar jetese që është e përditshmja jonë dhe duke e vendosur veten tonë në atë pikë ku jemi të frontit të madh të një lufte me një armik të padukshëm.
Sigurisht që mund të jemi të detyruar të shkojmë larg edhe në raport me mediat, por midis të shkuarit larg edhe në raport me mediat, për të siguruar që nuk ka burime faktesh alternative, sepse faktet janë një, mendimet janë alternative e në këtë rast nuk është koha për të dhënë mendime për çështje që janë strikt të kufizuara në fushën e një grupi të ngushte njerëzish, ekspertësh dhe autoritetesh të shëndetësisë, shumë më mirë është që me atë fuqi dhe me atë mundësi për të komunikuar me ata që ju ndjekin, të bëni më të mirën që në këtë luftë të fitojë qetësia dhe vendosmëria, të fitojë informacioni dhe gatishmëria dhe jo paniku, pasiguria, ankthi dhe kështu me radhë.
E përsëris, këtu nuk ka vend për frikë. Nëse sot, mesazhi im ishte i ndryshëm nga herët e tjera, sepse sot është një ditë tjetër nga ditët e tjera, nesër do të jetë një ditë tjetër nga ditët e tjera dhe vetëm kështu mund ta fitojmë këtë luftë. Ndryshe na merr përpara inercia e të marrurit me sportivitet të një beteje që është luftë, nuk është lojë.
Shumë faleminderit dhe ne vijim do të ndjekim dinamikën dhe do të marrim të tjera vendime.
Askush nuk duhet të impresionohet nga numrat e rasteve të reja, sepse janë brenda parashikimeve dhe nuk do të kemi as 10, as 20 as 30, do të kemi shumë më tepër se kaq, por e rëndësishme është çfarë do të bëjmë për të mbajtur mbyllur perimetrin e solidaritetit dhe sa do të ndihmojmë njëri-tjetrin, për të lehtësuar psikologjikisht një luftë si kjo, që në radhë të parë fitohet psikologjikisht, pastaj beteja tjetër, ajo në vijën e parë, është ajo e personelit shëndetësor mjekësor, të gjithë strukturave që janë aty, të cilat kanë nevojë për solidaritet, kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për energji pozitive dhe jo për t’u ngacmuar psikologjikisht, sepse janë vërtetë në një luftë, çdo sekondë që vënë në radhë të parë në provë, jo eksperiencën apo zanatin e tyre, por nervat e tyre.
Faleminderit!
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka lajmëruar edhe masat e reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19:
– Pension në shtëpi me kosto zero për të moshuarit, duke filluar nga ky muaj deri në përfundim të kësaj situate.
– Grumbullimi masiv i personave në ambiente publike është i ndaluar dhe në çdo rast distanca nga njeriu tek njeriu nuk duhet të jetë më e vogël se një metër.
– Mbyllja për publikun deri në 3 prill i të gjitha ambienteve që ofrojnë shërbime si disko, lokale nate, ambiente për argëtimin e të rinjve si qendra sociale, palestra, pishina.
– Kufizim i kontakteve në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike. Për qendrat sociale që ofrojnë shërbime si për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët pa përkrahje prindërore, do të shmanget kontakti me persona jashtë strukturës ku ata banojnë.
– Restorantet, baret të ofrojnë shërbime për qytetarët duke respektuar distancën prej së paku 2 metra nga tavolinat dhe së paku 1 metër qytetarët nga njëri tjetri.
– Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit dhe të hartojnë një plan masash për shmangien e kontaktet të personelit me publikun.
– Punëdhënësit privatë të marrin masa për parandalimin e përhapjes e virusit. Kontakti i tyre me publikun të shmanget nëse shërbimi mund të ofrohet online.
– Do të pezullohen përkohësisht të gjithë proceset dhe procedurat për konkurset publike të punësimit.
Ftohen të gjithë qytetarët, subjektet private të zbatojnë masat e mësipërme, të përshtatin rutinën me këto masa për të mos vënë në rrezik veten dhe të tjerët deri në përfundim të kësaj periudhe që shpresojmë të mos zgjasë shumë.