Fjala e kryeministrit Rama në takimin me kryetarët e bashkive dhe përfaqësues të pushtetit vendor:
Përshëndetje të gjithëve,
Faleminderit për praninë tuaj,
Përfitoj nga rasti, edhe pse me vonesë, por jo për fajin tim, t’i uroj fitore dhe suksese të gjithë të zgjedhurve të Partisë Demokratike. Dua të ndaj me ju lumturinë që historia e sms-s në fushatë ka dhënë rezultat shumë pozitiv. Jam edhe më i lumtur që mes jush është dhe ai që kishte frikë se e shikonin me mua.
Kjo është shprehje besoj e vullnetit të mirë për të rrugëtuar së bashku, secili në detyrën e tij sigurisht, por në bashkëveprim të plotë. Sepse, ashtu sikundër qeveria e ka praktikisht të pamundur të influencojë pozitivisht në jetën e një komuniteti, për aq sa i takon bashkisë, kur kryetari apo kryetarja e bashkisë nuk bashkëpunon me qeverinë, po aq edhe çdo kryetar edhe kryetare bashkie e ka të pamundur që të influencojë, ashtu siç dëshiron, në jetën e komunitetit të tij kur qeveria nuk është bashkëpunuese me të.
Prandaj, dua që ta bëj fare të qartë që në fillim se në marrëdhëniet tona nuk ka parti dhe nuk ka pengesa të krijuara nga lufta e natyrshme politike mes forcave të ndryshme politike që ne përfaqësojmë fatmirësisht apo fatkeqësisht, varet nga këndi reciprok i vështrimit.
Arsyeja pse dëshirova që të ishim këtu sot lidhet me domosdoshmërinë që së bashku ne të çelim një dialog intensiv, për të finalizuar paketën e parë të reformës të decentralizimit, si një paketë që sot pas ndarjes së re administrativo-territoriale është më e domosdoshme se kurrë më parë. Pasi nëse më parë fragmentimi i territorit dhe copëzimi i të gjitha sistemeve të shërbimit ishte katastrofik dhe një pengesë objektive për një decentralizim real, sot konsolidimi i njësive vendore na imponon që të shkojmë me shpejtësi përpara për t’ju dhënë ju të zgjedhurve instrumentet e domosdoshëm që t’i jepni qeverisjes së nivelit të dytë një përmasë tërësisht të re.
Për këtë çështje do të paraqesë përpara jush një sërë idesh në mënyrë të përmbledhur Ministri i Shtetit për Çështjeve Vendore, tek i cili ju të gjithë pa përjashtim duhet të shikoni pikën e qëndrueshme të kontaktit për çdo problematikë, dhe me Agjencinë që ne kemi ngritur për zbatimin e Reformës Territoriale-Administrative që nuk mbaron me zgjedhjet e 21 qershorit, ju keni një partner natyral për të trajtuar çështjet dhe shqetësimet sipas çdo rasti dhe nevojave të çdo komuniteti.
Më pas dëshiroj të ndaj me ju edhe tre çështje të tjera specifikisht.
Së pari, reformën më të rëndësishme në këtë fazë dhe më të vështirën, Reformën e Ujit.
Së dyti, domosdoshmërinë që ne dhe ju për interes të përbashkët, jo vetëm politik apo thjeshtë për arsye përgjegjësish, por edhe pragmatik për arsye financash, duhet ta zhvillojmë së bashku; Luftën kundër informalitetit.
Së treti, unë mendoj që asnjë takim pune nuk mbaron me ëmbëlsirën në fund, siç mund të mbarojë një drekë apo një darkë pune, vjen edhe pjesa e hidhur që ka të bëjë me trashëgiminë që ju keni marrë përsipër të administroni; borxhet ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.
Sigurisht, që pasi secili nga ministrat të trajtojë të treja këto çështje, sipas kësaj radhe ju do të jeni më shumë sesa të mirëpritur të bëni pyetjet tuaja, dhe në fund do të dalim në një konkluzion konkret për mënyrën sesi do të bashkëveprojmë në funksion të reformës, në funksion të specifikisht reformës së ujit, në funksion të luftës kundër informalitetit dhe në funksion të shlyerjes së borxheve që nuk mbajnë më, borxhet ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. E di që shumë nga ju nuk kanë asnjë përgjegjësi për këto borxhe. E di që të gjithë ju përveç borxheve që keni pasur për të trajtuar në njësinë që keni qeverisur më parë, dhe që pasi keni marrë mandatin keni marrë në kurriz edhe borxhet e fletoreve të Teki Selenicës, nuk keni përgjegjësi të drejtpërdrejtë personalisht, por keni trashëguar të gjithë përgjegjësinë e paraardhësve tuaj siç ne kemi trashëguar të gjithë përgjegjësinë e paraardhësve tanë.
Faleminderit për vëmendjen dhe po ja kaloj fjalën ministrit të çështjeve vendore për të bërë një pasqyrë të përmbledhur të vizionit tonë për reformën, për paketën që do të çelë një kapitull të ri në historinë e qeverisjes në Shqipëri, në lidhje me decentralizimin e pushtetit.
* * *
Ministri i Shtetit për Çështjeve vendore ka një meritë krejt të posaçme për dijen dhe vullnetin që ka vënë në dispozicion të kësaj reforme, por unë duke e dëgjuar pasi dhe e kemi diskutuar hera-herës e kam të pamundur që t’i shpëtoj të kaluarës time, sepse kam qenë kryetar bashkie dhe besoj që e di mirë, jo vetëm presionin nga komuniteti mbi kryetarin e bashkisë, aq më tepër në komunitete më të vogla se sa Tirana, por edhe domosdoshmërinë që si kryetar bashkie të kesh instrumente dhe të mos qëndrosh tërë kohën duke thënë s’e kam unë, s’e kemi ne, s’është e jona.
Nga ana tjetër, dhe për këtë arsye unë besoj se ka ende vend për t’u thelluar në këtë proces. Jam i bindur që kontributi i kryetarëve të bashkive me eksperiencë është shumë i vlefshëm. Prandaj, jepeni kontributin pa kursim dhe pa paragjykime, pavarësisht se ju kam mbështetur apo mund t’ju kem, po themi, kritikuar në fushatën elektorale.
Nga ana tjetër, unë besoj fort se Shqipëria është në një fazë historike nga ku ose bëhet shtet serioz ose humbet edhe një gjeneratë tjetër. Ne duhet të ecim me shumë më tepër shpejtësi dhe me shumë më tepër vendosmëri tek ndarja e punëve. Qeveria bën politikbërje dhe ekzekutim, por ne jemi ende në një fazë primitive të funksionimit të shtetit me ministri që ekzekutojnë. Ministritë nuk janë për të ekzekutuar.
Nuk është e mundur që Ministri i Shëndetësisë të emërojë infermieret në Skrapar apo në Lezhë, kjo është një anekdotë që as nuk qesh dot. Nuk është e mundur që ministrat dhe ministritë të përfshihen në procesin e ekzekutimit të drejtpërdrejtë, sepse ministri dhe ministria janë për të ndërtuar politika në bazë të vizionit të programit të qeverisë, për të ndërtuar standarde dhe për t’i monitoruar këto standarde. Nuk mund të bëjnë edhe punëtorin edhe supervizorin e vetvetes.
Ndërkohë që, agjencitë ekzekutive ndër të cilat bashkitë janë kryesoret, duhet të bëjnë shumë më tepër punë sesa standardi. Bashkitë tona deri më sot janë ndërmarrje komunale shumë më pak efikase sesa ato të asaj kohës që nuk po e sjell këtu se pastaj fillojmë ngatërrohemi me njëri-tjetrin. Nuk mund të jetë kështu. Nuk mund të jenë bashkitë thjesht dhe vetëm ekzekutuese tenderash për punë publike apo për kopshte, duhet të kenë më tepër pushtet ekzekutiv.
Në këtë aspekt, unë dua të vë theksin në disa nga pikat, për të qenë në krahun tuaj, në procesin e dialogut që ju keni me ministrin dhe me agjencinë.
Së pari, po marr një shembull tjetër. Ne sot kemi të centralizuar të gjithë sistemin e ujitjes dhe të kullimit. Kjo është nonsens. Sepse, nga njëra anë, e çarmatos komplet pushtetin vendor nga mundësia për t’i ardhur në ndihmë njerëzve që duan ujë për të ujitur apo duan kanale kulluese për të mos u përmbytur dhe nga ana tjetër nuk e siguron dot cilësinë që kërkon në raport me atë çka investon, duke pasur drejtorira dhe borde që janë praktikisht si struktura që nuk i japin llogari askujt. Nuk i japin llogari kryetarit të bashkisë, dhe llogarinë që japin në Tiranë e bëjnë sipas qejfit. Unë besoj që ne këtu duhet të bëjmë një reformë të thellë. Nga njëra anë drejtoritë e bujqësisë duhet të ndahen. Njëra pjesë duhet t’i bashkohet Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, AZHBR-së, për të funksionuar në rajone dhe për të ndihmuar fermerët që të rrisin kapacitetet lidhur me dijen, lidhur me fondet, fondet e qeverisë, fondet e donatorëve, fondet e Bashkimit Europian, lidhur me projektet, si shkruhet një projekt, si mund ta fitosh financimin për një projekt, si duhet ta ekzekutosh projektin që financimin ta marrësh deri në fund. E sigurisht edhe për të shtuar një kapacitet të munguar në Shqipëri, sidomos në fshat në një proces ku nesër ne rrezikojmë seriozisht të mos përfitojmë asgjë në ato fonde që Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion të bujqësisë në Shqipëri.
Pjesa tjetër duhet të kalojë tek ju, si një structure e domosdoshme në bashkitë e reja për t’u fokusuar tek bujqësia, blegtoria, zhvillimi rural dhe për të konverguar me strukturën tjetër. Ndërsa për sa i përket ujitjes dhe kullimit, absolutisht kjo duhet të jetë një përgjegjësi e juaja që do të kërkojë një reformë që ne do ta bëjmë paralelisht përpara janarit, duke mbajtur një agjenci kombëtare nën ombrellën e ministrisë së bujqësisë për magjistralet hidrovorët dhe duke kaluar gjithçka tjetër tek ju. Nga ana tjetër, ne nuk do të bëjmë siç bënin qeveritë e mëparshme, kalonin hallin po nuk kalonin lekë. Ky nuk është decentralizim, të jap hallin, i ke ti këto, po lekët dhe punonjësit i kam unë edhe i përdor për të ndenjur kot ose për gjëra të tjera. Ne do t’ju japim ekzaktëshit bashkë edhe kompetencën edhe atë pjesë të burimeve njerëzore dhe financiare që duhen për ta ushtruar atë kompetencë.
Fola për infermierët, përsëri mendoj që Ministria e Shëndetësisë duhet të vërë standarde dhe duhet të monitorojë. Testi që po bëhet i infermierëve dhe i të gjithë atyre që duan të bëhen infermierë sipas rajoneve duhet të vlejë njësoj si portali i arsimit, për t’i dhënë mundësi kryetarit të bashkisë, i monitoruar edhe nga këshilli bashkiak edhe nga ministria, që në bazë të testit profesional të marrë infermierët edhe t’i çojë në çdo zonë ku ka qëndrën e shërbimit. E pastaj është kryetari i bashkisë përgjegjësi. Jo si sot, që ju vijnë njerëzit, thonë s’kemi infermiere, s’kemi infermiere dhe ju ngrini supet se çfarë të bëni, vetëm t’i bëni gjilpërat vetë.
Çështja tjetër, përsëri për të ndarë, qeveria do të thellojë reformën, për të qenë gjithmonë e më shumë politikëbërëse, përcaktuese standardesh dhe monitoruese e rreptë. Këtu do të dëgjoni nga Ministri i Infrastrukturës, që mbi këtë parim është ngritur i gjithë koncepti i reformës së ujit.
Unë jam në fakt, jam vetëm për momentin, i idesë që kryetarët e bashkisë në këto njësi duhet të kenë përgjegjësi më të mëdha, por edhe mundësi për të ushtruar përgjegjësinë lidhur me rendin. Jo si luftë me krimin, sepse kjo nuk është pjesë e kompetencave, por si pjesë e detyrës tuaj për të siguruar qetësinë publike dhe për të siguruar rregull dhe mbrojtje mjedisit.
Ne kemi kaluar INUK-un e famshëm në suazën e Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër nuk mund ta lëmë kryetarin e bashkisë me telefon në dorë që të kërkojë Ministrin e Brendshëm apo të kërkojë kë ka ministër të brendshëm në hije opozita, i pari për t’i thënë ore më ndihmo për këtë punë, i dyti për t’i thënë ore dil shaj këta se nuk po më ndihmojnë për këtë punë. Ne duhet t’i japim kryetarit të bashkisë kompetencë mbi policinë, për çështje që i takojnë atij, duhet t’i japim kompetencë, unë mendoj, që të nxjerrë urdhëra administrativë të ekzekutueshëm domosdoshmërisht nga policia, dhe ministria e brendshme duhet të monitorojë sesi policia i përgjigjet ose nuk i përgjigjet kryetarit të bashkisë. Kjo do të na çonte paralelisht në shkurtimin drastik dhe unë mendoj në eliminimin e policive bashkiakë, që janë çeta pa impaktin e nevojshëm dhe pa edhe mundësitë e nevojshme. Debati këtu vazhdon midis nesh, ju mund ta zhvilloni këtë debat si e mendoni me ministrin edhe me strukturën tonë që bën dialogun me ju.
Një tjetër aspekt që mendoj që duhet patjetër të trajtohet, dhe këtu do të duhej mendimi i atyre prej jush që e njohin zonën rurale në mënyrë të veçantë; titujt e pronësisë mbi tokën, që janë një problematikë e tmerrshme e trashëguar, e kthyer në një çorap. Unë mendoj që kryetarët e bashkisë dhe bashkitë duhet të kenë më shumë forcë ligjore për ta mbyllur, për të pasur instrumentet që ta mbyllim këtë epokë të tmerrshme ku punohet toka pa letra. Ligjet i kemi, janë të qartë. Dhënia e titujve të pronësisë në fshat duhet të jetë një qëllim i përbashkët, sepse nga njëra anë do ta keni të pamundur të mbështesni zhvillime në territorin e fshatit nëse njerëzit nuk kanë tituj pronësie, se nuk i financon as AZHBR-ja, që është ndërtuar mbi standardet e Bashkimit Europian, dhe aq më pak donatorët e Bashkimit Europian, projekte pa tituj pronësie të qartë. Kjo është e lidhur drejtpërdrejtë.
Kemi edhe një debat tjetër të hapur për prefekturën, që unë mendoj që është një strukturë sot për sot, as mish as peshk. Një strukturë që ka disa përgjegjësi që edhe ajo nuk i ekzekuton dot dhe ka edhe disa përgjegjësi të tjera të marrë edhe të shohë çdo gjë që bëjnë kryetarët e bashkive, t’ua kthejë mbrapsht, historira që krijojnë një mbivendosje që ju e dini më mirë se unë, ata që e dinë, që shpesh herë është edhe arsye “unë ta mbaj”, “kaloje njëherë këtej”, “ta shohim” etj, etj.
Këto janë pikat ku mendoj që, përveç atyre që tha ministri, që ne duhet të fokusohemi, në mënyrë që t’i japim një trajtë sa më të plotë kësaj pakete. Sigurisht, që ju thashë, nuk këmbëngul në ndonjë ide, që më vjen më shumë si thirrje e të parëve, ngaqë kam qënë kryetar bashkie dhe që mund të jetë e parakohshme ose mund të mos jetë e vlefshme, por është mirë ta diskutojmë. Sepse, një reformë si kjo duhet të jetë pronësi e përbashkët. Çdonjëri nga ju, dhe nuk po e përsëris më, ose ndoshta e them për të fundit herë këtë dhe nuk do e dëgjoni më nga unë, por çdonjëri nga ju qoftë socialist, qoftë demokrat, duhet të jetë bashkëpronar i kësaj reforme. Sepse një reformë ku ke pronësi, ku je aksioner në kuptimin e pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të ideve dhe e konkluzioneve është shumë më e zbatueshme sesa një reformë që të vjen si nga qielli. Por sigurisht që, do t’ju lutesha demokratëve që në çështjet e qeverisjes vendore të jenë jo thjeshtë bashkëpunues, sepse është në interes të tyre, por të jenë edhe realistë, që të mos fillojmë të provokojmë njëri-tjetrin me kërkesa dhe me historira të pabëshme.
Unë ju siguroj që ne do të jemi qeveria që do të hyjë në historinë e këtij vendi si promotorja dhe zbatuesja e paketës më serioze të decentralizimit, në këto 27 vjet. Nuk po ju them se çfarë do të ndodhi pas vitit të 27, sepse kjo është një çështje që mund të lëndojë ëndrrat e secilit.
Këto ishin çka desha të them si ndërhyrje, po i jap fjalën Ministrit të Infrastrukturës për t’ju paraqitur një vizion sigurisht të përmbledhur, sepse është bërë një punë kolosale prej një viti e gjysmë për reformën e ujit, me pikat kryesore, ku padyshim do të dalë qartë ajo që sapo thashë; Vetëdija dhe vullneti ynë që të decentralizojmë, të decentralizojmë, të decentralizojmë dhe të monitorojmë, të monitorojmë, të monitorojmë.
***
Faleminderit zoti ministër!
Për të bërë një rezyme me qëllim përforcimin e disa pikave kyçe, në ato që ministri parashtroi në përpjekjen për të qenë sa më i përmbledhur, për një reformë, që ju siguroj nga pikëpamja e përgatitjes hyn ndër të paktat reforma kaq të mirë përgatitura, – dua t’u jap dy shifra. 50 milionë metër kub ujë që shpenzohet kot, sepse janë mbi nevojat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ndërkohë në 25 vjet kemi patur 23 strategji kombëtare për ujin dhe 78 dokumente strategjikë, të gjitha këto të financuara nga donatorë, nga lloj-lloj burimesh, të kërkuara në kaos total nga gjithëfarëlloj institucionesh. S’e ka ditur mjedisi se çfarë po kërkon ekonomia, s’e ka ditur transporti se çfarë po kërkon mjedisi, s’e ka ditur qeveria se çfarë po kërkojnë të vetët dhe kanë firmosur 23 strategji, njëra më e larmishme se tjetra dhe realitetin ju e dini mirë. Shumë më keq nga pikëpamja e funksionimit dhe e kërleshjes së interesave, të kompetencave, të burimeve të shfrytëzimit të ujit sesa energjia. Një katastrofë! Një humbje e një pasurie kombëtare që asnjë shtet nuk mund t’ja lejojë dot vetes. Por kjo është një tjetër arsye që unë nuk ekzagjeroj aspak kur them se ne ende nuk e kemi shtetin që duhet të kemi. Sepse tranzicion do të thotë “e ka kush e ka”. Po të shikosh gjithë sistemin e ujit është një “e ka kush e ka” që nuk mbaron. Kush e ka lidhjen, kush e ka administrimin, kush e ka financimin, kush e ka strategjinë, kush e ka dokumentin, një histori pafund.
Ne shumë shpejt, po brenda këtij viti, bazuar në një punë intensive për një reformë të menaxhimit të burimeve natyrore dhe të aseteve, do të përcaktojmë një ndarje të Shqipërisë në disa rajone menaxhimi. Në çdo rajon menaxhimi, qeveria dhe kryetarët e bashkive do të jenë kolona vertebrale e funksionimit të gjithë organizmit të politikbërjes dhe të përcaktimit të prioriteteve dhe financimit të projekteve në nivelin e një rajoni. Nuk flasim për qarqe, nuk flasim për bashki, por flasim për rajone menaxhimi, në bazë të disa modeleve shumë të suksesshme të BE. Praktikisht, këtë reformë ne e kemi punuar intensivisht për rreth një vit me ekspertizën e landit më të suksesshëm, jo të Austrisë, por të BE, në thithjen e fondeve strukturore nga BE. Ajo do të na ndihmojë që së bashku të ulemi dhe të përcaktojmë se cilat janë prioritetet, në nivelin e një rajoni ekonomik, përveçse cilat janë problemet dhe nevojat.
Tek uji ka patur shumë debat mes nesh, ka patur shumë debat me ekspertët edhe të huaj. Tendenca sot është konsolidimi. Irlanda sot ka vetëm një ndërmarrje ujësjellësi kombëtar. Ka shkuar në vite, në konsolidim. Vendimmarrja jonë është që, çdo bashki përgjegjëse për ujësjellësin, çdo kryetar bashkie përgjegjës për administrimin e ujësjellësit. Kryetari i bashkisë zgjedh të tre drejtuesit, që tha ministri. Por ky është fillimi, nuk është fundi. Unë jam i bindur që nëse në dy, katër, pesë apo shtatë vjet, nuk e di, do të qëndrojë kështu, herët ose vonë do të vijë dita që nevoja do të kërkojë që të ketë konsolidim. Do të vijë dita që Lezha të thotë nuk mund ta mbaj dot më vetëm, do të bashkohem me Shkodrën, me Kurbinin, etj. Do të vijë dita që Elbasani do të thotë nuk mbahet më vetëm sepse kostot janë shumë të mëdha dhe konsolidimi shkon duke u rritur në funksion të përfitimit. Megjithatë reforma do të fillojë kështu. Ama ajo që thashë se askush nuk do të fusë hundët në administrim, por qeveria do të ruajë të drejtën të vendosë standardet dhe të monitorojë. Çdo ujësjellës që nuk do të performojë, ose do t’i bashkohet një njësie tjetër, – p.sh në qoftë se kemi Durrësin dhe Elbasanin, në qoftë se nuk performon Elbasani, atëherë ujësjellësi i Elbasanit i bashkohet Durrësit, nëse Durrësi performon, ose merret në administrim të përkohshëm nga qeveria. Sepse në këtë rast, ju e dini mirë do të merrni administrimin e ujësjellësit, por do të merrni në rradhë të parë përgjegjësinë që të luftoni me lidhjet e paligjshme. Ka një zgjedhje që është maxhoritare në Shqipëri, historikisht, qoftë e qeverive, qoftë e kryetarëve të bashkive. Kujtojnë se fitojnë vota duke lejuar paligjshmërinë. Kujtojnë se fitojnë vota duke lejuar ndërtime pa leje. Kujtojnë se fitojnë vota duke lejuar lidhje të paligjshme. Kujtojnë se fitojnë, por është një iluzion. Nëse i lejojnë dhe fitojnë, të jenë të sigurt se nuk fitojnë nga këto. Por nëse i luftojnë këto, të jenë të sigurt se fitojnë shumë më tepër. Në këtë pikë ne do të jemi shumë rigorozë. 50 milionë metër kub ujë harxhojmë më shumë se ç’na duhet. Po të shikojmë një shifër tjetër që e ka ministri në listën e të gjithë analizës, ne kemi tre deri në shtatëfishin e punonjësve të ujësjellësve, më shumë sesa ndërmarrjet funksionale të ujësjellësve në BE. Kemi tre deri në shtatëfishin e punonjësve më shumë sesa ç’duhen për të bërë këtë punë. Është një shifër që tregon qartë se këtu ujësjellësit kanë qënë ndërmarrje punësimi, jo biznes. Por mos harroni një gjë, ka bashki që bëjnë para me ujin. Shikoni bashkinë e Veronës, është shembull. Bashkia e Veronës ka një strukturë bashkiake, kompani që ka ujin, ka mbetjet. Është një komani fitimprurëse, e cila tani ka filluar të bëhet kompani ndërkombëtare, sepse shkon dhe jep shërbime jashtë Italisë.
Kthimi i këtyre ndërmarrjeve komuniste pa komunizëm në çeta, jo menaxhimi, por në çeta hajdutërie, shkatërrimi, degjenerimi, duhet të marrë fund. Ndërmarrjet duhet të kthehen në kompani të bashkive dhe bashkitë me këto kompani duhet të bëjnë para. Kjo është sfida. Sigurisht nuk do të ndodhë brenda një dite.
Për të kaluar tek e treta, me shumë shpejtësi, pasi Ministri i Financave ishte në një angazhim dhe nuk vinte dot, ma la mua detyrën thjesht për të bërë një paraqitje tek ju, lidhur me domosdoshmërinë që ne kemi të bashkëveprojmë për informalitetin. Se në fund fare sido që të rrotullohemi dhe ngado të rrotullohemi secili nga ju do kërkojë para. Në fund vijmë tek paratë. Lufta kundër informalitetit është interes i përbashkët në mënyrë që çfarë marrim nga ekonomia gri, t’ua kthejmë qytetarëve në investime.
Për ne investimet do të vazhdojnë të kenë fokus komunitetin që do të thotë që sa më shumë ju të mbështesni këtë betejë, aq më shumë do të përfitoni drejtpërdrejtë si njësi nga financimet.
Sot pashë shifrat e 6 ditëve të para. Është marramendëse se çfarë disponon ekonomia gri dhe se si mund të ndryshojë krejtësisht pamja e këtij vendi në kuptimin ekonomik, duke filluar nga ndryshimi i përmbajtjes së financave publike. Më besoni janë shifra marramendëse.
Në gjashtë ditë është dyfishuar xhiroja krahasuar me ditët e para të shtatorit. Dyfishim i xhiros. Xhiroja pak a shumë ajo ka qenë, por është formalizuar. Unë jam i bindur që hapësira është për shumë më tepër. Sa më shumë ju të angazhoheni në këtë proces, aq më shumë do t’ju kthehet në rritje të financimit. Çfarë do të thotë të angazhoheni në këtë proces?! Se dhe këtu kemi një debat lidhur me mbledhjen e tatimeve. Ne mendojmë që mbledhja e tatimeve do të jetë e gjitha e përqendruar, por ndarja e parave duhet të jetë absolutisht e bazuar tek kontributet, kontribut i çdo bashkie.
Sigurisht që Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi, Korça, Vlora kanë shumë më tepër potencial dhe s’do të thotë që ato t’i marrin të gjitha ato që kontribuojnë dhe pastaj bashki më të vogla të ngelen pa gjë. Por, sigurisht duhet të ketë një incentiv dhe ne do të vendosim incentiva.
Çdo bashki që do të performojë siç duhet nga pikëpamja financiare, do të ketë incentiv për të marrë më shumë. Kjo lidhet dhe me librat e Tekiut, të kuptohemi. Nga ana tjetër, ju jeni të domosdoshëm për të frenuar korrupsionin e administratës tatimore. Ne do ta fusim në ligj që fshehja e një aktiviteti tregtar e ndëshkon penalisht me heqje lirie inspektorin e tatimeve. Se është e pamundur që inspektori i tatimeve mos ta shikojë një dyqan dhe mos ta regjistrojë. Por, nëse ne jemi sëbashku në këtë betejë, e para, do t’i kursejmë edhe atyre këtë dhimbjen e heqjes së lirisë, sepse do të jetë e pamundur të mbahen të fshehura të dhëna. Kështu, ne do të ndërtojmë një skemë ndërveprimi me të gjithë ju, lidhur me të dhënat. Ju keni interes të shtoni intensivisht numrin e bizneseve formal, sepse do t’ju kthehen ju në financim për të financuar komunitetin.
Edhe në këtë pikë nuk e bën ekonominë mbyllja e syve përpara, me demek atyre që janë biznes i vogël, sepse flasim për pika fundore të zinxhirit. Ai që shet dhe s’jep kuponin nuk është një biznes i vogël që ti po e ruan, është pika fundore ku shfryn evazioni i grosistit që tregton me shumicë.
Ky mall nëse shitet pa kupon nuk është një arsye për të thënë s’ka problem se nuk ia marrim dot shpirtin shitësit. Nëse shitet pa kupon, ky është evazioni i atij që e shpërndan këtë mall, kur shpërndarësi nuk është prodhuesi kuptohet. Ky është thelbi. Është pika fundore e zinxhirit.
Ne do të bëjmë një ligj dhe po e përgatisim që me paketën e re fiskale, të gjithë ata që kanë biznes të vogël me profesione; rrobaqepësja e lagjes nuk ka pse të paguajë TVSH-në, nuk ka pse të ketë kontabilist që të mbajë ato. Taksat e tyre ne do t’i ulim në mënyrë drastike. Hidrauliku, elektricisti, marangozi e të gjithë këta që me zeje hapin një biznes familjar dhe vetëpunësohen, nuk kanë pse të trajtohen as biznes i vogël, as i madh, ata duhet të trajtohen më vete. Por shitësi është i lidhur në zinxhir me shumicën, s’është më një çështje ta lëmë veç.
Po kaloj tek pjesa e fundit, pjesa e hidhur e borxheve. E borxheve që ne faktikisht i kemi problem shumë të madh. Operacioni i rimëkëmbjes së sektorit energjetik vazhdon. Përmirësimet e gjendjes financiare të kompanisë janë të jashtëzakonshme, por ende jo aty ku duhet.
Buxheti i shtetit është çliruar në një pjesë të madhe nga detyrimet e përvitshme që kishte ndaj kompanisë. Megjithatë ne nuk mund të pranojmë që institucione shtetërore, publike të mos paguajnë. Kemi ujësjellësit që janë “kampionë” dhe mbas ujësjellësve vijnë bashkitë dhe komunat.
Tani ministri do të bëjë një paraqitje të shkurtër dhe do të diskutojmë patjetër se si do ta zgjidhim këtë gjë në vijim. S’kemi dashur ta bëjmë asnjëherë në mënyrë drastike që të marrim gjithë lekët dhe të mbyllim aktivitetin, sepse ato para që ju keni nuk mund të trajtohen thjesht si paratë e një privati që i ka borxh shtetit, por janë para që janë të komunitetit dhe nuk mund të merren ashtu menjëherë nga thesari.
Por, edhe pafund nuk vazhdohet dot dhe tani është koha për ta ndarë këtë punë.
* * *
Duke dashur të bëj shumë shkurt një konkluzion për t’ju lënë të vazhdoni më tutje me ministrat në rast se keni pyetje, – do të thosha që e vetmja gjë që unë kërkoj është reciprociteti.
Reciprocitet do të thotë; ne detyrimet tona, ju detyrimet tuaja. Kush nuk i qëndron detyrimeve të veta nuk mundet të kërkojë nga ne që t’i qëndrojmë pranë.
Së dyti, dua t’iu them që situata që ne kemi trashëguar me projektet e bashkive është njësoj si situata që gjeti Tekiu me financat. S’flas për komunat, flas për bashkitë, përjashto një numër të vogël bashkish, ne kemi gjetur një situatë që nëse do të bënim një libër do të ishte libri më humoristik për Shqipërinë e tranzicionit.
Ju lutem, kuptoni që ne s’kemi asnjë lek për të falur dhe asnjë lek për të hedhur në drejtim të paditur. Ne duam që çdo qindarkë të shkojë në drejtimin e duhur. Duam që kur të vini të trokisni, të trokisni me projekte, dhe me projekte që kanë standarde. Kemi arritur këtu të shohim financime për projekte infrastrukture me tre fletë me shkrim. Më besoni, nuk po them asnjë anekdotë dhe nuk po i referohem një rasti të vetëm. Janë financuar projekte infrastrukture komunale me shkrim.
Pra, kryetari i bashkisë ka shkruar se si mendon ai ta bëjë rrugën dhe ka marrë lekët e rrugës. Këto ne nuk i bëjmë dot. Ne duam që ju të jeni shumë rigorozë në standardin e projekteve. Besoj që në këtë grup ka mjaftueshmërisht eksperiencë dhe vullnet, dhe mundësi, se nuk bëhet fjalë më tani për komuna bëhet fjalë për njësi të mëdha për të pasur projekte serioze, që të jenë kompetitive. Nuk do bëjmë, ne, t’ia japim këtyre të majtëve e të mos ia japim të djathtëve. S’kemi ndërmend ne pas dy vjetësh t’ua u lëmë të fitoni prapë ato bashkitë e djathta. Kështu që, ne kemi interes që të bëhet punë. Pastaj ju do i thoni që e bëtë ju, ne do i themi që e bëmë ne, të shohim çfarë do besojë populli, por ama ne nuk sabotojmë dhe nuk pengojmë absolutisht asnjë projekt që vlen dhe që financohet.
Le të vijë nga çdo bashki që të dojë, dhe do ta shikoni që realiteti këtë do ta provojë. Do ketë dhe të mërzitur që nuk do të financojnë asgjë. Flasim tani për pjesën që financojmë ne me strukturën e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Nuk flasim për paratë që ju i merrni në buxhet dhe pastaj ajo është e drejta juaj t’i administroni siç ju e shikoni më të arsyeshme.
Duke ju falenderuar kam vetëm një sugjerim. Ju e dini vetë. S’është çështja ime nëse do ta strukturoni shoqatën apo jo. Kjo është puna juaj, për mua personalisht se e bëni, se s’e bëni fitoni ose humbisni vetë. Për të gjitha këto që thamë në fund të kësaj mbledhje mirë është të bini dakord për një grup të përbashkët. Grupi të jetë miks dhe me disa kryetarë bashkish majtas, disa djathtas, një grup i përbashkët për t’u ulur seriozisht dhe për të folur me ministrin, me agjencinë, lidhur me këto që folëm sot për reformën në radhë të parë, se këtë të energjisë ju e dini që ne nuk e negociojmë, flasim për këto të tjerat. Për të folur për këto, që në fund të kemi një produkt që ju pastaj mund ta paraqisni tek njëri-tjetri, se s’do bëjmë dhe ne punën e shoqatës suaj, që e keni ose s’e keni, e përsëris puna juaj, por që të paktën ne të marrim maksimumin nga ju dhe paketa të ketë konsultimin.
Nuk pres unë që kryetarët e bashkisë të Partisë Demokratike ta mbështesin. Jam i bindur që do thonë ne kërkuam shumë më tepër etj, etj. Kjo është pjesa politike, nuk më intereson. Mua më intereson puna konkrete. Ajo që ju intereson dhe ju në radhë të parë, pastaj kur ju kërkon partia kështu është tani. Ajo që është e rëndësishme është të bëjmë këtë punë. Në qoftë se në fund fare, ju caktoni një grup njerëzish që s’duan as ta caktojmë vetë dhe aq më tepër të caktojmë kush do jetë nga ata të PD-së se pastaj i morëm në qafë. Po duam t’i caktoni vetë dhe brenda tetorit ne ta kemi mbyllur këtë pjesë në mënyrë që pastaj puna me buxhetin të jetë e lidhur bashkë me punën për këtë reformë.
Shumë faleminderit!