Deklaratë për shtyp mbi vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Turqi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është duke zhvilluar sot një vizitë njëditore në Stamboll ku do të marrë pjesë në forumin e njohur publik të organizuar nga think tank “Fikir Sofrasi” (Tryeza e Ideve).

Takimi i sotëm është edicioni i pesëmbëdhjetë i këtij organizimi, ku më pare kanë marrë pjesë si të ftuar nderi autoritete të larta vendase e të huaja në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit. Tema e këtij takimi është “Perspektiva e partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi në fushën e Tregtisë dhe Industrisë”. Ne takimin e sotëm, ku i ftuari i nderit është Kryeministri shqiptar, do të marrin pjesë mbi pesëdhjetë industrialistë dhe investitorë të mëdhenj turq, në fushën e energjisë, turizmit, manifakturës, bujqësisë e shëndetësisë, si edhe rreth njëzetë përfaqësues të medias së shkruar dhe elektronike turke.

Kjo vizite e Kryeministrit Rama është në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë në Itali apo Gjermani, për tu takuar dhe nxitur sipërmarrësit e huaj të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Për të hequr çdo “merak” të Partisë Demokratike vizita e sotme është koordinuar nga konsullata e përgjithshme e Republikës se Shqipërisë në Stamboll dhe njësoj si në të gjitha rastet e mëparshme do t’i bëhet me dije edhe publikut shqiptar përmes kanaleve të informimit publik.

Me keqardhjen e zakonshme për fjalorin e ulët nga i cili Partia Demokratike nuk ndahet dot, është e udhës te rinënvizohet edhe sot se koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashke me atë pushtet në 23 qershor 2013. Por fatkeqësisht ajo kohe është ende në mendjen e atyre që mbajnë peng sot e gjithë ditën opozitën e Shqipërisë, te cilëve u ka ngelur ora tek zullumet e vjetra.