Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për Shtyp e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, për publikimin e raportit Doing Business 2015:

Përshëndetje!

Një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare. Sot, Banka Botërore ka publikuar Raportin Doing Business për vitin 2015. Është raporti më prestigjioz në nivel ndërkombëtar përsa i përket klimës së biznesit dhe të lehtësive të të bërit biznes në 189 vende të ndryshme të botës.

Vlerësimi i këtij viti për Shqipërinë është vlerësimi më i mirë historik, në historinë 22 vjeçare postkomuniste. Pas një rivlerësimi të rankimit të vjetshëm, nga ku rezultoi se Shqipëria ishte në vendin e 108 në botë, sivjet, Shqipëria ka bërë një kërcim të madh cilësor, duke u klasifikuar 40 vendet me ecjen më të mirë në këtë vit. Ne jemi vendi i 68 në Raportin e të bërit biznes. Është renditja më e lartë historike për Shqipërinë.

Për më tepër, kapërcimi prej 40 vendesh është po ashtu, hapi më i rëndësishëm përpara në nivelin e reformave dhe lehtësimit të të bërit biznes. Dua ta theksoj se rankimi, kapërcimi historik që kemi bërë në cilësinë e të bërit biznes ka të bëjë drejtpërsëdrejti me reformat e guximshme e të thella, që Qeveria Rama ka ndërmarrë që vitin e parë të qeverisjes së vet.

Pas 5 vitesh stanjacioni dhe përkeqësimi të renditjes së saj, ky është një lajm tejet i mirë për vendin, pasi kjo rritje në vlerësim tregon jo vetëm që reformat po japin rezultatin e tyre, por mbi të gjitha ka një vullnet në vazhdimësi dhe të vendosur për të vazhduar reformat dhe më tej.

Në muajin Janar të këtij viti, me urdhër të Kryeministrit, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është ngritur një grup pune ndërinstitucional, i cili në bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si IFC, të cilën gjej rastin ta falënderoj për mbështetjen në këto reforma, ka ndërmarrë një analizë tejet cilësore të indikatorëve të Raportit Doing Business, të Raportit të të bërit biznes, dhe në vijim kemi marrë reforma të nevojshme në nivele të ndryshme në të gjitha institucionet që preken nga Raporti i të bërit biznes.

Megjithëse ka pasur një kohë të limituar, kjo reformë, në kuadër të reformës së gjerë për përmirësimin e klimës së biznesit që Ministria dhe Qeveria po vazhdon, ka prekur disa nga çështjet kyçe siç janë lejet e ndërtimit (përmirësim me 32 vende), fillimi i një biznesi (me 4 vende), lehtësia e pagesave të taksave (me 13 vende), regjistrimi i pronës (me 18 vende).

Vlerësimi i Raportit 2015 është një tjetër sinjal pozitiv për ekonominë dhe për rrugën e drejtë të reformave ekonomike që kemi ndërmarrë, pasi konfirmon në mënyrë të pakundërshtueshme që Shqipëria është në rrugën e duhur të përmirësimit të klimës së biznesit dhe të rritjes të qëndrueshme dhe cilësore ekonomike.

Duke qenë se ky Raport është një ndër burimet kryesore që konsiderohet nga çdo investitor apo sipërmarrës i huaj apo i vendit për të marrë vendime në lidhje me investimet e tij, ky përmirësim dhe kjo renditje jep e do të japë një impakt dhe ndikim të drejtpërdrejtë në tërheqjen e investime të huaja.

Vlen po ashtu të theksojmë se një kapërcim cilësor është kryer edhe në lidhje me vendet e rajonit, ku kemi lënë mbrapa Serbinë dhe disa vende të tjera.

Ky vlerësim i të bërit biznes, që reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë eksperiencën e përditshme të sipërmarrësve dhe kompanive që asistojnë të bërit të këtij Raporti, tregon mbi të gjitha se marrëdhënia Qeveri-Sipërmarrje ka kaluar në një stad të ri përmirësimi.

Po kështu, ky vlerësim hedh poshtë disa insinuata të pabaza, sigurisht të painformuara dhe të rreme, që janë hedhur jo më larg se dje, nga opozita e sotme, që në qeveri për 8 vite me radhë nuk arriti, po nuk arriti asnjëherë të prodhonte rezultate të ngjashme me këtë që ne kemi arritur që vitin e parë. Jo vetëm në vitin e tyre të parë, por iu deshën vite e vite tentativa të dështuara për të lënë Shqipërinë në atë situatë që e lanë. Këto pretendime të palogjikshme të ish SHQUP-it kundërshtohen sot publikisht dhe mënyrë zyrtare, nga raporti më prestigjioz në botë për lehtësitë e të bërit biznes. Urojmë që ky sukses të njihet dhe jo të nxihet nga ata që nuk e arritën dot në 8 vite, pasi është një sukses që i përket gjithë vendit, gjithë ekonomisë, gjithë sipërmarrjes shqiptare.

Më lejoni që po në emër të Qeverisë të ndaj me ju, që ky sukses nuk është i fundit. Ne vazhdojmë me këmbëngulje të reformojnë të gjithë indikatorët e të bërit biznes dhe jemi të bindur që vitin tjetër do të kemi një rezultat akoma më të mirë, edhe për arsyen që, vazhdojmë dhe sot që flasim, secilin nga indikatorët ta monitorojmë, ta përmirësojmë në favor të të bërit biznes, të sipërmarrjes dhe të tërheqjes së investimeve të huaja.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.