Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Prononcim i Kryeministrit Rama, pas zhvillimeve në seancën e sotme parlamentare:

Së pari, kjo është një shfaqe shumë e trishtueshme në të cilën janë të përfshirë një tufë politikejsh dhe rrugeçërish, që fatkeqësisht të parët, në mënyrë të verbër kujtojnë se përfitojnë nga të dytët dhe të dytët po aq verbërisht përpiqen të përfitojnë nga të parët.

Por, kostoja është e shqiptarëve që nga Parlamenti presin të dëgjojnë për reformat, presin të dëgjojnë për ligjet për të cilat ka nevojë procesi i reformave dhe i modernizmit të vendit, presin të dëgjojnë për ekonominë, për problemet e panumërta sociale që kemi të trashëguar nga e kaluara dhe janë të detyruar të dëgjojnë të gjitha rrjedhat e përroit psikik të ish kryeministrit.

Së dyti, dhe dua ta shpreh shumë sinqerisht, është për të ardhur keq që Shqipëria sot, jo nuk ka opozitë, por ka një opozitë, e cila përveçse ka braktisur misionin e saj për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që e kanë votuar, është kthyer në zërin e skutave më të errëta të një bote me të cilën politika është e vendosur të ndahet dhe Shqipëria do të ndahet më patjetër.

Së treti, përsa i takon çështjes konkrete, besoj se sot ish kryeministri na dha hapur atë që në fakt ka qenë për të gjitha vitet e qeverisjes së tij standardi i tij, pra në njeri në krye të pushtetit që i mbyll gojën prokurorisë dhe që ende sot e gjithë ditën, ka lënë pa përgjigje “21 Janarin”, ka lënë pa përgjigje shumë e shumë drama dhe skandale të tjera korruptive.

Ne kemi një standard tjetër, standard që është i shpallur dhe mbi të cilin jemi të vendosur të ecim përpara, standardin e punëve të ndara.

I takon drejtësisë, i takon prokurorisë dhe të gjithë procesit hetimor të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve sepse merreni me mend se çfarë dëgjojnë dhe çfarë kuptojnë nga gjithë kjo marrëzi partnerët tanë ndërkombëtarë.

Ministri ynë i Brendshëm dje e tha shumë qartë dhe nuk ngriti akuza, por çmontoi në mënyrë të plotë akuzën e ngritur.

E megjithëse në këtë farsë është përfshirë një tufë personazhesh, as ministri i Brendshëm dhe askush nga ne, nuk synon të përfitojë as për shkak të përkatësisë familjare apo politike të personazheve me Partinë Demokratike, me Partinë Republikane dhe me të gjithë sojin dhe sorollopin e një opozitë që po tretet në llum, por përsëri t’ia lëmë prokurorisë, t’ia lëmë hetimit deri në fund. Nëse flasim për institucione, këto janë institucionet.

Transformimi i foltores së parlamentit në daulle për vallen e shpatave është një marrëzi dhe nuk është rruga drejt institucioneve.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.