U zhvillua këtë mbrëmje ceremonia e diplomimit të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku 67 oficere dhe oficerë të rinj iu bashkuan radhëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Ky është një tjetër moment i rëndësishëm në rrugëtimin e Akademisë drejt transformimit sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe standardeve euroatlantike, duke përgatitur një brez të ri ushtarakësh të gatshëm t’i shërbejnë vendit me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim.
Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë dhe përshëndeti Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi rrugëtimin e FA-ve gjatë viteve të fundit, investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve për ushtarakët, si pjesë e vizionit për një ushtri moderne, dinjitoze dhe plotësisht të integruar në standardet e NATO-s.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që sonte kam mundësinë të jem këtu së bashku me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm për këtë ceremoni që pa diskutim për 67 oficerët dhe oficeret që sot ne jemi këtu për të kremtuar, është një ditë e paharrueshme. Dhe ndërkohë unë dua ta nis fjalën time me një urim dhe një shprehje respekti për të gjithë prindërit e tyre këtu të pranishëm.
Jam i bindur që nëse për vajzat dhe djemtë që sot hyjnë në rrugën e shërbimit është emocion, për prindërit është një emocion shumë i veçantë sepse shohin të kurorëzohet një rrugë e gjatë e mirërritjes, e mirë edukimit dhe e mbështetjes me çdo sakrificë për fëmijët e tyre, të cilët sot, janë shërbëtorë në uniformë të atdheut, shërbëtorë në uniformë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.
Fjala “krenari” është një fjalë që mund faktikisht të futet në çdo fjali në një rast të tillë, por unë nuk e ekzagjeroj nëse them që sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura. Është një ditë krenarie pa diskutim për trupën pedagogjike të Akademisë dhe është një ditë krenarie edhe për Shtabin e Përgjithshëm, jo thjesht për faktin që Shefi i Shtabit sapo i dha diplomën të birit në një stafetë prekëse karrierash edhe pse i biri do duhet të përpiqesh për një kohë të gjatë edhe të bëjë shumë sakrifica për të arritur t’i zëri vendin babait.
Ndërkohë që, edhe në qoftë se i shkon mendja te kjo, e siguroj që babai na duhet në atë vend për një kohë akoma të gjatë. Por është krenari për të gjithë, sepse sot unë e kam të pamundur që të mos kujtoj se nga çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i Forcave tona të Armatosura. Kjo fushë këtu, që sot shkëlqen edhe që na mirëpret në një orar në dukje të pazakonshëm, ka qenë një fushë dheu e papërdorshme dhe faktikisht dallimi mes pasqyrës së asaj fushe në atë fillim dhe kësaj fushe sot është simbolik për dallimin mes mënyrës se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura, janë të motivuara dhe ndjejnë motivim të përditshëm nga vëmendja, nga respekti që nuk janë vetëm me fjalë.
Ndërkohë që, kur kjo fushë ishte një pasqyrë dheu, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni, nga përkushtimi, nga këmbëngulja dhe nga edukata ushtarake e atyre që ishin përfaqësues të këtyre forcave, por që ishin më të keqpaguarit në rajonin tonë dhe që kishin në dispozicion një buxhet qesharak për atë që duhet të ishte buxheti i Forcave të Armatosura dhe nuk kishin asnjë perspektivë përpara për se si gjërat do ndryshonin.
Sot ne kemi forcat më të mirëpaguara të rajonit dhe nuk do të ndalemi në asnjë vit së rrituri pagat e tyre, sepse ambicia është që në Shqipërinë 2030, Forcat tona të Armatosura të jenë të paguara sa mesatarja e forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Dhe nga ana tjetër, përkujdesja jonë për ushtarakët shkon përtej thjesht dhe vetëm shpërblimit me pagë, përtej thjesht dhe vetëm motivimit të tyre profesional me investime sepse më në fund, ne jemi fare pranë realizimit edhe të një zotimi tjetër për statusin e tyre. Gjithçka është gati, është raundi i fundit i “boksit” mes ministrit të mbrojtjes dhe ministrit të financave, por në këtë rast, unë që më detyron të bëj arbitrin jam me ministrin e mbrojtjes
Kështu që edhe këtë së shpejti do ta japim si një lajm të shumëpritur nga ushtarakët.
Dhe për të mos u zgjatur, në fund, dua të them se ushtarakët kanë qenë për një kohë të gjatë shumë të nënvlerësuar edhe për shkak të një faze të historisë kur gjërat ndryshuan në mënyrë të rrëmbyeshme edhe gjithçka mungonte dhe dukej sikur ushtria nuk ishte më e nevojshme, sepse do na mbronin të tjerët, ndërkohë që ushtarakët pavarësisht të gjithave vazhdonin çdo ditë t’i shërbenin detyrës edhe t’i shërbenin atdheut.
Është një jetë që unë përpiqem ta parafytyroj, por me siguri askush që nuk e bën nuk e di deri në fund se çfarë sakrifice përbën për ata që veshin uniformën, për bashkëshortët ose bashkëshortet e tyre, në shtëpi, dhe për fëmijët e tyre, të cilëve shpesh ju mungojnë sepse detyra mund t’i çojë dhe mund t’i kërkojë në fronte dhe në situata të vështira.
Kur shoh sot se si po ndryshon prirja dhe se si numri i vajzave dhe djemve që po vihen në rreshtat e aplikantëve dhe për t’u bërë pjesë e këtyre Forcave, mendoj që kjo është shenja më e sigurt e një transformimi që nuk ndalet më.
Nga ana tjetër kam shumë besim që të gjithë ushtarakët sot që janë në fund të karrierës së tyre kanë diçka shumë të çmuar për të përcjellë tek më të rinjtë. Atë shpirt sakrifice që shumë të rinjve sot ju duket abstrakte ose nuk arrij ta perceptojnë dot se çfarë është, ndërkohë që, ushtarakët që janë në fund të karrierës e kanë të jetuar me vite dhe me dekada të tëra, si një sakrificë e përditshme nën një uniformë që duhet të ishte gjithmonë e admiruar, por që për një periudhë jo të shkurtër kohe ishte e nënvlerësuar.
Ju uroj çdo të mirë të gjithëve ju që jeni këtu të pranishëm, pa diskutim të 67 vajzave dhe djemve që sot morën diplomën, por për asnjë moment nuk i shkëpus dot nga urimi për shëndet, për mbarësi dhe për gjithçka që i do zemra prindërve dhe familjeve të tyre dhe nga urimi për shëndet, mbarësi dhe gjithçka ju do zemra të gjithë atyre që janë këtu përpara meje si fytyra shembullore e Forcave të rilindura të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Shumë faleminderit!