Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Me përfundimin e afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita e rrugës ka vendosur të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve, pasi doli nga rruga e jetës parlamentare, duke zgjedhur dy forma ekstreme në kundërshtim të plotë me vijën e logjikës demokratike; E para, e panjohur dhe e padëgjuar, e dyta, jo e panjohur, por e provuar si një rrugë e vetëshkatërrimit.
Aty ku opozitat kanë zgjedhur të braktisin zgjedhjet, praktikisht kanë marrë mbrapsht, një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish të jashtëzakonshme për rindërtim. Në vend që të luftojë me program dhe me ide, ka zgjedhur të luftojë me kërcënime dhe me kapsolla; në vend se t’i përfaqësojë zgjedhësit e vet në këtë sallë dhe në zgjedhje, ka vendosur t’i nxjerrë edhe ata nga rruga e betejës demokratike dhe në vend që t’i udhëheqë në rrugën e betejës demokratike, ke vendosur t’i përdorë si mish për top, duke u fshehur pas tyre.
Kjo është padyshim shumë e rëndë, e padëgjuar dhe e papranueshme nga askush. As nga vetë shumica dërrmuese e zgjedhësve të Lulzim Bashës, apo të Monika Kryemadhit. Ndërkohë edhe ne nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër, përveçse të vijojmë rrugën tonë pa u ndalur të merremi me ta. Domethënë, pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht kërcënimeve, shantazheve, apo rreziqeve të një procesi, kur dy parti politike dhe disa kryetarë pa parti rreth tyre përbetohen se do ta dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshillat e bashkive në Republikën e Shqipërisë.
Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që ndryshe nga unë, ndryshe nga ne, mendojnë se zgjedhjet, pa këto parti janë anormale, por dua që t’ju them të gjithëve se kjo nuk është as zgjedhja jonë dhe as faji ynë, për hir të së vërtetës, sepse në këndvështrimin tim kemi bërë gjithçka që kemi pasur ne në dorë që kjo të mos ndodhë. Mund të bënim më shumë, mbase, po unë nuk e di se çfarë ne mund të bënim më shumë. Është mirë që të ngulmojmë që të gjithë ta kujtojnë çdo ditë në këtë periudhë se çfarë ne kemi bërë dhe askush të mos e harrojë se jemi ne që e kemi dhënë provën se mes një palë zgjedhjesh pa opozitën dhe zgjedhjeve me opozitën, kemi parapëlqyer të dytën dhe kemi sakrifikuar politikisht për ta bërë të mundur të dytën. Prova është në sytë e kujtdo që ka një kujtesë të gjatë sa 2 vjet. Këtu e dy vjet më parë ishim në të njëjtën situatë, kur të njëjtët njerëz, ose më saktë, Lulzim Basha dhe partia e tij ishin futur në çadër, ndërsa aleatët tanë rrinin mes çadrës dhe qeverisë, në pritje që të binte qeveria.
Në 2017, ne kaluam ylberin, në raport me traditën politike në Shqipëri, por edhe në raport me vetë mandatin tonë, duke ndarë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes me ta dhe duke u besuar atyre, as më shumë e as më pak, por Ministrinë e Punëve të Brendshme, plus ministritë e tjera dhe agjencitë më të rëndësishme shtetërore. Pse?!
Sepse, edhe në kushtet kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara e mbyllën gjithë kapitullin e gjatë të përpjekjeve për të arritur në një kompromis dhe deklaruan me keqardhje për opozitën dhe duke e fajësuar drejtpërdrejtë opozitën, se zgjedhjet duhet të mbaheshin, se zgjedhjet ishin legjitime dhe se qeveria e Parlamenti i dalë prej atyre zgjedhjeve kishin legjitimitet të plotë, nëse ne do të ishim një forcë politike thjesht dhe vetëm e lidhur me pushtetin dhe nëse do ta shikonim procesin demokratik thjesht dhe vetëm si një rrugë për të qëndruar apo marrë pushtetin, nuk kishim asnjë arsye që t’i luteshim. Të gjithë e kujtoni sesa shumë u jemi lutur dhe unë i jam lutur Lulzim Bashës, për të mos braktisur procesin.
Do kishim një Parlament me të gjithë deputetët dhe pa deputetë të Partisë Demokratike dhe as të LSI dhe të jeni të sigurt që nga pikëpamja e legjitimitetit, askush nuk do e vinte në diskutim legjitimitetin tonë. E bëmë këtë zgjedhje dhe kjo kujtesë duhet t’ju vlejë të gjithë atyre që, për një arsye, ose për një tjetër, sot kanë të drejtë të mendojnë se zgjedhjet janë anormale në kushtet kur dy parti politike, jo të parëndësishme, i kanë braktisur ato, por nuk mund dhe nuk duhet të mendojnë se jemi ne që e duam këtë gjë, jemi ne që priremi drejt kësaj gjëje.
Ne thjeshtë nuk kemi asnjë rrugë tjetër dhe është rasti për të theksuar se përtej të gjithë të metave tona, përtej edhe gabimeve të pashmangshme, ose të shmangshme që ne kemi bërë, apo mund të kemi bërë, ne mund të ballafaqohemi me këdo, për të provuar se, nëse ka një garë se, cila forcë politike, apo cila qeveri i ka dëgjuar më shumë të tjerët, i ka dëgjuar më shumë kritikat, i ka dëgjuar më shumë kundërshtitë, i ka dëgjuar më shumë njerëzit, këtë garë, ne e fitojmë me diferencë të madhe.
Na akuzojnë për arrogancë, por kam frikë se përtej dukjeve dhe përtej interpretimeve të mundshme të një mënyre, apo një mënyre tjetër komunikimi, ngatërrojnë vendosmërinë për të çuar përpara reformat që kemi marrë përsipër me arrogancën.
Nuk është arrogancë, është vendosmëri që të ndërmarrësh reformën e formalizimit dhe të vendosjes së rregullave në një shtëpi si Shqipëria që trashëguam, në rrëmujë dhe pa rregulla.
Nuk është arrogancë, është vendosmëri që të ndërmarrësh një betejë ku të gjithë tjerët ose kishin humbur me turp, ose as nuk i kishin hyrë fare ta ndërmerrnin, si beteja për të formalizuar marrëdhënien mes konsumatorëve dhe sektorit të energjisë elektrike. E kështu me radhë, një sërë reformash të tjera, për të mos i numëruar të gjitha.
Ngatërrojnë këmbënguljen tonë, për të realizuar punët që marrim përsipër, me arrogancën.
Nuk është arrogancë të këmbëngulësh të realizosh punët që ke për detyrë dhe të cilat i ke marrë përsipër.
Nuk është arrogancë, është këmbëngulje që të mos pranosh që në kundërshtim me interesin publik, në kundërshtim me të mirën e përbashkët, në kundërshtim me të ardhmen e vendit, me të ardhmen e qytetit, me të ardhmen e fëmijëve, një grusht njerëzish të marrin peng një projekt, të marrin peng një rrugë zhvillimi, siç ndodhi tek Bregu i Lumit, apo siç ndodh ende edhe për pak kohë, tek Unaza e Re, apo siç ka ndodhur atje – këtu, ku për herë të parë dhe falë lidershipit qorr, pa lidership të Lulizm Bashës dhe të Monika Kryemadhit, parti politike i janë kundërvënë zbatimit të ligjit, në raport me ndërtime pa leje.
Kurrë, ne në opozitë, por për hir të vërtetës, edhe ata në opozitë më parë nuk kishin dalë e nuk kemi dalë në rrugë për të marrë krahun e tyre që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe me ndërtimin e tyre të paligjshëm janë pengesë për ndërtimin e një rruge të së ardhmes. Ka filluar kjo me projektin e rrugës së Pogradecit. Krahasoni sot, rrugën e Pogradecit me atë që lanë ata, të cilët pastaj ju dolën në krah atyre që kishin ndërtuar mbi liqen. Jo thjesht krahasoni rrugët nga ana e pamjes, por vetëm duke u nisur nga pamja, krahasoni se çfarë zhvillimit, çfarë turizmi, çfarë ekonomie e çfarë punësimi sjellin projektet si ai rast, apo si në gjitha rastet e tjera dhe se çfarë prapambetje, çfarë përpëlitjeje në një situatë status quo-je varfërie lënë rrugët e lëna rrugëve, apo rrugët e paprekura për histori të lidhura me mungesën e vizionit dhe me mungesën e këmbënguljes.
Kokëfortësia për të insistuar për një program, për një projekt nuk është arrogancë. Po të mos kishte ekzistuar kokëfortësia për të insistuar, nuk do ekzistonte Parisi siç e njohim. Mora shembull Parisin, por mund të marr shembull çdo qytet, ashtu siç e njohim. Mund të marr shembull çdo vend, ashtu siç ne e njohim. Ka qenë kokëfortësia e njerëzve me vizion dhe e forcave me këmbëngulje, që i kanë ndërtuar ato realitete, duke sakrifikuar natyrisht dhe duke marrë përsipër edhe kostot.
A jemi ne një shumicë, një parti politike, një qeveri që nuk dëgjon?
Kush i ka dëgjuar drejtpërdrejtë, jo në salla, jo në kënde fjale, jo në dëgjesat e mëdha publike nëpër sheshe, – nuk po i llogaris ato, – por drejtpërdrejtë dhe kush i ka kthyer përgjigje me shkrim në qeveri 41.000 njerëzve të zakonshëm? Kush tjetër u ka zgjidhur njerëzve të zakonshëm, drejtpërdrejtë si qeveri e angazhuar në krah të tyre, mijëra e mijëra e mijëra halle, duke i dëgjuar përmes një platforme, siç është Platforma e Bashkëqeverisjes për të cilën këta zgjedhin fjalët e zakonshme të traditës së cinizmit, të përqeshjes, traditës së llogjeve të klubit të Selanikut, por harrojnë dhe jo vetëm harrojnë, por nuk e kuptojnë dot që bëhet fjalë për 41000 qytetarë, pensionistë, të cilët janë rrugëve prej vitesh e vitesh, sepse nuk i ka dëgjuar kurrë njeri, për të llogaritur si duhet pensionin e tyre. Sot, pikërisht pse sa herë që na drejtohen, dëgjohen e pasi dëgjohen, ndihmohen, marrin mbrapsht të gjitha paratë e munguara nga pensioni i llogaritur gabim dhe nuk ia kemi llogaritur ne pensionin gabim, por, edhe në rastet kur ia kemi llogaritur ne pensionin gabim, bëhet korrigjimi.
Apo mijëra e mijëra njerëz të tjerë që janë zvarritur me vite. E thonë vetë, e thonë faktet, që nga viti 2001, 2004, 2008, 2011 e 2012, për titujt e pronësisë.
Kush i ka dëgjuar si ne, drejtpërdrejtë, tek për tek, njerëzit?
Nuk po kthehem larg, tek armët kimike, po vijmë më afër tek Kukësi. I dëgjuam dhe i kërkuam ndjesë publike për faktin se kishin të drejtë ata, nuk kishim të drejtë ne dhe për faktin se ne nuk qeverisim me bindjen se i dimë të gjitha dhe kemi të drejtë për gjithçka, por, ama, aty ku kemi bindjen se kemi të drejtë, nuk tërhiqemi se përndryshe nuk bëjmë punën dhe duke mos bërë punën, nuk zbatojmë angazhimet që kemi marrë përpara atyre që na kanë dhënë votën për t’i bërë këto punë. Nuk kemi bërë asgjë që nuk e kemi thënë përpara. Të gjitha ato që kemi bërë, i kemi thënë më parë. E kemi thënë më parë se kush do na votojë ne, duhet ta llogarisë nëse fiton më shumë, do paguajë më shumë, nuk e kemi bërë mbrapa. Ashtu sikundër e kemi thënë më parë që kush fiton më pak, do paguajë më pak dhe ky është fakt.
Kush i ka dëgjuar studentët, siç i kemi dëgjuar ne dhe kush ka bërë me seriozitetin më të madh detyrat e veta si qeveri, pasi i ka dëgjuar! Jo për t’i kthyer në klasë e për t’i hequr nga rruga e protestës, por për të realizuar pikë për pikë ato gjëra për të cilat kemi rënë dakord që kanë të drejtë. Për ato që kemi thënë nuk kanë të drejtë, i kemi dëgjuar me respekt, u kemi thënë nuk keni të drejtë dhe nuk i kemi bërë e nuk kemi ndërmend t’i bëjmë. Ama, për ato gjëra që ata kanë pasur dhe kanë të drejtë, ne jemi të angazhuar rregullisht.
Kush i ka dëgjuar njerëzit në fshat, kur janë ngritur për ndërtimin e një HEC-i? U bënë protesta muaj e ndoshta, më shumë se muaj për HEC-et në Valbonë, nuk u bënë protestat kur u dhanë licencat e HEC-eve në Valbonë dhe u dhanë nga burri i atyre maleve, Saliu. Ai i dha dhe kur diskutohej për Valbonën këtu, rrinte si skuth dhe fuste kokën midis shpatullave, duke gërmuar ipad-in. Ndërkohë ne morëm përsipër përgjegjësinë dhe bëmë sa mundëm. Ashtu sikundër kemi marrë përsipër përgjegjësinë dhe kemi bërë sa kemi mundur sa herë që kemi menduar se është komuniteti që ka të drejtë. Aty ku nuk ka të drejtë dhe ku ne mendojmë dhe e themi nuk ka të dejtë, nuk ka kthim mbrapa dhe nuk diskutohet që do bëhet si themi ne, jo siç thotë një grup njerëzish, sado i madh, që mblidhet dhe thotë këtu dua unë të bëhet kështu, se nuk jetojmë në një sistem barbarie, ku mblidhet një grup njerëzish dhe pengon zhvillimin e një projekti, pengon realizimin e një pune, pengon rrugën e të ardhmes për të gjithë.
Kjo është përgjegjësia jonë, siç është edhe detyra jonë për të kuptuar se a jemi vërtetë duke bërë gjënë e duhur dhe aty ku kjo konfirmohet, nuk kthehemi mbrapa. Po kjo nuk është arrogancë. Kjo është vendosmëri për t’i dalë për zot gjërave për të cilat na kanë votuar njerëzit, na kanë votuar ata që na kanë votuar dhe që janë shumica. Është shumë e thjeshtë.
Kush e ka dëgjuar opozitën më shumë se ne?
Ma tregoni kush, sepse në këtë Parlament, unë nuk kam qenë. Kanë qenë disa këtu, kur luftohej për të drejtën e liderit të grupit parlamentar të opozitës, për të pasur kohë sa kryeministri, vetëm në rastet kur kryeministri paraqiste një iniciativë, jo në çdo rast dhe është mirë ta kujtojnë të gjithë, përgjigja ishte, Edvin Kristaq Rama kërkon të më marrë të drejtën kushtetuese që unë flas sa të dua, të tjerët flasin sa them unë. Shkoi deri në Bruksel kjo histori, që thonin 3 ligjet. Nuk ishin 3 ligje ato, ishin 2 ligje dhe ishte një pikë e rregullores, ku ne si opozitë kërkonim thjesht dhe vetëm të drejtën e fjalës me kohë të barabartë me kryeministrin, – jo për mua, se unë nuk isha, për kryetarin e grupit parlamentar, – për replikë, kur kryeministri paraqiste ndonjë iniciativë, jo në çdo fjalë.
Ne, qysh ditën e parë që erdhëm në këtë sallë si shumicë i dhamë kryetarit të opozitës të drejtën të flasë po aq minuta sa flet kryeministri në çdo rast. Unë e kam fajin që, kur unë flas 40 minuta, Lulëzimit i mbaron pllaka gramafonit në minutën e 28 dhe pastaj bën gërr – gërr gramafoni? Nuk e kam unë fajin, por gramafoni plus gërr – gërr. Statistika të këtij Parlamenti tregojnë që ka folur tre orë më shumë se unë, megjithëse ka munguar 6 muaj në këtë Parlament. Kjo është fjala e opozitës në Parlament. Fjala e opozitës në Parlament nuk është që çdo gjë që thotë opozita, shumica të thotë keni të drejtë dhe ne do bëjmë siç thoni ju. Fjala e opozitës në Parlament është që të flasë aq sa i takon. Ka folur më shumë se i takon. Me 6 muaj mungesë grupi, grupet parlamentare të dy forcave rrugore, aktualisht, kanë folur më shumë se sa grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Çfarë është të dëgjosh opozitën?
Ne kemi pasur gjithë gatishmërinë ta dëgjojmë opozitën për Reformën Zgjedhorë dhe i kemi thënë opozitës shkruajeni si e doni dhe ne do ta votojmë pikë për pikë, bazuar tek rekomandimi i Këshillit Europian, rekomandimet e OSBE/ODIHR, pikë për pikë. Çfarë duhet t’i dëgjojmë më shumë ne! Madje, kush i ka dëgjuar, siç i kemi dëgjuar ne këngët e librit të shtëpisë, me orar e pa orar? Kush e ka ngrënë, siç e kemi ngrënë ne, në këtë sallë, baltën, bojën, vezët? Faji ynë është që mbasi i konsuamuan të gjitha mjetet e forta, përfshirë edhe flakadanët këtu, vendosën të ikin nga Parlamenti?
Kush i ka dëgjuar fermerët për qumështin?
Këta, – më falni se ju si ata jeni, nuk jeni ndryshe, por e kam fjalën për ata, se ju nuk ishit këtu, – ishin ata që fermerëve u kishin bërë naftën, kur i thonë nga zona e zotit Murrizi. Ndërkohë që ne, megjithëse merrnim një masë të drejtë për një ekonomi konkurruese, përsëri i dëgjuam dhe reflektuam për t’i ardhur në ndihmë, jo duke u kthyer mbrapsht nga vendimi ynë, por duke gjetur një zgjidhje kompensimi për çdo fermer.
Nuk po them kush i ka dëgjuar protestuesit poshtë dritares së Kryeministrisë, pa ia kërcitur plumbin në lule të ballit, – s’po i hyj kësaj. Nuk po them kush i ka dëgjuar protestuesit e opozitës, pa i prekur me dorë. Tani thonë pse na prekni me gaz. Po me çfarë t’ju prekim? T’ju tundim ato palmat, që t’ua bëjmë më të lehtë erën nga mbrapa që t’ju fusim në pushtet? Faji ynë është që s’ka erë për të fryrë velat e varkës? Me çfarë t’i prekim? Gazi lotsjellës, protokoll uniform i të gjithë vendeve. Aty ku nuk funksionon, edhe në mes të Parisit, edhe në mes të Londrës, në mes të Athinës dhe në mes të New York-ut kërcet dajaku, kurse këtu jo. Këtu dajakun e ha policia që rri përballë atje dhe merr gurët, merr kapsollat e çfarë t’ju dalë përpara dhe plus, duhet të ruhet edhe nga lart se mos i del ndonjëri nga pema, se këta hipin edhe nëpër pemë, kur dalin në protestë e seç e kanë atë, unë nuk e kam kuptuar akoma. Komponentin hipje në pemë, unë se kam marrë vesh. Jemi i vetmi vend që ka qenë i detyruar të lyejë shtyllat me graso që mos kacavirren nëpër shtylla protestuesit. Ku është parë kjo?
Çfarë lirie kërkojnë këta më shumë? Këta mund të kapin çdo lartësi peme, mund të kapin çdo lartësi shtylle, mund të bllokojnë rrugët, mund të vijnë e ta kthejnë Parlamentin në kotec, duke i nxjerrë vezët nga të gjitha vrimat e xhupit të kryetarit të opozitës. Hyn kryetari i opozitës me xhup në parlament! Me thoni, çfarë lirie, çfarë iu ka munguar?
E përsëri jemi ne që themi, ejani t’ua lëmë një vend këtyre, se janë në rrugë, por po deshën të ulen, ta kenë dhe këta një karrige në komisionin e reformës. Do dëgjojmë dhe Myslym Murrizin që na bën edhe historitë e tij këtu, na tregon lidhjet intime me Oerd Bylykbashin.
Çfarë duhet të bëjmë ne, më shumë?
Të mos vij te pika kyçe, tek Reforma në Drejtësi, që i kemi dëgjuar përtej çdo kufiri durimi dhe jo vetëm ne, por i ka dëgjuar e gjithë bota, të gjitha vicklat dënglat, broçkullat dhe marrëzitë e tyre dhe përsëri sot janë në rrugë, atje. Për çfarë kanë dalë atje? Se për çfarë kanë dalë dihet, kanë dalë në rrugë se nuk vijnë dot në zgjedhje, se po të vinin në zgjedhje, dalin ashtu siç hyjnë.
Kanë dalë në rrugë dhe thonë ju blini votat, ndërkohë që ne, në vitin 2017 – le të cohën të gjithë deputetët këtu, le të çohet dhe Myslym Murrizi, nëse e ka me gjithë mend, – një problem kishim, si të ruajmë votat, se do na i blejë fallxhorja. Asnjë problem tjetër. Kur është folur për blerje e për shitje votash, për hir të së vërtetës nuk kemi pasur problem PD-në, por kemi pasur problem simotrën tonë, LSI-në. Tani del daja Titi dhe këndon çdo ditë këngën, të shpëtojmë Shqipërinë nga ata që na blejnë vota. Po shpëtojeni pra!
Gjysmën e punës e keni bërë, keni dalë në rrugë, tani nga rruga shkoni në shtëpi dhe Shqipëria ka shpëtuar. Mjafton kaq! Bëjeni provë, të rrijë LSI-ja një turn pushim dhe mos të hyjë në zgjedhje, nuk ka blerje votash, nuk ka shitje votash, se s’ka kush i blen, s’ke kujt t’ia shesësh. Bëjeni pra! Do shpëtojmë Shqipërinë nga blerja e votës.
Të gjitha komisionet, pa përjashtim, 7 me 0 firmosur të gjitha procesverbalet. Kur ka bërë vaki, meqë ne jemi ata arrogantët që i duam të gjitha, hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të cilin janë bërë beteja, – më kujtohet njëherë e një kohë kur e shikoja pak më nga larg politikën, pra, isha thjesht një kryetar bashkie, kur dilnin me fotografi të Dëshira Subashit, një parti e tërë luftonte me Dëshira Subashin, që mos shkojmë më tutje. Për çfarë luftonin këta? Këta donin akses të barabartë në Komisionin e Zgjedhjeve. Për herë të parë në 2017-ën nuk e patën të barabartë, kishin shumicën në KQZ. Sot e gjithë ditën, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zgjedhja e tyre.
Për çfarë flasin këta? Për cilat pushtete? Për drejtësinë që po e kap unë, që po e kapim ne? Si po e kapim ne, me ndihmën e kujt? Me ndihmën e holandezëve, d.m.th, holandezët që po na luftojnë ne tani, sipas këtyre, po na ndihmojnë që të kapim drejtësinë! Apo me ndihmën e gjermanëve?! Apo me ndihmën e të tjerëve që janë amerikanë, që monitorojnë çdo proces vettingu e çdo gjykatës e çdo prokuror e po s’thanë ata, s’bëhet asgjë?! Si po e kapim ne! Kë po kapim!
Nga ana tjetër na doli tani që unë paskam formuar Bindjen Demokratike. Po pse e kam formuar unë, Bindjen Demokratike e s’e ka formuar Saliu? Si e formova unë, Bindjen Demokratike me Astrit Patozin dhe nuk e formoi Saliu?
Ku ndryshon Astrit Patozi nga Saliu, ose më saktë, nga Luli? Në një pikë vetëm. Luli, bashkë me Saliun merrnin pjesë në aferat e mëdha të qeverisë. Astriti vinte këtu i bënte avokatin, me duar në xhepa, pa qenë asnjëherë në pushtet.
Astrit Patozin e ka futur Saliu në zgjedhje, jo unë. Një çun për rrugë, një çun për zgjedhje, pastaj të shohim ku të dalë. Mirë ç’hoqëm me Partinë Demokratike, tani u dashka të krijojmë edhe Bindjen Demokratike! Pak hoqëm nga ata!
Ku dola e si dola unë që paskam nxitur zonjën Hajdari të mos ikë nga Parlamenti! As e kam takuar asnjëherë deri më sot. E kam parë vetëm në distancën nga karrigia deri atje dhe s’kam komunikuar në asnjë formë me të. Të më falë zonja Hajdari, por unë në këtë rast po bëj avokatin e vetes time, jo se kam diçka me ju, me zonjën Hajdari bëjnë të njëjtën gjë që bënë me të atin e zonjës Hajdari, sa herë iu dilte ndesh. Kjo është historia që përsëritet dhe njerëzit pa kujtesë, që janë kryesisht, – më fal Myslym, – demokratë, sepse ju jeni njerëz pa kujtesë, ju e keni, çfarë thotë baca, ashtu është dhe jo çfarë tha dje baca, po çfarë thotë sot. E harrojnë se çfarë i ka punuar baca, Azem Hajdarit, kur Azem Hajdari dilte kundër dhe tani e përsërisin me të bijën. Tani e ka fajin përsëri Edi Rama.
Unë e futa zonjën Hajdari në listë? Po këta të tjerët unë i futa?
Unë vërtetë bashkëpunoja me Lulin në atë kohë, por nuk kemi ndërhyrë te listat e njëri-tjetrit. Madje Astrit Patozi e ka bindje që e kam hequr unë nga lista, ose pastaj e kam hequr nga lista që ta kem gati që kur Luli të ikë, t’i them Patozit, futu ti në listë. Ma ka bërë këtu në Parlament, direkt, akuzën, ju kujtohet? Faji im ishte që shihja atë që s’shihte Astriti, që Astritit i kishte ardhur fundi se baba do zgjidhte midis dy çunave, çuni me duar në xhepa dhe çunit me xhepat plot. Çunin me duar në xhepa e nxori jashtë, rezervë strategjike e PD-së, çunit me xhepat plot i tha vazhdo.
Kur e keni parë njëherë Saliun që të mos shajë atë që i bie ndesh? Si ka mundësi që nuk thotë asnjë llaf për Astrit Patozin? Zgjedhje e lirë, thotë. U bë Saliu demokrat?! Zgjedhje e lirë do me thënë bindje demokratike. Nuk ka tjetër. Nuk e di si e mendojnë këta të maxhoritarit, por unë di që unë nuk kam asnjë lidhje me këtë punë dhe as më intereson fare sa merr e sa nuk merr nga SHQUPI, më shumë sesa ka marrë Astrit Patozi, bashkë me këta të tjerët. Se një copë SHQUPI e kemi në garë, një copë SHQUPI e kemi në rrugë. Ndryshimi i vetëm është që kjo copa e SHQUPI-t që është këtu nuk e do Monikën. Atë copën e SQHUPI-t tjetër e ka marrë Monika, e ka futur në filxhan dhe e rrotullon për t’i nxjerrë në fund atë pjesën ku L-ja ngrihet lart, E-ja bie poshtë dhe ka shumë mundësi që pas kësaj të jetë dikush tjetër që i thotë Mona thuaj që ngjitesh lart, që ta djegim se na mori në qafë dhe çfarë do bëjmë pastaj kur ta djegim? Kemi Astritin. Do bëjmë bashkimin e madh dhe do vijë pastaj do bashkohen të gjithë. E kush do ta hajë prapë? Myslymi, si gjithmonë.
Është mirë t’ua kujtojmë njerëzve, sepse kemi bërë sëbashku me liderin historik të Myslymit, – e kam fjalën për Rrahmonin, – një ligj për të gjithë ata që tentojnë të prekin zgjedhjet. Unë nuk e di ku do t’i gjejë Luli me Monikën budallenjtë që do shkojnë pas berihait e do të përballen me ligjin për të penguar shumicën e popullit që të zgjedhë, por, ama, gjatë kësaj kohe, që të mos bëhet për budalla njeri, duhet ta mësojë se;
Pengimi i subjekteve zgjedhore, sipas ligjit të votuar në Parlament, – kur shumicë ishte Sali Ram Berisha dhe në pakicë ishte Edvin Kristaq Rama, – dënohet 1 deri në 5 vjet burg;
Falsifikimi i materialeve zgjedhore dhe i rezultateve dënohet 1 deri në 5 vjet burg;
Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor dënohet 6 muaj deri në 5 vjet burg;
Korrupsioni në zgjedhje 1 deri në 5 vjet burg;
Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje për të votuar ose jo, dënohet 6 muaj deri në 3 vjet;
Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet Komisionit, vëzhguesit dhe çdo njeriu në detyrë në administrimin zgjedhor, 1 deri në 4 vjet burg; Kur është në bashkëpunim 2 deri në 5 vjet burg, se këtu është bashkëpunimi i madh, bashkëpunëtorët duhet t’i dëgjojnë këto, se Luli thotë unë jam popull.
Unë jam popull dhe rri mbrapa, me shami dhe fshi lotët nga gazi, sa herë vjen reja kimike. Përpara janë bashkëpunëtorët që shkojnë pas berihait se në fund, edhe ata që janë në burg sot, kanë shkuar mbas Lulit.
Luli këndon himnin stonato, ata i këndojnë diellit të mëngjesit dhe thonë, a është kjo dita e fundit, apo do vazhdoj këtu.
Pengimi i zgjedhjeve për të votuar në qendrën e tij personi, dënohet 1 deri në 5 vjet dhe kur kjo bëhet në bashkëpunim, është 3 deri në 7 vjet.
Nëse këtu në Shqipëri ka budallenj që janë të gatshëm të përballen me këtë ligj të votuar nga Parlamenti, me iniciativë të Partisë Demokratike dhe mbështetje të Partisë Socialiste kur ishte në opozitë, për hatër të Lulit, apo pse filxhani nuk e ka nxjerrë akoma qartë, prandaj duhet ta bëjmë një rrëmujë njëherë, që të përzihet llumi i filxhanit edhe njëherë dhe kushedi pastaj E-së i këputen dy krahë dhe bëhet L, le të shkojë. Le ta provojë, por unë besoj që pak nga pak, njerëzit do ftillohen dhe do kuptojnë që nuk janë të detyruar fare të votojnë ne. Por më e bukura është kur thotë Fatmir Mediu, “me disa parti fantazmë”. Po ka fantazmë më të madhe se Partia Republikane, që laj – thaj, ka një Fatmir Medi dhe ndjesë pastë, një Sabri dhe nuk ka njeri tjetër? Sabriun e madh nuk e ka më, është në paqe dhe paqja e Zotit qoftë mbi të dhe Fatmirin, i cili hyn në çdo Parlament si xhep fals i Saliut. Është gjithmonë aty tek lista e PD-së. Thotë Mediu “partitë fantazmë nuk mund të marrin peng demokracinë”, ndërkohë që Fatmiri, Dashi, Nardi dhe qirje Vangjeli do të sakrifikojnë që demokracia të mos merret peng, bashkë me partitë e tyre.
Katër kryetarë që zihen se kush do paguajë shoferin e fugonit dhe dy vende bosh për pasagjerë rrugës dhe thonë ne kemi firmosur koalicionin e fitores për moshyrje në zgjedhje dhe shqiptarët janë budallenj që do të shkojnë pas koalicionit të fitores, për të ndaluar të tjerët që të bëjnë zgjedhjen e tyre e pastaj për t’u futur nëpër burgje si të persekutuar politikë për shkak se i besuan filxhanit të Monikës.
Kjo është një fantazi e shfrenuar e njerëzve të dëshpëruar, që nuk dinë më çfarë flasin, nuk dinë më çfarë bëjnë, nuk dinë më çfarë kërkojnë. Dinë vetëm kaq, të bëhet nami dhe pastaj të dali ku të dali dhe Saliu del këtu me kapuç, i duket vetëm hunda, vjen vërdallë këtu dhe nga ana tjetër thotë Bindja Demokratike andej dhe të shohim. Rrëmujë duam, që të dali ku të dali dhe thonë pastaj, nuk e kemi për Reformën në Drejtësi, nuk e kemi se po krijohen këto institucionet e reja të drejtësisë, nuk e kemi se duam të pengojmë negociatat, nuk e kemi për këtë, ne duam të çlirojmë Shqipërinë.
A ju kujtohet “republika e re” që do çlironte Shqipërinë? A ju kujtohet, e gjithë fushata e 2017 për të cilën akuzohemi ne se kemi blerë votat, ishte fushata e Lulzimit për të shpëtuar viktimat e Partisë Demokratike nga lekët e SHPK-së së tregtarit të Venedikut, Ilirit bashkë me të shoqen, Monikën! Ku ikën ato?
Ah po, harrova, doli një telefonatë!
E gjitha kjo është fatkeqësi relative, por ka një të vërtetë absolute në këtë. E vërteta absolute është që ata nuk na mundin dot, prandaj kanë hyrë në një proces mundjeje të vetvetes dhe nga ana tjetër, ne kemi përgjegjësinë maksimale, jo të fitojmë zgjedhjet, por të vazhdojmë të dëgjojmë njerëzit, të vazhdojmë të punojmë për njerëzit dhe të vazhdojmë të qeverisim, duan apo nuk duan ata! Do Fatmiri, nuk do Fatmiri, bashkë me Dashin, Nardin dhe qirje Vangjelin.
Faleminderit!