Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Ditën e Rinisë u çel Panairi i parë Kombëtar i Sporteve të Aventurës në hapësirat e Parkut Olimpik të Tiranës, një nismë dhe organizim i Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit dhe Turizmit.

Sportet e Aventurës janë aktivitete me një përhapje në rritje ndër të rinjtë, që gërsheton sportin, natyrën dhe turizmin. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në çeljen e Panairit, garantoi mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e këtyre aktiviteteve me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe punësimin tek të rinjtë.

“Në Botërorin e Fluturimeve të Lira, që për herë të parë u mbajt në vendin tonë gjatë këtij viti, morën pjesë mbi 50 shtete, me rreth 200 pilotë konkurrues dhe 800 pjesëmarrës të tjerë shoqërues. Ky aktivitet u organizua nga Federata Shqiptare e Aeronautikës, në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës dhe tregoi shumë qartë sa e vyer është çdo mundësi për të promovuar turizmin dhe trashëgiminë tonë kulturore dhe sa e madhe është kjo mundësi për Shqipërinë që hyn ndër ato vende, të cilat Zoti apo natyra i ka bekuar me një pasuri shumë të larmishme. Mijëra turistë e vizituan Shqipërinë gjatë këtyre aktiviteteve për të shijuar jo vetëm aktivitetin sportiv, por edhe atë që ofron natyra dhe është shumë mbresëlënëse që 4 në 10 turistë sot në botë zgjedhin turizmin e aventurës. Sipas Organizatës ATA, (Adventure Travel Trade Association), Shqipëria është i 5 vendi në Europë për potencialet që ka për të zhvilluar turizmin e aventurës. Turistët e aventurës janë realisht instrumenti më efikas i promovimit të destinacionit që kanë vizituar dhe janë promovues besnikë, të cilët rikthehen vazhdimisht aty ku gjejnë atë që ata kërkojnë përmes këtij lloji turizmi. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen të gjithë atyre që janë këtu si praktikues, promovues dhe zhvillues të turizmit të aventurës dhe dua t’i siguroj që ne do të jemi më shumë se asnjëherë tjetër në mbështetje të tyre dhe të aktiviteteve të tyre, sepse besojmë shumë tek ky aspekt në tërësinë e hartës së mundësive të zhvillimit të turizmit, dhe jemi shumë të ndërgjegjshëm, që, këtu ka një potencial të madh zhvillimi ekonomik dhe punësimi.”

Shqipëria me karakteristikat e saj, theksoi Kryeministri, është një destinacion i vyer për turizmin shumëdimensional.

“Relievi i shumëllojshëm i Shqipërisë, malor dhe detar, që në pjesë të konsiderueshme të tij është ende me një natyrë të virgjër, e bën Shqipërinë një vend, për të cilin me të drejtë, drejtori i Përgjithshëm i ATA-s thotë: “Ky është një gur i çmuar kulturor i fshehur nga bota. Këtu kemi mësuar nga njerëz, prej të cilëve mësimet tona të historisë, jemi trajnuar që t’i kemi frikë. Këtu, frika fashitet, njerëzit janë të hapur, miqësorë, flasin për bashkëjetesën, pavarësisht përkatësive të tyre fetare dhe ka një pasuri që shumë njerëz do dëshironit ta përjetonin.”

Ndërsa ministri Blendi Klosi u shpreh se sportet e aventurës janë një hapësirë turistike ende e pashfrytëzuar në potencialin e saj. Gjatë këtij viti, tha Klosi, turistët e aventurës në Shqipëri kanë arritur në 30 mijë dhe sipas statistikave të Bankës Botërore, në vitin 2018 pritet të vijnë dyfish më shumë. Synimi ynë, theksoi Klosi, është që brenda viti 2019 ne synojmë të sjellim 100 mijë të turizmit të aventurës, ndërsa në dy vjet mund t’i sjellim ekonomisë shqiptare 110 milionë euro nga vetëm kjo hapësirë turistike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.