Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë kremtuese të 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit:

 

U jam shumë mirënjohës atyre që e ideuan dhe e nxitën këtë iniciativë, edhe për faktin se kam mësuar shumë gjëra që nuk i dija lidhur me këtë figurë emblematike të historisë sonë. Jam besimplotë që falë kësaj iniciative, shumë të tjerë do të mund të mësojnë shumëçka që lidhet me figurën e Musine Kokalarit,  që tingëllon shumë aktuale, ashtu sikundër shumë frymëzuese, edhe në ditët tona, pavarësisht se konteksti është tërësisht tjetër.

“Në vetminë time nuk jam vetëm.”

Kështu shkruante Musineja, kur u izolua plotësisht në burg dhe prej aty mori rrugë pjesa tjetër e jetës së saj. Një jetë që në hapat e parë dukej tërësisht e papërshtatshme për atë çka e priste Musinenë në hapat e mëtejshëm. Nuk ishte një person që vinte nga rruga e vuajtjes, e varfërisë, e mllefit dhe e urrejtjes për të tjerët, por ishte një vajzë që vinte nga rruga e kamjes dhe e dijes, në një botë që u tregua e pashpirt për të.

Musine Kokalari ishte shkrimtarja e parë dhe rilindësja e fundit e brezit të artë të Rilindjes Shqiptare. Besoj se mbetet edhe një disidente, shëmbëlltyra e së cilës i jep një përmasë tjetër historisë së disidencës shqiptare, me gjyqin, burgosjen dhe syrgjynosjen e saj 40 vjeçare. Një grua që në një kohë shumë të vështirë, kur shumë burra u gjunjëzuan, jo thjesht përpara torturuesve të tyre, por edhe frikës prej mundësisë së të qenit të torturuar, sfidoi me një fuqi të jashtëzakonshme, gati të pamundur për t’u besuar, nëse nuk do të kishim të dhënën paraprake se kjo është e gjitha një histori e vërtetë, një sistem mizor ndaj lirisë dhe të menduarit jashtë kornizës së hekurt të sistemit.

“Unë nuk jam fajtore, nuk jam komuniste e ky nuk mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.

Këto janë fjalët që e përshkruajnë në pak rreshta vetëdijen dhe betejën e Musine Kokalarit. Historia e saj, me gjithë rrethin e afërt të njerëzve të vrarë e të përndjekur barbarisht, është një histori që vlen jashtëzakonisht shumë të mësohet, pasi përtej asaj që është dukja e ngjashme e gjithë historive të persekutimit, qëndron pasuria e jashtëzakonshme shpirtërore dhe kulturore e këtij njeriu.

“Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë, përçarja e marrëzia na poshtërojnë e na mjerojnë”.

Këto janë fjalë të thëna prej saj dhe sot e gjithë ditën tingëllojnë sikur janë të thëna sot. Nëse kthejmë sytë e marrim me mend se janë thënë në një kohë kur përçarja e marrëzia nuk kishin vetëm formën që kanë sot, por shtriheshin me kthetra të përbindshme deri në thellësinë më të paarritshme të intimitetit të njeriut, atëherë jehona e tyre bëhet shumë më tepër kumbuese.

Përtej detyrimit për të kujtuar një figurë, siç rëndom kujtojmë figura të së shkuarës e përtej detyrimit për të organizuar një iniciativë si kjo që na ka mbledhur këtu, qëndron nevoja për ta vendosur në një dritë sa më të dukshme për të gjithë shoqërinë figurën e Musine Kokalarit. Figurën e Musinesë si një personalitet që ka shumë për t’ju thënë njerëzve në shumë plane. Një personalitet që ndriçon edhe shumëçka për shumëkënd mbetet e mjegullt apo e errët nga historia politike e shqiptarëve.

Këtu sot, më vjen shumë mirë që mund të japim lajmin se puna e Autoritetit Kombëtar të Hapjes së Dosjeve të regjimit komunist do të fillojë pikërisht me dosjen e Musine Kokalarit, për të hedhur dritë mbi këtë histori, si një nga momentet më të rëndësishme kur është përplasur egërsisht, ajo çka erdhi më pas si fuqi e gjithëpushtetshme mbi shqiptarët, me përpjekjen idealiste për të shkuar drejt një Shqipërie tjetër pas Luftës së Dytë Botërore.

Në mënyrë simbolike, por jo vetëm, publikimi, hapja dhe dekodifikimi i plotë i dosjes së Musine Kokalarit shënon edhe pragun, jo vetëm të pakthyeshëm, të emancipimit të shoqërisë sonë në raport me këtë të shkuar, për të cilën kemi folur ndoshta më shumë se të gjithë të tjerët që kanë pasur të njëjtin fat në ish perandorinë komuniste e që fatkeqësisht kemi bërë shumë më pak se gjithë të tjerët, por vendos një gur themeli të moralit të kësaj historie të re në raport me plagët e diktaturës, të cilat vazhdojnë të infektojnë jetën tonë të përbashkët në këtë vend. I infektojnë pikërisht sepse asnjëherë në 25 vjet nuk u ndriçuan ashtu siç do duhej dhe as u kuruan ashtu siç do duhej.

Jam shumë krenar sot, që në cilësinë e Kryetarit të qeverisë shqiptare, në këtë aktivitet për Musine Kokalarin mund të flas pikërisht për faktin se me historinë e Musine Kokalairt fillon një kapitull i ri në raport me historinë. Por edhe në raport me historitë e shumë e shumë të tjerëve, të cilat për fat të keq janë përdorur dhe keqpërdorur si ushqim për të helmuar turmat, për të nxitur mllef dhe urrejtje mes njerëzish, por jo për të ndriçuar të ardhmen që e kaluara të mos përsëritet më. Jo thjesht të mos përsëritet më si fakt i së shkuarës, por si sjellje dhe qasje ndaj të ardhmes dhe ndaj njeri-tjetrit.

Më vjen shumë mirë që ne u bëmë nismëtarët dhe realizuesit e një ideje që erdhi vërdallë për një kohë të gjatë në mjedisin e zhurmshëm të politikës apo në debatin publik, por që asnjëherë nuk u materializua, hapja e dosjeve të së shkuarës. Hapja e dosjeve dhe nxjerrja në dritë e të gjithë fakteve reale, pa paragjykime apo gjykime prej palësh, të një historie që nuk mund të jetë një arsye për të na mbajtur të ndarë, apo për të thelluar një përçarje të trashëguar nga e shkuara, por duhet të jetë një motiv i fortë që të gjithë sëbashku të ndahemi prej së shkuarës si frymë, si sjellje, si shqiptim i fjalës, në një mjedis ku flitet shumë dhe përgjithësisht flitet për t’u ndarë, jo për t’u bashkuar.

Ne sot besojmë që Autoriteti Kombëtar i Informimit të Dosjeve do të jetë një kontribut i madh dhe do të përbëjë një histori suksesi në këtë betejë. Një betejë që prej 25 vjetësh zhvillohet si një makth mes të sotmes dhe të shkuarës, ku qartësisht e shkuara përdoret për të marrë peng të ardhmen, duke e parë të ardhmen si një plaçkë që duhet ndarë sot, mes palësh që kacafyten në emër të së shkuarës. Ndërkohë që kanë treguar në 25 vjet, thjesht dhe vetëm hipokrizi dhe mungesë të plotë respekti për të shkuarën që thonë se përfaqësojnë, apo, edhe më keq akoma, që thonë se respektojnë.

Shprehja, kush nuk ka kontroll mbi të shkuarën s’ka shans të projektojë me siguri të ardhmen, vlen pa as më të voglin dyshim në këtë vend, si një shprehje kuptimplotë përballë të shkuarës sonë dhe në raport më të ardhmen tonë.

Projekti për hapjen e dosjeve, të cilin ne e kemi filluar qysh në ditët e para të punës sonë në detyrë, tanimë kulmon me fillimin e zbatimit të tij. Ligji që ne kaluam në parlament, i cili duhet të kishte kaluar qysh në ditët e para të parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë dhe që u mbajt peng për 25 vjet, i jep mundësi institucioneve, duke filluar nga Kuvendi, presidenti, qeveria, administrata publike, sistemi i drejtësisë dhe të gjitha institucionet e tjera të pavarura, që të njohin përmes fakteve marrëdhëniet e të gjithë personelit të tyre me të shkuarën.

Ashtu sikundër jep mundësi informimi faktik, për qëllime kërkimore, shkencore, historike, punës për të hedhur dritë në veprimtarinë e personave që kanë luajtur një rol me interes publik gjatë viteve të diktaturës. Duke zgjidhur kësisoj, besoj unë, një problem tjetër thelbësor, që sot e gjithë ditën mbetet një problem i pazgjidhur në shoqërinë tonë. E vetmja shoqëri në ish perandorinë komuniste, sëbashku me shoqërinë ruse, që nuk ka njohje të plotë faktike mbi ngjarjet dhe personazhet e së shkuarës komuniste. Është një paradoks në dukje, por në fakt është lehtësisht e shpjegueshme sesi ka mundësi që Shqipëria u katandis në të vetmin vend, bashkë me Rusinë, që refuzoi të përballej me faktet e së shkuarës, në dritën e dokumenteve historikë dhe u përball me të shkuarën në një kacafytje barbare me mjetet e së shkuarës, që na ndaloi afrimin e së ardhmes dhe mbajti e thelloi hendekun e përçarjes që hapi e shkuara.

Kjo e ktheu Shqipërinë pluraliste dhe demokratike në një hapësirë simetrike me atë të Shqipërisë komuniste dhe proletare, ku një hendek i madh i ndan njerëzit në tanët dhe të tyret. Me ndryshimin e vetëm që, nëse në Shqipërinë e së shkuarës, ata të tyret përfundonin përpara pushkatimit apo syrgjynoseshin e liheshin të përpëliteshin në kthetrat e kancerit dhe të varroseshin vetëm nga varrmihësit, siç ndodhi me Musine Kokalarin, sot pushkatimet bëhen me gjuhën e baltës. Me gjuhën e baltës e të diskreditimit pa fre të atyre që thjeshtë nuk janë të tanët. Ditën për diell, ditë natë, pa pushim, duke rrotulluar thikën e vjetër dhe të përgjakur të përçarjes së të shkuarës në zemrën e shoqërisë sonë dhe duke bërë që edhe fëmijët në kopsht të jenë të ndarë si pasojë e asaj që dëgjojnë në shtëpi, ku prindërit e tyre janë të ndarë me prindërit e fëmijëve përballë.

Ngritja e kësaj qendre kombëtare për dosjet e ish sigurimit është një kërkesë e historisë që historia e këtyre viteve solli të bëhet realitet pas 25 vjetësh. Një proces i zvarritur që sot hyn në një rrugë të re. Jemi të gjithë, besoj unë, fatlum, që shiriti i inaugurimit simbolikisht është dosja e Musine Kokalalrit.

Ky moment kujtese në 100 vjetorin e Musinesë nuk është as i pari dhe as i fundit në rrugën e respektimit dhe kujtimit të viktimave apo dhe të heronjve që i rezistuan diktaturës. Por është ndoshta më kuptimploti për faktin e thjeshtë se shënon një moment ndarjeje nga e shkuara e 25 vjetëve, ku viktimat apo heronjtë u kujtuan dhe u përkujtuan vetëm për qëllime politike dhe u përdorin e u keqpërdorën vetëm në funksion të politikës.

Sot, Musine Kokalari kujtohet me admirim të madh dhe me fjalë të vërteta, por edhe duke i kthyer një borxh. Borxhin e lënies në errësirë të historisë së saj reale dhe të mos nxjerrjes në dritë të personazheve të tjerë të asaj historie, persekutorëve të saj dhe të gjithë institucioneve që u përfshinë në persekutimin  e saj.

Ne kemi ndërmarrë një qasje. Ju jeni dëshmitarë që ka ndeshur në një kundërshti gati-gati të pashpjegueshme, por në fakt mjafton pak përqendrim për ta shpjeguar. Një qasje lidhur me kthimin në vendet e krimit për t’i hapur dhe për t’i  transformuar në vende të pelegrinazhit të publikut, në mënyrë që fëmijët tanë të mund ta prekin historinë tragjike të komunizmit, përmes vendeve ku kjo histori kishte gjakimin e vet më tronditës. Ju keni parë sesi hapja e muzeumeve “Bunkart” i parë dhe “Bunkart” i dytë ka krijuar një troshitje të madhe dhe ka ngjallur një reagim instiktiv të jashtëzakonshëm. Ndërkohë mbetet motiv krenarie për ne, që iu  kemi bërë të mundur sidomos  më të rinjve, por e gjithë të tjerëve, edhe të huajve, që këtë histori të tmerrshme të mund ta përjetojnë përmes shkuarjes në disa vende ku ajo ka marrë impulset e veta më barbare. Duam apo s’duam, është fakt që në botë është folur shumë më tepër për këto muzeume, sesa për “Muzeun Historik Kombëtar”, që nuk është folur kurrë, apo sesa për shumëçka tjetër që nuk është folur kurrë.

Së shpejti ne do të çelim edhe “Muzeun e Gjethit”, në shtëpinë e përgjimeve të diktaturës. Këto muzeume janë jo vetëm vende jashtëzakonisht atraktive për nga pikëpamja muzeale, por janë edhe shprehje kuptimplota të një raporti të ri me të shkuarën, që është raporti ynë sot me të shkuarën si qeveri, por që besojmë se shumë shpejt, ose më shpejt se vonë do jetë raporti me të shkuarën i shoqërisë sonë.

Dua t’i falënderoj edhe të gjithë familjarët. Dua t’i shpreh respektin më të madh zonjës Ida Kokalari, që drejton edhe një institut me emrin e Musine  Kokalarit, për faktin se në një kontekst jashtëzakonisht mjaft të vështirë dhe në një shoqëri që politikisht, kulturalisht dhe shpirtërisht nuk ka qenë e përgatitur për të bërë gjënë e duhur, ju keni mbajtur ndezur një dritëz. Një dritëz që sot nuk rrezikon të fiket nga indiferenca dhe injoranca politike, por në një farë mënyre mund ta shihni si një dritëz që, nëse deri sot ju ka vlejtur juve shpirtërisht dhe atyre pak njerëzve që keni mundur të afroni rreth institutit, tanimë mund të konsiderohet si një dritëz që na ka vlejtur të gjithëve dhe që ka qenë një nga nxitjet për të ardhur këtu ku jemi sot, jo thjesht në kremtimin e 100 vjetorit të Musine Kokalarit.

Jam i bindur se kushdo që do të ishte në vendin tim do ta kishte kremtuar për  interesat  e tij, edhe sikur ne të mos ishim këtu sot, për të njoftuar se dosja e Musine Kokalarit do jetë e para që do të hapi një histori të re. Historinë e hedhjes dritë mbi faktet tragjike të shkuarës, shqyrtimit të të gjithë dokumenteve e të njohjes të të gjithë personazheve që deri më sot i kanë ikur dritës së të shkuarës dhe shumë shpesh na janë shfaqur me dy gishtat lart, përballë prozhektorëve të së sotmes.

Ju Faleminderit!

* * *

Musine Kokalari, shkrimtare dhe një figurë e shquar e qëndresës përballë diktaturës komuniste, u përkujtua sot, në 100 vjetorin e saj të lindjes, me një konferencë shkencore dhe një ekspozitë me dëshmi e objekte personale në Bibliotekën Kombëtare.

Musine Kokalari përfaqëson një simbol ekskluziv në botën shqiptare, si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, intelektuale e shquar e aktive në jetën sociale e kulturore të vendin, politikane, bashkëthemeluese e Partisë Social-Demokrate, por edhe një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste, duke nisur që nga apologjia e saj në gjyq, e deri te përballja me një dinjitet të skajshëm femëror e njerëzor, intelektual e ideal  ndaj torturave, burgosjes, internimit e keqtrajtimit të vijueshëm çnjerëzor fizik e psikologjik.

Ekspozita, e para në llojin e vet, shfaq për herë të parë për publikun fillimet letrare dhe më pas, veprat e plota të Musine Kokalarit, si shkrimtarja e parë në letrat shqipe dhe vijon me pjekurinë e saj si qytetare dhe person politik, si themeluese e Partisë Social-Demokrate Shqiptare dhe intelektuale e shquar. Një vend të rëndësishëm do të zërë edhe dëshmia e persekutimit ekstrem, por edhe qëndresës së saj të pashembullt në emër të shpirtit të demokracisë dhe dinjiteti njerëzor. Materialet bibliotekonomike kombinohen me dorëshkrime, dëshmi, imazhe, por edhe objekte personale.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.