Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë:

Rastësisht, para disa ditësh më pyeti dikush nëse do të doja apo jo ta rifilloja edhe një herë nga e para jetën dhe nga ku do të doja ta rifilloja. Unë i thashë do të doja ta rifilloja të nesërmen e provimit të fundit. Po të më pyeste prapë, do t’i thosha të nesërmen e ceremonisë së graduimit. Kjo për dy arsye; Nuk do të doja të jepja më provime dhe nuk do të doja të isha në një ceremoni graduimi, ku të më thoshin se çfarë duhet të bëj, çfarë më pret, çfarë duhet të mendoj dhe si duhet të veproj.

Sidoqoftë është e pashmangshme t’ju them vetëm një fjalë: Sa më shpejt ta kuptoni që po të mos ishin ata atje( prindërit), nuk do të ishin ju këtu, aq më mirë do të jetë për ju dhe aq më lehtë do t’jua kërkoni më vonë, kur të jeni ju atje, atyre që do të sillni këtu, që të mos harrojnë se pa ju atje, ata këtu nuk do të kishin ardhur.

Duke ju falenderuar për nderin që të marr pjesë në këtë ceremoni dhe duke ju shmangur plotësisht pedagogjisë lidhur me të nesërmen tuaj, do të doja të thosha disa fjalë në respekt të këtij universiteti dhe të të gjithë atyre universiteteve, fakulteteve dhe trupave pedagogjike që në këto vite të vështira ia kanë dalë të investojnë në arsimin e lartë, pa e kthyer mundësinë për të qenë pjesë e Sistemit të Arsimit të Lartë në një mundësi për të grabitur prindërit dhe ëndrrat e tyre dhe të fëmijëve të tyre, duke i kthyer universitetet thjesht dhe vetëm në fabrika të prodhimit të diplomave pa asnjë vlerë.

E përdora jo thjesht rastësisht, fjalën investim, pasi ka një dallim të madh mes shoqërive që investohen për arsimin e lartë dhe shoqërive që thjesht investojnë në arsimin e lartë. Bindja ime është se qëllimi nuk lidhet vetëm me paratë që ne investojmë në arsimin e lartë. Paratë padyshim janë të domosdoshme, por nuk janë të mjaftueshme, nëse ne të gjithë sëbashku si shoqëri nuk investohemi tek arsimi i lartë.

Unë jam shumë krenar që në ditët në vijim, parlamenti i Shqipërisë do të miratojë ligjin e ri për Arsimin e Lartë, që në radhë të parë është një lajm i shkëlqyer për prindërit e këtij vendi, të cilët investohen me mish e me shpirt që fëmijëve të tyre t’i japin mundësinë e një shkollimi të lartë dhe që në këmbim të marrin satisfaksionin e jashtëzakonshëm të pëmbushjes së aspiratave të fëmijëve të tyre.

Neni i parë i ligjit tonë të ri për Arsimin e Lartë thotë se Arsimi i Lartë është e mirë dhe përgjegjësi publike. Ndaj besoj se ky është vendi për të thënë pak fjalë lidhur me përkufizimin e konceptit të së mirës publike. Tekstet e ekonomisë na thonë që një e mirë publike e pastër që të quhet e tillë duhet të plotësojë dy kushte; Jo rivalitetin dhe papërjashtueshmërinë. Arsimi i Lartë nuk i plotëson saktësisht këto dy kushte, sepse kur ne angazhojmë burime për të arsimuar një vajzë apo një djalë pakësojmë burimet për të tjerët, pra, ka rivalitet. Së dyti, disa përfitojnë dhe disa të tjerë nuk përfitojnë nga arsimi i lartë, pra, ka edhe përjashtueshmëri.

Atëherë, pse ne me bindje e quajmë si edhe shumë vende të tjera të përparuara, Arsimin e Lartë si një të mirë publike. Ka një përgjigje, sigurisht, për këtë; Dija është një e mirë publike. Kur konsumojmë dije, nuk e harxhojmë atë për të tjerët, përkundrazi, e shtojmë atë edhe për të tjerët. E dyta, nuk mund të përjashtojmë askënd nga përfitimi prej dijes. Arsimi i Lartë është udha e dijes dhe si e tillë dhe vetëm si e tillë mund të konsiderohet një e mirë publike. Ndërsa, kur prodhon vetëm diploma është thjesht një e mirë private dhe kur bën para korrupsioni për pedagogët është një e keqe publike.

Ajo çka ligji i ri i Arsimit të Lartë ka në të gjithë boshtin e tij është vullneti për të mos bërë kompromis me dijen dhe me cilësinë e arsimit të lartë. Sfida, që kjo reformë rrënjësore e Arsimit të Lartë merr përsipër është që të mobilizojë të gjitha burimet e shoqërisë në shërbim të këtij misioni zhvillues. Së pari, na duhet të optimizojmë financat publike, para të të gjithë taksapaguesve shqiptarë, me arsim të lartë ose jo, të rinj apo më të moshuar, persona që mund të përfitojnë ose jo nga universiteti dhe që janë para që ndahen mënjanë, çdo vit, për universitetin.

E pra, ne jemi të bindur që është koha që të mundësojë që asnjë qindarkë nga këto para të mos shkojë dëm dhe çka është më e rëndësishme, këto para të investohen në atë mënyrë që të na kthejnë mbrapsht, maksimumin e mundshëm të vlerës. E këtë, reforma e bën në dy mënyra. Financimi për universitetet publike, pra, paratë që shteti i jep universitetit, do të jepen tanimë në bazë të treguesve të performancës. Kjo do të thotë që universitetet që tërheqin studentë më të mirë, që i përgatisin më mirë studentët, që kanë nivel më të lartë të punësimit të të diplomuarve të tyre, që marrin pjesë më shumë në projekte ndërkombëtare, do të kenë më shumë mbështetje nga fondet publike. Ne besojmë se kjo do t’i shtyjë universitetet që të kenë interes të drejtpërdrejtë që të jenë cilësorë, të kenë staf cilësor, që t’i përgatisin studentët sa më cilësisht dhe jo thjesht që t’i kalojnë. Ky është një mekanizëm i provuar, nuk është një shpikje shqiptare dhe ka një forcë të brendshme vetërregulluese shumë më efikase, sesa çdo kontroll nga lart, që në gjithë këto vite e kemi parë sesi dështon.

Mënyra e dytë e optimizimit të financave lidhet e mbështetjen e drejtpërdrejtë për studentët. Ligji e bën më të drejtë financimin publik për studentin, duke siguruar që tre kategori studentësh të kenë pranë shtetin si financues për këtë të mirë publike. Së pari, studentët në nevojë, për të cilët krijohet një fond i posaçëm bursash dhe mundësohet që talenti i tyre, vullneti i tyre, aftësitë e tyre të mos shkojnë dëm për pamundësi financiare.

Së dyti, studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar, edhe për ata do të kenë një fond të posaçëm.

Së treti, studentët me rezultate ekselente. Kur them studentët dhe kjo është risia themelore e ligjit, nuk flas për studentët e universiteteve të shtetit, por flas për të gjithë studentët e universiteteve të shtetit apo universiteteve si ky i juaji, që është fryt i një nisme private. Ne besojmë që ndarja e universiteteve në të nënës shtet dhe në të njerkut privat ka qenë një prej arsyeve themelore që ka çuar në dështimin tërësor të sistemit dhe në grabitjen sistematike të prindërve, qoftë prindërve që kanë çuar fëmijët e tyre në universitetet e shtetit, qoftë prindërve që anë çuar fëmijët e tyre në universitetet private.

Ligji në të njëjtën kohë rrit ndjeshëm autonominë universitare, duke deleguar drejt universiteteve, që, për ne, në bazë të këtij ligji konsiderohen të gjitha publike, pavarësisht nëse është shteti, apo është nisma private në themelin e tyre, një sërë kompetencash për vendimmarrje të rëndësishme mbi numrin e studentëve të pranuar, mbi kriteret e përzgjedhjes së studentëve, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik dhe nivelin e pagave të tyre.

Ky është një kantier i mirëfilltë i autonomisë universitare si pjesë e këtij plani të ri, bazuar mbi besimin tonë se universitetet në balancën mes lirisë së mirëfilltë dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut, mund të krijojnë dhe ofrojnë cilësinë më të mirë.

Sfida tjetër për të realizuar bashkërendimin e burimeve të shoqërisë lidhet me optimizimin e burimeve njerëzore të të gjithë trupës së profesoratit dhe të stafeve akademike. Në strukturën  ekzistuese të  universiteteve këto burime njerëzore janë të keqpërdorura. Shpesh ajo që është quajtur liri akademike është një përçudnim i mirëfilltë i lirisë në funksion të mbajtjes së një vendi pune, në funksion të garantimit të një vegjetimi pa limit dhe papërgjegjshmëri përsa kohë që garantohet konformizmi i plotë me dekanin, rektorin apo pronarin.

Flitet shumë për lirinë akademike në këtë vend. Bindja jonë është që në universitet tona vetëm liri akademike nuk ka. Sepse qoftë nën diktatin e një rektori, qoftë nën thundrën e një pronari, hapësira e lirisë së vërtetë akademike është thellësisht e ngushtë.

Liri akademike që sjell progres të qëndrueshëm dhe rritje të kapaciteteve të dijes, në universitetet tona nuk ka.

Ligji i ri krijon premisat për këtë liri, nëpërmjet mekanizmave të modernizimit të qeverisjes së brendshme universitare, duke i dhënë një autoritet shumë të qartë senatit akademik, mbi qeverisjen akademike të universiteteve dhe duke ja mbështetur punën me një strukturë menaxheriale në shërbim të misionit. Pra, rrisim lirinë akademike duke fokusuar akademikët në detyra akademike, pa zgjedhën e parave, emërimeve dhe tenderëve dhe ndërkohë rrisim cilësinë e menaxhimit, duke i mbështetur akademikët me administratorë profesionistë.

Reforma mobilizon të gjitha burimet shoqërore institucionale në shërbim të arsimit si një e mirë publike.

E unë dua ta bëj shumë të qartë;

Të gjithë ata që i bien daulles së alarmit që shteti po çon para publike drejt institucioneve private, ose nuk e kuptojnë ligjin, ose nuk duan ta kuptojnë ligjin, ose mbi të gjitha as nuk kanë mundësi ta kuptojnë ligjin sepse janë peng i një ideologjizimi shterpëzues të funksionit dhe të misionit të arsimit të lartë. Ne nuk çojmë para drejt institucioneve private. Përkundrazi ne shtyjmë përmes ligjit, drejt rritjes së financimit publik dhe privat për arsimin publik. Për ne, edhe ky që ofron universiteti juaj është arsim publik.

Reforma nxit rritjen e ofruesve publikë të arsimit të lartë. Ne shpresojmë siç e kemi shprehur që përderisa arsimi është një e mirë publike dhe është një e mirë publike që kërkon kontributin e të gjithëve pa dallim dhe presupozohet që duhet ta prodhojnë po njësoj, edhe ata që janë në shtet edhe ata që janë në privat, krijojnë nëpërmjet ligjit mundësitë që institucionet jofitimprurëse të arsimit të lartë të shndërrohen në ofrues publikë të arsimit të lartë.

Pra, pas kësaj nuk do të ketë më universitete private që janë aty për qëllime përfitimi, por do të ketë universitete publike të financuara nga shteti apo nga aktorët privatë siç është rasti i universitetit tuaj, që janë aty si ofrues publik të arsimit të lartë, që do të thotë bashkërendojnë institucionet publike të themeluara dhe të financuara ekskluzivisht nga shteti me institucionet publike të themeluara dhe të financuara nga aktorët privatë.

Historia e universitetit nënë dhe universiteti njerkë, mbaron. Të gjithë ata që falë talentit, falë vullnetit dhe aftësive të tyre hyjnë në sistemin e arsimit të lartë, pavarësisht se hyjnë në derën e një godine që financohet ekskluzivisht nga shteti apo një derë që financohet nga aktorë privatë, janë të gjithë të nënës dhe nuk ka asnjë që është i njerkës. Por, kjo sigurisht garanton drejtpërdrejtë edhe liri më të madhe.

Duke ju falenderuar, dua vetëm të them që ditën që ju merrni këtë rol të ri për shoqërinë tonë ta keni këtë mendim në kokë, që ajo çka keni përfituar gjatë këtyre viteve në shkollë është një e mirë publike, nëse ju e përdorni si dije. E nga dija do të fitoni ju, do fitojë familja juaj dhe do të fitojë e gjithë shoqëria. Në të kundërt, nëse diploma përdoret si letër justifikuese për të mbajtur një vend pune dhe për ta mbajtur atë vend pune duke vegjetuar, atëherë investimi i gjithë shoqërisë kthehet thjesht në një të mirë të vogël krejt private dhe praktikisht është i humbur.

Jam i bindur që koha ime mbaroi dhe po ashtu jam i bindur që sot ju meritonit fjalë dhe fjalime shumë më fantastike se këto që dëgjuat deri tani, prandaj një këshillë shumë miqësore, kur të shkoni në darkë në shtëpi lexoni ose rilexoni fjalën e Steve Jobs-it para studentëve të universitetit të Stanford-it dhe gjithmonë “Stay hungry. Stay foolish.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.