Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Dojan të Tropojës, një qendër moderne e grumbullimit të gështenjave, e ngritur me mbështetjen financiare të AZHBR-së, sot ndërvepron me 3000 familje për mbledhjen, depozitimin dhe eksportin e gështenjës në Europë.

“Ka filluar çdo gjë nga zero. Ka qenë tokë livadh dhe pasi morëm lejen e mbaruam në kohë rekord. Kemi tre vite që e shfrytëzojmë në mënyrë të jashtëzakonshme,” – tha Ardiani, sipërmarrësi, i cili mikpriti Kryeministrin Edi Rama që vizitoi sot këtë sipërmarrje. Hungaria dhe Italia janë dy nga destinacionet kryesore në tregun europian, ndërkohë në pikën e tij angazhohen sipas Ardianit “për mbi 3000 familje”. “Kemi punuar në kushte jo të mira dhe nuk vlerësohej shumë gështenja jonë, po me këtë ndërtimin që bëmë gështenja vlerësohet më shumë,” – shpjegon impaktin e investimit Ardiani, i cili pasi u kthye nga emigracioni ndërtoi këtë sipërmarrje të suksesshme. “Jemi shumë të kënaqur,” – konfirmon edhe përfaqësuesi i një kompanie hungareze, i cili kishte mbërritur për të finalizuar një porosi furnizimi.

Tropoja shquhet gjithashtu për mjaltin e gështenjës. AZHBR-ja ka financuar të gjithë bletarët tropojanë, të cilët do të mbështeten për ngritjen e një fabrike të përpunimit e të ambalazhimit të mjaltit, për tregun vendas dhe eksportin. “Bletaria është e lidhur mgushtë me masivin e gështenjave. Janë 164 bletarë që kanë marrë mbështetjen,” – tha Frida Krifca, drejtore e AZHBR-së.

“Ardianin e takova para ca kohësh E ma ngriti domosdoshmërinë për ta modernizuar sistemin se punonin rrugëve. Nuk besonte se do të ndodhte, por ja ku erdhëm në këtë ditë që kush grumbullon gështenja i sjell këtu e merr pagesën nga kompania,” – nënvizoi Kryeministri, ndërsa nxiti bletarët e pranishëm të bëjnë një projekt të ngjashëm dhe do të mbështeten nga AZHBR-ja. “Të krijoni një lloj kooperative, jo si të asaj kohe, po ku secila ka pjesën e vet dhe merr atë që i takon dhe bashkërisht krijoni masë prodhuese më të madhe dhe shkon në tregje brenda dhe për eksport me një logo. Besoj se do jetë sukses. Ne do t’ju mbështesim.”

Një nga produktet e njohura dhe të kërkuara të Tropojës në tregun e jashtëm është edhe boronica. Vetë fermerët u shprehën se kërkesa për të është rritur ndjeshëm edhe në tregun e brendshëm.

“Jemi të nderuar të ndihmojmë njerëzit që e nxjerrin këtu fitimin dhe suksesin,” – u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri, në bisedë me fermerë e sipërmarrës të fushës theksoi se së shpejti do zgjidhen edhe dokumentet e pronësisë në bazë të kufijve të vjetër, për familjet që shfrytëzojnë pyllin e gënjeshtave dhe krijojnë punë e të ardhura me mbledhjen e tyre.

“Kemi pas një problem shumë të madh dhe ne e kemi trashëguar prej 30 vitesh. Në shumë zona, si dhe këtu problemi është se nuk ka funksionuar 7501. Por fakt është që njerëzit i kanë kthyer kufijtë, kur ranë ato kooperativat koministe, ku i kanë pasur përpara dhe nuk kanë konflkte. 7501 ka qenë pengesë t’i thuash OK aty ku jeni mund ta merrni se është e juaja. Tani e kemi zgjidhur besoj dhe shumë shpejt do t’i japim drejtim,” – u shpreh Kryeministri.

“Ju falenderojmë që je në Tropojë. Besoj se Tropojës do t’i kthehet shpresa. Nga viti 2016 shoh që qytetin, shoh shkollen, qendrën shëndetësore që kanë një ndryshim total,” – u shpreh një nga vendasit e pranishëm, ndërsa theksoi se Tropoja ka shumë resurse zhvillimi, por ka qenë e lënë pas dore.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.