Takimi në Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, i ministrave dhe drejtuesve të strukturave të shtetit për gjendjen e vendit në ditën e tretë të situatës së krijuar nga kushtet e rënduara atmosferike:
Kryeministri Edi Rama: Në vazhdën e ndjekjes së situatës dhe me një pasqyrë, besoj, pozitive, kuptohet, relativisht pozitive, duke pasur parasysh që, sidoqoftë, gjithë kjo situatë e rënduar ka bërë të vetën, dua që të bëjmë përditësimin pas natës së sotme, me falenderimin për gatishmërinë e të gjithëve dhe për ndjekjen orë pas ore, edhe gjatë natës, të kësaj situate, duke ia dhënë fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile.
Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premci: Faleminderit Zoti Kryeministër! Të nderuar pjesëmarrës!
Situata për orët e natës deri në mëngjes është si më poshtë:
Vjosa aktualisht, në segmentin Kafaraj – Novoselë – Pishë Poro është në nivelet 6.1 metra, çka do të thotë se ka tendenca për daljen nga shtrati dhe nuk është ende e stabilizuar, çfarë përbën kërcënim për daljen nga argjinaturat. Gjithsesi është në monitorim të plotë. Ishim me shpresë për nivelet që u paraqitën në Memaliaj, mbrëmë rreth orës 18:00, që variuan në nivelet e 6 metrave, sot aktualisht janë në nivelin 6.5 drejt 5-ës, çka tregon që situata vjen në përmirësim. Por në Memaliaj reflektohen reshjet që bien në territorin e shteti fqinj, Greqisë dhe në territorin e Gjirokastrës, por jo reshjet që bien në territorin e Shqipërisë dhe reshjet që kanë rënë gjatë natës në territorin e Shqipërisë kanë sjellë që niveli të jetë në nivelin 6.1 në segmentin Kafaraj – Novoselë – Pishë Poro. Gjithsesi, situata është në monitorim, por vlen të theksohet që është segmenti më nevralgjik, ku janë të përqendruara strukturat operacioneve për të dhënë kontributin për parandalimin e ndonjë situate emergjente përsa i përket banorëve dhe pronave.
Një situatë tjetër që është shfaqur gjatë orëve të natës drejt përkeqësimit ka qenë situata në Shijak dhe në njësinë administrative Sukth, kryesisht fshati Rrushkull. Janë evakuuar 20 familje në Shijak dhe 13 në Rrushkull, të cilat janë sistemuar mbrëmë rreth orës 03:30, në Kavalishencën e Ministrisë së Brendshme ku janë siguruar të gjithë kushtet për jetesë.
Ka probleme në qarkun e Dibrës, pasi përrenjtë po sjellin prurje masive, sidomos përrenjtë që vijnë nga Korabi, kryesisht në zonën e llixhave dhe në lagjen Llixha të qytetit të Peshkopisë, që është kërcënues se prurjet janë shumë masive. Janë përqendruar gjithë kapacitetet teknike dhe njerëzore, kryesisht teknike të rënda për sistemimin dhe përforcimin e argjinaturës së përroit të llixhave.
Një situatë e tillë është shfaqur dhe në fshatin Kishavec të njësisë Kastriot, ku përroi i Kishavecit ka shumë vërshime prurjesh, sidomos shkëmbinj dhe ka rrezikuar disa familje. Vlen për t’u theksuar se në segmentet që përmendëm edhe mbrëmë, kryesisht në Shijak, në Sukth dhe në Fushë Krujë, pranë lumit Zezë, kanë filluar ndërhyrjet për të pastruar aq sa krijon mundësi moti në këto momente, por kërkohet ndërhyrje më e përforcuar në ditët në vazhdim.
Vlen shumë për t’u theksuar investimi që ka bërë qeveria shqiptare për pastrimin e lumit Gjanica në Fier dhe të kolektorëve kryesorë të kanaleve Vjosë – Levan. Për herë të parë pas 25 vjetëve nuk ka përmbytje në qytetin e Fierit, ku, siç edhe mund të jeni në dijeni, me mijëra, mos themi me qindra-mijëra metra kub inerte janë larguar nga lumi Gjanica, madje janë gjetur edhe me qindra makina të hedhura në këtë lumë. Por sot mund të themi që investimi i qeverisë shqiptare në lumin Gjanica, në segmentin e kontureve të qytetit të Fierit dhe në kolektorët kryesorë Vjosë – Levan, ka bërë që për herë të parë të mos përmbytet qyteti i Fierit.
Këtë shembull, normalisht, unë i propozoj komitetit ndërministror që duhet ta ndjekë edhe Bashkia Shijak dhe Bashkia Krujë, për segmentet e qytetit të Shijakut dhe njësisë Sukth e për njësinë administrative Fushë – Krujë.
Gjithashtu, situata paraqitet shumë kërcënuese përsëri në zonën e lumit të Tiranës, kryesisht në segmentin Babrru – Kafja e Rremës, ku 80 banesat që janë në shtrat të lumit pothuajse janë tërësisht të pabanueshme dhe duhet ndërhyrja menjëherë. Këtu duhet ndërhyrje me perspektivë, pasi atje nuk mundet më të mendohet që të banojnë njerëz, me prurjet që ka sjellë lumi dhe gjithë aluvionet që kanë ardhur nga kodrat përreth.
Një problematikë tjetër që është shfaqur gjatë orëve të natës ka qenë dhe në rajonin e Gjirokastrës, kryesisht në zonën e Tepelenës. Janë të bllokuara disa rrugë, sidomos rruga e Kurveleshit dhe rruga Damës. Ka rrëshqitje masive dherash dhe bllokime të segmenteve rrugore. Kjo është situata ndryshe nga çka kemi raportuar deri mbrëmë në takim Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Ministri i Transporteve është përsëri këtu, pasi dje ka ndjekur situatën në disa segmente në territor dhe e falënderoj. Zoti ministër, një përditësim të situatës.
Ministri Sokol Dervishaj: Faleminderit Zoti Kryeministër!
Në vijim të asaj që tha dhe Drejtori i Emergjencave Civile, situata është pak a shumë ajo që u paraqit. Në një inspektim që bëra dje në Rrugën e Kombit rezulton që nuk ka probleme, qoftë në kalim, qoftë në administrimin e situatës. Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e saj ishin të gjitha në gatishmëri, duke punuar në terren. Është e vërtetë që ka një prurje të madhe të ujërave, çka shkakton edhe rrëshqitje të madhe të dherave dhe gurëve, por që gjithsesi, situatë në atë segment është normale.
Në segmente të caktuara të zonës së veriut ka probleme për shkak të prurjeve të mëdha dhe të rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve. Rrugët janë dëmtuar pjesërisht. Janë të kalueshme të gjitha, qoftë dhe me një kalim, pak prej tyre. Situata po monitorohet dhe po mbahet në vëzhgim të vazhdueshëm. Aty ku shfaqen situata problematike ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme.
Përsa i takon Shqipërisë së Mesme, sikurse u përmend, një problem mbetet rruga Tiranë-Durrës, e cila është e kalueshme pa probleme, por sidoqoftë për shkak të situatave të paraqitura para dy ditësh në rajonin e zonës së “City Park”, ujërat kanë shkaktuar dëme jo thjesht në infrastrukturën rrugore, por dhe në infrastrukturën civile të qytetarëve apo komunitetit rreth e qark, të cilët më kanë shprehur shqetësime për prezencën e madhe të ujit dhe për dëmtimin që u ka shkaktuar, por që gjithsesi, në përfundim të kësaj situate, ne duhet të marrim një vlerësim total të kësaj dhe duhet të marrim dhe vendimet përkatëse.
Është e vështirë situata në disa zona të jugut, sikurse u përmend, në zonën e Vlorës për shkak të prurjeve të mëdha të lumit të Vjosës. Situata në urën e Mifolit dhe në rajonin rreth e qark është problematike e duhet mbajtur në monitorim të vazhdueshëm. Mirë është që të kemi kapacitete të gatshme për çdo eventualitet atje, sepse nga eksperienca e viteve të mëparshme apo situatave të ngjashme ka treguar që përkeqësimi aty mund të vijë në mënyrë të menjëhershme. Përgjithësisht po punohet me ritëm të lartë. Ajo që dua të vlerësoj përsëri, pas gjithë këtyre takimeve që kemi bërë dhe e kemi thënë që ditën e parë, është që ka një mënyrë koordinimi shumë më të mirë se herët e tjera, çka ka parandaluar situata të tilla të ngjashme. Kemi pasur përkeqësime të mëdha për shkak të mungesës së koordinimit dikur, sot është një situatë më ndryshe.
Situata mbetet problematike, por duke u mbajtur në monitorim dhe me prezencë të rëndësishme të infrastrukturës që kemi në dispozicion, po tejkalohet hap pas hapi.
Dëmtimet në rrugë, në segmente të caktuara janë të mëdha, ndaj ne duhet të bëjmë dhe një vlerësim në fund të kësaj situate. Lumenjtë kanë gërryer muret mbrojtëse të rrugëve, shtretërit e lumenjve kanë devijuar disi, kështu që do duhet të marrim një vlerësim të plotë të të gjithë situatës për rehabilitimin e të gjithë akseve apo segmenteve të dëmtuara.
Me pak fjalë, kjo ishte situata. Do ta mbajmë në monitorim të vazhdueshëm. Duke qënë se tre ditët e para të kohës së keqe kanë kaluar, shpresojmë që në fund të javës, kjo situatë të përfundojë dhe në përfundim të saj të kemi mundësinë që të bëjmë një vlerësim real, total, të gjendjes që do të rezultojë pas kalimit të saj, për të bërë ndërhyrjet e nevojshme më pas.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit Zoti Ministër!
Ndërkohë kemi pasur një shqetësim nga banorët e lumit të Vlorës për shembjen e një ure. Kemi komunikuar me ministren mbrëmë vonë natën, pasi morëm dhe gjithë informacionin nga terreni.
Ministrja Mimi Kodheli: Faleminderit Kryeministër! Në fakt është Ura e Cirakut, midis Selenicës dhe Bratajt në lumin e Vlorës, forcat xhiniere janë në vend tani dhe po bëjnë matjet e nevojshme, në mënyrë që brenda dy-tre ditëve të sistemojnë një urë plotësisht të shkatërruar, që është rreth 10 metra ura dhe bashkohen rreth 7-8 fshatra, të cilat kanë mbetur pa aksesin e nevojshëm. Ndërkohë, edhe ura në Petrelë është dëmtuar. Forcat xheniere kanë që mbrëmë në terren, kanë bërë matjet dhe janë duke marrë masat për rivitalizimin e rifunksionimin e urës.
Më lejoni t’ju azhornoj me një informacion të ardhur në orën 08:00 të mëngjesit.
Në Bashkinë e Lezhës ka 56 forca të armatosura, 25 mjete, janë evakuuar 25 banorë në fshatrat Obot dhe Kuç. Ndërkohë në Shkodër ka 22 forca , 7 mjete dhe një varkë, ndërsa në qarkun e Vlorës ka të gatshme 16 forca dhe 12 mjete. Ndërkohë në Milot dhe në fshatin Dukagjin i Ri janë hedhur rreth 80 metër kub inerte për përforcim argjinaturash dhe janë përdorur mbrëmë rreth 500 thasë rërë, gjithmonë në funksion të përforcimit të argjinaturave për mos daljen e lumenjve nga shtrati. Ky është informacioni i fundit që kemi. Faleminderit!
Ministri Damian Gjiknuri: Zoti Kryeministër! Të nderuar kolegë!
Nga të dhënat e fundit që disponoj nga kaskada e Drinit dhe po e filloj nga sektori i gjenerimit, situata po shkon drejt një stabilizimi, pasi edhe prurjet kanë rënë disi. Njëkohësisht, të gjitha turbinat po punojnë për prodhim të plotë të energjisë. Fierza po punon me 4 turbina; Komani me 2 agregate dhe hidrocentrali i Vaut të Dejës me 5 agregate. Njëkohësisht, shkarkimet janë reduktuar, janë rreth 1200 metër kub në Vaun e Dejës dhe nuk përbëjnë asnjë lloj rreziku për përmbytje për zonën e Nënshkodrës. Pra, situata në kaskadë është drejt stabilizimit.
Megjithatë, sot paradite do të mblidhet përsëri Sekretariati Teknik i Komisionit të Flotave, për të marrë vendimet e mëtejshme si do të operohet për menaxhimin e kaskadës. E kam theksuar edhe herë të tjera, që, pavarësisht se unë jam ministër Energjie, nuk kam asnjë të drejtë të urdhëroj menaxhimin e kësaj kaskade, por është një komision, i përbërë nga ekspertë, i cili zbaton me përpikëri Rregulloren dhe politika nuk ka asnjë ndërhyrje në këtë proces.
Nga ana tjetër, sektori i transmetimit të energjisë elektrike nuk paraqet asnjë problem. Linjat e tensionit të lartë janë të gjitha funksionale dhe nuk ka pasur asnjë lloj ndërprerjeje të energjisë elektrike.
Përsa i përket sektorit të shpërndarjes, megjithëse drejtori duhet të japë më shumë detaje, mund të themi se situata e përgjithshme është drejt përmirësimit dhe numri i fiderave, nga informacioni fundit që unë kam, drejtori mund të ketë diçka më të freskët, është nën 10, pra, janë shumë pak fidera dhe shumë pak abonentë në Shqipëri, kryesisht në zona rurale, të cilët kanë ndërprerje të energjisë elektrike, gjithmonë për shkaqe teknike për shkak të motit dhe sa të përmirësohet moti plotësisht, nuk do të ketë asnjë problem në furnizimin me energjie elektrike.
Drejtori i OSHEE, Ardian Çela: Situata, përsa i përket furnizimit me energji elektrike të popullatës është përmirësuar, ka hyrë në normalitet. Nga informacioni i fundit i orës 08:00, – informacion që vjen çdo një orë nga qendra dispeçer që kemi ngritur në qendër dhe është në komunikim të vazhdueshëm, çdo një orë, me gjithë qendrat në 11 rajonet – numri i fiderave që janë të stakuar për arsye teknike apo sigurie është më pak se 9, nga të cilët 3 janë vetëm në nënstacionin e Memaliaj, në Gjirokastër, sepse niveli Vjosës ishte rritur dhe ishte pothuajse në nivelin e përcjellëseve. Para se të hyja në këtë mbledhje, mora konfirmimin që, duke qenë se niveli ka rënë dy metra nën përcjellës, atëherë do të merremi me energjinë. Problem paraqitet zona e Koxhasit në 4 Rrugët e Shijakut, ku është stakuar energjia, për shkak të ngritjes së nivelit të ujit dhe është e pamundur të bëhet një riparimi i atyre përcjellëseve, nëse nuk bie niveli i Erzenit. Dy zona të tjera problematike janë në zonën e fshatit Shezës në Peqin, ku janë rrezuar 7 shtylla, sepse një kompani private nga punimet që ka bërë ka devijuar shtratin e lumit dhe në shtratin e ri që ka shkuar lumi ka rrëzuar këto shtylla. Punonjësit e kompanisë janë prezentë që në orët e para të mëngjesit. Shpresoj dhe jam i bindur që para orës 14:00 do jetë riparuar defekti. I fundit është në zonën e Burrelit, në fshatin Shupenzë, ku edhe aty janë dëmtuar 5 shtylla për shkak të motit të keq. Nuk mund të riparoheshin gjatë natës për arsye sigurie. Punonjësit janë në vend dhe për 2-3 orë riparohet edhe ky defekt. Pjesa tjetër janë defekte kryesisht në tension të ulët, që janë rutinë e punës sonë të përditshme dhe nëpërmjet informacionit që ne marrim në call-center-at që kemi në të 11 rajonet, punonjësit tanë me grupet e gatshme janë në gatishmëri.
Unë dua të jap disa shifra përsa i përket punës së madhe që është bërë gjatë ditës së djeshme dhe të pardjeshme. Vetëm gjatë ditës së djeshme i është dhënë energji 106 fiderave që shfaqën problemë në gjithë vendin, duke iu kthyer energjinë rreth 128 mijë abonentëve. Janë riparuar krejtësisht defektet që janë shfaqur në rajonin e Fierit, Vlorës, Kukësit, pjesërisht të Korçës, Tiranës, Durrësit. Edhe zona e Kamzës, e cila pati problem se ishte shembur ura, mbrëmë rreth orës 21:00 mori energji. Grupet vazhdojnë të jenë të gatishmëri. Janë riparuar 95% e defekteve që kemi pasur dhe kanë marrë energji rreth 90% e abonentëve, të cilët kanë pasur mungesa energjie.
Kryeministri Rama: Shumë faleminderit! Ministri i Bujqësisë!
Ministri Edmond Panariti: Shumë faleminderit Zoti Kryeministër!
Drejtori i Emergjencës Civile përmendi një shifër. Në Memaliaj e kemi pasur dje, 6.5 nivelin. Po qe se ju kujtohet, në vitin 2015 e kemi pasur 5.8 dhe ka qenë përmbytje e garantuar nga Vjosa poshtë. Ne nuk e kemi pasur këtë vit për një arsye të mirë, sepse ne nuk e lamë infrastrukturën e kullimit, që e trashëguam në vitin 2015. Në këtë verë, ne kemi bërë ndërhyrje të jashtëzakonshme në pastrimin e Vjosë-Levan në radhë të parë, por, njëkohësisht, edhe një investim në 15 nyje në të gjithë brigjet e Vjosës. Kështu që përmbytja e garantuar, që do të ndodhte në rast se nuk do të kishim ndërhyrë, u evitua pikërisht si rezultat i këtyre ndërhyrjeve të jashtëzakonshme që ne bëmë. Tani, Vjosa është në nivelin 6.1 aktualisht.
Unë isha dje, së bashku me kryetarin e bashkisë dhe prefektin, edhe një herë për t’u dhënë mesazh banorëve që të largohen përsëri nga brigjet e Vjosës, për arsye se ne nuk mund të hedhim fall, nuk e dimë se ç‘mund të ndodhë në të ardhmen. Jemi optimistë që situata do të shkojë drejt përmirësimit, por gjithsesi gjendja e alertit mbetet në fuqi. Prandaj unë i falënderoj edhe fermerët, edhe blegtorët që e kapën shumë pozitivisht mesazhin tonë, për të spostuar bagëtitë dhe të gjithë bazën ushqimore që e kanë në magazinat që ndodhen afër brigjeve. Ndërkohë këtë situatë, ne do ta mbajmë në një gjendje të tillë alerti deri në fund të javës, ku më pas pritet që të përmirësohet moti.
Unë do të propozoja Zoti Kryeministër, që në këtë bord të kishim edhe përfaqësues nga Shërbimi Meteorologjik, për arsye se, pavarësisht se unë komunikoj me ta, një pjesë të informacioneve e marr edhe nëpërmjet mediat online që japin lëvizjet e fronteve. Nesër parashikohet një rikthim i situatës së reshjeve, të stuhive në veri.
Në veri, në qarkun e Lezhës, në Kurbin, situata paraqitet normale nga informacionet, të cilat unë i kam të freskëta, para se të vija këtu. Mati është tashmë i disiplinuar, relativisht, brenda shtratit të tij. U investua dhe u ngrit me një shpejtësi të madhe argjinatura e dëmtuar në lumin e Drojës, gjë që bëri të mundur që ujërat tashmë të futen përsëri në shtrat. Po kështu janë pastruar grykat e përrenjve dhe të kanaleve kryesorë, për rrjedhojë uji evadohet me shpejtësi dhe nuk kemi situatë përmbytjesh, siç patëm dy ditë më parë. Situata është në përmirësim.
Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë. Kemi një problem në Vlorë. Unë shkova dhe e pashë dje, hidrovorin dhe që kërkon natyrisht ndërhyrje. Ai është një hidrovor tashmë i amortizuar, ka nevojë për remont kapital, por nga 29 hidrovore që kemi, vetëm ai hidrovor paraqitet problematik. 28 të tjerët janë në funksion të plotë, furnizohen ritmikisht me energji elektrikem gjë që ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar në punën e tyre të pandërprerë dhe në pompimin aktiv të ujërave nga zonat me fluks të lartë të ujërave. Po e ndjekim situatën.
Përsa i përket kulturave bujqësore kemi reduktim të ndjeshëm të tokave nën ujë. Kemi tashmë më pak se gjysmën e sipërfaqeve që u raportua këtu, para dy ditësh, për arsyen e thjeshtë se kanalet kryesorë dhe ato dytësorë të ujërave të larta, të cilat janë të hapura edhe si rezultat i investimit të kryer nga pushteti lokal, tërheqin ujërat dhe për rrjedhojë, largimi i ujit brenda 24 orësh nuk i vë në rrezik kulturat bujqësore, pasi ato nuk asfiksohen nga mungesa e oksigjenit. Kështu që situata po shkon drejt përmirësimit.
Situata do mbete në gjendje alerti, pasi mendohet që nesër dhe pasnesër të kemi situatë të rënduar meteorologjikë. Gjithsesi, tashmë, ne jemi në terren, së bashku me strukturat e pushtetit lokal, së bashku me prefektin, me Ministrinë e Mbrojtjes, me Ministrinë e Brendshme, me një koordinim dhe mendoj që do ta kalojmë këtë situatë më së miri.
Kryeministri Rama: Shumë faleminderit Zoti ministër!
Ajo që është për t’u nënvizuar me forcë është se pas përmbytjes së shkuar në zonën e Vlorës dhe një pjesë të zonës së Fierit, ne kemi marrë masa jashtëzakonisht efektive dhe kemi bërë ndërhyrje jashtëzakonisht rëndësishme, që kanë sjellë pikërisht atë që tha ministri, me një nivel uji më të lartë sesa herën e shkuar, kemi faktikisht një situatë shumë më të qetë, relativisht, sesa herën e shkuar. Dhe ajo që është e rëndësishme, duke rimarrë edhe një nënvizim nga ana e Ministrisë së Transportit, është që ne ndërkohë të jemi gati me planin operacional për gjithë ndërhyrjet riparuese, qoftë përsa i përket infrastrukturës rrugore ku ka rrëshqitje dheu, ku ka nevojë për ndërhyrje këtu në autostradë, apo dhe ku ka nevojë edhe për ndërhyrje më afatgjata, si ato që morëm si masë për Vlorën, së bashku me ministrin e Bujqësisë, pas përmbytjes së mëparshme. Po ashtu të vazhdojmë intensivisht me planin operacional të pastrimit të mëtejshme të të gjithë kanaleve të kullimit. Kemi arritur në afro 1000 kilometra. Ka ende për të bërë dhe të gjejmë një ekuilibër sa më të mirë midis asaj që është e pamundur për shkak të reshjeve të dendura, kur vijnë me furinë që erdhën përsëri kësaj radhe dhe asaj që është e mundur për shkak të parandalimit.
Ministri Edmond Panariti: Ngaqë unë isha në terren, vura re që sistemi i matjes së së prurjeve të lumenjve është bazuar kryesisht një sistem vijëzimi tek kolonat e urave. Nuk besoj që mund vazhdohet me një sistem të tillë, të trashëguar. Mendoj që ka nevojë që ta dixhitalizojmë atë, pra, me matës online, real, të prurjeve, që të mos jetë çështja sa është niveli në Memaliaj apo diku, por kjo të jetë e centralizuar këtu, për ta ndjekur situatën. Unë mendoj se kjo duhet parë si prioritet, edhe si një sistem shumë efektiv parandalues dhe për të krijuar mundësi në kohë reale për të marrë masat.
Kryeministri Rama: Për ta mbyllur, së bashku me Ministrinë e Mjedisit duhet të bëjmë edhe një inventar të atyre pikave kritike që kanë ardhur si rezultat i devijimit të shtatit të lumit, ose i keqadministrimit të atyre karrierave që për fat të keq, në të shkuarën janë abuzuar kaq shumë, saqë kanë denatyruar komplet logjikën e natyrës, në mënyrë që të shikojmë se çfarë ndërhyrjesh mund të bëjmë edhe në atë aspekt. Faleminderit edhe njëherë dhe vazhdojmë rrimë në kontakt.