Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“E dashur Marsida,

Të nderuara zonja të dëshmoreve të policisë,

Të dashur fëmijë të tyre,

Të nderuar anëtarë të kësaj familje të madhe të Policisë së Shtetit,

Zoti Ministër,

Zoti Drejtori i Përgjithshëm,

Miq dhe të ftuar,

Ky është i treti vit që familjet e dëshmorëve të Policisë së Shtetit vijnë këtu për të përkujtuar sëbashku me anëtarë të kësaj familje dhe me përfaqësues të qeverisë, të rënët, bashkëshortët e tyre, baballarët e tyre, bijtë e tyre, ata që u përballën me krimin dhe lanë jetën në fushën një beteje, fatkeqësisht, të pabarabartë.

Një betejë ku gjurma e tradhtisë ndaj Policisë së Shtetit do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën e të gjithë atyre, që u gjendën në fushën e kësaj beteje dhe në shpirtin e të gjithë atyre që, sot e gjithë ditën, janë anëtarë të familjes së madhe të Policisë së Shtetit. E, padyshim dhe në mendjen e të gjithëve që sot do të gdhihen në mëngjes dhe do të veshin uniformën dhe do të nisen drejt asaj fushe beteje.

Tradhtia është e para që duhet të çrrënjoset njëherë e mirë në përballjen mes shtetit dhe krimit, në përballjen mes policit të shtetit dhe kriminelit, në përballjen mes ligjin dhe paligjshmërisë. Tradhtia është e para që ne kemi nisur të çrrënjosim për ta bërë së paku të barabartë, përballjen në këtë betejë dhe për ta fituar atë me mjetet e ligjit, duke patur në dispozicion një Polici të Shtetit të cilës nuk i mungojnë, ashtu si nuk i kanë munguar në të shkuarën, njerëzit e devotshëm, profesionistët, shqiptarët e ndershëm dhe të përkushtuar ndaj misionit të tyre.

Teksa vija këtu dhe ndiqja dhe fjalët e atyre që patën mundësinë të flisnin para meje, mundohesha të parafytyroja jetën e të gjithë atyre që sot nuk janë më dhe shkaqet pse sot ata nuk janë më. Nga ana tjetër dëshiroj me gjithë zemër dhe me plot bindje t’u them familjeve të tyre se në përvjetorin e ardhshëm ne nuk do të vijmë këtu kokulur, qoftë për shkak të tradhtisë të shtetit ndaj shumë prej tyre, qoftë për shkak të braktisjes nga shteti të shumë prej atyre që mbetën pas. Përvjetorin e ardhshëm ne do të vijmë këtu me kokën lart sepse do të kemi bërë një nga një detyrat tona, karshi secilës prej familjeve të dëshmoreve të Policisë së Shtetit, duke bërë kështu detyrën e parë karshi vetë atyre.

Jo vetëm karshi familjeve, jo vetëm karshi grave të mbetura vetëm, asnjëra prej të cilave nuk do të jetë e papunë vitin e ardhshëm; jo vetëm karshi fëmijëve të tyre, asnjëri prej të cilëve nuk do të jetë papërkrahje vitin e ardhshëm, duke i siguruar se asnjë familje e policëve të vrarë nuk do të jetë pa strehë vitin e ardhshëm, por edhe ndaj gjithë familjes së madhe të Policisë së Shtetit që sot është njësoj një familje e varfër shqiptare, me mungesa dhe pamundësi që e bëjnë shumë të vështirë kryerjen e misionit. E misionit të mbrojtjes së jetës dhe të pronës së çdo individi dhe të mbarë popullit në gjithë këtë vend.

Unë jam besimplotë se vitin e ardhshëm ne do të vijmë këtu me shumë më tepër arsye për të kërkuar shumë më tepër nga anëtarët e familjes së madhe të Policisë së Shtetit, duke iu dhënë atyre përgjatë gjithë kohës në vijim shumë më tepër se çkanë marrë deri më sot, pa i tradhtuar kurrë, pa i harruar kurrë, pa i lënë kurrë vetëm në një betejë, që pas më të voglin dyshim, Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet morale dhe profesionale ta fitojë, duke i dhënë njëherë e mirë fund një epoke, që e bën Shqipërinë vend unikal në Evropë, për nga numri i të vrarëve në radhët e policisë në një vend në tranzicion.

Askund tjetër nuk është regjistruar një numër i tillë të vrarësh. Askund tjetër krimi nuk ka mundur të marrë epërsinë që ka arritur të marrë këtu ne vendin tonë të vogël, por besoj se si askund tjetër këtu sot, ekzistojnë arsyet për të marrë hak në emër të ligjit; për të marrë hak në emër të komisarëve dhe të policëve të vrarë barbarisht nga kriminelë dhe rrugaçë, që në shumë raste i kanë pasur krahët e ngrohta; për të marrë hak në emër të fëmijëve dhe të nënave të tyre; për të marrë hak në emër të së ardhmes që kërkon nga ne të gjithë të jemi në lartësinë e kujtimit të atyre që sot përkujtojmë.

E nëse sot nuk mund të bëjmë asgjë më të mirë se sa të marrim fjalën dhe të flasim, dita-ditës mund të bëjmë diçka ende më të mirë, që të flasim me vepra dhe jo me fjalë, që të flasim me punë dhe jo me fjalë, që të flasim me rezultate konkrete dhe jo me statistika të manipuluara.

Unë përulem me mirënjohje, përpara të gjithë atyre që sot në mëngjes veshin uniformën blu dhe nisen për në punën më të vështirë në këtë vend, punën e policit, punën e komisarit të policisë, punën e drejtorit të policisë. Është puna më e vështirë në këtë vend dhe është puna më e keqpaguar në këtë vend. Mbi të gjitha është puna më fisnike që sot mund bëhet për këtë vend dhe është puna më pafisnikërisht e trajtuar deri më sot në këtë vend. Përulem me mirënjohjen më të thellë për atë sakrificë, që bij nënash, burra grash që janë edhe nëna, baballarë fëmijësh, por edhe vajza të reja dhe gra nën uniformë, bëjnë përditë, duke dalë nga shtëpia e duke shkuar jo si të gjithë të tjerët në një punë, por duke shkuar ndryshe nga të tjerët drejt të panjohurës. Drejt të panjohurës dhe rrezikut që gjendet kudo, qoftë me përballjen e forcave më speciale me një kriminel të sofistikuar, qoftë dhe në rrugë ku shumëkush, fatkeqësisht, guxon që fjalën e fundit t’ia thotë të parën shërbëtorit të shtetit dhe përfaqësuesit të shtetit, policit të shtetit.

Ne do të bëjmë gjithçka që shoqëria shqiptare kërkon prej nesh për të bërë për Policinë e Shtetit, që familjet shqiptare kërkojnë nga qeveria për t’i dhënë Policisë së Shtetit, që vajzat dhe djemtë e këtij vendi kanë nevojë që përmes qeverisë t’i jepet Policisë së Shtetit. Sepse Policia e Shtetit është mbrojtja që ata kanë. Sepse Policia e Shtetit është siguria që secili nga anëtarët e familjes ë madhe shqiptare ka, qoftë kur del në rrugë, qoftë kur rri në shtëpi. Sepse Policia e Shteti është tek e fundit, mbrojtja e vetme për jetën dhe për pronën e çdo individi, por dhe të popullit shqiptar si i tërë.

Duke qenë mëse i bindur se asnjë fjalë dhe as miliona fjalë nuk do të mjaftonin në botë, për të thënë atë që duhet thënë, por duke qenë njëkohësisht i bindur se ajo që duhet thënë në kujtim të dëshmorëve të Policisë së Shteti është thjesht ajo që duhet të bëjmë të gjithë bashkë çdo ditë, unë edhe njëherë u shtrëngoj fort dorën, me dashuri dhe me shumë respekt, një e nga një të gjithë anëtarëve të familjeve të dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe i siguroj se në detyrën time, asnjëherë nuk do ta ndaj vëmendjen ndaj tyre dhe ndaj të gjitha familjeve të policëve të shtetit në detyrë.

Mirëqenia, qetësia dhe normaliteti për policët e shtetit në detyrë, buron nga familja e tyre, nga qetësia, normaliteti, në jetën e nënave, grave, vajzave dhe djemve të tyre. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë sa më të lehtë punën e tyre, duke i bërë sa më të lehta krahët e tyre. Krahët e prerë, krahët e rënduar, krahët e penguar deri dje, duhet të jenë krahë të lehta dhe të lira, për të kryer me sukses misionin e madh të rivendosjes së plotë të rendit në Shqipëri, të rivendosjes së plotë së Policisë së Shtetit në krye të detyrës këtu në këtë vend dhe rivendosjes së plotë dhe përfundimtare të dinjitetit të uniformave blu në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga uniforma e policit më të thjeshtë në zonën më të largët të vendit, deri tek uniforma e autoriteteve më të larta të kësaj force dhe të kësaj familjeje të Policisë së Shtetit.

Faleminderit të gjithëve, dhe respekt për të gjithë!

 

*Fjala  e kryeministrit, Edi Rama, mbajtur në përkujtim të ditës së policëve të rënë në krye të detyrës

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.