Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e fundvitit me ambasadorë e përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri:

Fort të nderuar shkëlqesi, mirëmbrëma dhe mirëserdhët!

Kam kënaqësinë të jem sonte bashkë me ju, në radhë të parë për t’ju falënderuar për këtë vit që kaluam e punuam sëbashku dhe për t’ju uruar një vit të ri, siç e dëshironi për ju, familjet dhe vendet tuaja.

Por, edhe siç është në traditën e këtij takimi të fundvitit, kam kënaqësinë të ndaj me ju këndvështrimin mbi zhvillimet e një viti në Shqipëri, në rajonin ku jetojmë e pak më gjerë.

Besoj nuk është e tepërt të thuhet se bota sot dhe përkatësisht, shoqëritë tona po përjetojmë një trazim të përgjithshëm, kompleks dhe jo lehtësisht të lexueshëm me instrumentet që disponojmë prej vitesh. Në planin gjeopolitik është një tërësi krizash të shumëfishta e sfidash shumë serioze në të gjitha nivelet globale dhe lokale, që e kanë venë në sprovë aftësinë e vendeve dhe të qeverive për të gjetur bashkërisht, mënyrat dhe mjetet e ruajtjes së ekuilibrave dhe të forcimit të paqes dhe sigurisë me mekanizmat e njohur.

Jemi të gjithë dëshmitarët e një viti si ky që po mbaron, ku liritë dhe të drejtat kanë vazhduar të shkelen rëndë në vende dhe rajone të ndryshme të botës, por tanimë  të jenë të pranishme si fakte tronditëse në sytë e të gjithëve ne, përmes ndërlidhjes që na mundëson në kohë reale të dimë gjithçka ndodh kudo qoftë në botë.

Në një botë ku verbëria terroriste ka vijuar të prodhojë pasoja makabre, ku konfliktet shkatërrimtare kanë vijuar të karakterizojnë Lindjen e Mesme, ku tensioni në lindje të kontinentit tonë vijon të jetë i gjithëpranishëm, por ku edhe fenomene shumë shqetësuese si diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes ndaj tjetrit, retorika e antipolitikës dhe popullzimi në kufijtë e kërcënimit ndaj vlerave dhe standardeve demokratike po e zgjerojnë influencën e tyre edhe në vendet dhe shoqëritë e zhvilluara.

Aq e vërtetë është kjo, sa ne shqiptarët, që deri përpara fare pak vitesh, shumëkush nga ju këtu na shihte si përfaqësuesit e rrallë të një politike konfliktuale dhe agresive, nuk ndihemi më kaq të rrallë, sepse bashkësia e politikanëve të kësaj natyre është zgjeruar progresivisht gjatë viteve të fundit dhe posaçërisht në vitin e fundit. E nuk duhet asnjë lupë e posaçme për të vënë re se presioni i ekstremeve ndaj politikave të harkut tradicional që mbulon përfaqësimin e ekuilibruar të shoqërisë po e banalizon progresivisht debatin publik dhe narrativat populiste po e kërcënojnë fushën e veprimit të të drejtave të fituara të shoqërive demokratike.

Para pak ditësh, një mik i çmuar i Shqipërisë e një avokat i madh i demokracisë dhe i zhvillimit, Sekretari John Kerry tha me shqetësim se çdo shmangie, sado e vogël, në themelet e lirisë është në fakt, një gur i shëmtuar në rrugën e tiranisë.

Pavarësisht këtij konteksti dhe vështirësive rreth nesh, ne në Shqipëri kemi vazhduar të investojmë gjatë këtij viti energji të mëdha në rrugën që e kemi përcaktuar si popull dhe prej të cilës nuk jemi luhatur, pavarësisht dallimeve të mëdha apo të vogla që duket se na ndajnë në debatin e përditshëm publik. Një rrugë të përcaktuar qysh prej 26 vitesh tanimë, integrimi i plotë në Bashkimin Europian.

Tek Europa, ne shqiptarët nuk ndahemi dhe përsa na takon ne si forca qeverisëse sot në Shqipëri e kemi të shkruar në programin tonë qeverisës që Europa nuk është udhëtim për të shkuar diku, por për ne shqiptarët është një rrugëtim i brendshëm drejt përmbushjes së një aspiratë kombëtare, për të pasur një shtet modern, demokratik dhe ekonomikisht solid.

Ne kemi ndjekur një politikë të jashtme dinamike dhe koherente, që mbron interesin kombëtar, me dinjitetin që kërkojnë shqiptarët ,në përputhje me përgjegjësitë tona, por në çdo moment në frymën europianiste që karakterizon forcat tona politike si përfaqësim i një populli që në këtë rajon ka qënë gjithnjë i angazhuar dhe mbështetës për stabilitetin, bazuar mbi vlerat dhe parimet e Europës ku duam të bëjmë pjesë  me të drejta të plota.

E në këtë kontekst kemi punuar aty ku besojmë se kemi mundësi të bëjmë më shumë, në forcimin e bashkëpunimit rajonal, në hapësirën që tanimë është e përcaktuar si Ballkani Perëndimor, por që në fakt, e thënë ndryshe, në një hapësire europiane që është ende jashtë Bashkimit Europian, ku përpjekjet janë të pareshtura dhe ku qasja tërësore sot është më e qartë se asnjëherë më parë ndaj paqes dhe ndërveprimit me njëri-tjetrit. Kemi punuar dhe do vijojmë të punojmë pa u lodhur që marrëdhëniet tona me të gjithë fqinjët të karakterizohen nga dialogu i hapur dhe me dëshirën e plotë që të ndërtojmë sëbashku mbi gjithçka na bashkon, duke pasur vetëdijen se çka na bashkon në interes të popujve tanë është shumë e madhe sesa çka hera-herës na ndan.

E për atë që hera-herës na ndan nuk kemi hezituar dhe nuk do hezitojmë që të ngremë shqetësimet tona të së kaluarës së largët apo më të afërt, por gjithnjë me dëshirën që të kemi zero probleme me fqinjët. Ne duam zero probleme me fqinjët dhe edhe kur gabimisht  duket apo interpretohet sikur krijojmë probleme, duke ngritur çështje të pazgjidhura të së kaluarës, e vërteta është se këtë e bëjmë thjeshtë sepse duam zerimin e tyre dhe jemi të bindur se kjo është plotësisht e mundur. Sepse është vërtetë gjithmonë e më e rëndësishme, që atmosfera e paqes dhe e ndërveprimit që ne sot kemi në këtë rajon, ku deri dje karakteristika kryesore ishin konfliktet, dasitë dhe hasmëritë e trashëguara, të intensifikohet në funksion të një dakordësie sa më të madhe me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin.

Para pak ditësh, ne çelëm Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, si një tjetër mishërim i një angazhimi të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe si një tjetër shembull i vullnetit për të intensifikuar kontaktet, për të rritur lëvizshmërinë në hapësirën tonë të përbashkët dhe për të punuar sëbashku për marrëdhënie që transformohen edhe në projekte konkrete të përbashkëta.

Nuk është e vetmja nismë, por të gjitha këto nisma sëbashku i japin përpjekjeve tona një cilësi të re, për një bashkëpunim të qëndrueshëm, të strukturuar dhe të harmonizuar në funksionon të një objektivi madhor, që mbi bazën e stabilitetit të krijuar, të ndërtojmë më shumë mirëqenie për popujt dhe për njerëzit tanë.

Kemi punuar dhe do punojmë papushim që interesi i përbashkët i një të ardhmeje të përbashkët të vendeve tona të prevalojë mbi gjithçka tjetër.

Kemi bërë sa kemi mundur, por jemi të vetëdijshëm që ende më shumë mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë për të promovuar shembujt e panumërt pozitiv të miqësisë dhe të solidaritetit që në histori apo në të përditshmen tonë kemi mes njëri-tjetrit.

Kjo vlen për të gjitha vendet, por sigurisht në radhë të parë në kuadrin e këtij ndërveprimi ne e shohim me shumë rëndësi thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit shembullor dhe në çdo aspekt me Kosovën; intensifikimin e dialogut dhe çlirimin e marrëdhënieve strategjike me Greqinë përmes dialogut; forcimin e mëtejshëm të dinamikës në rritje të bashkëpunimit pa paragjykime me Serbinë dhe patjetër edhe nxitjen sa më shumë të jetë e mundur pozitivisht të rritjes së cilësisë së bashkëjetesës në Maqedoni, mes popullit shqiptar dhe atij maqedonas.

E meqë aktualisht Maqedonia është në përfundim të një procesi zgjedhor, dua të përfitoj nga ky rast për t’i përgëzuar të gjithë të zgjedhurit pa përjashtim, por ata shqiptarë në mënyrë të veçantë dhe për të uruar me zë të lartë se ata do të gjejnë forcën të çojnë përpara një axhendë të përbashkët për të arritur cilësisht bashkëjetesën demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas, për ta rivendosur në krye të axhendave të tyre të përveçme partiake Marrëveshjen e Ohrit si emërues i përbashkët dhe për të kërkuar me një zë që programi i qeverisë së re, cilado qoftë ajo, të futet në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit. Partitë shqiptare në Maqedoni kanë identitetin e tyre dhe programet e tyre. Ato nuk janë të detyruara të bien dakord me njëra-tjetrën për gjithçka apo të rreshtohen së bashku në një kamp ose në një tjetër, por ato janë të imponuara nga interesi i të gjithë shqiptarëve pa dallim që besoj se është interesi i të gjithë popujve të rajonit, që të flasin me një zë të vetëm, për të vetmen gjë që nuk mund të ndahen, parimin e barazisë së plotë mes dy popujve në liri, të drejta dhe detyrime, në suazën e shtetit të përbashkët të Maqedonisë.

Modeli i bashkëpunimit rajonal në këtë zonë europiane ende jashtë BE-së që quhet Ballkani Perëndimor, për ne është i bazuar edhe në promovimin e zgjerimit të vazhdueshëm të hapësirave të ndërveprimit dhe heqjes së të gjitha barrierave jo tarifore, në mënyrë që kufijtë mes vendeve të rajonit praktikisht të bien, duke çliruar gjithkund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Ne do të vazhdojmë të nxisim të gjithë partnerët tanë në rajon në këtë drejtim dhe qoftë në rrugë dypalëshe, qoftë në rrugë shumëpalëshe do të jemi promotorë të palodhur të këtij procesi që ka nisur në Berlin, por që dita-ditës provohet se është e vetmja rrugë për popujt e rajonit dhe jemi të bindur se çdo ditë, çdo vit do të marrim një impakt në rritje, jo vetëm të volumeve tregtare dhe të ekonomisë së gjithsecilit, por në tërësi të europianizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe të bashkëjetesës rajonale.

Sigurisht, që kur ka kaluar dhe një vit tjetër dhe kur më duhet të kujtohem se përsëri një popull i vetëm në mes të Europës, populli shqiptar i Kosovës vazhdon të jetë i penguar të lëvizë lirisht nëpër Europë si gjithë të tjerët, nuk mund të mos e ndajë me ju, turpin që ndjej për BE-në, në raport me këtë të vërtetë kaq të hidhur që është e vërteta e njerëzve të atij vendi të ndaluar të jenë njësoj si gjithë të tjerët së paku në të drejtën për të lëvizur lirisht.

E besoj që ky ndalim është një shprehje kuptimplotë e një dobësie që jo vetëm këtu, por në shumë aspekte sot manifestohet nga BE.

Ndërkohë që Kosova si shteti më i ri i Europës ka nevojë të trajtohet në radhë të parë njerëzisht njësoj si të gjithë popujt e tjerë të Europës, pasi nëse çlirimi i energjive dhe zhvillimi i qytetarëve të saj i shërben drejtpërdrejtë, jo vetëm atyre, por edhe rajonit dhe rritjes së cilësisë së paqes e të bashkëjetesës në këtë rajon, ndalimi i kësaj të drejte nuk i shërben as atyre dhe as vetë BE-së dhe Europës si e tërë.

Dhe besoj se ia vlen të thuhet edhe diçka tjetër në raport me vendet që ende nuk e njohin Kosovën. Sfida jonë për paqen dhe sigurinë është e përbashkët. Qasjet tona mund të mos jenë të njëjta, por armiku i të gjithëve ne këtu në këtë sallë është një dhe i vetëm dhe i përbashkët, – terrorizmi. Një Europë më e sigurtë ndërtohet përmes një Europe më të bashkuar, më të ndërlidhur në fate dhe në përpjekje, më në sinkron brenda vetes  për më shumë siguri për veten.

Kosova ashtu si i gjithë Ballkani Perëndimor ende jashtë BE-së janë kyç për sigurinë e vetë BE-së dhe të Europës si e tërë. E nëse në gjuhën e zgjidhur të populistëve antieuropianë, zgjerimi duhet ndalur në emër të sigurisë, ne besojmë me të gjithë forcën e arsyes se zgjerimi duhet të vazhdojë në radhë të parë në emër të sigurisë. Të parit e Kosovës nga vendet që ende nuk e njohin atë, me sytë e të njëjtave arsye të para disa vitesh kur ky armik i madh dhe i përbashkët ende nuk ishte shfaqur në horizont, – ne besojmë se ka nevojë të përditësohet me sytë e së tashmes dhe të nevojës jetike të gjithë popujve dhe të gjithë vendeve brenda BE-së apo jashtë BE-së, në Europë për më shumë siguri dhe ndërveprim në emër të sigurisë.

Të dashur miq!

Kuptueshëm angazhimi ynë ka qënë dhe mbetet një angazhim i fokusuar tek përparimi në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. Nuk kemi patur dhe as kemi iluzione për gjithçka që ky proces implikon dhe këtë e kemi patur të qartë përpara se Europa të fillonte të humbte qartësinë në nivelin e BE.

E kemi patur të qartë se vazhdimësia e pandërprerë e përpjekjeve dhe progresi që duhet të sigurojmë përmes këtyre përpjekjeve në procesin e integrimit është po kaq i rëndësishëm për Shqipërinë sesa vetë anëtarësimi  në BE sepse është një proces unikal, i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në një rrugë pa alternativë tjetër, që për shqiptarët është rruga e modernizmit dhe demokratizimit të shtetit tonë.

Prandaj, besoj se sot është një tjetër moment ku ia vlen të rikujtohen të gjithë ata ndër ne, në Shqipëri apo në komunitetin, bashkësinë e madhe shqiptare, – që tek lëkundjet ndaj projektit të madh të BE në vende të tjera më të zhvilluara, shikojnë arsyet për të patur sintoni, – se në fakt nuk ka asnjë lidhje mes ambicies dhe përpjekjes sonë dhe atyre lëkundjeve. Çdo lëkundje për ne nuk është një zgjedhje mes BE dhe një të shkuare të lavdishme, siç avokojnë vende të tjera shumë të zhvilluara, por na vendos në një zgjedhje të pamundur mes të ardhmes dhe një të shkuare, ku po të kthejmë kokën, kemi vetëm errësire dhe çdo dritë në atë errësirë, është një dritë që me shumë përpjekje, me shumë sakrifica, me privacione të jashtëzakonshme në historinë tonë, është ndezur vetëm në emër të integrimit me botën përtej Adriatikut. Siç thoshte një poet i madh i Rilindjes sonë, “për ne shqiptarët dielli lind aty ku perëndon”.

Prandaj edhe njëherë tjetër sot kur ne besoj jemi tërësisht të gatshëm të marrim një përgjegjësi të re në procesin e integrimit dhe të çelim negociatat me BE, dua ta ritheksoj se cilado qoftë qasja e BE në të ardhmen e afërt kur parashikueshmëria është bërë çdo ditë e më e vështire, – rruga jonë  e integrimit drejt BE, do të vazhdojë si e vetmja rrugë për të patur një vend  ku fatin e njerëzve e përcaktojnë ligjshmëria dhe institucionet, një vend ku të ardhmen e njerëzve e garantojmë mekanizmat demokratikë të ngritur mbi një Kushtetutë demokratike.

E për këtë arsye ne kemi ecur shpejt dhe me vendosmëri për të arritur në momentin kur  jemi gati për të çelur negociatat dhe do të vazhdojmë të ecim me vendosmëri për të garantuar dhe të vetmin kusht për çeljen e negociatave që është fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi, përmes ligjit të famshëm tanimë botërisht të vettingut të gjykatësve dhe të prokurorëve dhe në të njëjtën kohë për të përparuar në çdonjërën nga fushat ku janë të përcaktuara prioritetet kyçe për Shqipërinë.

Jemi shumë të qartë dhe shumë të përgjegjshëm se çka kemi bërë është jo një arsye për të qënë të kënaqur, por një motiv për të kuptuar sesa shumë mund të bëjmë akoma. Nëse në këto tre vjet e pak kemi arritur të tregojmë se reforma të zvarritura dhe të pakryera për 20 vite rresht janë të mundura, atëherë këto tre vjet e pak na japin mundësi që të kuptojmë të gjithë së bashku sesa shumë prej gjërave që na janë bërë padrejtësisht të pamundura në kaq shumë vite, ne mund t’i bëjmë të mundura duke ecur vendosmërisht në rrugën e modernizimit, të demokratizmit dhe patjetër të europianizmit të vendit tonë.

Nuk diskutohet që nëse sot do të ishim të kënaqur për rezultatet që kemi arritur, pavarësisht një raport-progresi që na bën krenarë për punën e bërë do të ishim kundër sensit të historisë që po përpiqemi të shkruajmë së bashku me qytetarët shqiptarë. Jo, nuk jemi të kënaqur edhe pse rezultatet në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës janë në sytë e të gjithëve. Jo, nuk jemi të kënaqur edhe pse rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë në sytë e të gjithëve. Jo, nuk jemi të kënaqur edhe pse rezultatet për të rritur ligjshmërinë dhe për të ulur ndikimin e paligjshmërisë në vendin tonë, janë në sytë e të gjithëve. Eksperienca e deritanishme çka nënvizon dhe raporti i Komisionit Europian, në thelb evidenton qartësisht, jo vetëm kapacitetet tona për të bërë rezultate, por edhe potencialin tonë të madhe për të bërë edhe më shumë rezultate.

Nuk dua të bëj një listë të gjatë të reformave që kemi bërë, por dua vetëm t’ju them se reforma administrative-territoriale, reforma e pronës, reforma në energji, reforma në pensione, reforma në arsim, reforma në shëndetësi dhe se një sërë reformash të tjera, të cilat diku më shpejt , diku më ngadalë kanë filluar të japin rezultatet e para, janë edhe kartëvizita më domethënëse e vendit tonë në luftën kudër korrupsionit, që në fund të fundit është modernizim, modernizim, modernizim.

Por, nga ana tjetër, përsa kohë, ne nuk kemi filluar të zbatojmë kryereformën në drejtësi, atëherë është vërtetë e paplotë e gjithë kjo panoramë dhe përsa kohë, ne nuk do të hedhim hapat e domosdoshëm në këtë drejtim, atëherë nuk kemi çfarë kërkojmë nga Bashkimi Europian. Nuk është Bashkimi Europian që përcakton datën e çeljes së negociatave në këto kushte ku jemi. Jemi ne që mund ta përcaktojmë atë, duke i dhënë Bashkimit  Europian provën e prekshme të zbatimit të reformës në drejtësi, duke filluar pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuarit.

Presim me  padurim që Gjykata Kushtetuese të shprehet. Unë nuk e kam shprehur bindjen time që Gjykata Kushtetuese nuk kishte nevojë për Opinionin e Venecias për t’u shprehur, pasi historia e saj tregon se gjykatësit tanë kushtetues, kur duan, dinë, nuk ju mungon as eksperienca, nuk ju mungojnë as dijet për të bërë gjënë e duhur.

Është ngritur një pikëpyetje në sytë e të gjithë opinionit publik nga çuarja e ligjit në Komisionin e Venecias. Tani, pasi Opinioni i Komisionit të Venecias ka ardhur dhe është i qartë për të gjithë, edhe pse në Shqipëri ju e keni parë se ka filluar një debat politik, kush është më i zoti në përkthim nga anglishtja në shqip, ose nga shqipja në anglisht, nuk mbetet gjë tjetër, veçse Gjykata Kushtetuese të konfirmojë Opinionin. E kundërta do të ishte një shuplakë, jo vetëm e pamerituar, por tërësisht e tepërt në fytyrën e popullit shqiptar që ka 26 vjet që kërkon një drejtësi të drejtë dhe sot, falë mbështetjes së pakursyer të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ka mundësinë që të fillojë ta prekë drejtësinë e drejtë që pret e meriton prej 26 vitesh.

Në përfundim dua të shtoj edhe dy fjalë, për atë që është pjesa më e vështirë e jetës së përditshme të qeverisë, ekonomia. Është pjesa më e vështirë e jetës së përditshme të qytetarëve, edhe më shumë sesa e jetës së përditshme të qeverisë dhe është sfida, pa diskutim, më komplekse për një qeveri si  e jona, në një vend si i yni, në kontekstin e përgjithshëm të një ekonomie që është gjithmonë e më e ndërlidhur dhe ku fatet e ekonomisë së një vendi nuk përcaktohen thjesht e vetëm nga çfarë ndodh, apo çfarë bëhet në atë vend, por nga shumë elemente të tjerë.

Besoj se pa qenë të kënaqur, mund të jemi krenar që sot kemi një vend që rritet në mënyrë të qëndrueshme, ku nga një rritje midis zero dhe 1% deri tre vjet më parë, shifrat thonë se rritemi me 3.2 dhe mund të mbyllim vitin me 3.4 %. Ndërkohe që vitin e ardhshëm mund të presim një rritje edhe më të lartë. Dhe për fat të mirë këtë nuk e thonë shifrat e qeverisë, që janë gjithmonë të diskutueshme, me plotë të drejtë, por këtë e thonë Banka Botërore, këtë e thonë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe këtë e thonë edhe agjencisë globale të rankimit.

Por, sidoqoftë, matematika është e thjeshtë. Ne hyjmë në një fazë ku ulim borxhin publik në mënyrë të qëndrueshme dhe në të njëjtën kohë rrisim rrogat dhe pensionet. Hyjmë në një fazë ku deficiti buxhetor parashikohet 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, ndërkohë që në vitin 2014 ishte 4.8 dhe në momentin kur ne morëm detyrën ishte 5.2%. Hyjmë në një fazë ku jemi të gatshëm të bëjmë ende më shumë, qoftë për rritjen ekonomike, qoftë edhe për shtresat më në nevojë.

Mark Twain na ka paralajmëruar shumë kohë më parë, sesa të gabonin institutet e sondazheve. “Nuk duhet të bëjmë parashikime sidomos për të ardhmen,”- thotë ai dhe meqë nuk ka mundësi të na dëgjojë sot dhe nuk ka mundësi as të më kundërshtojë, do të doja të guxoja që të parashikoja se bazat që kemi hedhur në këto tre vjet e pak janë një garanci që vitin e ardhshëm, i cili do të jetë dhe një vit zgjedhor, ku ne sigurisht do të kërkojmë të ripërtërijmë kontratën me qytetarët, ne të marrim ende më shumë rezultate nga reformat dhe pa diskutim të kemi një rritje ekonomike dhe më të ndjeshme, në radhë të parë për familjet që kanë nevojë ta ndiejnë në arkën e tyre këtë rritje.

Ashtu sikundër dua të guxoj të shkoj deri në pikën që të parashikoj se çdo bëjë Bashkimi Europian me ne, vitin e ardhshëm. Besoj se Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosi datën për çeljen e negociatave, në momentin që ne do të tregojmë një numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh që janë nxjerrë një herë e përgjithmonë nga pallati i drejtësisë.

Unë kam shumë besim se ne do t’ia dalim dhe kam shumë besim se në rastin e Shqipërisë, edhe vetë Mark Twain do dali i gabuar në paralajmërimin e tij se nuk është mirë të bëjmë parashikime sidomos për të ardhmen. Nëse shumë nga ju, në vendet tuaja, ju është dashur të vini tani në këtë moshë, edhe pse ende e re, po sidoqoftë jo aq e re për të kuptuar çdo të thotë të jetosh në një vend të paparashikueshëm, ne këtë gjë e kemi mësuar qëkur ishim të vegjël. Kështu që për ne ka ardhur momenti që në një botë gjithmonë e më e paparashikueshme të jemi mjaftueshmërisht të zotë, që të parashikojmë si duhet të ardhmen tonë. Dhe unë jam i bindur që parashikimi do të dalë.

Shumë faleminderit!

Edhe njëherë gëzuar të gjithëve Vitin e Ri dhe me shumë respekt faleminderit të gjithëve ju për gjithçka keni bërë këtë vit, ku në emër të të gjithë atyre që mund t’ju kenë sjellë mundime në administratën tonë, për 1001 arsye, ju kërkoj një ndjesë shumë të ndjerë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.