Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

THELLIMI I INTEGRIMIT NË TREGUN UNIK TË BE – SIGURIMI I RRITJES, BASHKEPUNIMIT DHE MUNDËSIVE PËR TË GJITHË

DEKLARATA E PËRBASHKËT

SAMITI I LIDERËVE TË GJASHTË VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR (WB6)

Tiranë, 21 nëntor 2025

 

Duke njohur rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një kornizë transformuese për të përshpejtuar integrimin e rajonit tonë me Bashkimin Europian dhe për të thelluar integrimin tonë ekonomik dhe rregullator me Tregun Unik të Bashkimit Europian, ne, Gjashtë Liderët e Ballkanit Perëndimor, të mbledhur në Tiranë më 21 nëntor 2025, riafirmojmë vendosmërinë tonë kolektive për të zbatuar reformat dhe nismat e përbashkëta që do t’i afrojnë gradualisht njerëzit dhe bizneset tona me liritë dhe mundësitë që gëzohen brenda Tregut Unik të BE-së.

Ne njohim partneritetin e fortë me Bashkimin Europian dhe Shtetet Anëtare të tij dhe angazhohemi të zbatojmë plotësisht Planin e Rritjes dhe Agjendat tona të Reformës përkatëse si rrugë kyçe drejt konvergjencës, konkurrueshmërisë dhe integrimit në BE.

 

HARTIMI I AGJENDËS SË NJERËZVE DHE BIZNESEVE

Duke u mbështetur mbi suksesin e nismës “Roaming Free” për Ballkanin Perëndimor, ne mirëpresim përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur një regjim “Roam Like at Home” BE–Ballkani Perëndimor deri në vitin 2026. Ky moment do t’u mundësojë njerëzve dhe bizneseve tona në gjithë rajonin të përfitojnë nga kosto më të ulëta komunikimi, duke përmirësuar lidhjen dixhitale, biznesin ndërkufitar dhe shkëmbimin ndërmjet njerëzve. Ne vlerësojmë punën e përbashkët të Komisionit Europian, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe operatorëve të telekomunikacionit dhe angazhohemi të sigurojmë gatishmërinë rregullatore për të mundësuar zbatimin e plotë.

Ne njohim rëndësinë strategjike të Inteligjencës Artificiale (IA) për konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ekonomive tona. Ne mbështesim ngritjen e Nismës së Fabrikave të IA (“AI Factories Initiative”) si një platformë rajonale për inovacion, kërkim dhe bashkëpunim me partnerët europianë. Duke investuar në të dhëna, infrastrukturë kërkimore dhe inovacioni, aftësi dixhitale dhe standarde etike të IA, Ballkani Perëndimor synon të pozicionohet si kontribues aktiv në të ardhmen dixhitale të Europës.

 

Në Samitin Digjital në Shkup (1–2 tetor 2025), ne riafirmuam angazhimin për forcimin e lidhjes dixhitale rajonale dhe me BE-në, avancimin e portofolëve të identitetit dixhital të ndërveprueshëm, harmonizimin e shërbimeve të besimit dhe forcimin e kapaciteteve rregullatore dhe teknike për të siguruar akses dixhital të sigurt dhe të pandërprerë për njerëzit dhe bizneset tona.

Ne mirëpresim përgatitjen e Autostradës së Tregut Unik (“Single Market Highway”), e projektuar për të integruar ndërmarrjet tona në zinxhirët e vlerës dhe furnizimit të BE-së, për të forcuar partneritetet industriale dhe për të tërhequr investime të qëndrueshme. Ne do të promovojmë specializim industrial të zgjuar, mundësi B2B dhe përafrimin e standardeve tona me legjislacionin e BE-së dhe prioritetet e politikave industriale, me synim përmirësimin e integrimit ekonomik në sektorë strategjikë të interesit të përbashkët për partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Në këtë drejtim, Dialogu Industrial BE–Ballkani Perëndimor do të jetë një instrument i rëndësishëm për të çuar përpara punën e ardhshme.

Ne mirëpresim nisjen e Akademisë së Tregut Unik (“Single Market Academy”), e cila synon të forcojë sistemet tona rajonale të infrastrukturës së cilësisë dhe të ofrojë mbështetje të strukturuar dhe afatgjatë për t’u përafruar plotësisht me Tregun Unik të BE-së.

Ne mirëpresim rezultatet e Forumeve të fundit të Investimeve të mbajtura në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe njohim rëndësinë e nxitjes së investimeve private dhe publike në rajon. Në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Europian, ne do të mbështesim promovimin e një forumi vjetor investimesh me pjesëmarrje të nivelit të lartë politik dhe me prezencë të gjerë të investitorëve publikë dhe privatë.

Ne pohojmë ambicien tonë të përbashkët për ta bërë Ballkanin Perëndimor kufirin e radhës të investimeve në Europë. Përmes klimave më të mira të biznesit, qeverisjes transparente dhe mjediseve rregullatore të parashikueshme, ne synojmë të tërheqim kapital privat, të nxisim inovacionin dhe të promovojmë projekte rajonale investimesh që kontribuojnë në konkurrueshmërinë e BE-së dhe autonominë e saj strategjike të hapur.

Ne mirëpresim mbështetjen e BE-së përmes Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) si instrumente kyçe për të mundësuar këto objektiva. Ne mirëpresim gjithashtu prezantimin e Standardit të Obligacioneve të Gjelbra të Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si një instrument kyç për mobilizimin e investimeve në iniciativa të gjelbra në rajon.

 

 

 

PLOTËSIMI I ANGAZHIMEVE TË PËRBASHKËTA – LLOGARIDHËNIE DHE PËRSHPEJTIM

Duke u mbështetur në progresin tonë, riafirmojmë angazhimin tonë të plotë për përfundimin e anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) për Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ne mirëpresim arritjet e katër partnerëve të parë të Ballkanit Perëndimor që tashmë janë në SEPA dhe përpjekjet e vazhdueshme dhe progresin e të tjerëve për të përmbushur kriteret e nevojshme.

Ne nënvizojmë rëndësinë e koordinimit rajonal dhe atij me BE-në për të siguruar përafrim rregullator, gatishmëri operacionale dhe ndërveprueshmëri të sistemeve të pagesave, duke hapur rrugën për pjesëmarrje të plotë në zonën financiare europiane. Duke u mbështetur në progresin tonë, riafirmojmë angazhimin e plotë për përfundimin e anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) për Gjashtë (vendet)e Ballkanit Perëndimor.

Ne mirëpresim arritjet e katër partnerëve të parë të BP që tashmë janë në SEPA dhe përpjekjet e vazhdueshme dhe progresin e të tjerëve për të përmbushur kriteret e nevojshme.

Ne nënvizojmë rëndësinë e koordinimit rajonal dhe me BE-në për të siguruar përafrim rregullator, gatishmëri operacionale dhe ndërveprueshmëri të sistemeve të pagesave, duke hapur rrugën për pjesëmarrje të plotë në zonën financiare europiane.

Ne mirëpresim progresin në iniciativën WiFi4BP për rritjen e aksesit falas në WiFi në hapësira publike, zona rurale dhe komunitete lokale.

Kjo nismë do të ngushtojë hendekun dixhital, do të fuqizojë komunitetet dhe do të mbështesë edukimin dixhital.

Ne angazhohemi të sigurojmë koordinim efektiv me autoritetet e brendshme dhe bashkitë për zbatimin dhe mirëmbajtjen, në partneritet të ngushtë me Komisionin Europian.

Ne njohim nevojën për të nxitur një mjedis të favorshëm biznesi në sektorin e telekomunikacionit për të përshpejtuar zhvillimin e rrjeteve “broadband”.

Ne riafirmojmë angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Planit të “Korridoreve të Gjelbra”, të zhvilluar nga Komisioni Europian, CEFTA dhe Komuniteti i Transportit, si dhe për avancimin e projekteve investuese për njëmbëdhjetë pikat kufitare më të ngarkuara, kryesisht mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, dhe miratojmë projektet për pesë pika shtesë brenda Ballkanit Perëndimor.

Ne mirëpresim mbështetjen e Komisionit Europian si për investimet, ashtu edhe për asistencën teknike, dhe angazhohemi të përafrojmë të gjitha procedurat përkatëse, duke përfshirë oraret e inspektimeve dhe infrastrukturën, për të siguruar rrjedhë të pandërprerë transporti dhe logjistike.

Për këtë qëllim, ne mirëpresim Marrëveshjen e Kontributit mes Komisionit Europian dhe Bankës Botërore, e cila do të mundësojë zbatimin efektiv të Programit për Transport të Sigurt dhe të Qëndrueshëm.

Ne nënvizojmë rëndësinë e shërbimeve të avancuara dhe të kualifikuara të besimit, si nënshkrimet elektronike dhe vulat elektronike, për të siguruar shkëmbime dixhitale të sigurta dhe të ndërveprueshme në rajon.

Forcimi i këtyre shërbimeve do të lehtësojë operacionet e biznesit dhe do të mbështesë tranzicionin drejt tregtisë plotësisht pa letra.

Ne riafirmojmë angazhimin tonë për zbatimin konstruktiv të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2.0, si një instrument legjitim për rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe bashkëpunimit ekonomik, dhe për të promovuar më tej lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve.

Ne mbështesim zhvillimin e instrumentit të monitorimit të CRM, i cili do të gjurmojë zbatimin e tij dhe do të rrisë besueshmërinë, llogaridhënien e reformave.

Ne njohim rëndësinë e avancimit të ndërtimit të Rrjeteve Transeuropiane në fushat e transportit dhe energjisë, pasi ato përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt integrimit me Tregun Unik të BE-së.

Ne bëjmë thirrje për bashkëpunim dhe komunikim të shtuar mes Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për veprime të mëtejshme të orientuara drejt zbatimit efektiv në rajon.

Ne riafirmojmë se Plani i Rritjes është më shumë se një instrument ekonomik; ai është një kornizë politike dhe strategjike për të ardhmen europiane të rajonit tonë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe me Bashkimin Europian për të avancuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik të BE-së, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve tanë.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.