Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama theksoi vendosmërinë e palëkundur të Qeverisë që drejton për një qasje të re ndaj luftës me trafikimin e qenieve njerëzore gjatë pjesëmarrjes në konferencën e organizuar në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit të qenieve njerëzore, zhvilluar në Tiranë.

Për Kryeministrin kjo çështje kërkon një aksion të menjëhershëm, shumë të vendosur dhe të orientuar nga rezultatet, duke i dhënë përparësi zbatimit të ligjit, mbrojtjes së viktimave dhe rritjes së efektivitetit të institucioneve dhe të çdo segmenti përkatës në gjithë zinxhirin institucional.

Duke nënvizuar hapat konkretë që do të ndërmerren për të pasur rezultate të prekshme në këtë luftë, Kryeministri përmendi: Vendosmërinë për të bashkëpunuar sistematikisht dhe intensivisht me aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë; Reformimin e policisë edhe në këtë aspekt; Plotësimin e një kuadri ligjor; mirëkoordinimin mes organeve të drejtësisë dhe të rendit në tërësi.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama, në aktivitetin me temë “Stop Trafikimit! Së bashku mund të bëjmë më shumë!”, në Ditën  Evropiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

“Askush nuk ta dëgjon zërin” ishte titulli i një punimi që fliste për rrjetet e trafikimit të vajzave nga vendet ish-komuniste, bosët, klientët dhe përjetimet e këtyre grave e vajzave, nëpër skutat e errëta, pa asnjë dritë e pa asnjë dalje, ku i mbytnin zërin.

M’u duk shumë kuptimplotë ky titull për situatën në të cilën gjenden viktimat e trafikimi të personave apo të rrezikuarit nga ai, zëri i të cilëve nuk dëgjohet.

Në rastin e Shqipërisë, veçanërisht nga shteti, që i lë vulnerabël përballë këtij trafikimi; nuk i mbron, nuk merr masat e duhura për ta parandaluar e nuk arrin as t’i riintegrojë në komunitet.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim ““Tier II – Watch List””, për mungesë plotësimi të standardeve minimale në luftën kundër trafikimit të personave.
Dhe, progres raporti i BE-së, konstaton probleme përsa i përket luftës kundër këtij trafikimi.

Nëse sot, në ditën Evropiane Kundër Trafikimit të Personave, kur jemi mbledhur për t’i dhënë një shtysë të re e ndryshe luftës me trafikimin e qënieve njerëzore, do të bënim një përmbledhje të situatës së Shqipërisë në këtë aspekt, do të gjendeshim përballë një tabloje sa të dhimbshme, aq dhe revoltuese, ku dallohet qartazi sofistikimi i veprimtarisë kriminale që ushqen, forcon e zgjeron rrjetet e tij, duke përforcuar imazhin e Shqipërisë si një vend tranzit, por dhe burim të trafikimit të personave e rrjeteve kriminale të përfshira në to.

Imazh i vulosur me filma që bëjnë xhiron e botës ndërsa të rrënqethin kur mendon se kuadrate të tyre i gjen dhe në këtë tablo reale.

Arsyet që na vënë përballë kësaj tabloje janë padyshim komplekse, por nuk ka sesi të mos nënvizohet mosfunksionimi i organeve të drejtësisë dhe rendit, korrupsioni që ka sjellë keqfunksionim në të dy këto sisteme dhe dobësia institucionale në përkujdesjen ndaj personave pre të trafikut.

Ashtu si dhe, vendosmëria e munguar për të bashkëpunuar intensivisht me aktorët kombëtarë e ndërkombëtarë në këtë betejë.

Gjithashtu, shpërdorimi i fondeve të akorduara nga partnerë ndërkombëtarë dhe presioni politik mbi shoqërinë civile që ka dobësuar kapacitetin e saj për të qenë partnere aktive në rrugën e parandalimit të trafikimit, rehabilitimit të individëve viktimë të këtij rrjeti dhe sensibilizimit masiv përsa i përket mënyrave që bëjnë gra, vajza, fëmijë viktima të trafikimit të personave.

Krim, sipas Majkëll Beçelt Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Grave pranë OKB-së, më i rëndi që ekziston dhe që nuk mund të zmbrapset veçse me një përpjekje të përbashkët.

Në një luftë që kërkon bashkërendim kombëtar, rajonal e më gjerë dhe për të cilin Qeveria e re do të angazhojë të gjitha burimet njerëzore, teknike dhe financiare.

Duke qenë thellësisht e vetëdijshme se kjo sfidë është sa komplekse, aq dhe emergjente. Për kompleksitetin që ka, kërkon bashkëpunim të gjerë.

Ndërsa, për emergjencën që ka, kërkon aksion të menjëhershëm, të vendosur dhe të orientuar nga rezultatet, duke i dhënë përparësi zbatimit të ligjit, mbrojtjes së viktimave dhe efektivizimit e fuqizimit të institucioneve përkatëse.

Hapat e mëtejshëm që duhet të japin rezultate të prekshme në periudha afatmesme dhe afatshkurtra janë: reformimi i policisë; plotësimi i kuadrit ligjor ku mbizotërojnë boshllëqet; mirëkoordinimi mes organeve të drejtësisë dhe të rendit në tërësi, duke patur parasysh se një nga problemet themelore në dështimin e luftës kundër trafikimit të personave në Shqipëri, ka qënë dhe keqkoordinimi ndërmjet këtyre strukturave.

Me themelimin dhe fuqizimin e “Byrosë Kombëtare të Hetimit”, një standart tjetër i nivelit të lartë, do të sillet në evidentimin dhe hetimin e veprave penale në zbatim të Strategjisë së re dhe Planit të veprimit kundër Krimit të Organizuar.

Përballja me trafikimin e personave nuk është karakteristikë e shtetit shqiptar. Me të përballen dhe vendet më të zhvilluara të globit si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kanë shpallur një betejë të gjithanshme këtij fenomeni, duke përfshirë dhe biznesin.

Siç është në rastin e Global Business Coalition Against Trafficking me bizneset e bashkuara në koalicion që deklaron se “Trafikimi i qënieve humane nuk është një model biznesi dhe ne do ta ndalojmë.

Një iniciativë kjo, e promovuar si shembull i koalicioneve shoqërore, ekonomike e kulturore që duhet të krijohen kundër asaj, që është ashtu siç dhe quhet, skllavëri moderne.

Por, problematika në Shqipëri ka disa specifika që e rëndojnë veçanërisht.

Për shëmbull, çështje e pa zgjidhur, ndërkohë që duhej t’i jepej përparësi absolute, është pozita e viktimave të trafikimit në procesin penal, ku ende  nuk janë krijuar instrumentet e duhura për të siguruar një mbrojtje ligjore efektive për këto viktima.

Nga ana tjetër, megjithëse janë krijuar mekanizma për mbrojtjen e  viktimave të trafikimit, ato më së shumti kanë ngelur në letër ose në vullnetin e mirë të individëve të veçantë brenda strukturave të caktuara të shtetit, duke nxjerrë në pah dobësinë e tejskajshme të shërbimeve sociale, atë që mund të quhet inekzistencë e tyre në  nivel vendor dhe mungesën e programeve efikase për fuqizimin e kategorive në nevojë.

Situata, përsa i përket mbrojtjes së viktimave në shumë raste të mitura, të cilat s’duhet të kenë veç mbrojtje, por dhe përkujdesje, rëndohet për shkak të paplotshmërisë ligjore në fushën e mbrojtjes, ku konstatohen probleme kryesisht për shkak të mungesës së një sistemi efikas të mbrojtjes sociale të grupeve në nevojë.

Por problematika shkon dhe më tej dhe është e gjithanshme. Informaliteti në tregun e punës ka favorizuar aktivitete të paligjshme që stimulojnë shfrytëzimin dhe viktimizimin e personave të pambrojtur veçanërisht gra e individë në moshë të mitur.

Shtuar këtyre problemeve, strukturat shtetërore dhe buxheti i shtetit që kanë qenë apatikë në drejtim të financimit të aktiviteteve parandaluese.

Të rinjtë rezultojnë me fare ose aspak informacion lidhur me situatën e trafikimit me qëllim parandalimin.

Gjithashtu, mangësitë janë të mëdha edhe për sa i përket studimeve dhe vlerësimeve të plota për të matur nivelin dhe mënyrat e shfaqjes së fenomenit në kontekstet e reja të krijuara së fundmi me liberalizimin e vizave, apo elementë që lidhen me zhvillimin e teknologjisë së internetit dhe telefonisë celulare.

Ashtu siç sot për sot jemi dhe përballë mungesës të të dhënave të detajuara statistikore dhe një mekanizmi të konsoliduar dhe të unifikuar për mbledhjen e të dhënave statistikore për arrestimet, hetimet dhe dënimet e dhëna për veprën penale të trafikimit të personave.

Është e pamundur të prodhojmë zgjidhje pa njohur në detaje tablonë e hidhur që kemi përballë. Dhe në këtë tablo është mëse e qartë që në çdo aspekt të luftës me trafikimin e personave nga ndjekja penale, tek mbrojtja e viktimave, parandalimi, bashkëpunimi, bashkërendimi, zbatimi i ligjit dhe vetë kuadri ligjor, ka probleme të thella.

Për të tejkaluar sa më shpejt, por në mënyrë efikase dhe të qendrueshme këto probleme dhe për të orientuar çdo hap nga rezultate të prekshme për qytetarët, angazhimi jonë është i padiskutueshëm.

Përparësia dhënë kësaj përpjekjeje është prioritet absolut.

Motoja jonë në këtë fushë është aksioni. Fillimi dhe mbështetja e një aksioni mbarë shoqëror që fillon me sensibilizimin e të gjithëve dhe thirrjen për partneritet e çdo kontribut në këtë betejë për dinjitetin e secilit dhe mbarë shoqërisë sonë.

Ndaj dhe gatishmëria jonë për të shfrytëzuar modele të suksesshme të luftës me krimin e organizuar dhe trafikimin e personave dhe për të implementuar iniciativa të zgjuara e me efektivitet në këtë fushë është shumë e madhe.

Një iniciativë për t’u marrë si shembull është ajo e Presidentit Obama në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nga rekrutimi nëpërmjet internetit, me qëllim shfrytëzimin e tyre, ku u bashkëpunua me studentët e kolegjeve për të zhvilluar mjete të cilat u mundësojnë fëmijëve siguri dhe mbrojtje në rrjetet sociale dhe komunikimin online.

Në këtë aspekt, një rol i rëndësishëm i takon Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, e cila duhet të punojë për kontrollin e prodhimit, shitjes, përdorimit dhe shfrytëzimit të teknologjisë së internetit dhe të vendosë barriera të sigurta ndaj qasjes në internet, veçanërisht në mjediset jopublike, ku ky i fundit ofrohet për qytetarët.

Iniciativat inovatore dhe me impakt në publik, si rasti i projektit “Adresimi i trafikimit përmes teknologjisë celulare” kanë mbështetjen dhe inkurajimin tonë më të plotë. Ndaj, dua të shpreh mirënjohjen për organizatën prestigjioze me kontribut të çmuar në vendin tonë “World Vision” dhe për angazhimin e Fondacionit “Vodafone” në këtë projekt, të cilin dua ta quaj, fillimi aktiv i një përpjekjeje në të cilën duhet të jemi të gjithë në aksion dhe të kemi urgjent rezultate.

Der Gelbe Schein (Bileta e Verdhë) titullohej ekspozita e hapur në Berlin vitin e shkuar me temë trafikimin e grave e vajzave në shekullin e 19. Duke analizuar këtë ekspozitë, një gazetar francez në LeMonde (Frederik Lemaitre) thoshte: “E ka emrin Sofia, Olga, apo Maria. Eshtë ruse, polake, apo (atëherë) pruse, historia e tyre është e njëjtë. Jetojnë me pamundësi dhe një i panjohur “zemërmadh” i ofron mundësira, punë që atyre i shpjegohen si krejt normale, po që janë diku larg, në një vend të huaj, për të arritur tek i cili, i panjohuri  ofron gratis dhe udhëtimin.”

Mund të jenë të ngjashme historitë e trafikimit të grave, vajzave e fëmijëve. Mund të jetë e vjetër kjo histori, sa historia e skllavërimit të njeriut.

Por, duhet ta kuptojmë, se për çdokënd që e përjeton, në tmerrin e saj e thellësinë e këtij tmerri, kjo histori është unike në plagën që krijon;
e re, me dhimbje që ripërtërihet çdo ditë të kaluar në rrjetet e trafikimit e pangjashme.

Emrat e personave të rënë pre e trafikimit mund të jenë të ndryshëm e të shumtë, nga shumë nacionalitete, etni e origjina. Dhe, emrat shqip nuk janë të mangët në këtë listë të dhimbshme. Por zëri i secilit i fortë a i mekur, nga errësira ku i shtyu pamundësia dhe braktisi shteti, duhet të na vijë veç e veç, të na tronditë në revoltë, të na shtyjë në rrugën pa kthim e pa kompromis të luftës për parandalim, ndëshkim e rehabilitim të këtyre personave pre të tij.

“… Në vitin e fundit  të gjimnazit me rrëmbyen dhe më dhunuan përpara shkollës. Policia s’luajti as edhe gishtin e vogël. Ishin gjashtë horra. Kur më lëshuan pas një muaji nuk dija as si më quanin. Babai më rrahu se e kisha turpëruar.  …Për shkollë s’bëhej më fjalë, se s’kishim më as bukë të hanim. Ja ku jam, s’kam nevojë t’ia shtrij dorën njeriu…”

E ka dëgjuar këtë zë e sjellë me penën e saj tronditëse, Elvira Dones.

Por ka ardhur koha, t’i dëgjojë kështu tronditshëm këto zëra, secili nga ne, por padyshim veçanërisht, Qeveria dhe shteti.

Që të mos kenë nevojë t’i shtrijnë dorën askujt, por dora e shtetit, në një punë të koordinuar mirë me shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë e çdo aktor shoqëror të arrijë deri tek ata, fëmijë, gra, vajza, të rinj të përfshirë në trafikim  a rrezik përfshirjeje.

Që zëri i tyre të dëgjohet, pa rënë në skutat e tmerrit. Dhe që ne të jemi me kokën lart përsa i përket mospërfshirjes së shoqërisë tonë në trafikim. Që Shqipëria të jetë bashkëpunëtore e denjë në përpjekjen ndërkombëtare kundër këtij krimi shumë më të rëndë sesa gjithë vitet e mbledhura bashkë të vjetërsisë së tij shekullore.

Faleminderit !

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.