Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

Duke dëgjuar këtë Parlament, më saktë këtë krah të Parlamentit [në të djathtë], të shkon mendja te një nga etërit themelues të Europës, Konrad Adenauer, i cili në një moment sekëlldie duhet të ketë qenë kur tha, “duke u nisur nga fakti që Zoti e kufizoi inteligjencën e njeriut, është vërtet e pandershme që nuk kufizoi edhe budallallëkun”.

A ka njeri të ma thotë çfarë mund të debatojmë ne këtu me këta?

Të debatojmë pse Shqipëria ka këtë opozitë, që është e vetmja në historinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian që punon ditë-natë kundër vendit të vet, sa herë hap gojën dhe artikulon fjalë në gjuhë të huaj?!

Këtë do debatojmë ne?

Çfarë do debatojmë?

Dhe nuk e them unë këtë. Nuk e themi ne. Këtë e thonë tërë miqtë e Shqipërisë që ne takojmë. Këtë e thonë tërë ata që u angazhuan për Shqipërinë dhe për Maqedoninë dhe që bënë për Shqipërinë pakrahasimisht më shumë se këta.

Çfarë do debatojmë ne këtu?

Për çfarë debati bëjmë fjalë këtu?

Të debatosh pse opozita jonë është e vetmja që thotë “Shqipëria dështoi”, ndërkohë që Këshilli Europian poston edhe një kartolinë urimi për shqiptarët dhe për maqedonasit në Maqedoni, që Komisioni Europian përshëndet vendimin, që miqtë dhe partnerët e Shqipërisë na urojnë dhe vazhdojnë edhe sot të komunikojnë me ne për të na uruar?!

Çfarë debatojmë ne me këta?

Nuk e debatojmë dot këtë “çfarë”, se është njësoj si të debatosh, pse keni rënë në prehrin e Esad Pashë Toptanit.

Pse jeni katandisur në një tufë efendilerësh esadistë si ata të parodive?

Çfarë do debatojmë?

Ne nuk kemi fare për çfarë të debatojmë dhe me thënë të drejtën, sinqerisht, ne nuk kemi punë me këta fare. Sinqerisht.

Ne nuk kemi punë me këta se kemi mjaftueshmërisht punë për të bërë dhe në këtë stad të ri, barra jonë është plotësisht e rëndë, sa nuk mund t’i mbajmë më këta në kurriz. Boll kemi rënë në nivelin e tyre! Boll bëhemi pjesë e këtyre debateve absurde dhe kontribuojmë dhe ne në sekëlldinë e njerëzve që shohin Parlamentin.

Njerëzit e bëjnë këtë pyetje sa herë hapin televizorin dhe shohin Parlamentin, “për çfarë flitet këtu? Çfarë debatohet? Për çfarë flasin këta?”

Mjaft, t’i lëmë në punën e tyre dhe ne të vazhdojmë punën që kemi përpara, sepse ka shumë për të bërë akoma, ka shumë gjëra për të përshpejtuar dhe ka shumë sfida për të fituar.

Sot kam marr ftesën, bashkë me Kryeministrin maqedonas, për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel, për t’u ulur me delegacionet me Komisionin dhe për të filluar diskutimin për punën përgatitore, që është puna e gjithë procesit analitik për hapjen e negociatave.

Këta thonë, “jepni dorëheqjen”!

Do flas edhe me Kryeministrin e Maqedonisë, do t’ia parashtroj këtë kërkesë dhe do t’ju kthejmë përgjigje. Do t’ju kthejmë përgjigje, patjetër, por kur të jemi pushim, domethënë, ka kohë.

Ne kemi datën për negociatat. Këta thonë “jo”, se qershorin e kanë problem, se në qershor i pësojnë të gjithë ato goditjet dhe po panë qershor, thonë nuk ka shans që të jenë pozitiv. Jo, qershori nuk është pozitiv për ju. Qershori është hija që ju ndjek e do vazhdojë t’ju ndjekë nga pas. Ja, do vijë qershori tjetër, rrugës është dhe qershorin tjetër, një rrugë e dy punë, t’ju rregullojmë mirë siç e meritoni dhe të hymë në finalizimin e procesit, duke organizuar Konferencën Ndërqeveritare për Negociatat.

Në korrik vjen ekipi i Komisionit Europian, pikërisht për programin analitik, “screening” ia thonë në anglisht. Në këtë proces, ne kemi shumë e shumë gjëra për të organizuar dhe një rrjet të tërë njerëzish për të vënë në funksion. Kështu që, sinqerisht, është fatkeqësi që nuk kemi opozitë as për ekonominë, zero, as për punësimin, zero, as për zhvillimin rural, as për turizmin, as për arsimin, as për shëndetësinë, zero. Duhet të pajtohemi me këtë fatkeqësi. Nuk kemi opozitë.

Opozitën e kemi në terren. Opozitën e kemi në rrjetet sociale. Opozitën e kemi në mexhlisin ku jetojnë njerëzit. Opozitë kemi hallet dhe problemet e tyre dhe me ata do qëndrojmë.

Këtyre çfarë t’i bëjmë? Shih dhe shkruaj, lëre pastaj për të dëgjuar, se aty nuk ke as çfarë sheh, as çfarë shkruan.

Është problem shumë i madh, realisht, sepse jemi vetëm, edhe qeveri, edhe në përpjekje për të kuptuar se si mund t’i bëjmë gjërat më mirë dhe në këtë përpjekje kemi vetëm një shpëtim, njerëzit e zakonshëm, ata që na kanë votuar dhe ata që nuk na kanë votuar. Ata që votuan në drejtimin e duhur, ata që votuan në drejtim të paditur, janë njerëzit tanë që të gjithë. Me ta e kemi ne punën. Përpara tyre kemi ne detyrimin të debatojmë.

Me këta?

Mazallah! Asnjë debat. Kohë e humbur në absurditet. Mirë e tha një nga etërit themelues, o Zot, e kufizove inteligjencën, po budallallëkun pse e le pa kufi?

Pse o Zot, e le pa kufi!

Unë po iki. Dëgjojini çfarë vjen pas dhe drejtojuni Zotit, se përgjigje dhe ngushëllim për këtë hata që e ka gjetur këtë Parlament dhe këtë vend, me një tufë efendilerësh esadistë që nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse baltosin Shqipërinë ku të munden dhe nxjerrin nga goja 1001 paudhësi, nuk kemi asnjë rrugë tjetër.

O Zot, pse nuk e kufizove budallallëkun!

Budallallëkut pa kufi unë tani po i hap rrugë dhe debat të mbarë në të folurit me veten tuaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.