Në Ditën Ndërkombëtare të Librit u zhvillua sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, maratona e leximit me pjesëmarrjen e figurave të njohura të artit dhe sportit. Këtë maratonë të leximit e hapi Kryeministri Rama, i cili lexoi një fragment nga libri i Ismail Kadaresë, “Mëngjeset në Kafe Rostand”.
“Besoj që është një libër që ia vlen ta lexoni. Nuk është tek librat e rëndë të Ismail Kadaresë, që kërkon edhe një angazhim gati-gati special për t’u lexuar nga fillimi deri në fund, por është një përmbledhje e një sërë reflektimesh të tij mbi copëza të caktuara që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por që në tërësinë e tyre të japin vërtetë kënaqësinë e të qenit lexues librash”, – u shpreh Kryeministri Rama, duke ftuar të rinjtë ta lexojnë.
“Mëngjeset në Kafe Rostand” është përmbledhje esesh dhe shënimesh të tjera autobiografike të Ismail Kadaresë, të botuara në vitin 2014.
Duke çelur këtë maratonë leximi, Kryeministri Rama e vlerësoi librin si të pazëvendësueshëm në procesin e komunikimit, pavarësisht instrumenteve të tjerë teknologjikë që zënë një pjesë të rëndësishme të ditës dhe jetës së gjithsecilit.