Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama sot, në Durrës, në takimin “Dita e 1000 lejeve”:

Ajo që është me rëndësi sot, këtu, është që ne vijnë në vazhdimin e një procesi të hapur qysh pas zgjedhjeve. Një proces që ndryshe nga ç’ndodhi për 20 vjet me radhë nuk e lamë në harresë, as e lamë për ta kthyer në shfaqje elektorale kur të vijë fushata, por e filluam intensivisht dhe e vazhdojmë intensivisht. Fakti që nuk kemi bërë prej disa kohësh të tilla takime publike, me praninë edhe të mediave, nuk do të thotë aspak se në ndërkohë procesi nuk ka vijuar intensivisht dhe që nuk janë bërë legalizime. Përkundrazi, legalizimet vazhdojnë në mënyrë intensive!

Sot, ne vijmë këtu për 1000 leje. Janë 1000 familje që marrin në dorë, më në fund, dokumentin e shumëpritur. Mjafton të kujtojmë që në 8 vjet, Qeveria e mëparshme, në gjithë këtë zonë, në të gjithë qarkun e Durrësit, bëri 2407 legalizime. Bëri 2407 legalizime për 8 vjet dhe më e keqja është se jo vetëm që numri është qesharak në krahasim me premtimin e bujshëm që do të legalizonin në të gjithë Shqipërinë, por ka edhe një dallim tjetër shumë të rëndësishëm, që ne sot legalizojmë dhe kthejmë në pronë të patundshme mundimet, sakrificat, kursimet dhe gjithë shpresat e shumë viteve të 1000 familjeve. Ndërsa në 2407 legalizimet e bëra në 8 vitet e kaluara, pjesa dërrmuese e tyre nuk janë për familjet, nuk janë për ata të cilët lëvizën nga vende shumë të varfra dhe erdhën pranë Durrësit ose rreth Durrësit, për të ndërtuar një të ardhme duke ngritur një strehë për familjet e tyre, por janë për bizneset. Janë për ata që zaptuan plazhet, zaptuan buzët e rrugëve për të ndërtuar objekte me qëllim fitimi. Janë për ata që u pushtuan toka aty ku normalisht ligji ndalon çdo lloj ndërtimi.

Dje, në Lushnje, kam parë godina të legalizuara, gjysmë metri larg nga shinat e trenit. Ndërkohë që ligji e ndalon kategorikisht këtë lloj ndërtimi dhe kategorikisht këtë lloj legalizimi. Po ashtu, ligji ndalon legalizime mbi vepra ujësjellësi, legalizimet në kabina elektrike. Këto lloj legalizimesh kanë qenë pjesa dërrmuese e legalizimeve që u bënë dhe që kanë shkaktuar dëme të shumëfishta. Sepse sot, kur ne gjendemi përballë objektesh të legalizuara dhe të hipotekuara, 1 metër nga shinat e trentit, plus edhe me dokumente pronësie false, gjithsesi jemi të detyruar të kalojmë me procese të vështira. Madje, jemi detyruar, siç bëmë në krah të Universitetit të Tiranës, për të shembur një pjesë të godinave në krah të Universitetit, të ngritura mbi parkun e pushtuar, duke iu dhënë lekët e shpronësimit. Duke iu paguar lekët e shpronësimit për prona të paligjshme, të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe të legalizuara në mënyrë të paligjshme. Arsyeja pse nuk e prishëm menjëherë të gjithë rreshtin aty, ishte sepse duhet të shtonim paratë nga taksat që ne menaxhojmë për t’i kthyer qytetarëve parkun. E njëjta gjë ndodh me lumin e Fierit. Një “Lanë” e dytë, që përshkon qytetin dhe që është totalisht e uzurpuar me ndërtime, ku një pjesë kanë hipotekuar mbi lumë ndërtimet. Me këto vendime hipotekore pretendojnë me ligj shpronësimet.

I them këto për të bërë një dallim shumë të madh;

Ne nuk do të legalizojmë më asgjë të bërë me qëllim fitimi aty ku janë rrugët, aty ku janë veprat publike, aty ku janë zonat e gjelbra, aty ku janë buzët e liqeneve apo buzë detit. Ne do të legalizojmë me dhjetëra, qindra e mijëra shtëpi të ndërtuara për një jetë më të mirë nga familje që nuk i kanë rënë në qafë askujt, por që kanë 20 vjet që sakrifikojnë. Ky është një dallim i madh themelor që solli 23 qershori dhe që solli vota e shumëkujt këtu ndër ju, nga e cili do të përfitojnë edhe ata që nuk na kanë votuar. Kanë votuar Partinë Demokratike. S’kanë pasur faj, kanë kujtuar se ata dinë të bëjnë legalizime. Edhe u kanë thënë se po erdhi Edi Rama me socialistët do t’ju kthejnë andej nga keni ardhur. Në fakt, ata as ju kthyen andej, po as këtu nuk ju lanë të rrini rehat. Ndërkohë që, ne do t’ju japim në dorë lejen e legalizimit. Do ta mbyllim këtë film 20 vjet që vazhdon, me familje të tëra që presin dhe që e kanë filluar shtëpinë kur nusja ishte shtatzëne dhe sot është bërë djali për t’u martuar edhe shtëpia nuk është legalizuar akoma. Do të thoni ju, qari i djalit që do të martohet dhe e ka shtëpinë gati! Dakord, po çfarë faji kishte babai i shkretë  bashkë me nënën që duhet të torturoheshin 20 vjet. S’jam duke i qarë hallin atyre që kanë votuar PD-në, se ata kanë dashur të vuajnë vetë dhe ne tani do t’ua zgjidhim problemin atyre, por të tjerët çfarë faji kishin.

Përtej shakave, ne jemi shumë të kënaqur që vijmë sot këtu dhe unë jam i kënaqur edhe për një arsye tjetër, sepse ne, nesër, në Parlament, do të kalojmë rishikimin e buxhetit. Për herë të parë pas 5 vitesh rresht, buxhetin Qeveria e rishikon, jo sepse i mungojnë lekë, por sepse ka më shumë lekë në dispozicion për të bërë investime. Për 5 vite rresht, në fillim të vitit e parashikonin buxhetin njësoj si të parashikosh, hajde ta blejmë këtë shtëpinë, me idenë se do të fitojmë bastet se është Kampionati Botëror këtë vit. Pastaj, në shtator, sikur kishin humbur bastet, e ulnin buxhetin dhe e linin popullin në diell edhe rrugët, rrugëve. Ndërkohë që, ne bëmë një parashikim të buxhetit realist. Kemi mbledhur më shumë të ardhura falë rritjes së ritmit të punës, uljes së korrupsionit, rritjes së transparencës në dogana dhe në tatime. Nesër do të miratojmë në parlament një program plus investimesh për muajt e mbetur. Një nga pjesët e këtij programi është një investim shumë i fortë që do të bëjmë në të gjithë zonën e Kënetës në Durrës, në Durrësin e ri, po themi. Ju i thoni Durrësi i ri, por ajo akoma Këneta është. Kështu që, Durrësi i ri do të bëhet pasi të legalizojmë shtëpitë, pasi të bëjmë edhe investimet e duhura, rrugët, ndriçimin, kopshtet, çerdhet. Atëherë do të jetë tamam Durrësi i ri, tani është Këneta, që të paktën shpëtoi nga rrënimi i mëtejshëm. Aty duhet të lindim Durrësin e ri, nuk duhet të rilindim Kënetën.

***

Sot, 1 mijë familje nga Durrësi dhe zonat informale rreth tij morën lejet e legalizimit falas.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame dhe Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban znj. Eglantina Gjermeni, të cilët merrnin pjesë sëbashku me Kryeministrin Rama në këtë takim, theksuan se tashmë, krahas legalizimit, në vizionin dhe politikat e Qeverisë është urbanizimi i zonave informale. “Sigurisht, krahas legalizimit, politika dhe vizioni i Qeverisë “Rama” është të bëjë urbanizimin e zonave informale, për të siguruar infrastrukturë, për të siguruar kopshte dhe shërbime të tjera publike, kaq të nevojshme për qytetarët”, – u shpreh ministrja Eglantina Gjermeni.

Po ashtu, Drejtori i ALUZINI-t, Artan Lame, u shpreh se “urbanizimi i këtyre zonave do të mbetet detyrë në vazhdim”.

Kryeministri Edi Rama duke bashkëbiseduar me qytetarët gjatë dorëzimit të lejeve vlerësoi faktin që qytetarëve, pas zvarritjeve për vite të tëra, i është rikthyer besimi se legalizimet po bëhen në realitet. Gjithashtu, Kryeministri Rama ka falënderuar të gjitha ata që kanë besuar me votën e tyre të 23 qershorit koalicionin qeverisës, duke sqaruar se “Ka shumë rëndësi, sepse nga vota dhe me atë 5 minutësh që shkon për të votuar mund të humbasësh shumë ose mund të fitosh shumë. Ashtu sikundër kanë humbur shumë vite të tëra të gjithë ata këtu ndër ju që kanë votuar partinë e Qeverisë së kaluar, për faktin se kanë besuar te premtimi për legalizim në mënyrë të verbër dhe kanë mbetur pa legalizim. Ashtu siç ka shumë rendësi fakti që kush besoi tek projekti ynë për legalizimet falas dhe për një shërbim të ALUIZN-it, – që do të vijë ALUIZN-i në shtëpitë tuaja, jo të shkoni ju dhe të rrini në radhë për të kapur “Shabanin” e radhës, – ja ku është sot, këtu, përpara faktit që po legalizohet. Jo vetëm kaq, por më vjen shumë mirë edhe për diçka tjetër; Kur ne çuam ligjin në Parlament për ta bërë këtë proces plotësisht të mundur falas, shumëkush kundërshtoi apo komentoi me cinizëm që askush nuk besonte te ky proces. E kundërta është e vërtetë! Pas kalimit të ligjit kemi 4000 vetë-deklarime, që vijnë si rezultat i besimit që legalizimi mund të ndodhë. Dua ta përsëris, ne nuk do të lëmë në baltë askënd nga ata që kanë ndërtuar shtëpinë e tyre dhe që i kanë dhënë formë me tulla dhe me tjegulla ëndrrës që i ka sjellë nga larg ose nga afër në Kënetën e Durrësit apo në zonat përreth qyteteve të mëdha. Por, ne nuk kemi për të falur asnjë që ka zaptuar për qëllime fitimi, jo për shtëpi, pjesë që i takojnë të gjithëve dhe që ka penguar dhe pengon që Shqipëria të dalë në dritë ashtu siç e meriton!

Është e papranueshme dhe e pamundur që të tolerohet, që të legalizohen dhe të qëndrojnë për gjithë jetën me tapi, lokale nga më të shëmtuarit që shëmtojnë bukuri të jashtëzakonshme, qoftë në bregdet, qoftë në liqenin e Pogradecit, qoftë në qytete. Apo është e patolerueshme që sot të këtë akoma njerëz që kujtojnë se mund të zaptojnë tokë, mund të zaptojnë trotuare, mund të zaptojnë mesin e lagjes dhe të ngrenë lokale. Të gjitha këto nuk do të kenë asnjë shans të shpëtojnë! Të gjithë ata, të cilët vënë sot një tullë pa leje nuk kanë më asnjë shans që të mos ndëshkohen! Për këtë arsye, ne ia kemi kaluar Policisë së Shtetit, detyrën që të merret drejtpërdrejt me këtë fenomen. Sepse të legalizosh do të thotë edhe t’i japësh fund një epoke. Kjo vlen edhe për të gjithë ju. Këto dokumente janë për shtëpinë që keni sot. Në rast se nesër do të doni të bëni një shtëpi tjetër apo një kat tjetër, apo një dhomë tjetër, duhet të merrni leje dhe ta bëni ketë gjë. Jo më me tulla pa leje. Një kat pa leje të çon në prishjen e të gjithë shtëpisë. Është shumë e rëndësishme edhe për të gjithë ata që përpiqen që t’i ngatërrojnë këto dy procese. Procesi i legalizimit të shtëpive është një gjë tjetër, procesi i integrimit të zonave informale, siç është zona e Kënetës apo plot zona të tjera, është krejt tjetër nga procesi i shembjes të lokaleve dhe të moteleve, hoteleve, ku di unë se çfarë janë, në buzë të rrugëve dhe sidomos të zonave turistike. Për më tepër pastaj i shtrirjeve akoma më shumë nëpër trotuare dhe aty ku nuk kalojnë dot familjet dhe nuk kalojnë dot fëmijët se të zënë rrugën dyqanet që janë si me barrë, që pjellin vetveten çdo vit”.

Referuar statistikave, nga qeveria e mëparshme, në 8-të vjet, në të gjithë qarkun e Durrësit u legalizuan gjithsej 2407 objekte, pjesa dërrmuese e të cilave ishin objekte me qëllim fitimi, biznese dhe jo shtëpi banimi për familjet e ardhura në këtë zonë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.