Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur, posaçërisht ata që kanë rrugëtuar nga Prishtina për të qenë të pranishëm në këtë komunikim të përbashkët. Ishte kënaqësi, si gjithmonë, mirëpritja për çdo Kryeministër të Kosovës dhe sot, për Kryeministrin Hoti në Tiranë, edhe pse për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme që i dini. U takuam 48 orë më parë në Prishtinë, por sidoqoftë sot kemi mundësi të flasim më në detaje, lidhur me të gjitha aspektet e bashkëpunimit. Do të vazhdojmë edhe pas kësaj konference të diskutojmë, ndërkohë që jemi dakordësuar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë e lidhur me Covid-in të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit.

Ashtu sikundër jemi dakordësuar edhe për një tjetër event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë mes nesh, gjithmonë me shpresë që situata me Covid-in do të na e mundësojë këtë në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, në muajin nëntor, ku dëshirojmë që bashkërisht, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës të sponsorizojnë Kongresin e parë të Autoriteteve Vendore. Ne dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional, ku kryetarët e bashkive apo komunave siç quhen në Kosovë, sëbashku me skuadrat e tyre, të mund të ndajnë praktikat e mira, sfidat e përbashkëta në adresimin e problemeve komunitare dhe edhe potencialin e nismave të përbashkëta në fushën e mirëqeverisjes vendore.

Dëshiroj që të rinënvizoj edhe një herë me këtë rast atë që u përpoqa të përcjell qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë gjatë vizitës time në Prishtinë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës, duke e theksuar që ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës, qofshin këta në Kosovë, qofshin këta në Shqipëri, qofshin këta në Maqedoninë e Veriut, qofshin këta kudo, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë dhe që një proces gjyqësor, i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një gjykate speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, të mos deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës.

Natyrisht që janë të pritshme, për fat të keq, keqinterpretimet, qoftë mes nesh në mjedisin shqipfolës, qoftë në mjedisin anglishtfolës të këtij qendrimi, duke ngatërruar pikërisht thelbin, pasi ky qëndrim nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me ndonjë përpjekje apo tundim për të nënvlerësuar e lëre më pastaj për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor, por ka të bëjë me krejt të kundërtën. Ka të bëjë me diskreditimin publik të këtij procesi përmes një shpalljeje mediatike të panjohur në praktikën e mirë të drejtësisë, të një fajësie të supozuar të kreut të shtetit të Kosovës dhe të ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sëbashku me të tjerë. E në këtë pikë nuk ka mundësi të bëhet asnjë kompromis në heshtje.

Unë i kam parë dhe i kam ndjekur jo pa shqetësim deklaratat ndërkombëtare inkurajuese, me demek, për drejtësinë dhe deklaratat ku konsiderohet me demek një hap pozitiv ajo që gjithë bota mbarë lexoi, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka. Ai është një hap shumë shqetësues që e kthen organin e specializuar të akuzës në një organ të paragjykuar detyrimisht dhe jo në një organ të respektuar për faktin që ka formuluar një aktakuzë, sepse akoma nuk ka një aktakuzë formale.

Thënë kjo, ne kemi diskutuar për të shtyrë më tutje procesin e bashkëpunimit. Është shpresoj dhe besoj një ogur i mirë që Kryeministri Hoti vjen ndër të tjera edhe si një ndër protagonistët e gjithë kësaj rruge bashkëpunimi, pasi ka mbuluar role kyçe institucionale dhe as më shumë e as më pak, por ka mbuluar me përgjegjësi institucionale aspekte të financave e të ekonomisë. Nga lartësia e eksperiencës dhe e kompetencës së tij të padiskutueshme me siguri do të jetë një vlerë e shtuar në këtë proces, ku nuk bëhet fjalë për vullnetin politik, pasi vullneti politik nga të dyja anët ka qenë gjithmonë i pranishëm, por bëhet fjalë për realizimin e marrëveshjeve të mbetura pezull, një pjesë e tyre, pasi një pjesë janë realizuar dhe janë në proces zbatimi.

Kemi diskutuar konkretisht e do të vazhdojmë një bisedë, jo vetëm gjatë ditës së sotme, por dhe në vazhdim, konkrete për të gjithë elementët që lidhen me zbatueshmërinë sa më shpejt të disa marrëveshjeve kyçe. Sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës. Në parim, kjo është diçka e dakordësuar, por në zbatim është ende jo e plotë. Ajo çka në fakt, Kryeministri Hoti ka ngritur në bisedën e përbashkët, përbën thelbin e marrëveshjes, jo një stacion i parë, i pasuar nga një stacion i dytë kontrolli në Morinë, por një stacion i vetëm në Durrës, ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë, nga pikëpamja legjislative dhe juridike duhet të trajtohet si një hyrje në Kosovë, në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës. Kjo do të thotë që na duhet një detajim teknik deri në fund i marrëveshjes, për të mos lejuar që burokracia apo interesa të caktuara të pengojnë zbatimin.

Po ashtu kemi folur për njehsimin e shumëherë folur të dokumentacionit, lidhur me mallrat që eksportohen apo importohen mes të dy vendeve, ku është e pamundur të flasim për efikasitet të plotë, nëse nuk arrijmë që të dyja palët në nivelin teknik të kenë gjuhë teknike të njehsuar e të mos vazhdojmë t’i kërkojmë në Shqipëri eksportuesve të Kosovës që të kenë dokumente edhe të Shqipërisë, për shembull, të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, kur vijnë këtej apo në Kosovë të mos i kërkohen dokumente të Kosovës, kur shkojnë andej, por një dokument të jetë i vlefshëm për të dy vendet. Nëse eksportuesi apo importuesi ka dokumentin e Agjencisë relevante në Shqipëri apo në Kosovë, do me thënë që ka një dokument të njohur dhe të pranuar nga Shqipëria dhe nga Kosova, pa pasur nevojë për ta çuar në dy palë burokratë, në dy palë inspektorë, në dy palë procese që nuk janë të lehta, siç e dimë të gjithë.

Këtu, unë kam ripërsëritur qëndrimin tim të njohur që në kushtet e nevojës për të përparuar më shpejt në gjithë procesin e kohezionit strategjik, lidhur me jetën e përditshme të njerëzve dhe me lëvizjen e përditshme të mallrave, të shërbimeve, të kapitaleve, Shengeni Rajonal mbetet në këndvështrimin tim një program ku shqiptarët këtej dhe andej kufirit duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik. Besoj se është e qartë. Në rast se ne futemi bashkërisht në kornizën e Shengenit Rajonal, askush nuk na pengon që në një kohë të shpejtë, ne të hapim përfundimisht kufirin për lëvizjen e lirë të njerëzve, pa asnjë kontroll. Çka thashë për doganën do të vlejë për njerëzit në qarkullimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërkohë që Ministria jonë e Brendshme, sëbashku me Ministrinë e Brendshme të Kosovës kanë punuar jo pak dhe janë goxha në progres, për të krijuar bazën e përbashkët të të dhënave, lidhur me perimetrin e sigurisë dhe hyrje-daljen në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të njerëzve në Shqipëri apo në Kosovë.

Këto ishin pak a shumë gjërat që vlejnë të nënvizohen, ndërkohë që ne mbetemi në krah të Kosovës, pa diskutim. Qeveria e Shqipërisë dhe unë personalisht, jo vetëm që kemi mbështetur, por do të mbështesim edhe më fort, çdo moment, Kosovën, duke respektuar dhe duke u vendosur në dispozicion të autoriteteve legjitime të Kosovës dhe të autoriteteve që kanë përgjegjësinë për të marrë vendime për Kosovën. Ne nuk marrim vendime për Kosovën. Vendimet për Kosovën i marrin autoritetet e Kosovës. Ne nuk flasim në emër të Kosovës. Ne flasim për Kosovën dhe harmonizimi i punës sonë është domosdoshmëri.

Ashtu sikundër nuk mund të lihet pa thënë, fjalia e fundit. Është një turp për Bashkimin Europian që sot e gjithë ditën mban peng një popull. I vetmi popull, në fakt, i marrë peng në kontinentin tonë, që ende ndalohet të lëvizë lirisht si të gjithë të tjerët, pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësojë çdo shtet, përpara se të marrë liberalizimin e vizave. E dimë shumë mirë arsyen “pse”. Arsyeja nuk gjendet në Kosovë, arsyeja nuk gjendet në ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet në raport me procesin e lëvizjes së lirë. Detyrimet janë përmbushur dhe janë njohur si të përmbushura nga vetë Komisioni Europian. Arsyeja është në Europë, arsyeja është në politikën e brendshme të Bashkimit Europian, të vendeve të ndryshme, që gjithmonë e më shumë, kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave politike që qeverisin. Ky nuk është as një sekret, ky nuk është as një turp në vetvete. Turpi është që Kosova sot nuk lëviz e lirë, jo si rezultat i ndonjë faji, apo ndonjë përgjegjësie të sajën, por si rezultat i refuzimit që i bëhet nga Bashkimi Europian.

Kryeministër, edhe një herë, me falenderimin për praninë tuaj, me falenderimin për delegacionin tuaj, që na nderoni sot me këtë vizitë, fjala është për ju!

Kryeministri Avdullah Hoti: Faleminderit shumë Kryeministër! Fillimisht ju falënderoj për vizitën që kishit në Prishtinë, në situatën e re, të krijuar pas zhvillimeve. Sigurisht që ne besoj tani kemi maturinë e nevojshme institucionale për t’u përballur me ato situata, por kujdesi juaj, që të vini menjëherë në Prishtinë pas atyre zhvillimeve, është shumë me vlerë.

Ju falënderoj për pritjen miqësore, po se po, por dhe vëllazërore, sinqerisht, për këtë vizitë tonë të parë jashtë vendit, pas vizitës që kishim në Bruksel, javën që shkoi.

Ju i thatë të gjitha çështjet që ne i diskutim sëbashku. Tanimë është bërë një praktikë bashkëpunimi jonë, i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Unë besoj që tash duhet të kalojmë në terma shumë praktikë të bashkëpunimit tonë të përditshëm. Ju i thatë në detaje bashkëpunimet që duhet t’i rregullojmë më tutje, në mbledhjen e ardhshme, por dëshiroj të përmend tre projekte madhore, që për ne janë të natyrës strategjike.

E para, ashtu siç e përmendët, Porti i Durrësit ku unë personalisht kam punuar me ish-ministrin e Financave atëherë, që ta kemi një pikë doganore, por tash të jetë një pikë doganore ku mallrat të hynë në territorin e Kosovës.

E dyta, në fushën e energjisë. Sigurisht ne kemi sisteme komplementare energjitike, por duhet të kujdesemi që në afatgjatë të zgjidhim këtë problem, duke konsideruar dhe ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën.

Dhe projekti i madh i lidhjes së dy vendeve tona, dy kryeqyteteve tona me hekurudhë. Është një projekt që e kemi ideuar moti, tani duhet të punojmë konkretisht me studimin e fizibilitetit. Unë besoj që në vjeshtë të këtij viti mund të gjenden edhe fondet konkrete për të filluar realizimin e këtij projekti.

Ju falenderoj edhe një here për mikpritjen vëllazërore edhe për mua, edhe për anëtarët e kabinetit.

I nderuar Kryeministër Hoti, tashmë ne e kemi të qartë qendrimin e ambasadorit Grenell i cili ka deklaruar se po përgatit një datë të re diskutimi në Washington. A jeni ju i gatshëm të shkoni në Washington kësaj here, pa presidentin Hashim Thaçi?

Kryeministër Rama, nga kjo sallë në të shkuarën ju ia keni përsëritu ftesën Kryeministrit Haradinaj dhe më pas Kryeministrit Kurti, për t’u ulur në tryezën e Shengenit Ballkanik. A ia keni përsëritur këtë ftesë sot, edhe kryeministrit Hoti? Faleminderit!

Kryeministri Avdullah Hoti: Kosova ka institucione legjitime, kushtetuese, të gatshme të marrin të gjitha përgjegjësitë që i takojnë. Unë jam i gatshëm dhe unë jam në koordinim me amabsadorin Grenell për të caktuar së shpejti një datë, kur ne do të ulemi sëbashku për të filluar procesin e dialogut me një agjendë fillimisht ekonomike dhe mandej për të kaluar te çështje që janë politike të dialogut, duke u nisur nga parimet tona për këtë proces, që ne hyjmë për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Kyeministri i Shqipërisë, Edi Rama: Në këndvështrimin tim janë 3 fjalë kyçe, sot, për ardhmërinë e Kosovës dhe për ardhmërinë e ambicies strategjike të shqiptarëve në rajon:

Drejtësi ndërkombëtare e drejtë;

Stabilitetet institucional i padiskutueshëm;

Dialog për paqe me njohje përfundimtare.

Unë besoj se në rast se arrihet që në këtë moment të vështirë për 1001 arsye dhe jo vetëm thjesht për arsyen madhore të ditëve të fundit, që ne të jemi të përqendruar dhe faktorët dhe aktorët politikë shqiparë në Kosovë, në Shqipëri e kudo që janë të ndajnë atë çka është arsye për të qenë të ndarë në temat e mirëqeverisjes së brendshme me atë çka është arsye për të qenë të bashkuar si shqiptarë në temën e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së ardhmes së Kosovës ndërkombëtarisht, këto 3 fjalë kyçe mund të na japin mundësinë, që më herët se vonë të jemi të gjithë krenarë për kapërcimin me sukses të një faze të vështirë.

Është e domosdoshme që të gjithë sëbashku, ne të jemi pa ekuivok mbështetës të nevojës për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së çdo pretendimi dhe çdo akuze, lidhur me krimet e luftës, por pa ekuivok t’i kundërvihemi çdo përpjekjeje apo çdo forme papërgjegjshmërie, siç ishte fletërrufeja që e cënon dinjitetin e Luftës Çlirimtare dhe dinjitetin e vetë shtetit të Kosovës dhe  zhbalancon marrëdhënien e drejtësisë me një luftë ku Kosova, për fat të keq duhet ta kujtojmë tani me zë të lartë, sepse me sa duket ndokush edhe e harron, ishte viktima dhe nuk ishte agresori.

Ashtu sikundër, unë besoj që stabiliteti institucional, sot shkon shumë përtej nevojave të politikës së ditës dhe shumë përtej dasive krejt normale mes forcave politike, në kushtet kur Kosova, sot ka një ballafaqim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në dy fronte;

Në frontin e mbrojtjes së dinjitetit të luftës dhe të qenies së vet një shtet demokratik dhe një shtet sovran, i ngritur jo mbi krime lufte, por mbi një luftë çlirimtare dhe i ngritur jo mbi idenë e pengimit të drejtësisë, por mbi vullnetin e të gjitha forcave politike për t’i hapur rrugë drejtësisë, sa herë që kjo ka qenë e nevojshme;

Nga ana tjetër, përgjegjësinë e ballafaqimit deri në fund me Serbinë, për t’ia dalë me mjetet e paqes, një beteje diplomatike jashtëzakonisht sfiduese dhe më së pakti për të mos dobësuar vetveten, në ndërkohë që përballja nuk është mes njëri-tjetrit, por përballja është me një shtet tjetër, deri dje agresor dhe sot një kudërshtar politik me të cilin duhet bashkëjetuar.

Unë nuk kam sesi të ndryshoj mendim lidhur me domosdoshmërinë që ne të jemi bashkë, Shqipëria dhe Kosova, edhe në tryezën e Shengenit Ballkanik/  Shengenit Rajonal, që nuk është një alternativë e integrimit tonë në Bashkimin Europian, por është krijimi i një hapësire të përbashkët, në ndërkohën që ne përpiqemi të gjithë të hyjmë në BE, duke shfrytëzuar potenciale të pashfrytëzuara. Kur flasim për potenciale të pashfrytëzuara, kush i bie ndesh kësaj iniciative vrapon ta karakterizojë si një iniciativë që lidhet me nevojat apo interesat e Beogradit, ndërkohë që unë qëndroj tek interesat e shqiptarëve dhe tek interesi strategjik i yni. Kemi një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar me Kosovën dhe si mund ta shfrytëzojmë këtë potencial dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrim nga fakti që vullneti politik s’ka munguar kurrë, as në Tiranë, as në Prishtinë, por të arriturat, siç thuhet në Prishtinë, nuk janë të atilla që të mund të themi që ia kemi dalë ta shfrytëzojmë gjihë potencialin, duke vendosur në themel të këtij bashkëpunimi 4 liritë e BE-së: Lirinë e lëvizjes së njerëzve; lirinë e lëvizjes së mallrave; të shërbimeve dhe të kapitaleve. Por kjo e njerëzve për ne është edhe më e rëndësishme, edhe më jetike për ambicien strategjike, se saç është për të tjerët, se nuk bëhet fjalë për një lëvizje të lirë turistësh që shkojnë për të vizituar Prizrenin, apo që vijnë për t’u ngrohur në diell në Durrës, siç do të ishte rasti me shtete të tjera. Nuk bëhet fjalë për një lëvizje të lirë interesash të ditës. Bëhet fjalë për një lëvizje të lirë brenda një familje të ndarë prej kaq shumë kohësh, që nuk mundet dot të pranojë të jetojë me një gardh në mes, kur vullneti është për t’u bashkuar.

Të humbasësh kohë, të humbasësh muaj, vite, për interesa të brendshme elektorale, apo nga frika se, nëse hyn në këtë proces, do çohen “patriotitët e vërtetë” dhe do të të tregojnë me gisht si tradhtar, është vërtetë të mos punosh për të ardhmen. Kështu që në këtë aspekt, unë besoj se është thjesht çështje vullneti politik dhe çështje refuzimi për të rënë në batakun e teorive të konspiracinit dhe e akuzave ordinere të ditës.

Nuk është sot patriotizëm të mbyllesh. Nuk është sot patriotizëm të barrikadohesh. Nuk është sot patriotizëm të thuash një gjë dhe të bësh një gjë tjetër, kur të vjen mundësia për të bërë atë që ke thënë. Sot, patriotizëm është të kapërcesh të gjitha barrikadat e vendosura dhe që mbahen në këmbë, për fat të keq, edhe këtu, edhe atje, nga barrikaderos profesionistë, të cilët kanë vetëm një qëllim: pushtetin! të jemi shumë të qartë, asgjë tjetër.

Kryeministër Hoti, a po planifikohet zgjerimi i koalicionit qeverisës, pra, përfshirja e PDK-së, në rast se konfirmohet aktakuza dhe Presidenti Thaçi jep dorëheqjen?

Kryeministri Avdullah Hoti: Ju gjithmonë e dini qasjen time sesi i trajtoj këto gjëra. Asnjëherë nuk përgjigjem në asnjë pyetje hipotetike. Qeveria është plotësisht stabile. Presidenti është me mandat të plotë. Nëse krijohen ato rrethana, do të ulemi dhe do të gjejmë zgjidhjet më të mira për vendin.

Pyetja e parë është për ju, Kryeministër Rama; Mediat raportojnë për një deklaratë të Presidentit Vuçiç, i cili është shprehur se nuk do të njohë pavarësinë e Kosës. Ai ka thënë se nuk shoh zgjidhje dhe negociojmë me perëndimin dhe jo me shqiptarët. Keni ju ndonjë koment për këtë deklaratë?

Ndërsa për Kryeministrin e Kosovës; Pas zhvillimeve më të fundit në Kosovë e shihni të rrezikuar qeverinë tuaj, e cila mbështetet në parlament edhe me votat e partisë serbe dhe a do të vijojë procesi i dialogut me Brukselin apo me Washingtonin?

Kryeministri Edi Rama: Përgjigjja ime është shumë e thjeshtë. Si gjithmonë, Presidenti Vuçiç është Presidenti i Serbisë, mbron interesat e Serbisë, sipas këndvështrimit të tij, natyrisht dhe mund të thotë, nuk negocioj me shqiptarët, negocioj me Perëndimin, por nuk ka shans që të negociojë me Perëndimin për shqiptarët. Ama, ajo që unë lexoj në këto rreshta që i dëgova prej jush dhe dua ta them hapur, – nuk ka këtu kohë dhe nuk është momenti për të bërë sikur. Është fatkeqësia që ne shpeshherë na ka ndjekur në historinë tonë, që kur është dashur që të jemi një kur negociojmë me të tjerët, kemi humbur raste historike dhe i kemi bërë gropën vetes në ndonjë rast, sepse nuk negociojmë dot me njëri-tjetrin. Kështu që, nëse ne jemi një, Presidenti i Serbisë mund të shkojë në Perëndim, mund të shkojë në Lindje, mund të shkojë në hënë, po të dojë, në fund do të ulet me ne. Kur them me ne, do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës, që e njeh apo nuk e njeh ai, është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet dhe natyrisht, me ne në Tiranë, që do të mbështesim deri në fund autoritetet, udhëheqjen e Prishtinës. Por dhe këtu ka një “por” shumë të madhe, përballë deklaratave të tilla provokuese ka dy rrugë: njëra është rruga e barrikadimit; tjetra është rruga e përballimit.

Barrikadimi është në dëmin tonë, jo në dëm të Serbisë. Përballimi sy më sy dhe drejtëpërdrejtë, me mjetet e paqes është sfida jonë. Fiton kush është më i mençur dhe kush arrin të tregojë forcën e mendjes dhe të largpamësisë në paqe. Nuk fiton kush bën të fortin me Facebook dhe me deklarata përçarëse dhe bën të fortin duke shfrytëzuar emocione dhe konjuktura të brendshme, për t’u dukur përpara popullit si patriot i madh, apo si flamurmbajtës i madh, që po shpëton atdheun nga tradhtarët dhe nga agjentët. Shumë e thjeshtë!

Kryeministri Avdullah Hoti: Tani, për çështje të dialogut, ta kemi të qartë, dialogu zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është dialog për të normalizuar çështje që janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, sigurisht, por mund të jenë triviale, sepse kemi dialoguar prej 9 vitesh për normalizim të marrëdhënieve tregtare, për lëvizje të qytetarëve, të diplomave, të kadastrës etj.. Tani po dialogojmë për njohje reciproke. Kjo është pika e parë e marrëveshjes së mundshme mes dy shteteve. Pra, është dialog mes Kosovës e Serbisë, i mbështetur nga BE-ja dhe nga SHBA-ja. Unë kam dëgjuar gjatë kësaj që, sikur ka një konkurrencë mes SHBA-së dhe BE-së në këtë proces. Rolin e këtyre të dyjave, unë e shoh komplementar në proces të dialogut.

Pyetja për ju Zoti Kryeministër Rama; Më herët Kryeministri Hoti është përgjigjur mbi pyetjen e gjithëpërfshirjes në qeverisje të partive politike në Kosovë. Ju në fillimjavë qëndruat dy ditë. Mes të tjerash kërkuat edhe unitet e bashkim të spektrit politik. A i keni rekomnduar edhe Kryeministrit Hoti sot, edhe gjatë të hënës, por edhe liderit të PDK-së për përfshirje të tyre në bashkëqeverisje, sidomos edhe pas mundësisë së dorëheqjes së Presidentit Thaçi pas disa muajsh?

Kyeministri Edi Rama: E di që ka politikanë dhe udhëheqës që duan të drejtojnë gjithë Ballkanin, ndërkohë që kanë përgjegjësinë të drejtojnë thjesht e vetëm partinë e tyre, në funksion të marrjes së qeverisë dhe drejtimit të vendit të tyre. Unë nuk jam ndër ata. Unë nuk kam asnjë të drejtë dhe natyrisht nuk marr përsipër në asnjë mënyrë që t’iu tregoj miqve, vëllezërve, kolegëve në Kosovë se çfarë duhe të bëjnë për atë që është detyra dhe përgjegjësia e tyre në administrimin e jetës politike. Së pari, sepse nuk mendoj se jam aq i zgjuar, sa nga Tirana të jap mend sesi qeveriset Kosova, edhe pse, duhet ta pranoj që ka në hapësirën shqiptare shumë individë që kanë një zgjuarsi supreme, që mund të drejtojnë edhe botën, në qoftë se do të kishin disponibilitetin e dëgjimit nga liderët botërorë. Është absolutisht e drejta dhe detyra e tyre.

A e zgjerojnë qeverinë, a e ngushtojnë qeverinë, a zgjedhin të bëjnë diçka tjetër, kjo është absolutisht e drejta dhe detyra e tyre. Nuk është as detyra dhe as e drejta ime të jap mend për këtë punë dhe për më tepër pastaj të bëj komente në këtë drejtim. Unë kam komentuar dhe mund të komentoj veprime dhe vendime të caktuara të liderëve në Kosovë, kur ato lidhen me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo me interesat strategjike të shqitarëve në aspektin e përballjes me Serbinë në këtë luftë të ftohtë diplomatike në arenën ndërkombëtare. Të tjerat nuk janë detyrat dhe përgjegjësitë e mia.

Pyetje për ju zoti Rama; A do ta përkrahë Shqipëria në të ardhmen, një iniciativë që mund të ndërmerret nga Kosova, që ta padisë Serbinë pranë ndonjë gjykate ndërkombëtare? Pyetja e dytë; A keni folur ndonjëherë në takimet e shumta që keni pasur me Presidentin e Serbisë për temën e Gjykatës Speciale? A është prekur ndonjëherë kjo temë?

Pyetja për Zotin Hoti; A shkoni në Washington, ose në Bruksel, pa pjesëmarrjen e Presidentit Thaçi dhe a preferoni ju që Zoti Thaçi të jetë pjesë e takimeve? Pyetja e dytë; Më 9 korrik, Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka paralajmëruar protestë, që kërkon zhbërjen e ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar. Zot Hoti, a e përkrahni këtë protestë dhe a përkrahni ndonjë ide për abrogimin e ligjit në fjalë?

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi një komb, jemi një familje, por jetojmë në dy shtete dhe në dy shtëpi të ndryshme. Me sa unë di, një shtet nuk mund të bëjë padi në emër të një shteti tjetër. Në të gjitha rastet, unë besoj se kjo që ka ndodhur me Presidentin e Kosovës dhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës nuk mundet dot të përballohet duke bërë sikur po intensifikojmë luftën me Serbinë. Përkundrazi, unë besoj që bërja sikur po intensifikohet lufta me Serbinë, duke u barrikaduar dhe duke filluar nga “fletërrufetë” për atë çka ka ndodhur, vetëm dobëson pozicionin e Kosovës dhe forcon pozicionin e Serbisë.

Nganjëherë, në situata të tilla, aleatët më të mëdhenj të kundërshtarit janë me, ose pa dashje, ata që bëjnë sikur e luftojnë kundërshtarin më fort, sepse, kur ka një proces të pashmangshëm, është proces i pashmangshëm, nuk shmanget dot. E jo vetëm sepse fqinjin nuk e zgjedh, e ke aty dhe jo vetëm sepse me fqinjin, kur zgjedh të lësh armët, duhet të bësh çmos të bësh paqen, jo për fqinjin, por për fëmijët e tu, por edhe sepse në një proces si ky duhet bërë pyetja sot:

Çfarë duhet të presim ne?

Shqiptarët, në vitet e fundit s’kanë qenë kurrë më mirë sesa në të gjithë historinë e tyre, ç’është e vërteta. Kemi dy shtete, jemi një rast unikal.

Por, nga ana tjetër, sa më shumë sfida e paqes komplikohet dhe sfida e qeverisë komplikohet, aq më shumë e shohim, sidomos në këto pak vitet e fundit, të prevalojnë instinktet dhe metodat e vjetra, që në historinë tonë na kanë shkatërruar gjithmonë, të sherrnajës dhe dasisë mes vedi, edhe kur vjen fjala për interesin e madh kombëtar, apo për një interes strategjik. Nuk ka asnjë problem të jemi të ndarë e të sherrosemi për reformën zgjedhore, të jemi të ndarë dhe të sherrosemi për  mirëadministrimin apo keqadministrimin e pandemisë, të jemi të ndarë apo të sherrosemi për njëmijë e një gjëra, për bordet, por nuk mund të jemi të ndarë dhe sherrosemi për interesin strategjik. E pjesë thelbësore e interesit strategjik është procesi i dialogut për të arritur në njohjen përfundimtare.

Çfarë presim ne? Presim që Presidenti i Serbisë të deklarojë që do të njohë Kosovën, apo presim që Presidenti i Serbisë të tregojë se ndihet keq, pse ne nuk jemi në gjendje të flasim në një zë. Mos i prisni këto! Nuk kanë për të ndodhur derisa të ndodhin. Kurrë! Sepse procesi vazhdon dhe kjo është një luftë diplomatike.

Është shah, nuk është boks.

Kurse ne e kemi shumë të lehtë të biem rëndom në gracka fare banale, siç është edhe gracka e një grupi që qenka angazhuar në një pazar për të ndarë Kosovë dhe një grupi tjetër që qenka angazhuar që  ta mbrojë Kosovën, jo më nga jashtë, por nga armiku i brendshëm. Dhe u gjetën armiqtë e brendshëm edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë dhe u ndërtua një histori e tërë që, për fat të keq, shumëkush edhe priret ta besojë, ndërkohë që kjo është tallja më e madhe që mund të bëhet me Kosovën nga ata që medemek e mbrojnë Kosovën nga ky pazar. Kjo është tallja më e madhe që mund të bëhet më popullin e Kosovës, por mbi të gjitha me fëmijët e Kosovës, sepse është shumë e thjeshtë: Si u ndaka Kosova fshehtas?!

Nëse do të ekzistonte premisa apo mundësia që një grup njerëzish me në krye Hashim Thaçin të ishin të angazhuar për ta ndarë Kosovën fshehtas dhe nëse do ta marrim këtë si një diçka që mund të ndodhë në realitet, ku do ta çonin këta, Kosovën e ndarë, në shtëpi? Do ta fshihnin në pyll, apo do ta fusnin në bagazh të makinës, siç doli edhe lajmi që futen Behxhet Pacollin.

Do ta sillnin në Kuvendin e Kosovës, do ta sillnin në mexhelisin ku do ta shihte gjithë populli i Kosovës dhe do të duhet ta kalonin me referendum. 

E si do të ndodhte kjo!

Mirëpo, teoritë e konspiracionit dhe e folura me dy kuptime dhe me dy fytyra na ka bërë shumë dëme në histori. Mund të na bëjë një dëm shumë të madh sot, kur, dua ta mbyll këtu, kemi në të njëjtën kohë dy çështje të mëdha, që tanimë janë të lidhura me njëra tjetrën, jo direkt, por si reflekse në pasqyrë;

Domosdoshmëria që drejtësia ndërkombëtare të mos deformohet duke u kthyer në një padrejtësi kombëtare dhe që në këtë proces drejtësie të rivihet në fokus të të gjithë botës, edhe një herë nga e para, që në këto 21 vite, Kosova i ka qëndruar strikte të gjithë angazhimeve për drejtësi, ndërkohë që në Serbi nuk mund të thuhet se ka ndodhur e njëjta gjë.

Nga ana tjetër, dialogu. Kush do të ishte pala më e interesuar që të mos ketë dialog? Është shumë e thjeshtë, Serbia!

Kush do të ishte pala më e interesuar që ky konflikt të mos zgjidhet? Serbia!

Kush do të ishte pala më e interesuar që  Kosova të mbetej gjysmë e njohur, gjysmë e  panjohur dhe në çdo proces të ishte me një këmbë në bashkësinë kombëtare dhe me një këmbë jashtë saj? Serbia!

Atëherë kushdo që nxit dhe kushdo që propagandon prishjen e procesit të dialogut, historitë e kosnspiracionit  dhe një gjasme luftë botërore me Serbinë me Facebook, thjesht dhe vetëm bën siç i themi ne, “ha bukën e shtëpisë dhe bën duvanë e kojshisë”. E dini shumë mirë se për çfarë po flas. Këto janë fjalët e mia.

Kryeministri Avdullah Hoti: Dua t’iu përgjigjem edhe pyetjeve që u ngritën. Ashtu si e kam thënë, dialogu nuk ka alternativë. Kryeministri Rama e përshkruajti shkëlqyeshëm, pse dialogu nuk duhet të ketë alternativë. Prandaj sa herë që ftohem në Washington dhe në Bruksel, unë do të shkoj dhe të përfaqësoj shtetin e Kosovës. E drejta për protestë  është e drejtë elementare, e drejtë e secilit për të protestuar, por ne gjithashtu, siç kemi treguar edhe në të kaluarën kulturë politike dhe institucionale për të respektuar obligimet ndërkombëtare që kemi, edhe kësaj radhe do të sillemi njësoj, sepse kur organet e rendit dhe të drejtësisë e ngrisin një çështje, nuk është e udhës që të bëhen veprime për të penguar organet e drejtësisë, por për t’u përballur me to. Faleminderit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: Faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.